Dr. Lulzim Nika/
(Një vështrim për zgjedhjet në Amerikë dhe ndikimin e madh në raportet e politikës ndërkombëtare)
Në politikën ndërkombëtare, shumë zëra argumentojnë se SHBA ka nevojë për një qasje më të fortë dhe më të vendosur në përballjen me sfidat globale, veçanërisht përballë influencës ruso-kineze, ambicieve hegjemoniste të udhëhequra nga Vladimir Putini. Administratat e Obamës dhe Bidenit kanë pasur një qasje më të kujdesshme ndaj politikës së jashtme, duke u fokusuar kryesisht te diplomacia dhe ndërtimi i aleancave, ndonëse kjo qasje nuk ka qenë efektive për ruajtjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shmangien e konflikteve të hapura. Gjatë këtyre administratave (Obama dhe Baiden), forcat ruse ishin vendosur në disa pika strategjike jashtë territorit të Federatës Ruse, si në Siri, pushtimi i Krimesë, ndërhyrja ne Gjeorgji. Të gjitha këto veprime nuk kishin hasur në një qëndrim të ashpër nga ShBA-ja dhe aleatëve të saj, përveç dënimit verbal. Mosndëshkimi i fuqishëm i politikës hegjemoniste të Putinit nga presidenti Obama, erdhi edhe deri te ndërhyrja e radhës në Ukrainë, ku SHBA-ja dhe aleatët treguan një vendosmëri duke përkrahur Ukrainën në mbrojtjen e sovranitetit.
Ndikimi rus në politikën ndërkombëtare, filloi në të gjitha kontinentet, ku ishte mundësia për një aleancë kundër SHBA-së, duke përfshirë edhe vende evropiane .
Presidenti Barak Obama do të njihet nga historia e politikës ndërkombëtare për qëndrim të dobët në mbrojtjen e integrimit strategjik të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Për këtë arsye mendoj se kthimi i ish-presidentit Donald Trump do të shënonte një qëndrim më të vendosur në skenën globale.
Gjatë mandatit të tij, Trump u dallua për një politikë më të drejtpërdrejtë dhe shpesh konfrontuese, sidomos ndaj Rusisë, Kinës dhe organizatave ndërkombëtare. Argumenti kryesor është se një qëndrim më i ashpër i SHBA-së mund të ndihmojë në frenimin e lëvizjeve hegjemoniste ruse, duke forcuar pozitën e Amerikës si fuqi udhëheqëse botërore. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë efekti do të kishte një ndryshim i tillë i qasjes për stabilitetin global dhe për aleancat ndërkombëtare të SHBA-së. Politika e jashtme e SHBA-së shpesh përfshin një balancë mes diplomacisë dhe forcës, dhe secili president ka sjellë një stil të vetin, që reflekton një qasje të ndryshme ndaj çështjeve me rëndësi ndërkombëtare. Kamala Harris, si zëvendëspresidente dhe bashkëpunëtore e ngushtë e presidentit Biden, ndjek një linjë politike që përputhet me qasjen tradicionale të administratave Obama-Biden. Kjo qasje është e fokusuar në diplomaci, forcimin e aleancave ndërkombëtare dhe promovimin e vlerave demokratike. Mendojmë se kjo vijë politike nuk përfaqëson ndryshimin që shumë kërkojnë për të adresuar sfidat komplekse të sotme në skenën globale, përfshirë konkurrencën ekonomike dhe ushtarake më Rusinë dhe Kinën. Donald Trump, besoj, se rikthimi i tij në presidencë do të sillte një qasje më të fortë dhe të drejtpërdrejtë, duke reflektuar një politikë të jashtme më agresive dhe të përqendruar në forcimin e interesave amerikane. Në mandatin e parë, Trump promovoi një politikë që synonte “America First” (Amerika, E para) dhe tregoi një qasje të ashpër ndaj kundërshtarëve të SHBA-së, duke ndryshuar disa nga politikat e ndjekura nga Obama dhe më pas nga Biden. Këto zgjedhje janë vendimtare për drejtimin që SHBA do të marrë në politikën ndërkombëtare dhe për rolin e saj, si fuqi udhëheqëse globale përballë rrezikut ruso-kinez që po kërcënon gjithë globin. Uroj që të ketë ndryshime në Shtëpinë e Bardhë dhe me këtë të ndryshojë qasja amerikane ndaj politikës ndërkombëtare.