Mjaft me beton! Rindërtoni Ansamblin Muzeal të Pavarësisë në Vlorë!
Shkruan GEZIM ZILJA/
Patrioti vlonjat, Tol Arapi, ndihmëskomisar në qeverinë e Ismail Qemalit ka shkruar në librin me kujtime, “ Që të bëhej Shqipëria”: Ismail Qemali kishte një dashuri të atillë, sa populli e mbante si një perëndi. Ismaili qëndronte në “Reiz Liman”. Ajo ishte dhe kryeministria e atëhershme. Atje flinte edhe vet Ismail Qemali…Ishte shumë popullor, shpesh shkonte nëpër kafene dhe takohesh e bisedonte me njerëzit. Në fytyrë ishte i mvrejtur por njeri shumë i matur dhe i butë.”
Diku aty nga Skela është arratisur, Fan Noli me 86 qeveritarë në dhjetor 1924, pasi Ahmet Zogu rrëzoi qeverinë e tij. Kojdhel Luari, (Zilja) bashkëkohës i Ismail Qemalit tregon në kujtimet e tij: “ Noli ishte një burrë i shkurtër, me mjekër të zezë, energjik dhe nuk e zinte vendi. Pasi zbriti nga arabaja ecte me hapa të shpejta drejt molit dhe kthente hera-herës kokën prapa. – Mos ki frikë hirësi,- i tha dikush nga shoqëruesit. – Vlonjatët nuk të tradhëtojnë kurrë. Ec pa merak. Noli buzëqeshi, eci drejt varkës së vogël, që e priste në breg dhe nuk e ktheu më kokën prapa.
Më 28.02.1991, nga Moli i Skelës, kalata lindore, rrëmbehet anija 500 tonëshe “Kanina:” dhe niset drejt Italisë. Me urdhër të Ministrit të Mbrojtje, Kiço Mustaqi anija plot me civilë ( 109, sipas TV italian”) u qëllua me mitraloz nga kateri i rojës bregdetare, duke vrarë timonierin dhe plagosur tre të tjetrë. Më 28.03.1997, u nis nga Porti i Vlorës, kalata perëndimore, Kateri i Radës me rreth 120 vetë në bord. Anija luftarake italjane “Sibila” në një manovër për të ndaluar “Katerin e Radës” shkakton fundosjen e saj, në 800 metra thellësi, dhe varrosjen së gjalli të 84 klandestinëve, kryesisht gra e fëmijë.
Të katër ngjarjet që përmenda ( ka dhe shumë të ngjashme) kanë të bëjnë me atë që quhet kujtesë historike e një kombi dhe si të tilla nuk duhen të harrohen. E para ka të bëjë me vendin ku punoi qeveria shqiptare dhe themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali, e dyta me përpjekjet e shqiptarëve për të vendosur një shtet perëndimor, dy të fundit me kaosin, që mbuloi Shqipërinë pas përmbysjes së diktaturës dhe shkaktoi jo vetëm shkatërrime por edhe vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm që mëtuan të kalonin kufirin nga deti…
Njëzet vjet pas shpalljes së pavarësisë, Bashkia e Vlorës, shembi godinën e Vlorajve ku u ngrit flamuri me 28.11.1912 dhe aty ndërtoi një lulishte. Diktatura më vonë shembi godinën e Sharrajve edhe kjo pjesë e historisë, ku u pritën e bujtën shumë delegatë dhe luftëtarë më 1912 dhe nisi të ndërtonte një godinë shumëkatëshe, sot e kthyer në një monstër betoni që ka zaptuar 75% të sheshit Historik të Flamurit. Tridhjetë vjet demokraci gjithë ata që qeverisën e po qeverisin Vlorën e kafshuan ku mundën Sheshin e Flamurit, duke hedhur pambarim beton e tjetërsuar këtë shesh plot histori… Po le të shkojmë në Skelën tonë të vogël e të dashur, që qeveritë e tranzicionit e mbushën me ndërtesa të larta pa kurrfarë rregulli urbanistik, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës. Aty ndodhet një shtëpizë varfanjake, dy katëshe, si jetime e braktisur midis (sanduiç) luksit të restoranteve, kafeneve e ndërtesave shumëkatëshe plot drita dhe gardhit me hekura që e ndan nga Porti Detar. Tridhjetë milonë euro u hodhën për rikonstruksionin e Portit Detar, rreth shtatëdhjetë milionë ( vazhdojnë ende) për shëtitoren në gjashtë vitet e fundit. Porti Detar prej 10ha, 5ha akuarium dhe 5ha tokë, iu dhe me qera për 35 vjet privatit me kërkesë të këtij të fundit. Brenda sipërfaqes prej 5ha do të fillojë ndërtimi i pallateve e shatërvaneve të stilit Rilindja dhe shtëpia muze e pavarësisë humbet plotësisht. Plot 100 milionë (shifra e saktë nuk dihet ende) janë harxhuar për beton e asfalt për tekat e hajdutëve dhe babëzine e rilindasve. ZERO EURO për shtëpinë dykatëshe, ku punoi qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e mbetur nga ngritja e flamurit dhe themelimit të shtetit shqiptar. Për çdo njeri të zakonshëm, Projekti i Rindërtimit të Skelës, përfshi dhe fillimin e shëtitores ( lungomare) duhet të ishte bërë në funksion të kësaj ndërtese, ku mori udhë, u formëzua dhe dolën dekretet e para të shtetit shqiptar me firmën e Ismail Qemalit, pas 500 vjet robërie turke. Duhet të ndërtohet një ansambël muzeal me ndërtesa një e dy katëshe, me pavijone të shumta në të gjithë sipërfaqen nga vija e ujit, ku shëtiste Ismail beu ato ditë të paharruara, deri te Universiteti, ku të pasqyrohen luftërat shekullore të popullit shqiptar, ato lumenjë gjaku e sakrificat e panumërta të brezave, që sollën 28 Nëntorin. Madje dhe kafeneja ku Plaku i Vlorës dhe firmëtarët e pavarësisë bisedonin e takoheshin me vlonjatët duhen rindërtuar siç kanë qenë. Në pavijonet të pasqyrohet vepra për çdo firmëtar të pavarësisë sepse jeta e secilit prej tyre është një histori më vete kushtuar atdheut. Kryezonja e gjithë atij ansambli muzeal të jetë kjo Hirushe e braktisur dykatëshe, ku është hedhur firma e kryeministrit të qeverisë së parë shqiptare. Sot qendrës në Skelë po ia nxjerrin brinjët e po e mbushin me beton e marrëzira të tjera, duke tjetërsuar gjithçka, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë të vjetër e të re. Edhe ato 200 metra rrugë e trotuar, që po rindërtohen sot, nga Rrethrrotullim i Skelës te Porti (mbi 5 milionë euro) janë në funksion të koncesionarit jo të muzeut ekzistues. Sipas Ramës: “… Ky është një projekt i Parkut “Shtëpia e Pavarësisë” konceptuar nga arkitekti belg Xaveer De Geyter dhe parashikon shtim të ndjeshëm të gjelbërimit dhe zonave rekreative…” Zot i madh! Po ku e di belgu historinë e atij sheshi që dashka të bëjë një “pyll” me zogj e kanarina! Pse nuk konsultohen rilindasit të paktën me historianët, arkitektët, e urbanistët e mrekullueshëm vlonjatë ,po shkojnë deri në Belgjikë e Danimarkë?
Pyes: Pse nuk ndërtojnë një ansambël muzeal me ndërtesa një e dy katëshe, për historikun e Vlorës e Shqipërisë, që solli 28 Nëntorin e vitit 1912, sa ka ende sipërfaqe bosh, duke e shtrirë deri në vijën e ujit? Pse nuk rindërtohet shtëpia e Vlorajve, ku u ngrit flamuri me të gjitha anekset, në Skelë ose atje ku ka qenë, në Vlorë nëse është e mundur? Nuk dinë, nuk duan, kanë harruar, janë të babëzitur për para!? Mendojnë se rilindja e vërtetë është ajo e betonit të Ramës, Spiropalit, Ballës dhe Veliajt? Për mua kjo është tradhëti kombëtare ( Qendrat historike të Tiranës, Durrësit, Beratit etj. kanë kohë që e kanë humbur identitetin…) dhe përbën vepër penale. Ata që po e shkatërrojnë qendrën historike të Skelës e të Vlorës dhe ata që varrosën muret rrethuese të Aulonës Antike, me ndërtime absurde, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës kombëtare janë tradhëtarë dhe të gjykohen si të tillë. Vlonjatët të dalluar për nervin e tyre patriotik, nuk duhet ta lejojnë më tej tjetërsimin e historisë së qytetit. Përndryshe një popull që harron, falsifikon e varros të shkuarën, që lejon të zhdukin e nëpërkëmbin historinë e tij, një popull që nuk di rrugën nga ka ardhur, që largohet nga e keqja dhe nuk e dënon atë, që nuk do të njoh vetveten, është i detyruar të vuajë, të mbetet i varfër dhe i përçarë.
PS: Mirë bëjnë rilindasit që po restaurojnë shtëpitë dhe rrugicën e hebrenjve në Vlorë. Por më parë duhet të restaurojnë e të nxjerrin në dritë shtëpitë e tyre, ku është ngritur flamuri dhe ka lindur e punuar qeveria shqiptare, ndryshe çdo gjë tjetër është servilizëm i pështirë dhe pa vlerë.