Tomë Mrijaj/
Gjatë gjithë këtyre vitëve dhe dekadave që jetoj dhe punoj në SHBA, fati dhe historia më ka dhënë mundsi të njoh shumë figura dhe personalitete të shquara të botës shqiptare, të cilët në rrugë a forma të ndryshme ikën nga sketerra komuniste e diktatorit Enver Hoxha, që e kishte kthyer shtetin amë në një kamp burgu për popullin e tij.
Une kam pas nderin dhe privilegjin të njoh nga afër edhe babain e Beqirit, Rasim Sinën, i cili ishte një figurë e dashur e komunitetit tonë, sepse nga valet e radios antikomuniste në New York, ai pasqyroj regjimin e egër komunist dhe tregoi vazhdimisht se rruga e jetës dhe shpresës ishte vetëm Amerika, për një jetë më të mirë për antarët e komunitetit tonë, sepse ishte model si vendi më demoktatik i botës.
E them me plot gojën, se Beqiri që nga dita e parë kur shkeli në Tokën e Bekuar të Amerikës ishte dhe mbeti vijues i kujdesshëm i rrugës së babait të tij të paharruar.
Gjithashtu mund të them me bindje të plotë nga faktet historike, të përjetuara deri në ditët tona, se dyshja gazetareske Rasimi dhe Beqir Sina, atë e bir, janë dy gurë të çmuar të publiçistikës shqiptaro-amerikane për disa dekada me radhë, si dy breza të përkushtuar misionit të dashur e fisnik të gazetarit në studio dhe terren, duke përjetuar dhe pasqyruar ditë pas dite historinë e komunitetit tonë në SHBA.
Midis shumë intelektualeve të shquar këtu, unë njoha nga afër mikun tim të mirë gazetarin e përkushtuar të komunitetit tone, atdhetarin e dashur të vendit të tij Beqir Sina, i cili është edhe biografi i shquar i qindra dhe mijëra ngjarjeve, kronikave, aktiviteteve me profile të ndryshme të njerëzve me nivele dhe profesione të ndryshme, që fati i jetës i kishte sjellë si emigrantë këtu, sepse kudo është kamera dhe penda e tij, për pasqyrimin me realizëm dhe në kohë reale të ngjarjeve brenda bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë, detyrë të vështirë dhe fisnike, të cilën e ka bërë dhe e bën FALAS, me pasion e përkushtim fisniku, pa ndërprerje për shumë dekada deri në ditët tona.
Ai, sot është emri më i mirënjohur brenda nesh dhe të tjerëve, që për një arsye a tjetër nuk munden të jenë sot në këtë ditë të rëndsishme të historisë sonë këtu.
Të gjithë ne, që jemi mbledhur këtu sot, për promovimin e historisë së Beqirit, që është edhe pjesë reale e historisë së dhimbshme të miliona shqiptarëve të shtetit amë, të pushtuar keqas për pesë dekada nga komunizmi fatkeqsisht shqiptarë.
Për hir të realitetit historik, duhet thënë, se për disa dekada në SHBA dhe në veçanti në shtetin e New York-ut me rrethina, shumë pak shqiptaro-amerikanë kanë njohur nga afër historitë e dhimdshme të familjes Sina dhe veçanërisht kalvarin e gjatë të mundimeve të familjes dhe gazetarit të shquar dhe stoik Beqir Sina.
Nëna e tij sokoleshë dhe fisnike Hane Sina, ishte një nënë e gjallë e pamposhtur dhe martire, e cila i mbijetoi me dinjitet vuajtjeve të njëpasnjëshme, që kaloi në kampin e vdekjes së ngadalshme, sikurse quheshin asokohe të gjithë kampet e zeza komuniste-naziste të përqendrimit dhe punës vdekjeprurëse së detyruar si skllevër, në fshatin e humbur në Savër të Lushnjës…
Shqipëria e mjerë dhe martire njëkohsisht, gjatë vitëve të zymta 1944-1990, fatkeqsisht kishte 46 burgje të tmerrshme, që mund të krahasohen për krime sadiste me ato naziste të Mat’hauzenit dhe Aushvicit, si dhe asokohe ajo kishte dyfishin e kampëve shfarosëse të përqendrimit, ku u pushkatuan dhe vdiqen me qindra dhe mijëra personalitete dhe ajka të ndritur të atdhdashurisë, nacionalizmit dhe kuturës mbarëshqiptare, figura të papërsëritshme të kombit tonë, të cilët të gjithë sëbashku kishin përfunduar studimet e larta akademike në universitetet më prestigjioze të botës dhe Europës Perëndimore…
Me modestinë e tij karakteristike, Beqiri asnjëherë nuk ka folur dhe shkruar për historinë e tij dhe familjes, kalvarin e vuajtjeve të pambarim, që komunizmi dhe diktatori analfabet antishqiptar Enver Hoxha i shkaktoi atij dhe mbarë popullit hero shqiptar.
Por, Sina në SHBA rilindi dhe u ringrit krenar plot dinjitet, sikurse Sfinksi, që nga rrënojat apokaliptike të vdekjes apo pluhuri i madh i diktaturës më të egër e çnjerëzore komuniste në botë.
Këtu ai u shfaq me talentin e tij si një personalitet dhe figurë e shquar e diasporës sonë, duke bërë vazhdimisht me kamera dhe pendë dora-dorës historinë e komunitetit tonë, duke i pasqyryar ato në qindra dhe mijëra faqe shkrimore nëpër gazeta, revista, website rrjetet sociale bashkëkohore dhe kanaleve televizive shqiptare si korrespondent, në të gjithë trojet etnike shqiptare.
Të gjithë e dijmë, se ku është prania e gazetarit të palodhur Beqir Sina, është përshkrimi i historisë me gëzime dhe hidherimet e saj dje dhe sot të komunitetit shqiptarë, në gjithë shtetet e Amerikës, atdheun tonë të dytë.
Kushdo nga pjesëtarët e komunitetit, që ka shkruar një libër personal, me kujtime apo histori të komunitetit tonë, i është referuar vazhdimisht shkrimeve dhe kronikave të sakta të gazetarit të kudogjendur dhe të palodhur Beqir Sina.
Ai vetë është një arkiv i gjallë realist, që do ta kishte zili çdo komunitetet joshqiptar, që vepron prej dekadash në SHBA, shtetin gjigand që me ose padëshirë dhe për arsye të evolucionit historik bluan në morsën e kohës histori dhe kultura të larmishme të komunitetëve të tjera joshqiptare.
Eshtë e dhimbshme të lexosh me shumë kujdes kujtimet e trishtuara plot emocione historike jetësore, të përjetuara për disa dekada në ferrin burg nga miku im Beqir Sina, gjatë kohës së barbarizmave të sundimit të sistemit komunist absurd në Shqipëri, në harkun kohor të viteve 1944-1990.
Libri i ri: “Rob – Një biografi për dy kohë” (Tiranë, 2022), është një autobiografi e re rrënqethëse, me përjetime reale shkruar nga Beqir Sina, rrëfen fletë pas flete për vrasjen dhe burgosjen e lirisë, shpresës dhe të ardhmes të autorit.
Ai me modesti gazetari profesionist e risjell veten e tij në dy kohë, njera brenda sistemit komunist në burgun e madh, ku e plandosi Shqipërinë regjimi i diktatorit Enver Hoxha, dhe tjetra kohë është drita dhe shpresa, që rikthehen tek zemra e tij e burrëruar, pas vitëve 1990 deri në ditët tona.
Libri në fjalë, i gazetarit veteran të komunitetit shqiptaro-amnerikanë Beqir Sina, vjen për herë të parë para lexuesve shqiptarë, me një histori rrëfimi plot përjetime emocionale të trishtuara, gjatë kohës së komunizmit të zi, duke na dhënë biografinë e vet në dy kohë ose përballë dy sistemeve në kontraditë të papajtueshme me njeri-tjetrin, mes komunizmit dhe demokracisë së sistemit kapitalist, ku tek kjo e fundit mbi të gjitha respektohen me ligj dhe praktikë liritë dhe të drejtat e njeriut.
Vepra në fjalë, ka 416 faqe, ku fletë pas flete tregohet me detaje realiste jeta e vetë autorit në komunizëm dhe lirinë e ëndërruar, që ai më në fund e gjeti si shpresë të re vetëm në Tokën e Bekuar të Amerikës.
Autori i autobiografisë së parë Beqir Sina lindi në Savrë të Lushnjës në vitin 1957 dhe fati i tij u vulos që në atë moment në megaburgun e zi të komunizmit.
Zoti mrekullibërës, ishte dëshmitar i sprovës së jetës së tij, mes dy kohëve apo sistemeve që ai kaloi, duke mos u mposhtur mbi të gjitha nga brutaliteti i ashpër i diktaturës vampire komuniste.
Ai e ndiqte me dhimbje famijen e pamposhtur Sina, të shpërndarë fatkeqsisht nga sistemi komunist mes dy kontinentëve Europës dhe përtej Oqeanit në Amerikën e Veriut.
Pa lindur mirë, atij iu mohuan të gjitha të drejtat e njeriut, brenda burgut të madh shqiptar. Dhe kështu vit pas viti, fëmija i brishtë i porsalindur në kampin e përqendrimit, ku iu desh të kalonte jetën në mjerimin familjarë dhe mizerje kolektive, që e kaploi fatkeqsisht vendin e shqiponjave nga viti 1944-1990.
Personazhi kryesor i veprës autobiografike Beqir Sina, dora-dorës dhe në mënyrë kronologjike përshkruan realisht brutalitetin original të fytyrës hipokrite të regjimit fashisto-komunist, duke na e dhënë apo zbardhur për herë të parë për ne, që nuk e denim, realisht se si jetonin të zitë e ullirit bashkëvëllezërit tanë në Shqipëri.
Duke kundruar me kujdes faqet e librit historik, shohim se ai sjell një rrëfim pa kompromis, flet me dinjitet dhe me të njëjtin durim mbijetese që tregoi ai dhe familja e tij, gjatë viteve të gjata të vuajtjeve në Savër…
I uroj autorit dhe mikut tim të dashur gazetarit Beqir Sina suksese, për këtë libër të shkruar për popullin shqiptar në vendlindje dhe ne këtu në SHBA.
Libra të tillë, me profile kujtimesh të papërsëritshme, janë të mirëseardhur, si gurë të çmuara në kujtesën e paharruar të historisë së popullit tonë martir.
Faleminderit për vëmendjen!