Dr. Paulin Marku
Vijon nga numri i kaluar…
Pas shumë përpjekjesh dhe falë ndërhyrjeve të ndryshme ndërkombëtare, Stambolli i heq penalitetin që deri në vitin 1888 i ndalohej e drejta për t’u rikthyer në vendlindje Imzot Prend Doçit. Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për kohën, veçanërisht gëzonte pamasë Imzotin, të afërmit dhe të afërmit e tij të shumtë që e prisnin në vendlindje prej vitesh. Falë insistimit të vazhduar për t’u kthyer në krye të Abacisë dhe mas shumë ndërhyrjeve nga Vatikani ai u vendos në krye të Abacisë së Oroshit në vitin 1888. Nëpërmjet Patrikut Azarian i mundësohet lejimi për t’u kthyer në vendlindje por me kushtin që Patriku i garantonte Sulltanit se Imzot Prend Doçi nuk do të angazhohej në asnjë lëvizje kryengritëse apo në rebelime kundër qeverisë së Stambollit.
Ati i Shenjtë Papa Leoni XIII, me 25 tetor 1888 e ktheu Abacinë e Mirditës në shkëlqimin e saj të lashtë dhe e bëri të pavarur si dhe e zgjeroi juridiksionin e saj. Gjithashtu dekretoi Imzot Prend Doçin, “Supra, montem Mirditarum” abat nullius. Kështu, ai rikthehet i lirë në vendlindje pas shumë vitesh. Për abatin kishte një shprehje“edhe në Çinimaçin në ç’oshin atë prift, ai nuk jet pa u kthye prap në Shqypni”. Në këto kushte dhe rrethana Abati rifillon misionin religjioz në Mirditë dhe fillimisht angazhohet edhe për ndërtimin e rezidencës në Orosh të Mirditës. Me 31 mars 1894 Vatikani i dekreton Abacisë së Mirditës 16 famulli. Ai ishte një predikues i madh dhe gjatë misionit klerikal predikonte për normat e familjes, kundër martesave të paligjshme, ishte kundra ngatërresave e sherreve të trashëguara dhe shpesh herë thirrej për ndërmjetësimin në shuarjen e konflikteve mes fiseve mirditore. Ai ishte i dhënë mbas dijes dhe arsimimit të shoqërisë shqiptare dhe investoi për zhvillimin e arsimit. Ai arriti të hapte disa shkolla si në Orosh, Spaç, Kashnjet, etj.
AKTIVITETI LETRAR E GJUHËTAR I PREND DOÇIT
Prend Doçi u mor për vite me radhë me sistemin e të shkruarit shqip, duke u marrë shumë me shkrim e këndim të shqipes me germa të zakonshme të alfabetit latin. Ai evitonte përdorimin e shkronjave të tepërta, thekse të ndryshme dhe në shkrimet e tij nuk përdorte fjalë turke. Po ashtu, Abati i Mirditës ishte një ndër nacionalistët shqiptarë që i shkruante vargje vendit me shpresën se një ditë do të lirohet nga sundimi osman. Abati Prend Doçi themeloi Shoqërinë “Bashkimi” dhe arriti të kishte sukses të madh në botimin e disa veprave të rëndësishme të cilat jo vetëm ishin të domosdoshme për kohën kur u botuan por edhe i rezistuan periudhave të ndryshme. U botuan më shumë 30 vepra të personazheve të rëndësishëm të kohës. Mund të përmendim disa prej tyre: “Historja e Shqypnis” D. Ndoc Nikaj; Dy blejt e parë të “Lahutës së Malësisë”, A. Gjergj Fishta; “Vargnini” Luigj Gurakuqi; “Fialuer i ri i Shqypes” D. Dodë Koleci, etj… .
Në vargjet që i kushtonte atdheut, Prend Doçi shprehej se vendi një ditë do të lirohet nga zgjedha e të huajve. Ndër të tjera shkruante: “Shqyptarë trima, zgjedhën lshoni, kputni prangat e luftoni”.Pra, fryma e tij patriotike përfshinte edhe klerikun katolik në dobi të çështjes kombëtare. Kontributi në gjuhën amtare dhe në shoqnin letrare “Bashkimi” shtoi dëshirën e madhe për gjuhën shqipe dhe ngjalli ndjenja të thella për ruajtje e historisë, kulturës e traditës kombëtare shqiptare. Prend Doçi e shtriu veprimtarinë me botime dhe jashtë vendit, një mënyrë kjo për të bërë të njohur opinionin publik botëror rreth çështjes shqiptare. Bashkëpunoi me autorë shqiptarë dhe arbëreshë të kolonive të Italisë dhe të Greqisë si Zef Jubani, Thimi Mitkoja, Jeronin De Rada, Anton Santori, Zef Serembja etj…, dhe arritën të botojnë “Dora d’Istria-Shqiptarët” në mënyrë që çështja shqiptare të manifestohej në arenën ndërkombëtare dhe përforcimin e lëvizjes letrare kombëtare. Edit Durham në librin e saj “20 vjet ngatërresa Ballkanike” e cilëson Abatin Prend Doçi si një personalitet i lartë me mençuri të madhe dhe një nacionalist i vërtetë.
Me konsideratë fliste edhe Franc Nopca në librin e tij “Fiset e Malësisë së Shqipërisë së Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”. Ai e konsideronte njeri shumë të zgjuar, ambicioz, i jashtëzakonshëm që i kishte munguar mirditorëve për një dekadë të tërë. Në kujtimet e diplomatit austriak, në një bisedë me Atë Pashk Bardhin i kishte shprehur se Imzot Doçi ka qenë kundërshtari im, por duhet thënë e vërteta se ai ishte mendjehollë dhe fort i zoti, dhe e konsideronte personalitet i Shqipërisë. Me konsideratë të lartë shprehej edhe Atë Gjergj Fishta, i cili e konsideronte një personalitet i lartë, mendje kthjelltë, me tipare burrërie e bujarie, dhe e cilësonte si një ndër të parët burra të kombit tonë. Prend Doçi, ishte i mendimit se fillimisht duhej fituar autonomia e Shqipërisë, dhe pastaj që të sigurohej autonomia e trojeve shqiptare, shqiptarët t’u kërkojnë njohjen zyrtare Fuqive të Mëdha. Kështu, figura e klerikut katolik është e mbushur me aktivitete në fushën klerikale dhe kombëtare. Abati Prend Doçi qëndroi për 28 vite në krye të Abacisë së Oroshit si një bari i mirë katolik. Veprimtaria e gjerë patriotike dhe intelektuale, lartësojnë vlerat tona kombëtare. Pra, një human i madh e njeri i Zotit me merita të mëdha patriotizmi e brilante për kombin, si një prelat i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.
Bibliografia
- Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: “Toena”, 2002,
- Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantran, Dituria 2004,
- Shqipëria në Dokumentet Austro-Hungareze, I-VII, Botime Albanologjike 2012
- Dokumente Diplomatike Italiane për historinë e Shqiptareve 1912, Botime Albanologjike 2019
- Pal Doçi, Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra. Tiranë, Naim Frashëri 1997,
- Luigj Martinit, Abati i Mirditës Prend Doçi 1846-1917, Shkodër, MIRGEERALALB 2012,
- Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, 2008,
- Peter Bartl, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, Drita 1999,
- Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë, Argeta-LMG, 2001,
- Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Përkth. Mihallaq Zallari, Tiranë, Eneas 2013,
- Revista “Hylli i Drites” Pashk Bardhi o. f. m. , Emzot Prend Doçi, në Hylli i Dritës, nr. 3-4, mars-prill 1942-XX, Vjeti XVIII, Shkodër,
- Revista “Studime Historike” Pal Doçi, Tri shkrime të Prend Doçit, në Studime Historike nr. 1-4, Tiranë, 1994,
- Kalendari “Afredita” per motin 1910,
- Flamuri i Arbërit, (La Bandiera dell’Albania, pubblicazione periodica mensile per cura d’un comitato di sinori d’Albania e delle sue Collone),
- Pontificia università urbaniana” është instituti i studimeve të larta të Kishës Katolike në (Gianicolo) në Romë, i specializuar në formimin e klerit nga vende të ndryshme në misionin e të rinjve të kishës. Nullius- do të thotë që abacia e Oroshit ishte e pavarur nga dioqezat e Lezhës apo të tjera, por kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan.