Roli i Kushtetutës 1. Shtator. 1928 për konsolidimin e shtetit shqiptar
Shkruan:Eugen SHEHU/
Vera e vitit 1927 dukej e mbarë,si për shqiptarët në përgjithsi edhe për Presidentin Zog në veçanti, i cili kish mundur të shmangte disa turbullira të brendshme.Ndërkaq ai mendonte për një lidhje sa më të qëndrueshme dhe komplekse me Italinë për të balancuar rrezikun Jugosllav.Pamvarsia e kombeve të vegjël,në rrafsh të aleancës të Lidhjes së Kombeve,dukej se ishte kurdoherë e rrezikuar për shkak të interesave madhore që paraqisnin Fuqitë e Europës,veçanërisht për Shqipërinë territoret e së cilës,lakmoheshin nga fqinjët,vlente një kujdes më i madh si në diplomaci ashtu edhe në paktet e ndryshme ushtarake.Sidoqoftë ajo çfar shpejtoj një lidhje më të ngushtë të Shqipërisë me Italinë,ishte nënshkrimi në Paris,më 11 nëndor 1927 i Traktatit të Bashkëpunimit midis Jugosllavisë dhe Francës.Në këtë traktat u përfshi edhe një marrëveshje e fshehtë ushtarake.Sipas burimeve të shumta diplomatike kjo marrveshje e fshehtë nxiste akoma më tej veprimin e ekspansionit serb,në dëm të interesave të kombeve të tjera të ballkanit.E thënë më shkurt,ky Traktat i firmosur në Paris,riste më tej rreziqet e sovranitetit të Shqipërisë.Shtypi europian këtë ngjarje e përcillte me idenë se „Frika prej Jugosllavisë e detyronte Shqipërinë t’i zgjaste më shumë dorën Italisë dhe ky ishte një rrezulltat logjik i paevitueshëm“( Gazeta „The Near Earth „ më 17 nëndor 1927 ).
Në këtë mënyrë me ndërhyrjen e drejtëpërdrejti të Presidentit Zog në 22 nëndor 1927, ministri i jashtëm shqiptar Iljaz Vrioni dhe ministri italian në Shqipëri Ugo Sola,nënshkruan Traktatin e Aleancës Mbrojtëse:pos të tjerave në këtë Traktat shprehën në mënyrë të vendosur ideja që të dy palët në mënyrë të ndërsjelltë do të angazhoheshin së bashku për ruajtjen e paqës.Nëse njëra palë do të kërcnohet nga një luftë, e cila nuk ishte provokuar prej saj,pala tjetër do të përdorte të gjitha mjetet në dispozicion për të ndaluar operacionet luftarake.Ndërsa në rastin kur përpjekjet për pajtim do të përfundonin pa sukses secila palë ishte e detyruar të ndiqte fatin e tjetrës dhe të vinte në dispozicion të aleates së vetë të gjitha burimet ushtarake në rastin më të parë.
Ky Traktat i Mbrojtjes, i quajtur më vonë Pakti i Dytë i Tiranës në thelb nuk cënonte asnjë liri të shqiptarëve përkundrazi nenet e tij vireshin në roje të pavarsisë kombëtare.Asnjë lloj ndërhyrjeje të Italisë,në punët e brendshme të Shqipërisë nuk favorizohej përmes këtij Tarkti,përkundrazi pala Italiane njoftonte Romën se presidenti Zog në këtë marrveshje kishte shfaqur dukshëm dilplomacinë e hollë dhe zgjuarsinë tipike shqiptare.Në janarin e vitit 1928,ky Traktat,pas ratifikimeve të bëra nga Roma dhe Tirana u regjistrua në Organizatën e Lidhjes së Kombeve.Ende pa dërguar Traktatin në këtë Lidhje,ishte Beogradi që shfaqi dukshëm shqetsimin e tij.Ministri Jugosllav në Tiranë,bëri me dije qeverinë shqiptare me anë të një note se ky Traktat ishte i panevojshëm,pasi Shqipërisë nuk i kërcnohej asnjë rrezik ushtarak.Ndërsa qeveria shqiptare i kujtoi Beogradit se në të njejtën kohë mund të ketë qenë i panevojshëm edhe Traktati i Jugosllavisë me Francën.Kjo ishte pak a shumë situata politike në Shqipëri në fund të vitit 1927 dhe në fillim të vitit 1928.Ndërkaq gjatë vitit 1927,me nismën personale të Presidentit Shqiptar,një grup ekspertësh shqiptarë po punonin për Kushtetutën e re të Republikës Shqiptare.Në krye të këtyre ekspertëve ishin vendosur dy burra të ditur,të shkolluar dhe me përvojë në administratë.Për më tej ata shquheshin edhe si njohës të thellë të mentalitetit të popullit të tyre,këta ishin Mehdi bej Frashëri dhe Kol Tromara.E vërteta është se përpjekje për hartimin e Kushtetutës,ishin bërë edhe më parë në Shqipëri.Kështu në 10 prill 1914, ekspertë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit,kishin hartuar një dokument bazë juridik,mbi të cilin duhej të mbështetej qeveria shqiptare e asaj kohe.Në të vërtetë ky dokument juridik,nuk luajti ndonjë rol të ndjeshëm,po të kemi parasysh se në vitet e Luftës së Parë Botërore,Shqipëria u shëndrrua në arenë përleshjesh politike dhe ushtarake të fuqive europiane.Ajo çka mund të merret si përpjekje e parë serioze për vendosjen e shtetit juridik,është padyshim kushtetuta e dalë prej Kongresit të Lushnjës,në janar të vitit 1920.Me rastin e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve,u pranua gjithashtu edhe Kushtetuta në fjalë,mund të themi se ajo nuk mundi t’u rezistojë ndryshimeve të reja,pasi mjaft prej kodeve u përkisnin modeleve osmane dhe sidomos për faktin që mbante ligjërisht të bashkuar pushtetin ligjvënës me ate egzekutiv.Pikërisht ka qenë kjo arsyeja që në marsin e vitit 1925,Asambleja Kushtetuese e Shqipërisë,miratoi një Kushtetutë tjetër,me disa ndryshime nga ajo e dalë prej kuvendit të Lushnjës.Ndonëse këto ndrashime ishin të pakta,në themel ato preknin dy prej shtyllave të rëndësishme të konstitucionit të shtetit shqiptar.
Së pari,Kushtetuta e marsit 1925,ndalonte të gjitha format e mbrojtjes prej ushtrive të huaja dhe së dyti,ndante përfundimisht legjislativin nga egzekutivi.Mandej kjo kushtetutë parashihte zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve dhe të Senatit,gjdo ligj i miratuar në Dhomën e Deputetëve do të shqyrtohej në Senat,për t’ia përcjellë më pas Presidentit.
Në kushtet e një konfiguracioni të ri politik në Ballkan,Presidenti Zog,me ndihmën e Mehdi Frashërit,Kol Tromarës dhe ekspertëve të tjerë shqiptarë,ndikuan drejtëpërsëdrejti në ideimin dhe hartimin e Kushtetutës së re shqiptare.Në themel të kësaj Kushtetute,do të ishte sistemi i ri i ligjeve,sipas modelit të shtetit perëndimorë.Për këtë,u thirrën edhe ekspertë të ndryshëm nga Italia, Franca,Zvicra dhe Austria,të cilët dhanë ndihmesën e tyre në ideimin e një kushtetute të re,perëndimore,që nuk mund të ishte diçka e lehtë:Nëse Europa perëndimore nuk kishte kulturën e vet shekullore,universitetet dhe avantazhe të tjera ekonomiko-sociale,në Shqipëri,në pjesën më të madhe të vendit,marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin kryesisht mbi parimet e pleqësive apo Kanunet e Lekë Dukagjinit.Një prapambetje e tillë,i kish lënë të çuditur mjaft nga ekspertët e huaj,të cilët kërkonin adaptimin „enbloc“ të ligjeve të tyre kushtetuese.Pikërisht për të krijuar një harmoni sa më të ndjeshme,midis ligjeve perëndimore dhe realitetit shqiptar,hartuesit e Kushtetutës së vitit 1928,punuan plot vullnet e këmbëngulje,duke patur parasysh jo vetëm çfarë ndodhte në marëdhëniet shoqërore të Shqipërisë së atyre viteve,por edhe si mund të udhëhiqej ky komb drejt dyerve të qytetërimit.Është kjo aryseja që më 18 janar 1928,me dekret presidencial u abrogua kodi i vjetër osman dhe hyri në fuqi kodi i ri penal shqiptar.Më pas më 1 mars 1928, parllamenti shqiptar abrogoi kodin civil osman dhe në vend të tij zyrtarizoji kodin civil shqiptar,i cili në mjaft prej neneve të tij mbështetej në kodet civile të Francës dhe të Zvicrës.
Me zgjedhjen e qeverisë së re në qershorin e vitit 1928,presidenti Zog mendoi se ishte i domosdoshëm miratimi në Kuvendin kushtetues i Kushtetutës së re, e cila u referohej sidomos zhvillimeve të brendshme.Është për t’u përmendur fakti që kuvendi i Kushtetutës,pasi të njihej me Kushtetutën e re,kishte të drejtë jo vetëm të diskutonte por të vendoste mbi çdo nen të kësaj Kushtetute.I mbledhur në 5 gusht 1928,kuvendi në fjalë diskutoi gjërë e gjatë në detaje,për ditë me radhë duke sjellë argumenta pro dhe kundër për nene të ndryshëm.Tendencat e vendosjes së ligjeve sipas modeleve perëndimore u panë dhe ripanë disa herë,shumë prej tyre madje u ndryshuan në përputhje me situatat që kalonte vendi.
Në këtë mënyrë,Kushtetuta e Re u aprovua në mënyrë unanime në 1.IX.1928,prej Asamblesë Kushtetuese të Shqipërisë.Pos të tjerave aty sanksionohej ;
„-Shqipëria është një shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.
-Kjo shpallet Mbretëri Demokratike Parllamentare dhe e trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve, naltmadhërinë e tij Zogu i Parë.
-Flamuri kombëtar ka ngjyrë të kuqe me një shqiponjë të zezë dy krenare në mes.
-Gjuha zyrtare është shqipja,ndërsa kryeqyteti i vendit Tirana.
-Shteti shqiptar ka karakter ateist,por fetë dhe besimet e ndryshme fetare,gëzojnë lirinë e ushtrimeve të tyre që sigurohen me ligj,por që nuk ndërhyjn në punët e brendshme të shtetit.
-Pushteti Egzekutiv i përket Mbretit që e ushtron atë me anë të qeverisë.
-Pushteti legjislativ ushtrohet bashkarisht nga Mbreti dhe Parllamenti që përbëhet nga një dhomë.
-Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykatat dhe vendimet e tyre jepen të bazuara në ligj e zbatohen në emër të Mbretit“.(„Shqipnia më 1937“,faqe 7-8 ).
Deri më sot,në pejsën më të madhe të historiografisë shqiptare shpallja e kësaj kushtetute është interpretuar si një vendim i Mbretit Zog për të „legjitimuar“ diktaturën e tij.Faktet provuan të kundërtën.Kompetencat vërtetë të mëdha si në politikën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme,askurrë nuk u shfrytëzuan prej tij që të zgjatin jetën,apo të instalonin diktatura.Përkundër këtyre,duke qenë i paisur me një frymë demokratike,Mbreti Zog krijoi marrëdhënie të sinqerta dhe reciprokisht respektuese si me miqtë e shumët ashtu edhe me armiqtë e paktë.Mentaliteti me të cilin ishin ngjizur shqiptarët,anarkia e lindur e tyre,ndjenja kundërshtuese ndaj ligjeve bënë përgjithsi si shteti, por edhe një sërë rreziqesh të jahstëm kërkonin udhëheqjen me „dorë të fortë“ të vendit.
Krijimi i institucionit të Mbretit me anë të Kushtetutës së vitit 1928 në të vërtetë donte të ringjallte tek shqiptarët,imazhin e prijësit trim e bujar,të mençur.Vetë realitetet shqiptare shekullore patën vërtetuar se në vorbullën e ngjarjeve më të rëndësishme prijësi i vërtetë kish qenë ai që pati mbajtur në supe hallet e popullit,sado të mëdha të ishin ato.Në kujtesën nacionale shqiptare sado që patën kaluar shekuj,kujtimi i kryetrimit Gjergj Kastriot Skenderbeut,jo vetëm që nuk venitej,por përkundrazi fitonte shkëlqim të ri.Pikërisht tek Mbreti i tyre pjesa më e madhe e shqiptarëve të asaj kohe parashihte prijësin e ri i cili në vend të kalit dhe të shpatës,do t’u printe me urtësi me ligj,me drejtësi dhe maturi për në dyert e civilizimit perëndomorë.Kushtetuta sanksiononte fuqinë e Mbretit por jo despotizmin e tij.Një tipar i veçantë që jep dimensione aktuale Kushtetutës së vitit 1928,është padyshim karakteri thellësisht kombëtar i saj.Emërtimi i Mbretit,si Mbret i Shqiptarëve,është mjaft domethënëse,në kushtet kur në shtetin amë jetojnë vetëm një e treta e shqiptarëve,ndërsa dy të tretat dhunoheshin barbarisht nga Beogradi dhe Athina.Mesazhi,i Kushtetutës shqiptare në këtë rast ishte i qartë ,nëse Europa e quante të mbyllur kapitullin e coptimit barbarë të trojeve shqiptare,Mbreti Zog nuk mund të pajtohej me këtë qëndrim.Fjala e tij në parllament në 1 shtator 1928,do të duartrokitej nxehtësisht ndërsa deklaronte ; „Nuk është aspak e vërtetë që shqiptari i ka humbur cilësitë e tij dhe s’meriton të kzistoj,siç kanë kujtuar e kujtojnë disa.Ndërsa kombeve të tjerë kur krijuan shtetet e tyre,s’u mungoi ndihma e jashtme,kombi ynë e fitoi lirinë e tij me mundim,sakrifica e gjak.Shqiptari në kohë të lashta dhe të afërta ka treguar se në çastin e duhur është bashkuar për mbrojtjen e atdhuet.Kjo u vrajtua edhe pas Luftës Botërore kur kombi ynë në vitin 1913 u cungua me një vendim që ne s’e kemi njohur e s’do ta njohim kurrë“ ( „10 vjet mbretni shqiptare „ faqe 26 ).
Kushtetuta e shtatorit e vitit 1928,me nen të veçantë të saj ndalonte shitblerjen e trojeve shqiptare prej shtetasve të huaj.E vërteta është se shteti shqiptar i asaj kohe dispononte sipërfaqe të mëdha toke,të cilat mund t’i shiste për të mbledhur para.Por atdhetarët shqiptare,ata që ideuan dhe votuan Kushtetutën e kërkuan ndalimin e shitjes së tokës shqiptare,duke parë pangopshmërinë e ekspansionit serbosllavo grek,dhe sidomos rrezikun që mund të vinte prej këtyre pazareve.Është për të ardhur keq,por 66 vjet më vonë,në Kushtetutën shqiptare të vitit 1994 u lejua shitja e tokës për shtetasit e huaj.Ndërsa vula e kësaj tragjedie kombëtare u vendos në miratimin e Kushtetutës së vitit 1998.Është shumë e trishtueshme të mendosh se sot,në shtetin amë,janë qindra e mijëra hektarë në jugun e vendit,të cilat u janë shitur grekërve,a thua se nuk na mjafton ne shqiptarëve tragjedia e madhe çame. Tepër largpamës në rrafsh të politikave të jashtme,Kushtetuta shqiptare e vitit 1928,parashihte lidhjen e vendit tonë përmes traktateve të ndryshëm,për sigurimin e qetësisë dhe të paqës,jo vetëm në territoret shqiptare por dhe më gjërë.Nisma e Francës,për të patur një pakt të përhershëm miqësie me SHBA-të,u pasua prej praktikave të reja të diplomacisë europiane.Kështu në mbarim të vitit 1928 ishte kristalizuar Pakti Kellog,i cili,i mbështetur në Kartën e Lidhjes së Kombeve,forconte qëndrimet e shteteve apo bashkimeve politike për shmangien e konflikteve të armatosur dhe vendosjen e paqës midis popujve.Në këtë mënyrë këshilli ministrorë shqiptar,në vjeshtën e vitit 1928,“autorizon ministrin e Shqipërisë në SHBA,Faik Konicën,që t’u dorëzonte amerikanëve aktin e aderimit të shtetit shqiptar në Paktin Këllog“ ( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi Ministria e Punëve të Jashtme, dosja 144,fleta 43 ).
Duan apo nuk duan historiografët kalemxhinj të diktaturës perverse 50 vjeçare komuniste, Kushtetuta Mbretërore e vitit 1928,ka qenë përshkruar nga një frymë thellësisht demokratike dhe kombëtariste. Për më tej ka qenë nisma fatlume e mbretit Zog,si dhe pjestarëve të kabinetit ministrorë,që çdo nen i kësaj Kushtetute,jo vetëm të mos përdhosej prej nënpunësve të thejshtë,por të respektohej deri në fund,me çdo çmim.Në mënyrë të veçantë,sistemi juridik ka qenë tejet i pavarur dhe pushteti i tij garantohej në mënyrë permanente nga Kushtetuta.Demokracia e institucionalizuar në këtë Kushtetutë,gjente shprehje veprimi dhe për aktin se vetë Mbreti i Shqiptarëve,ishte paisur me elementë demokratë në karakterin e tij.Janë me dhjetra rastet,kur ai sillej me kundërshtarët personal me butësinë më të madhe,duke i respektuar ata për ato çfar bënin për shoqërinë,dhe jo çfar komplotonin kundër tij.Në këtë mënyrë,demokracia,në vitet e qeverisjes së mbretit Zog,ishte në parametra të tilla,që u afrohej gjithmonë e më shumë demokracive perëndimore.Ajo linte shumë mbrapa,të ashtuquajturat demokraci,në vendet ballaknike e më gjërë.Brenda kësaj demokracije,jetonte sidomos liria e madhe njerzore.
Për të gjitha këto që thamë më sipër,mendojmë se Kushtetuta e vitit 1928,jo vetëm që i ka rrezistuar kohës,por është tejet e dobishme edhe në ditët e sotme,në milleniumin e ri.Në të vërtetë kjo Kushtetutë nuk e ka humbur legjitimitetin e vet.Në fillim ajo u godit dhe humbi vlefshmërinë prej pushtimit fashist italian në vitin 1939.Së dyti,u hodh poshtë prej regjimit po aq të ngjashëm me fashizmin,siç ishte diktatura komuniste.Pikërisht për këto arsye shqiptarët kudo ku janë,duke balancuar zhvillimet e kombit dhe jetën e tyre,prej Kushtetutës së vitit 1928 e deri tek ajo e vitit 1998,kanë të drejtën morale të mburren me Kushtetutën Mbretërore.Për më tej, nëse shohim pas kësaj të drejte morale,mendoj se bashkëkombasit e mij, e sidomos ata në shtetin amë,kanë të drejtë të kërkojnë afrimin e kësaj Kushtetute në realitetet e sotme shqiptare.
Bern-Zvicër