(Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, roman, Prishtinë, 2022)
‘‘ Për mua, romani është si historia dhe si protagonisti
i saj, njeriu: një zhanër i papastër në shkallën më të
lartë. I qëndron çfarëdo qartësimi dhe shkon përtej
çdo kufizimi. Sa për teknikën, e konsideroj të
ligjshme çdo gjë të dobishme për qëllimet që ndiqen
dhe i konsideroj të paligjshme ato risi që bëhen vetëm
për hir të risisë.
Ernesto Sabato
Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’’
Prishtinë
Fjalë përmbledhëse
Roman që jep kronologjinë e gjenocidit serb përmes atyre që e kanë shkaktuar këtë gjenocid, duke i besuar një ideologjie fashiste.
Roman që vjen, edhe si kronikë dokumentare, pa e humbur gjuhën e rrëfimit artistik, kur përveç të tjerash shpalohet edhe bota psikologjike e personazheve, të të dy grupimeve, thënë për të dalluar përkatësitë ideologjike të atyre që bëjnë krime, dhe të atyre që i bëjnë publike këto krime.
Roman që shtresimin e rrëfimit artistik e krijon edhe me deklaratat policore, por gjuha e rrëfimit nuk ruan asgjë nga rrëfimi i skenarëve policorë.
Këto anë vështrimesh, marrë në tërësinë e shtjellimit të ngjarjeve në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, mundësojnë krijimin e shtratit të ndërtimit të strukturës së rrëfimit në këtë vepër të veçantë artistike, e cila, thënë më së qarti, i ka munguar letërsisë sonë.
Hyrje
Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, në një mënyrë, apo në një tjetër, ka përplotësuar analizën shkencore që u ka bërë ngjarjeve, me të cilat është marrë Dik Marti dhe Këshilli i Evropës për të akuzuar krerët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veprën lapidare Mashtrimi i madh.
Në strukturën e romanit, përvijohen aq shumë aspekte të raportit, të cilin Këshilli i Evropës e ka miratuar si hulumtim të vetin, për të fajësuar një luftë çlirimtare dhe ushtarët e saj, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tashti, së paku jo në Evropë, qe më shumë se 75 vjet, që kur ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore.
Andaj, nuk është asgjë e rastit, se autori e ka filluar romanin me një përkujtesë nga koha e Hitlerit, nga veprimtaria e eshalonëve të ushtrisë së tij për të zhdukur hebrenjtë, pra për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e ekzistencës së tyre.
Në romanin Eskadronët e vdekjes të Bardhyl Mahmutit, po ashtu shtrihet nëpër gjithë rrëfimin e tij, ankthi i ndëshkimit të kryerësve të krimeve, të atyre që kishin bërë gjenocid, gjë që nuk ndodh, kurse shtresimet e rrëfimit të ngjarjeve, përmes deklaratave policore, që protagonisti kryesor i romanit, Mifi L., i cili është dhe bartës kryesor i krijimit të atmosferës së ngjarjeve në roman, jep deklarata me shkrim para atyre organeve të hetuesisë, shpalon, si mbishtresë të rrëfimit, gjithë përmasën e tragjedisë së gjenocidit serb në Kosovë.
Rastet janë konkrete, të ditura me emër dhe mbiemër, të njohura botërisht si krime kundër njerëzimit, të cilësuar nga organet e drejtësisë botërore si formë e gjenocidit, siç janë Pokleku e Abria, Likoshani e Qirezi, Prekazi e Reçaku, maskara që as sot nuk i pranon politika e regjimit serb, edhe për faktin se është pjellë e sistemit qeveritar të Millosheviqit, si dhe shumë vende të tjera anë e mbanë Kosovës, ku është bërë gjenocid, por gjuha e shkrimit të këtyre deklaratave policore, shpalon, në bërthamë, gjithë përmasën e tragjedisë shqiptare të shkaktuar nga një regjim fashist, që nuk është dënuar asnjëherë.
Ngjarje që tronditin ndjeshmërinë njerëzore
Rrëfimi i ngjarjeve bëhet përmes personazheve të proviniencës serbe, gjë që autori e ka shpaluar që në hapje të romanit, kur i nderon me përkushtimin që u ka bërë veprimtarëve dhe veprimtareve serbe, të cilët kishin guximin intelektual dhe brejtjen e ndërgjegjes për rrugën që kishte ndjekur kombi i tyre, me gjenocidin më çnjerëzor që kishin bërë kundër shqiptarëve.
Herë pas here në zhvillimin e ngjarjeve dalin edhe të burgosur shqiptarë, me emër dhe të njohur për opinionin, jeta dhe vuajtjet e të cilëve shpalohen përmes rrëfimit të personazheve me përkatësi serbe, siç është burgu dhe torturat çnjerëzore ndaj veprimtarit të çështjes kombëtare dhe luftëtarit të lirisë, Sadik Zeqirit e ndonjë tjetër.
Kjo mënyrë e rrëfimit të ngjarjeve, kjo bartje e mënyrës së rrëfimit, i ka dhënë dorë autorit që të jetë i natyrshëm në përshkrimin e ngjarjeve, qoftë edhe përmes gjuhës së deklaratave që bën para organeve të shërbimit sekret dhe shërbimit ushtarak serb.
Në njërën nga deklaratat e tij, para atyre organeve, të cilat ruanin drejtësinë e proklamuar nga strukturat e shtetit, autori shpalon gjithë atmosferën e përmasës së gjenocidit që ishte kryer në Kosovë.
‘‘Bombat e para të NATO-s krijuan kontekstin e shumëpritur që shërbeu si kallëp i farkëtarisë, për të vënë në jetë aq patkonj sa ç’kishte vendbanime shqiptare… Na u tha qartë, se ishte moment historik, ku njëherë e përgjithmonë do të spastronim tokën e shenjtë serbe: Kosovën.’’ (B. Mahmuti, aty, fq. 70).
Pa marrë parasysh se një deklaratë e këtillë jepet nga një ushtarak që ka vepruar në Kosovë, del qartë logjika shfarosëse e veprimit të një shteti kundër një populli, duke ruajtur edhe elementin e propagandës së kishës sllave për tokën e shenjtë të Kosovës.
Në funksion të rrëfimit të ngjarjeve, ka pasur kujdes që të zbërthejë deri në përbërësit më të vegjël gjithë hapësirën ku zhvillohen ngjarjet.
Do të thotë, bartësit e ngjarjeve në këtë roman, të akuzuar për tradhti kundër shtetit, akuzohen siç ka ndodhur përherë gjatë historisë, me bëmat dhe të pabërat, me përmbysjen e fakteve me kokë poshtë, me këmbënguljen për ta lakuriqësuar të vërtetën e tjetrit, sepse nuk ishte e vërtetë e shtetit dhe e organeve të tij të ndjekjes, me përdorimin e metodave më çnjerëzore, në mënyrë që të detyrohej i akuzuari të pranonte faktet që thoshte shteti dhe organet e tij të ndjekjes, mbi të gjitha, në planin e rrëfimit, me shpalimin e botës së brendshme të këtyre ekzekutorëve, që jo rastësisht ishin pagëzuar eskadronët e vdekjes.
Roman që shpalon veprimin e mekanizmit nëntokësor të shtetit fashist
Pasi e gjithë struktura e rrëfimit ndërtohet përmes jetës dhe veprimtarisë së Mifi L., në njërën anë, si e kundërta e politikës së shtetit që kishte kryer gjenocid në Kosovë, si dhe organeve të atij shteti, të cilët asgjë nuk i tmerron më shumë se kur e vërteta që është e kundërt me ideologjinë e tyre shfarosëse, bëhet publike në organet e shtypit të huaj, të vendeve që, sipas gjuhës së atyre organeve torturuese, e kishin bombarduar shtetin e tyre dhe kishin vrarë njerëz të pafajshëm.
Askund nuk përmenden ushtarët, eprorët ushtarak, që kishin udhëhequr eskadronët e vdekjes, askund nuk zihen në gojë shtabet komanduese për shfarosjen e një populli, siç ishin shqiptarët, rasti i dytë në Evropën demokratike pas hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Qoftë edhe vetëm për këtë rrafsh krahasimi që është shtresuar në strukturën e rrëfimit të romanit krejt të veçantë Eskadronët e vdekjes, gjë që autorit Bardhyl Mahmuti, i ka dhënë dorë për të shpaluar psikologjinë e frikës tmerruese të masës së njerëzve në qytetet dhe fshatrat serbe, ku secili njeri ishte i dyshimtë, si dhe ku në secilin rast e kishin jetën të rrezikuar.
Në literaturën e popujve që kishin qenë viktima të luftës pushtuese, edhe mund të konceptohet drejtë, psikologjia e tillë e tmerrit masiv, por te një popull që e konsideronte veten popull hyjnor, si dhe luftën që kishte bërë për zhdukjen e shqiptarëve në Kosovë, e kishte shpallur luftë të drejtë për shenjtërinë e Kosovës së tyre, ajo gjendje e tmerrit, kur secili ishte kundër secilit, në të parë duket e pakuptueshme.
Por, kur lexuesi shpalos, edhe përmes rrëfimit në deklaratat e hetuesisë policore, e ka të qartë gjithë përmasën e gjenocidit që ia kanë shkaktuar një populli, në njërën anë, si dhe gjithë shtresimin e pasigurisë jetësore të qytetarëve të atij shteti me ideologji fashiste, kur dihej se fashizmi kishte mbyllur kapitullin historik të ekzistencës, në Luftën e Dytë Botërore.
Në planin e rrëfimit të ngjarjeve dhe të pjesëmarrësve në ato ngjarje, në përgjithësi të atyre që kryenin vepra gjenocidi, autori ka krijuar atmosferën e atyre ngjarjeve, qoftë edhe vetëm përmes një fjalie të vetme:
‘‘Po shoh se ti nuk e di se çfarë janë në gjendje të bëjnë’’. (Po aty, fq. 79). Një përkufizim të këtillë e gjen në të gjithë galerinë e personazheve të autorit të këtij romani, e gjen te ushtarët e thjeshtë që duhet të zbatojnë urdhrat e eprorëve, e gjen te eprorët e njësive vdekjeprurëse kudo nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës, e gjen në urdhërat që u jepen njësive ushtarake për pastrimin e vendeve të krimit, duke bartur kufomat e të vrarëve, e gjen në shtabet komanduese të ushtrisë dhe formacioneve të tjera kriminele, e gjen në strukturat e shërbimit sekret serb, që marrin në pyetje dhe torturojnë, jo vetëm shqiptarët e burgosur, por edhe qytetarët serbë, doemos, ndonjë intelektualë aty-këtu, siç është rasti i Mifi L, të romanit të Bardhyl Mahmutit Eskadronët e vdekjes.
Atmosfera e rrëfimit të ngjarjeve dhe vërtetësia historike e tyre
Romani Eskadronët e vdekjes, përkundër pranisë së dokumentit, pra është një vepër me karakter dokumentar, ka ruajtur cilësinë e rrëfimit artistik, andaj ka arritur të krijojë atmosferën e ngjarjeve, pa e tjetërsuar vërtetësinë historike të tyre.
Kjo, mendoj, është vlera themelore e romanit. Përkundër faktit se në roman janë ruajtur gjithmonë kufijtë e asaj që quhet përjetim i realitetit, në njërën anë, si dhe ndjeshmëria e rrëfimit artistik, në anën tjetër, autori Bardhyl Mahmuti, duke rrëfyer, si dhe duke dhënë dëshmi para organeve të ndjekjes së sigurimit të shtetit serb të kohës së luftës në Kosovë, i ka afruar lexuesit fakte që dihen botërisht, por tashti ato i rrëfejnë njerëz që janë ngritur kundër sistemit të shtetit të tyre.
Si të tillë, këta njerëz, janë akuzuar për tradhti kombëtare. Në deklarimin e Mifit L., para organeve të hetuesisë serbe, që e zhvillonin organet ushtarake dhe sigurimi i tyre, duke dëshmuar me shkrim se çka i kishin treguar shokët dhe miqtë e tij, ai shpalon ecurinë e zbulimit të krimeve serbe ndaj shqiptarëve, me përmasë gjenocidi.
Mënyra e deklarimit për gjetjen e dy kamionëve në dy anë të ndryshme të Serbisë së asaj kohe, flet në radhë të parë për vetëdijen e atyre ushtarëve, që ishin ngarkuar të bartnin kufoma të shqiptarëve, pa e ditur se çka kishte në ata kamionë, si dhe duke besuar se bartnin mish për kuzhinat e ushtarakëve.
‘‘Dhe ashtu kishin vepruar: mbi pedalin e gazit të kamionit, me të cilin kishin pasur telashe gjatë rrugës, kishin vendosur një gur përafërsisht 5 kg dhe i kishin dhënë tatëpjetën. Përkundër asaj që vendi kishte një pjerrtësi më të vogël, përplasja e kamionit me sipërfaqen e ujit ishte shpërndarë si bubullimë. Pastaj kishin vazhduar rrugën në drejtim të Beogradit, të Uzhicës dhe rreth orës 2 pas mesnatës kishin mbërritur te liqeni i Peruqacit, në kufi me Bosnjën. Ishin larguar disa kilometra nga diga e hidrocentralit ‘‘Bajna Bashta’’, dhe e kishin lëshuar kamionin në tatëpjetën e lumit Drina, e kishin kaluar në këmbë në Republikën Serbe të Bosnjës...’’. (Bardhyl M., po aty, fq. 113).
Për daljen e kufomave të shqiptarëve të vrarë, në të dy liqenet, di i gjithë opinioni botërorë, përveç atij të qeverisë serbe, që nuk ka gjetur forcë morale për ta pranuar krimin dhe për të kërkuar falje.
Jeta e burgut dhe gjuha e rrëfimit në roman
Përmes personazhit të tij, Mifi L., autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, me gjuhën e rrëfimit, qoftë si dialog me bashkëvuajtësit e dhomës, ku kishte edhe shqiptarë, qoftë përmes shkrimeve që përcillte shtypi i kohës, ka shpaluar gjendjen e të burgosurve, ka prekur anë të ndryshme të raporteve, pushteti dhe njerëz që kanë humbur lirinë, ka rrëfyer gjendjen e tyre psikologjike, por edhe anët e karakterit të të burgosurve, që dallonin aq shumë, sa ndonjëherë, vetëm me një fjali është thënë e gjithë përmasa e drejtësisë serbe, në njërën anë, si dhe gjithë qëndresa shekullore e të burgosurve shqiptarë, në anën tjetër:
‘‘Monotoninë e jetës në burg e thyenin letrat që merrja dhe ato që shkruaja. Ndodhte të merrja dy-tri letra përnjëherësh, në varësi të kohës kur u kishin dhënë leje hetuesit. (…), ndërkaq për ashikun dhe Bekimin as letra, as vizita, as numërim pakosh dhe asgjë tjetër nuk e prishnin monotoninë e ‘‘rendit shtëpiak’’! Ishin pengje të rrëmbyera nga pushteti dhe askush nuk dinte çmimin që u kishin vënë kusarët’’! (Bardhyl M. Po aty, fq. 359)
Autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ngjarjet i ka shtrirë brenda një periudhe kohore shumë të veçantë. Në Kosovë kishte përfunduar përgjakja dhe spastrimit etnik. Forcat ndërkombëtare të NATO-s kishin hyrë në Kosovë, mirëpo forcat ushtarake dhe policore serbe, duke u tërhequr nga Kosova, kishin marrë pengje, si mburojë, siç thotë autori, aq shumë të burgosur politikë, sa thuajse askush nuk kujtohej për ta, përveç të tjerash, edhe pse nuk kishin asnjë të drejtë.
Prandaj, rrëfimi i ngjarjeve, tashti vetëm herë pas here ka për temë Kosovën dhe tragjedinë e saj.
Vetëm kur të burgosurit Sadiku dhe Bekimi, ndonjëherë ndërhynin në bisedat me Mifin L., qoftë duke komentuar ngjarje të caktuar që rridhnin, thuajse si me skenarë në politikën e Beogradit, ku në radhë të parë ishte zhdukja e njerëzve që shprehnin hapur mendimin kundër nga qeveria e Millosheviqit.
Gjatë shtjellimit të ngjarjeve, të kësaj periudhe kohore, qershor 1999, fund viti 2000, kur bie nga pushteti sistemi i Millosheviqit, Mifi L., në strukturën e rrëfimit të tij, ka sjellë një dorë personalitetesh, që kanë bërë dhe kanë zbatuar politikën e gjenocidit serb edhe në Kosovë, duke paralajmëruar shenjat e para, se pushtetarët edhe mund të ndërrohen, por logjika pushtuese do të vazhdojë edhe për shumë kohë.
Andaj, kur lirohet nga burgu, pasi është ndërruar pushteti, atij i vjen keq që bashkëvuajtësit e tij, Sadiku dhe Bekimi, kishin mbetur në qelitë e burgut, pa pasur asnjë të drejtë, as të shkruajnë e të marrin letra, as t’i vizitojë kush nga familjarët, si dhe, as të të dihej se cila do të ishte dita e nesërme e tyre.
Përfundim
Shtresimi i të dhënave të shumta për gjenocidin që ka ndodhur në Kosovë, për mënyrën e kryerjes së tij, për urdhrat që ishin dhënë, për zbatuesit e atyre urdhrave, për lëvdata që kishin marrë nga eprorët e tyre, por edhe për gjendjen e tyre psikologjike, pasi ishin liruar nga detyra, sa nuk bënin gjumë të qetë natën, dëshmon se edhe në qendrën serbe të qeverisjes së asaj kohe, kishte njerëz, edhe intelektualë, që ishin kundër politikës zyrtare të Serbisë fashiste.
Po ashtu, autori i romanit Eskadronët e vdekjes, Bardhyl Mahmuti, ka arritur përmes gjuhës së rrëfimit në roman, që të krijojë atmosferën e ngjarje, që është vlera themelore e një vepre artistike, sa lexuesi e ka përshtypjen se është edhe vetë pjesëmarrës në ato ngjarje.
Romani i Bardhyl Mahmuti, Eskadronët e vdekjes, përmbush mrekullueshëm atë mësimin madh në teorinë e shkrimit të romanit, siç e ka përkufizuar edhe Ernesto Sabato, sa i bën nder letërsisë shqipe, jo vetëm për temën e zgjedhur, jo vetëm për ngjeshjen e strukturës së romanit me aq shumë të dhëna, edhe të burimeve të huaja, por edhe për zhdërvjelltësinë e gjuhës së rrëfimit në punët e ndërtimit të karaktereve të bartësve të ngjarjeve, andaj edhe është një vepër e veçantë me temën që ka sjellë në letërsinë tonë.
Prishtinë, qershor-korrik 2022