Idrizi: Rezoluta çame, akt i fqinjësisë së mirë. Politika ia ka borxh Çamërisë/
TIRANË- Në mbledhjen Këshillit Kombëtar të PDIU-së, kreu i kësaj force politike Shpëtim Idrizi prezantoi strategjinë e rezolutës çame, që sic beson Idrizi, do të votohet në Parlamentin e Shqipërisë.
“Sot jemi më të vendosur se kurrë ta cojmë amanetin tonë në vend. Sot para gjithë kombit e botës ky amanet ka marrë formën e rezolutës parlamentare. Aty janë porositë për tu kthyer në tokën e të parëve, për të parë varret, për pronat. Ky tekst është sot publik në dritën e diellit, sot kemi detyrë ta mbrojmë. Ne bazohemi mbi konventat evropiane të të drejtave të njeriut, bazohemi tek vlerat që kane ndërtuar botën demokratike”, tha Idrizi.
Sipas tij me votimin e kësaj rezolute, politika shqiptare do lajë borxhin që i ka Çamërisë. “Ata që s’thonë asnjë fjalë të mira të paktën ta dëgjojnë rezolutën. Është akt bashkimi dhe jo ndarje. Është një platformë e studiuar mirë është dokumenti më i rëndësishëm, që i vë kapak çështjes çame, kësaj plage të hapur të cështjes sonë kombëtare. Përkujdesja dhe shërimi i kësaj plage është aksion kombëtar, interesi i të gjithëve. Ne i kemi hyrë këtij aksioni”, komentoi Idrizi.
Kjo rezolutë sic tha Idrizi është ndër të tjera një akt që kërkon fqinjësinë e mirë dhe bashkëjetesën me ta në paqe.
“Fqinjësi e mirë do të thotë reciproritet dhe ne këtë po kërkojmë, do të thotë të njohësh të drejtat reciproke, të ulësh dhe të bisedosh, të heqësh ligjin e luftës, të nderosh të vrarët në të dyja anërt… Nëse jemi fqinjë ne duhet të merremi vesh, është akt i fqinjësisë së mirë, i ftojmë të jetojmë bashkë. Është akt kujtese, sepse partitë e mëdha e kanë harruar çështjen çame, është akt bashkimi e konsensusi, duam ta firmosin të gjithë, myslimanë, krishterë e ortodoksë, të majtë e të djathtë, është akt drejtësie evropiane mbështetemi vetëm mbi ligjet evropiane, akt patriotizmi për të gjithë se atdheu është dhe kujtimi i të parëve, ne i respektojmë ata”, shtoi Idrizi.
Ndër të tjera Idrizi deklaroi se po krijohet një front kombëtar që do firmosë një peticion pro rezolutës. Ky front, shtoi ai duhet ti kundërvihet frontit antikombëtar, atyre që janë kundër kësaj rezolute. Idrizi tha se deri më tani peticionin pro rezolutës e kanë firmosur aktivisti i shquar kombëtar Sami Repishti dhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu.(kortezi Balkanweb)