
Rajmonda Xhetani/
Çdo marrëdhënie njerëzore nis me pritshmëri, qoftë ajo një marrëdhënie miqësore, profesionale, sentimentale apo familjare. Shqetësimi emocional dhe psikologjik i shkaktuar nga një rezultat aspak i ngjashëm me këto pritshmëri njihet si “zhgënjim”. Kjo lloj ndjenje është vlerësuar nga psikologët si një gjendje psikologjike aspak e lehtë. Është një lloj beteje që duhet fituar, duke i kujtuar vetes në mënyrë të vazhdueshme, që burimi gjendet brenda jush, e në të vërtetat tuaja.
Zhgënjimi është një goditje emocionale që të rrëzon e të merr pafund energji.Mospranimi si ndjenjë, e vështirëson daljen prej zhgënjimit. Kjo është arsyeja që tronditjen më të madhe e përjetojnë ata që besojnë fort në vlerat e tyre, e që mbrojnë me kurajë atë çfarë është e tyre. Mund të zhgënjehemi edhe nga një projekt që nuk rezulton ashtu si e kishim parashikuar, nga mospranimi në një pozicion pune për të cilin kemi shpresuar, apo nga njerëz që i ke vlerësuar shumë.
Duhet të harrohet aq sa është për t’u harruar, e të kujtojmë që asnjë qënie njerëzore nuk është e paprekshme nga zhgënjimi. Vlerësimi i një marrëdhënie (e çdo lloji qoftë), dhe të paturit pritshmëri për të, ecin në mënyrë paralele. Kur je i zhgënjyer trishtimi dhe inati priren të të shoqërojnë për një periudhë kohe. Ashtu siç është e pashmangshme të jesh i/e zhgënjyer nga të tjerët, mund të jetë e pashmangshme të jesh i/e zhgënjyer nga vetja, edhe pse mund ta keni parë veten, të pathyeshëm, si Eter.
Personi tjetër që ka sjellë zhgënjim tek ju, ka ide, ndjenja, parime, dëshira dhe sfida të tjera, kështu që nuk ka një mënyrë që ata të përmbushin pritshmëritë që ju keni prej tyre. Vetë zhgënjimi si ndjenjë mund të shihet si sinonim i dhimbjes. Kur jep një pjesë të vetes dhe zhgënjehesh nga ajo cfarë ti merr, sigurisht që dhimbja nuk është e vogël. E gjejmë veten duke ngritur supet e duke u ndier të paaftë për të kuptuar e gjykuar, dhe të pafuqishëm për të dalë prej aty. Kur i shton vetes dhe një peshë tjetër në lidhje me të qenit viktimë e gënjeshtrës apo mashtrimit, egoja merr një goditje të madhe.
Gjithsesi, pavarësisht nëse ndiheni të zhgënjyer nga një marrëdhënie (familjare, miqësore apo sentimentale), ka mënyra të shëndetshme, që mund ta përballoni këtë emocion të pakëndshëm. Sa më shumë i ke idealizuar miqtë, të afëmit apo partnerin, aq më i vështirë është kapërcimi i kësaj gjendje, por jo i pamundur. Të mos qenit të gatshëm të largoheni nga një marrëdhënie edhe pse shihni mjegullën e parë, edhe pse qëndron mundësia e largimit, po shtyni veten drejt kësaj ndjenje. Harroni që largimi nuk ka të bëjë me kërcënimin e personit tjetër por me shpëtimin e vetes.
Mund të jeni shumë të suksesshëm në shërimin e mendimeve dhe emocioneve që ju mundojnë në mënyrë konstante. Pranojeni zhgënjimin, bashkëjetoni me të fillimisht. Zhgënjimi është si një valë, që do të thotë, vjen dhe ikën sërish. Një nga arsyet që shumë prej nesh nuk e kapërcejnë shpejt këtë fazë, është se e kemi të vështirë ta pranojmë këtë ndjenjë. Shmangia dhe mospranimi i zhgënjimit, sjell probleme më afatgjata. Përballja me të “kokë më kokë”, çon në uljen e fuqisë së tij dhe ju ndihmon të riktheheni më shpejt, e të rifitoni atë pjesë të humbur të vetes.
Bëhuni fleksibël dhe realistë në pritshmëritë tuaja, sigurisht duke treguar kujdes, pa prekur vetëbesimin tuaj. Çdo gjë që nuk është në listën e ngushtë, është e negociueshme. Nuk është e nevojshme të ulni standartet për gjëra dhe cilësi që ju i vlerësoni tepër. Pëpiquni të afroni rreth vetes persona që vlerësojnë pikat tuaja të forta, transmetojnë energjinë e duhur, dhe që ju ofrojnë suportin e mjaftueshëm. Kjo do të shërbejë, për pastrimin e mendimeve tona dhe në eleminimin e faktorëve të jashtëm që i ushqejnë këto mendime. Natyrisht që nuk duhet t’i shpërfillim, por as ta ”rrotullojmë thikën në plagë”, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ulet intensiteti i kësaj ndjenje që lë shumë dhimbje pas.
Njeriu nuk mund të harrojë shumë shpejt një mik që e ka vlerësuar, gjithashtu nuk mund të dashurojë për një ditë e të harrojë për dy, por në kulmin e çdo vështirësie fshihet gjithmonë një rrugë. Duhet ta shkruash ti, lumturinë tënde, e ta gjesh ti rrugën për arritjen e paqes shpirtërore.
Sukseset më të rëndësishme në jetë, vijnë pas zhgënjimeve të mëdha…
Rajmonda Xhetani
Janar 2022