Prof. Besim Muhadri/
26 maj i vitit 1999. Ishte në të gdhirë të kësaj dite. Ora 5,00. Tani lufta në Pashtrik kishte filluar. Ushtarët e brigadës 126 “Hasi” ishin shpërndarë prej Guruzhupit deri në Nikoliq. Në pjesën e Guruzhupit me ushtarët ishte vetë komandanti i brigadës Safet Gashi. Në Pashtrik, te Varri dhe Stanet e Vlahnës Nexhmedin Berisha. Në Nikoliq Ibrahim Çarri. Ishte një vijë fronti mbi 20 kilometra. Krahas djemve hasjanë, të rreshtuar në Brigadën 126 “Hasi” ishin edhe brigadat 127 e 128 të komanduara nga Ruzhdi Saramati, një njësi ushtarake nga Burreli e komanduar nga Bilal Syla si dhe qindra ushtarë të Batalionit “Atlantiku”, të komanduara nga Hysni Syla (Daja i Vogël). Gjuajtjet e artilerisë së brigadave të lartpërmendura nuk pushuan për disa orë rresht. “Mu në orën katër filluan gjëmime që nuk i kam dëgjuar kurrë. Qielli nisi të çahet. Natyra ka një fuqi që nuk krahasohet, mirëpo nuk di bubullimë apo vetëtimë që mund të krahasohet me këto buçitje të armëve. Artileria jonë, nga prapavija e dytë, filloi bombardimin e pozicioneve të armikut. Një bombardim që malet e Pashtrikut sigurisht s’e kanë parë dhe përjetuar kurrë. Aksioni nisi në të njëjtën minutë, përgjatë tërë vijës së frontit dhe nuk pati sekondë që nuk u dëgjuan shpërthime artilerike, që vinin nga afërsia dhe nga largësia. . . ”, shprehet në mes tjerash në kujtimet e tij kronisti dhe kuftëtari i Batalionit “Atllantiku”, Uk Lushi.
Në ditën e parë të sulmit nga ana e UÇK-së pati një të vrarë dhe tre të plagosur. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Nexhmedin Berisha, pjesëtar i Brigadës 126 “Hasi” dhe njëherësh edhe komandant në pikën luftarake te Varri i Pashtrikut dhe te Stanet e Vlahnës. Kjo plagosje ishte e treta e këtij djaloshi hasjan, i cili që në ditët e para të fillimit të luftës nuk iu nda vijave të fronteve dhe aksioneve të cilat shpesh ia rrezikuan jetën, por gjithnjë arriti të sfidonte vdekjen që e pa shumë herë me sy. Andaj, edhe pas kësaj plagosje, që ishte një plagosje mjaft e rëndë në këmbë, ai nuk deshi të dëgjojë për plagët e marra dhe vetëm pas pak ditësh, ende pa u shëruar mirë, nga dëshira e madhe për të luftuar kundër armikut, doli nga spitali fushor i Krumës dhe u ngjit sërish në vijat e frontit. Krahas Nexhmedinit, ishin edhe dhjetëra djem te tjerë të Brigadës 126, por edhe të brigadave të tjera, që luftuan ashtu si i ka hije vetëm trimave, në sytë e të cilëve shkreptinin shkëndija lirie.
Luftimet në Pashtrik vazhduan deri më kapitullimin e plotë të forcave serbe më 9 qershor të vitit 1999. Në betejën e Pashtrikut u vranë 13 ushtarë të UÇK-së, të cilët u varrosen në Krumë, Pashtrik dhe Kukës. Gjatë atyre ditëve u tregua një vendosmëri dhe trimëri e paparë e të gjithë ushtarëve, por edhe një angazhim vetëmohues i popullatës hasjane të Kosovës, që ishte strehuar në Krumë, të cilët me traktorët dhe mjetet e tjera të tyre natë e ditë ishin në shërbim të luftës për liri. Përveç tyre, një kontribut të madh dhanë edhe banorët e Hasit të Shqipërisë e në veçanti ata të Cahanit, të Nikoliqit, Vlahnës e të Dobrunës, të cilët përveç strehimit të popullsisë, ndihmuan edhe luftën dhe ushtarët e lirisë.
Se hasjanët ( të të dy anëve të kufirit) dhanë një kontribut të çmuar në luftën për liri, këtë e dëshmon edhe numri i dëshmorëve të rënë në luftën për liri dhe çlirim të Kosovës. Këta dëshmorë janë nga të dy anët e Hasit, mjerisht të ndarë, vepra e të cilëve do të kujtohet më pietet të lartë dhe do të shënohet më shkronja ta arta në historinë më të re të Kosovës dhe të Shqipërisë.