Arjeta Kotrri
Dhjetor, 2024/
Revista letrare “Pena”, organ i “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”, del para lexuesit në numrin e saj të 12-të në vitin 2024 me një përmbajtje të pasur. Kryredaktor i këtij numri është z. Adnan Mehmeti dhe redaktorë janë dr. Yllka Filipi, dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri.
Siç tashmë jemi mësuar, revista vjen me një strukturë të konsoliduar, nga ku rubrikat: kritikë, poezi, prozë, intervistë, ese, kronikat e shoqatës etj., janë thuajse të gjitha pjesë e përmbajtjes së “Penës” pasi i gjejmë edhe në numra të tjerë të saj.
Në këtë numër, rubrika e kritikës hapet me shkrimin e ish-kryetarit të SHSHSHA-së, z. Mhill Velaj me titull “Parajsa shpirtërore e dashurisë e shndërruar në art poetik”, një recension mbi vëllimin poetik “Paradigma e parajsës” i shkrimtarit të mirënjohur shqiptaro-amerikan, Gjekë Marinaj.
Në të njëjtën rubrikë është përfshirë një fjalë rasti e shkurtër, e përgatitur nga studiuesja dhe shkrimtarja, dr. Yllka Fillipi me rastin e promovimit të librave: “Fuqia e fjalës së Adnan Mehmetit” me autor Namik Selmani dhe “Poezia e Adnan Mehmetit” me autorësi të dr. Besim Muhadrit, promovim i cili u zhvillua në janar të këtij viti në Stamford.
Në këtë numër të “Penës”, poezia si zhanër na vjen përmes krijimeve të Premisa Kërthit, me poezitë: “Të panjohurën e bëra mike”, “Unë me bindje do të fitoj”, “Kush tha!”, “Mos prit gjë”; të Aurel Naqit me poezitë: “Sytë”, “Më thua shpesh”, “Fotografia”, “Pres të zgjohesh”, “Fanitje”, “Më duaj këtë mbrëmje”, “Ti botën time s’e kupton”, “Sa gjëra mban fshehur një grua”; të Nexhmedin Sylës me poezitë: “Vdis para se të të lërë ajo”, “Kafe pa ty”, “Atë ditë”, “Dhe prap të dua”, “Emocion lirik”; si dhe të Azgan Berbatit me poezitë: “Dehje”, “Tektonika e shpirtit”, “Mungoj”, “Kohë vetmish”, “Është një zog”. Vlen të përmendet që, e gjithë rubrika e poezisë në këtë numër të “Penës” vjen e plotësuar nga krijimet e shkrimtarëve që sapo janë anëtarësuar në “Shoqatën e Shkrimtarevë Shqiptaro-Amerikanë”, prandja ju urojmë atyre suksese të mëtejshme në krijimtari.
Ndërsa, proza na vjen në këtë numër të 12-të të revistës vetëm me një autor: Sami Mulaj me tregimin “Një tortë, dy puthje”, i cili flet për përplasjen mes të shkuarës dhe të tashmes dhe triumfin e dashurisë në fund.
Publicistja dhe shkrimtarja Raimonda Moisiu-Sade vjen tek lexuesi i “Penës” përmes një interviste që ajo ka dhënë për zonjën Marjana Zeneli Bulku, krijuese dhe publiciste. Në këtë bashkëbisedim, kemi mundësi të njihemi edhe më shumë me qasjen e znj. Moisiu-Sade ndaj letërsisë, procesit krijues dhe kritikës si dhe sfidave të reja me të cilat ndeshet arti sot në përgjithësi. Kjo intervistë është dhënë në janar të vitit 2024 dhe është marrë nga libri “Një jetë, disa histori”, me autore Marjana Zeneli Bulku.
Rubrika e esesë në këtë numër përfaqësohet nga studiuesi dhe shkrimtari dr. Bexhet Asani me shkrimin e tij me titull “Mitrush Kuteli i Pogradecit dhe Mitrush Kuteli i Strugës”, si dhe me nën titullin “Gjuha shëruese e liqenit”.
Në faqet 47 dhe 48 të revistës, lexuesi ka mundësi të informohet dhe të mësojë pak më shumë mbi profilin e fitueses së çmimit “Nobel” në letërsi, e cila është pikërisht Han Kang, një shkrimtare koreano-jugore.
Pavarësisht arritjeve dhe hapave të suksesit që SHSHSHA-ja dhe anëtarët e saj kanë arritur gjatë 2024-ës, po këtë vit patën edhe momente të trishtueshme nga humbje të mëdha. Kryesia e SHSHSHA-së njofton për ndarjen nga jeta të shkrimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadare, si dhe dy anëtarëve të shoqatës, profesor Sami Repishtit dhe Agim Dëshnicës. Presidenti i shoqatës, z. Adnan Mehmeti udhëtoi nga SHBA për në Shqipëri për të bërë homazhe në lamtumirën e fundit organizuar në Tiranë për Kadarenë.
Po për këtë ngjarje, znj. Keze Kozeta Zylo vjen me shkrimin-homazh dedikuar Kadaresë: “Iku në përjetësi shkrimtari i shquar botëror Ismail Kadare”.
Për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Agim Dëshnica, shkrimtari Visar Zhiti na jep ndjesinë e tij me pak fjalë dhe zgjedh ta kujtojë atë përmes vetë poezisë së Dëshnicës, atë me titull “Dëgjoj, një zë sjell oqeani”. Për humbjen e profesor Repishtit, Visar Zhiti shkruan se “ikja e tij është dhe ardhje” dhe e quan Sami Repishtin “një president moral të shqiptarëve”.
Me kënaqësi konstatojmë se rubrika e kronikës në numrin e 12-të të revistës “Pena” është goxha e pasur por edhe e larmishme. E quajmë mjaft të rëndësishme këtë rubrike dhe tejet funksionale, sidomos për anëtarët e rinj të Shoqatës apo për një lexues me interesa më të thelluara sa i takon krijimtarisë që zhvillohet në diasporë apo për ‘ndërtimin’ e një historiku për “Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”.
Në janar të këtij viti u bë promovimi i librit “Paradigma e Parajsës”, me autor Gjekë Marinaj. Dr. Sadik Elshani sjell një kronikë të kësaj ngjarjeje letrare të zhvilluar në Philadelphia në selinë e shoqatës “Bijtë e Shqipes” duke e titulluar: “Poeti Gjekë Marinaj solli magjinë e poezisë te ‘Bijtë e Shqipes’”.
Po në janar, por këtë herë në Stamford, CT u bë promovimi i dy librave kushtuar krijimtarisë së Adnan Mehmetit, pikërisht: “Poezia e Adnan Mehmetit” me autor dr. Besim Muhadri si dhe “Fuqia e fjalës e Adnan Mehmetit” me autor Namik Selmani. Për këtë aktivitet, Kastriot Fetahu sjell kronikën dhe kumtesën me titull “Shoqata e Shkrimtarëve promovon botimet për Adnan Mehmetin”.
Janarit të pasur me aktivitete për vitin 2024, i shtohet edhe promovimi i krijimtarisë së shkrimtares Sabije Dervishi Veseli, promovim i cili u zhvillua në selinë e “Vatrës” në Bronx NY, organizuar nga “Vatra” dhe pasqyruar si aktivitet nga editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja.
Në prill të vitit 2024 u zhvillua panairi i tretë i librit shqip në SHBA. Një kronikë për këtë ngjarje të rëndësishme letrare e sjell Arjeta Kotrri, e cila për titull ka vendosur një fjali të shkrimtarit Visar Zhiti, artikuluar gjatë fjalës së tij të rastit në këtë ngjarje kulturore: “Gjuha është atdheu i shkrimtarit”. Lexuesi i “Penës” ka mundësi ta lexoje fjalimin e plotë të shkrimtarit Visar Zhiti, mbajtur në këtë panair, të cilin e ka titulluar “Në panairin e librit-shtëpia, në shtëpi-panairi i librit” dhe e hap me këtë togfjalësh: “Të dashur libra!” Për lexuesin e interesuar të njihet me kumtesat e plota që janë mbajtur gjatë panairit të librit, Shtëpia Botuese “Adriatic Press” ka mundësuar publikimin e një suplementi të revistës “Pena” kushtuar vetëm këtij panairi, shoqëruar edhe me një album fotografik.
Në mbarim të panairit të librit, u zhvilluan edhe zgjedhjet për kryesinë e re të “Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë”. Presidenti i SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti vjen me një kronikë të shkurtër për këtë ngjarje, shoqëruar me biografinë e kryetares më të re të përzgjedhur, dr. Yllka Filipi. Me rastin e zgjedhjes si kryetare e shoqatës, poetja dhe studiuesja dr. Yllka Filipi mbajti një fjalim që e kishte titulluar: “Libri shëron, afron lutjet dhe përqafon dritën” dhe vjen i plotë në revistën “Pena”.
Për anëtarësimet e reja në SHSHSHA na njeh z. Mhill Velaj me shkrimin “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pasurohet me prurje të reja e personalitete të shquara të artit e kulturës”, ku prezanton anëtarët më të rinj me nga një biografi dhe foto të secilit. Bëjmë me dije se anëtarët më të rinj të SHSHSHA-së janë: Nexhmedin Syla, Gjon Frani Ivezaj, Eva Dori, Aurel Naqi, Sami Mulaj, Nosh Mernacaj dhe Azgan Berbati.
Në faqet në vijim të revistës “Pena”, lexuesi njihet me aktivitetin e zhvilluar në Prizren për librin “Në rrënjët hasjanë të shkrimit shqip”, botuar në SHBA nga “Adriatic Press”, me autor Mëhill Velajn, libër ky kushtuar studiuesit Besim Muhadri. Hyrë Tejeci sjell një kronikë të detajuar të këtij promovimi dhe përmend që ky libër është botuar pikërisht me rastin e 60-vjetorit të lindjes se profesorit Besim Muhadri dhe 30-vjetorit të botimit të librit të tij të parë.
“Libri në gjuhën shqipe edhe në bibliotekën e Garfieldit”, përgatitur nga dr. Yllka Filipi, është një kronikë e pasur ku pasqyron detajet dhe rëndësinë e këtij aktiviteti për librin në gjuhën shqipe. Ky organizim për mbledhjen dhe dhurimin e librave shqip bibliotekës së Garfield-it u bë i mundur nga “Albanian Alliance of New Jersey” (“Aleanca Shqiptare e New Jersey-t”), nën kujdesin e drejtuesve të saj të palodhur Alban Gaba dhe Arjana Fetahu Gaba.
“Letërsia e pranguar e Sami Repishtit” me autore Emrije Krosi u promovua në “Vatër”, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Adriatic Press”. Fjala e rastit e presidentit të SHSHSHA-së, z. Adnan Mehmeti për këtë aktivitet publikohet e plotë në këtë numër të revistës “Pena”.
Për promovimin e dy veprave të autores Age Gjokaj Ivezaj, konkretisht romanin “Kush na mallkoi?!” dhe përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe shpresë”, na sjell një kronikë nga Tuzi i Malit të Zi, dr. Bexhet Asani.
Në shtator të vitit 2024 u zhvillua një simpozium historik me rastin e 100-vjetorit të kryerjes së misionit diplomatik të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë (1920-1924). Në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën shqiptare, morën pjesë me kumtesat e tyre kryetarja dhe nënkryetarja e SHSHSHA-së, përkatësisht, dr. Yllka Filipi me shkrimin “Fan Noli mes Shqipërisë dhe Amerikës. Maratona publicistike, simbol i vetësakrifikimit për hir të interesave kombëtare” si dhe Arjeta Kotrri me shkrimin “Prania e ‘Albumit’ tek lexuesi shqiptar”. Lexuesit e “Penës” do të kenë mundësi të lexojnë edhe kronikën e këtij simpoziumi të përgatitur nga editori i gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja: “Diplomacia e Imzot Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve u përkujtua në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York”.
Nga atmosfera e përurimit të dy librave më të fundit të shkrimtarit dhe studiuesit dr. Bexhet Asani në Strugë (“Motra e diellit. Prozë popullore nga rajoni i Strugës” si dhe “Grimca letrare. Studime, recensione, skica, portrete”), na sjell përjetime të sajat znj.Mimoza Elezi ndërsa një kumtesë për librin “Motra e diellit” vjen nga z. Kristaq F. Shabani.
Shkrimtari Vlashi Fili u nderua me çmimin për letërsinë “Artium Mundus Prize 2024”. Laver Niku na sjell një kronikë të detajuar mbi këtë ngjarje kulturore dhe një vështrim mbi jetën dhe veprimtarinë e Vlashi Filit. Në këtë numër të “Penës” lexuesi ka mundësi të lexojë të plotë fjalën e rastit të shkrimtarit Gjekë Marinaj për dorëzimin e çmimit “Artium Mundus” shkrimtarit Vlashi Fili.
Në këtë numër të revistës, lexuesi ka mundësi të lexojë edhe një kronikë për vitin 2024 të shkrimtarit Visar Zhiti, nga takimet e organizuara për të, promovimet, çmimet e marra, etj.
“Veprimtari dinjitoze te “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia”, përgatitur nga dr. Sadik Elshani është kronika që mbyll numrin e 12-të të revistës “Pena”. Në këtë kronikë, z. Elshani na informon më në detaje për promovimin e veprave të autorit Hys Hasa botuar në harkun kohor 2022-2024.
Ndërsa jemi në fund, le të kujtojmë moton e SHSHSHA-së:
“Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.