Shkruan Eugen SHEHU/
Ndonëse në një largësi kohore prej gati shtatë deceniesh (28.tetor.1944), ndonëse midis shumë të vërtetash të mëdha historike që po ndriçohen, ende mbi epopenë nacionaliste të Strugës, në tetor-nëntor 1944 ka vetëm terr. Të mësuar me gënjeshtrat sllavomaqedonase, të indoktrinuar prej sentencës mjerane se “historinë e bëjnë fitimtarët’’ mjaft prej bashkëkombasve të mij, ende ndihen të ndrojtur, t`u afrohen të vërtetave të mëdha, ngjarjeve reale, luftrave epokale që zhvilluan burrat nacionalistë të Maqedonisë Shqiptare. Por mendoj se më tepër nga çdo komb ballkanik, ne shqiptarët kemi nevojë të hedhim dritë mbi të vërtetat e mëdha, ne kemi nevojë të ngremë në piedestalin e nderit të kombit, pikërisht ata nacionalistë, atë varg burrash me nam, që ndonëse e parashihnin fatin e zymtë të vatanit, askurrë nuk u ligështuan përkundrazi luftuan deri në fishekun e fundit e deri në pikën e mbrame të gjakut.
Në kontekst të ngjarjeve në ato vite, e shoh të udhës të them se edhe përpara tetorit të viti 1944, nga sllavokomunistë maqedonas si edhe forca të caktuara shoviniste bullgare, ishin bërë disa përpjekje për të nënshtruar banorët e Maqedonisë Shqiptare dhe veçmas, për arsye të pozicionit gjeostrategjik, ata të Strugës dhe Ohrit. Por të gjitha këto përpjekje, ndeshën në qëndrimin burrëror të shqiptarëve të këtyre trevave, të cilët, me pushkën hedhur krahut, u shëndrruan në karakolle të fuqishme qëndrese.
E rëndësishme është të theksohet, se sidomos pas kapitullimit të Italisë, në vjeshtën e viti 1943, banorët e Maqedonisë Shqiptare, u ndjenë më afër realizimit të ëndrrës së tyre për Shqipërinë Etnike, me ç`rast nuk kursyen as përpjekjet dhe as sakrificat sublime. Një ngjarje me rëndësi në ato ditë, do të ishte dhe thirrja e Kuvendit Kombëtar të Tiranës ( 15 tetor 1943). Nuk mund të jetë e rastit që përfaqësues në këtë kuvend historik ishin shqiptarë nga të gjitha trevat arbërore dhe gjithashtu nuk mund të ishte e rastit që, Maqedoninë Shqiptare e përfaqësonin aty 12 burra. Fill pas organizimit të mbrojtjes kombëtare shqiptare, mbi këto treva u derdhën reparte të tëra sllavomaqedonase, të armatosur mirë dhe kur ndeshën në revoltën nacionaliste, u larguan nga sytë këmbët.
E shoh të udhës të sjellë në këtë publikim, një pasazh të vetëm të shkruar me dorën e historianëve, ish-drejtues të Akademive të Shkencave të Shkupit, lidhur sidomos me luftimet, në këto zona, në dimrin e viti 1943-1944. Ja çfarë ata kanë pranuar zyrtarisht: “Me gjithë trimërinë e jashtzakonshme të treguar, në dhjetor të vitit 1943, njësitë e UNÇ dhe APJ, u detyruan, përpara numrit të madh gjerman dhe ballistë, të lenë territorin e lirë të Maqedonisë perëndimore dhe të përqëndrohen në rajonin e Kozhuvit’’ ( Historia e popullit maqedonas, Shkup 1983, faqe 332)
Kjo goditje e nacionalistëve të Maqedonisë Shqiptare, kundër nacionalçlirimtarëve sllavomaqedonas, merrte vlera të mëdha, pos aspekteve strategjike-ushtarake dhe morale, kjo për faktin se në vjeshtën e e viti 1943, kundër forcave nacionaliste të Maqedonisë Shqiptare, ishin hedhur në sulm të papërmbajtur propogandistikë jo vetëm shovinistët bullgarë e sllavomaqedonas, por edhe vetë nacionalçlirimtarët shqiptarë. Klika komuniste e Tiranës, nëpërmjet krerëve Vukmanoviq Tempo dhe Haxhi Lleshi, duke jetuar me ëndrrat boshe të vllezërisë “së pandashme’’ me popujt sllavë, patën mundur të formonin asaj kohe disa aradha partizane, të cilat, në ndonjë rast u ishin kundërvënë edhe forcave të Mefail Zajazit dhe Xhem Gostivarit.
Të mos harrojmë se në vjeshtën e vitit 1943, shtabi Madhor i Maqedonisë, i cili, merrte udhëzime, porosi e vendime direkt nga Beogradi, pat shpërndarë në mijëra kopje, në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare, të famshmin “Manifest’’ në të cilin i thurreshin hymne fitoreve “të lavdishme’’ të ushtrisë maqedonase, nën flamurin e Republikës së Krushevës. Sipas këtij Manifesti, gjithë popujt e Ballkanit, ishin bashkuar në luftë për krijimin e lidhjes vëllazërore federative të popujve të gadishullit, në sajë të barazisë së plotë nacionale dhe pranimit të së drejtës për vetvendosje të popujve.
Në fund të këtij Manifesti kryekëput ideologjik dhe demagogjik thuhej tekstualisht: “Vëllezër dhe motra shqiptarë!
Okupatori fashist gjerman dhe shërbëtorët e tij, fashistët shqiptaro-mëdhenj dhe hegjemonistët, mundohen që t`ju shtyjnë në luftë vëllavrasëse, dhe luftë fetare. Ata që sot duan të paraqesin çështjen e kufijve të nesërm, përpiqen që të shkatërrojnë unitetin mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar, unitet, i cili, është farkëtuar në luftime të mëdha e të vështira kundër okupatorit.
…Dijeni se ushtritë e bashkuara të të gjithë popujve të Ballkanit sot po luftojnë për t`u krijuar një federatë ballkanike dhe ne, vlen t`i kontribuojmë këtij qëllimi të madh duke e forcuar unitetin tonë, sepse kështu i godasim më fortë armiqtë e këtij uniteti.’’ (“Istrorijski Arhiv Komunistiçke Partije Jugoslavije’’ vëllim VII, faqe 260).
Pikërisht duke u treguar shqiptarëve përralla për vetvendosje dhe familje “të lumtur” ballkanike, sllavomaqedonasit donin t`i ngulnin thikën pas shpine, lëvizje epokale të nacionalizmit shqiptar. Por ata askurrë nuk mundën ta bënin këtë. Betejat e mëdha të zhvilluara në Strugë, në tetor-nëntorin e vitit 1944 dëshmojnë për këtë. Gjaku i derdhur në luftën vëllavrasëse akuzon ende ato monstra të urryera dhe butaforeske të komunizmit famëkeq, i cili në përpjekjet për denatyrimin e shqiptarëve, shkroi veç faqe turpi e humbjeje.
DHELPËRIA DINAKE KOMUNISTE
Ç`mund të ishte nga pikpamja strategjike Struga, ajo trevë autoktone shqiptare ? Po të kemi parasysh tetorin e viti 1944, në rrafsh të veprimeve luftarake të RAIHUT TË TRETË, bindemi lehtas se tërheqja e trupave gjermane nga jugu i Ballkanit drejt Europës Qëndrore ishte i pashmangsgëm. Forcat kryesore të grupimit ushtarak gjerman nën inicialin “E’’, patën nisur në fillim të tetorit 1944, përqëndrimin e tyre në Strugë dhe më pas i drejtoheshin viseve të Evropës nëpërmjet kalimeve të tyre, njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova. Pikërisht në këtë pikë kyçe, duke dashur që më tepër se pikë frontale, nacionalçlirimtarët shqiptarë e maqedonas, të kryenin ndonjë luftim për propagandë, ata filluan përqëndrimin drejt Strugës.
Por nuk ishte vetëm aspekti propagandistik, ai që i shtynte sllavomaqedonasit të rrethonin për të çliruar Strugën. Edhe vetë shtabi ushtarak i Beogradit, e kishte të qartë se forcat gjermane nuk kishin asnjë arsye të rrinin në Strugë. Madje,logjikisht nëse do të sulmoheshin, ato forca sigurisht do të zgjasnin qëndrimin aty. Kryesorja, për shtabin ushtarak maqedonas, ishte gjakderdhja midis shqiptarëve. Për ta ishte e qartë, se mjaft familje të shquara atdhetare të Strugës e rrethinave, gëzonin respektin e forcave gjermane. Nisur nga qëllimet strategjike të tyre, gjermanët deklaruan që në fillim se nuk kishin kurrëfarë ëndre për pushtimin e Shqipërisë, ndonëse duhet të kalonin andej dhe të dislokoheshin për të ruajtur shpinën nga ndonjë zbarkim i mundshëm angloamerikan në Adriatik. Nuk ka si të spjegohet ndryshe fakti që në vitet 1943-1944, në mes të Strugës valëvitej flamuri kuqezi arbëror, në shkollat e fshatrave më të largët mësohej gjuha shqipe dhe krejt administrata vendore bashkëpunonte thellësisht me shtetin amë.
Shtabi ushtarak i Divizionit 48, maqedonas e kishte fortë të qartë se me flamurin e vet, ai nuk mund të hynte kurrë në Strugë, ndaj duke shfrytëzuar lidhjet ‘’vëllazërore’’ me klikën komuniste të Tiranës, thirri në ndihmë Brigadën e IV-Nacionalçlirimtare, e cila, në përbërje të saj kishte mbi 90 për qind, luftëtarë shqiptarë. Parë në këtë rrafsh, platforma shovene e vëllavrasëse do të funksiononte më së miri, nëse nacionalistët e asaj treve do të mbyllnin sytë përpara kësaj dhelpërie. Vetë kuadro udhëheqës të Brigadës së IV të Maqedonisë shqiptare, kanë pranuar se ata kërkuan takim me krerët e Ballit Kombëtar në Strugë, me ç`rast të bashkonin armët kundër gjermanëve, për çlirimin e Strugës. Por, në këtë takim, nacionalistët struganë, ua bënë të qartë nacionaçlirimtarëve se Struga ishte e çliruar. Pushteti vendor funksiononte normalisht, po ashtu shkollat e gjithçka. Sa për gjermanët, komanda e xhardarmërisë shqiptare ishte marrë vesh që asnjë armë të mos ngrihej kundër njëri-tjetrit, pasi ata brenda 8-9 ditëve do të linin përfundimisht garnizonet e tyre në Strugë. Në të kundërt, nëse mbi trupat gjermane do të hapej zjarr, atëherë vepronin ligjet e luftës.
Por i gjithë ky spjegim, nuk u pëlqeu as Qemal Agolli as Nafi Sulejmanit, kuptohet as Lube Marinovskit e Danica Popovskës. Qemal Agolli (ish komisar i Brigadës së IV.Nacionalçlirimtare) nuk kish se si të binte në ujdi me vëllezërit e tij prej gjaku kur shkruante në trakte maqedonisht pas të tjerave: “Sikurse u prishën teoritë dhe metodat e Gestapos, ashtu si u bënë hi e pluhur edhe fjalët helmuese të ballistëve, dhe tradhëtarëve të popullit maqedonas. Ata janë kriminelët e luftës popullore që thoshin se nuk ka ardhur koh për luftë… Ata thoshin se lëvizja nacional çlirimtare është pluhur përpara syve, se me atë lëvizje udhëheqin komunistët- shovinistë nën maskën e pansllavizmit.” (Gazeta “Naroden Vojnik’’ qershor 1944)
Pra ishte mëse e qartë se flamuri kuqezi, në krye të Brigadës IV-të Maqedonisë Shqiptare, nuk shkonte për t`u valëvitur në Stugë, pse aty në bashki, xhandarmëri e shkolla veç flamuri ynë kombëtar valonte, por shkonte aty i mbajtur në duar mjeranësh, që të shkaktonin gjakderdhje vëllezërish, për të ngritur më tej, në Strugën arbërore, flamurin maqedonas. Çelte në këtë mënyrë siparin, tragjedia e madhe kur shqiptarët duhet të vriteshin mes vetes për idetë bolshevike, duke iu larguar kontinuitetit shpirtëror të tyre. Kjo luftë tek e mbramja, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e vendimeve të marra në manastirin e Prohos Pçinjskit, në mbledhjen e parë të ASNOM-it, ku pos të tjerave u aprovua vendimi për ngritjen e gjyqit për kundërvajtje ndaj nderit kombëtar maqedonas.
Në 16 tetor 1944, natën duke dashur të rrethojnë nacionalistët e fshatit Kalishtë (Strugë), forcat nacionalçlirimtare të Brigadës së IV të Maqedonisë shqiptare, hasin në rezistencë të fuqishme. Luftimet vazhdojnë për tri orë rresht dhe ndonëse të dy palët e njihnin terrenin, ishin nacionalçlirimtarët që u tërhoqën duke dashur t`u tregonin gjermanëve se ish vetëm një mosmarrëveshje, midis shqiptarëve dhe asgjë tjetër. Në agun e datës 17, batalioni që sulmoi Kalishtën, ishte zmbrapsur kryesisht në pozicionet e veta.
Po në këtë ditë, nacionalçlirimtarët shqiptarë, mësyjnë drejt “bandave” balliste të Llabunishtit, të udhëhequra prej atdhetarit të shquar, Murat Llabunishti dhe bashkëpunëtorëve të tij. Burrat e Llalbunishtit, ndonëse të paarmatosur siç duhej, iu bënë ballë sulmeve të njëpasnjëshëm të nacionalçlirimtarëve shqiptarë. E vërteta është se shtabi i Brigadës së IV-, i kishte bashkërenduar detyrat e veta luftarake me Divizionin e 48 maqedonas, por ushtarët sllavomaqedonas as që nuk u afroheshin fshatrave të Strugës. Ata mjaftoheshin me dërgimin e armatimit, minicionit si dhe ndihmave të tjera të logjistikës.
Veleshta do të ishte një tjetër drejtim i mësymjes së nacionalçlirimtarëve. Edhe në këtë rast, aty u dërgua një batalion i Brigadës 20 sulmuese shqiptare, e cila, bashkërendonte veprimet me Brigadën e Parë Maqedonase. Ndonëse nacionalçlirimtarët, kishin filluar të godisnin me murtaja, shtëpitë e ballistëve, kundër tyre u ngritën në këmbë, i gjithë fshati, i cili me armë në dorë po e shëndrronte çdo shtëpi në një kështjellë. Dikush nga shqiptarët e këtij fshati, ngriti në dritare të shtëpisë së tij dykatëshe flamurin kuqezi, duke menduar se ata që sulmonin, nëse ishin shqiptarë, do të tërhiqeshin. Po lufta sa vinte dhe ashpërsohej ndaj gjëmimi rritej. Duke dashur të merrnin pa tjetër Veleshtën, nacionalçlirimtarët shqiptarë dërguan përforcime të reja. Por më pas, u muar vesh se po shkonte drejt fshatit nacionalisti tjetër i shquar Faik Dobovjani me rreth 80 trima, ndaj shtabi sllavomaqedonas urdhëroi pushimin e luftës, ngase në rast të thyerjes së Brigadës 20 sulmuese, duhet të fuste në luftim Brigadën e Parë Maqedonase.
Lidhur me rreptësinë e kësaj beteje, në shtabin luftarak të klikës komuniste të Tiranës do të shkonin disa informacione. Në njërin prej tyre, pas të tjerave do të shkruhej teksualisht: “Lufta jonë në këto vise sa vjen e bëhet më e vështirë. Ballistët deri dje na i kishin paraqitur si hakmarrës e gjakatarë, po në fakt ne po i bijem në qafë. Ata nëpër shtëpi kanë flamurin e tyre dhe ne kurrfarë bashkëpunimi të tyre me gjermanët nuk po shohim… Kur shohim të na vritet ndonjë shok, zemra na pikon gjak nga dhimbja”. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë-Tiranë. Fondi Brigada 20 sulmuese. K.4, dosja 11).
REZISTENCA NACIONALISTE
Më 18 tetor 1944, shtabi ushtarak maqedon dha urdhër për kinse çlirimin e Strugës nga gjermanët, edhe kësaj radhe ishin nacionalçlirimtarët shqiptarë që u vërsulën për të marrë qytetin. Por vetëm pas disa orësh luftimesh, ata u tërhoqën duke lënë pas disa dhjetra të vrarë, të pafajshëm. Pas këtij sulmi, ka qenë nacionalisti Shevki Leni, komandant i xhandarmërisë së Strugës, i cili, ka marrë kontakte me krerë të nacionalçlirimtarëve maqedonas e shqiptarë, duke iu spjeguar atyre, mbi qëndrimin vetëm disa ditor të forcave gjermane në qytet. Pikërisht për këtë, për të mos derdhur gjakun e pafajshëm, krejt në mënyrë absurde, për të mos rrënuar shtëpitë dhe shkollat, ky nacionalist premtoi se me largimin e gjermanëve do të ishte i gatshëm të linte atë detyrë. Por edhe kësaj radhe bolshevikët maqedonas e shqiptarë, këta nxënës të zellshëm të gjeneralismit Tito, nuk pranuan. Ç`prej atij momenti, Shevki Leni u kthye në qytet dhe u spjegoi burrave nacionalistë të Strugës, se qëllimi kryesor i sllavomaqedonasve ishte vëllavrasja dhe jo aksionet kundër gjermanëve.
Më 25 tetor 1944, Brigada IV- e Maqedonisë shqiptare, duke marrë urdhër direkt nga komanda maqedonase e Divizionit 48, nisi të marrshonte në drejtim të fshatit Ladorisht. Ende pa rënë muzgu, aradhat nacionalçlirimtare, u ndalën në një pyll të vogël, në të hyrë të Ladurishtës, prej nacionalistëve të armatosur të këtij fshati. Jo më kot, komanda maqedonase pat zgjedhur për kurban Ladorishtin. Ky fshat banohej njëqind për qind prej shqiptarëve, të cilët, patën rrëfyer me vepra se nuk mund të duronin mbi krye zgjedhën sllavomaqedonase. Sipas dokumenteve, që gjenden në arkivin qëndror të Ushtrisë, në Tiranë, komanda e Brigadës së IV, ka kërkuar të zërë, pozicione në Ladorisht, për të sulmuar prej andej, autokolonat gjermane në tërheqje e sipër. Nacionalistët e Ladorishtit, midis të cilëve trimat: Mefail Dauti, Ajdin Hoxha, Bajram Ismaili, Hajdar Kolonja etj, u këshilluan me nacionalçlirimtarët që pritat kundër gjermanëve, mund të bëheshin larg qendrave të banuara, përpara madje se ata të hynin në Manastir dhe jo këtu ku pasojat mund ishin të mëdha.
Por ende pa mbaruar mirë biseda, komisari i batalionit tretë të Brigadës së IV, të Maqedonisë shqiptare, Lube Martinovski, duke fyer e sharë më fjalët më të ndyra burrat e Ladorishtit, se kinse janë agjentë të Xhem Gostivarit, ka urdhëruar hapjen e zjarrit. Duke përfituar nga errësira që pat rënë dhe pylli i dendur, nacionalistët e Ladorishtit, mundën të pengojnë për disa orë përparimin e nacionalçlirimtarëve në drejtim të fshatit. me të dëgjuar pushkë, radhët e nacionalistëve u shtuan dhe në agun e 26 tetorit u zhvilluan luftime të rrepta.
Sidoqoftë, një grusht burrash trima, nuk mund të përballonin dy batalione nacionalçlirimtarësh të armatosur më së miri. Për më tej, udhëzimet e Ballit Kombëtar për Maqedoninë Shqiptare, në ato momente, ishin për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur luftën vëllavrasëse. Kësisoj ata preferuan tërheqjen duke përcjellë edhe dhimbjen për luftëtarë të nacionalizmit që i shtrin përdhe dora vrastare e vëllaut prej një gjaku. Por edhe prej nacionalçlirimtarëve pati humbje. Në informacionin që komanda e Brigadës dërgonte disa ditë më vonë, pos të tjerave shkruhej: “Përsëri luftime të rrepta në Ladorisht, por këtë radhë kundër forcave balliste. Të ftohtit, terreni i panjohur, bënë që një kompani të shpërndahej, krejt. Prej saj 7 shokë u vranë ndërsa janë plagosur 5 të tjerë”. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë-Tiranë. Fondi Brigada 20 sulmuese. K. 4 dosja 11)
Dy ditë më vonë prej pozicioneve pothuajse brenda fshatit Ladorisht, njësitë luftarake nacionalçlirimtare ndërmuarën një sulm të fuqishëm kundër një autokolone gjermane që vinte nga Greqia, duke dashur të hyjë në Shqipëri. Komanda gjermane e Strugës, me të dgjuar të shtënat e para, dha urdhër të ndalej autokolona, duke thirrur menjëherë Shevki Lenin të ndërmjetësonte për këtë luftim që mund të shmangej. Por ende pa mbërritur ky i fundit në Ladorisht, luftimet kishin hyrë në fazën më kritike. Atëherë në ndihmë të autokolonës mbërritën forca të reja nga garnizoni gjerman në Strugë, duke i fryrë akoma më tej zjarrit të ndezur. Në mbrëmjen e 27 tetorit, kolona gjermane u vu sërish në lëvizje, ndërsa nacionalçlirimtarët, ngarendnin të mblidheshin e të numëronin të vrarët dhe të plagosurit shqiptarë, nën urdhërat e sllavomaqedonasve.
MASAKRA E LLADORISHTIT
Të nesërmen, më 28 tetor 1944 komanda gjermane e Strugës, duke iu përmbajtur kushteve të vendosura më parë ndërmorri një operacion spastrimi ndaj popullsisë së pafajshme të Ladorishtit. Dhjetra shtëpi u dogjën dhe mbi 100 banorë të Ladorishtit u pushkatuan. Ende sot në Ladorisht ka një lapidar, mbi këtë barbarizëm hitlerian. Por ende sot në asnjë faqe (prej miliona faqeve manipulatore të historisë sonë) nuk thuhet se kush kanë qenë shkaktarët e vërtetë të masakrës. Duke u ndriçuar këto ngjarje, mendoj se ndriçohen më mirë parrullat demagogjike për kinse vëllazërimin shqiptaro-sllavomaqedonas.Masakra e Ladorishtit, u shërben të gjithë shqiptarëve, të cilët të ndarë në dy barrikada ideologjike po derdhnin gjakun e pafajshëm të njëri-tjetrit. Por nëse nacionalistët ( të urdhëhequr prej Murat Llabunishtit, Faik Dobovjanit, Nazim Tateshit etj) i ulën përnjimend pushkët ndaj vëllezërve të tyre, nacionalçlirimtarët shqiptarë, vazhduan masakrën deri në likuidimin e nacionalistit të mbramë të Maqedonisë Shqiptare. Edhe ky disponim shpirtëror është lënë në harresë prej historiografisë sonë. Por harresa të tilla mund të rëndojnë së tepërmi në ndërgjegjen e kombit.
Mbas ngjarjes së dhimbshme të Ladorishtit, lëvizja nacionaliste në këtë trevë, u ndje më e sigurtë në qytetin e Strugës, ku me largimin përfundimtar të gjermanëve, çështja shqiptare virej përballë dilemave të mëdha dhe privacioneve të rrezikshme. Më 18 nëndor 1944, atëherë kur reparti i fundit gjerman po linte Strugën duke kapërcyer në kufirin politik shqiptar, nacionalçlirimtarët nuk munguan të bëjn “sulmin” përfundimtar mbi armikun. Ky “sulm”, në të cilin merrnin pjesë mbi 2000 nacionalçlirimtarë, nuk mund të kalonte pa retorikat bombastike, propagandistike të shtabit ushtarak sllavomaqedonas, për kinse shpirt të paepur të luftëtarëve maqedonas.
Por nacionalçlirimtarët shqiptarë dhe popullsia e gënjyer pas ëndrrave komuniste, e provuan trishtimin e madh që në ditën e parë të festës në Strugë. Në sheshin, në mes të qytetit, komanda e divizionit 48 maqedonas, hoqi flamurin shqiptarë dhe vuri atë sllavomaqedonas. Historishkruesit tipik komunist, edhe në ditët e sotme nuk ndahen dot prej naivitetit gjenetik. Kështu, në një prej botimeve të fundit për Brigadën e IV-të Maqedonisë shqiptare, lidhur me flamurin kuqezi thuhet: “Struga u çlirua vetëm nga Br4Sh dhe populli i saj i priti partizanët me entuziazëm dhe brohoritje të mëdha. Por krerët e shovinizmit probullgar, qysh në ditët e para të çlirimit, nxorrën krye. Ata filluan të mos respektonin mbajtjen e dy flamujve ( shqiptarë dhe maqedonas) duke iu kundërvënë urdhërit të shtabit” “(V.Kasapi, H.Çipuri “Çlirimtarët shqiptarë nga Dibra në Zagreb”. Tiranë 1995, faqe 84)
Duke folur për kinse dhjetra beteja “të lavdishme” të nacionalçlirimtarëve shqiptarë, këta kalemxhinj dhe aradha e gjatë mjerane e tyre, nuk përmend faktin kokëfortë sa pak ushtarë apo oficerë gjermanë u vranë. Ata druhen t`u afrohen të vërtetave të mëdha, të arkivave, apo memories së kombit të tyre. Ata nuk përmendin dhe e keqja është se duhet t`i çojnë drejt harrimit të përjetshëm ato qindra e mijra jetë njerëzore, të cilat u flijuan vetëm e vetëm nga shitja e klikës komuniste të Tiranës, tek armiku shekullor i shqiptarëve. Dhe paradoksi qëndron pas të tjerave në faktin se ndërsa këto jetë njerëzish kërkonin ndihmë prej krimit makabër, nacionalçlirimtarët shqiptarë ëndërronin parajsën e bashkësisë së sllavëve të jugut nën kujdesin “atëror” të baba Stalinit.
Në këtë konteks, mendoj se bën përjashtim, libri i botuar nga G.Ostreni. Lidhur me ngjarjet që analizuam më lart, ai ka dalë në konkluzion : “Pas 12 ditë luftimesh, Brigada Katër Shqiptare, më 8 nëndor 19944 e mori Strugën, duke lënë 35 të vrarë dhe afër 60 të plagosur e të zënë robër. Pra, vazhdoi vrasja dhe plagosja e shumë shqiptarëve mes vete” (G.Ostreni “Shpresa dhe zhgënjimi i shqiptarëve në Maqedoni, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, Prishtinë 2000, faqe 180)
Për vetë kohën dhe vendin në të cilën u lind dhe u zhvillua lëvizja nacionaliste në Strugë e rrethina, pati rëndësi tejet të madhe, në rrafsh të krejt lëvizjes nacionaliste shqiptare. Kjo lëvizje, në të gjithë aspektin e saj, kundërshtoi në thelb pikërisht metodat sllave të luftës nacionalçlirimtare, të cilat nuk synonin luftën frontale me okupatorin, por goditjen e këtij prej qëndrave të banuara (përgjithësisht fshatrave me qind për qind shqiptarë) për të parë paskësaj raprezaljet e okupatorit ndaj banorëve të pafajshëm. Për më tej, lëvizja nacionaliste e struganëve, kundër njësive të armatosura sllavomaqedonase, mund të themi se parandaloi deri në një farë mase luftën vëllavrasëse.
Është e kuptueshme se një ndër objektivat e Beogradit të asaj periudhe, ka qenë që shqiptarët të luftonin kundër njëri-tjetrit, ngase vetëm kështu mund të arrihej lehtë kolonizimi i tyre. E shoh të udhës, të sjellë në këto rreshta, kujtimet e një ish luftëtarri shqiptar të Brigadës së Katërt Shqiptare, i cili, shkruan teksualisht: “Katër ditë mbas lirimit të Strugës, brigada asht radhue në formacion luftarak, në oborrin e kazermave. të gjithë presim. Dikush përshpëriste se kemi “Pokret”. Këtë fjalë e përdorin shpesh partizanët. E kanë përdorë prej ditës së parë që filloi lufta. Në shqip thuhet “Lëvizje” domethanë: mbath opingat! “Pokret” e mirë, edhe ky duhet. Të gjithë në heshtje përgatitemi dhe presim urdhër. Po atë ditë u nisëm në drejtim të verilindjes. Atje ku asht Xhema dhe Mefaili që ende sulmojnë. Flamuri i pushtetit popullor duhet të valojë edhe atje.” (Gazeta “Flaka e vllazrimit” Nga jeta e Brigadës së Katërt Shqiptare, 7 maj 1945)
Komentet pas kësaj më duken të tepërta.Struga u pushtua nga sllavokomunistët me ndihmën e komunistëve nga shteti amë,dhe ajo tashmë iu nënshtrua kolonializimit sllavomaqedonas,dhe kalvarit të mënxyrshëm komunist për shtatë decenie me rradhë deri në ditët e sodit.Masakra e Lladorishtit le të na shërbejë ti kuptojmë më mire lojërat e dinakëritë sllavomaqedonase kundrejt shqiptarëve.
Bern-Zvicër