BOTOHET NË ANGLISHT ANTOLOGJIA POETIKE “ROZAFA’S MILK” E POETËVE SHQIPTARO–AMERIKANË NË AMERIKË/
Janë 19 poetë shqiptarë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë të cilët janë prezantuar në këtë antologji. Kjo antologji deri më sot mund të konsiderohet e para e këtij lloji në historinë e letërsisë shqipe që krijohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
NGA ADNAN MEHMETI/Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një organizëm kulture, duke i dhënë zhvillim artit të ri letrar, gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve. Shumë herë u vlerësua nga emra të njohur të letërsisë amerikane, siç janë Frederic Turner, kandidat për çmimin Nobël në letërsi, Constance Rooke, shkrimtare dhe kritike letrare nga Kanadaja, Rainer Schulte poeti i njohur, Salman Rushdie, ish Presidenti i PEN Qendra Amerikane, Cara Lefebvre, studiuesja amerikane e pasionuar pas letërsisë shqipe dhe mike e Shoqatës, Carrie Hooper, profesoresha dhe poetja e njohur amerikane, njohëse e shumë gjuhëve por e përkushtuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, Louis Romano, autori i romanit të njohur amerikan “Besa”, James Pettifer, shkrimtar dhe gazetar, autor librash për Ballkanin, etj. Pas këtyre personaliteteve letrare, dhe pas botimit të monografisë voluminoze “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (Aktivitete dhe krijimtari)”, vjen vlerësimi me botimin në anglisht e poezive të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve.
Shtëpia botuese Mundus Artium Press pranë Universitetit të Teksasit në Dallas, botoi antologjinë poetike me krijues shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titull “ROZAFA’S MILK” (Qumështi i Rozafës). Antologjia poetike u përgatit nga profesoresha e letërsisë amerikane, Diane Durant, e cila librin e shoqëron edhe me një parathënie. Në këtë antologji poetike janë përfshirë 19 poetë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, si: Teuta Osmani, Adnan, Mehmeti, Yllka Filipi, Raimonda Moisiu, Merita McCormack, Luigj Kola Çekaj, Idriz Çelaj, Mëhill Velaj, Këze (Kozeta) Zylo, Gjekë Marinaj, Veneta Çallpani, Kostaq Duka, Elko Qeparoi, Dalan Luzaj, Fation Pajo, Iliriana Sulkuqi, Albana Melyshi Lifschin, Rozi Theohari dhe Petraq Risto.
Redaktorja, pa i njohur fizikisht poetët, që janë të shpërndarë anembanë Shteteve të Bashkuara, i ka përzgjedhur krijimet e tyre dhe i ka futur në këtë antologji. Për secilin është dhënë një biografi e shkurtër.
Autorja e fillon librin me një hyrje, e frymëzuar nga legjenda e Rozafës, të flijimit të nënës besnike, një metaforë poetike, që ndërlidhet me flijimin tek shqiptarët, që mund të koiçidojnë edhe me sakrificën e rrugëtimit të 19 poetëve shqiptarë, autorë të kësaj antologjie. Lexuesit amerikanë, dhe gjithashtu edhe lexuesit shqiptaro-amerikanë, që për arsye të ndryshme nuk mund të lexojnë shqip, u krijohet mundësia e leximit dhe mësimit për legjendën e njohur të Rozafës.
Për herë të parë në historinë e letërsisë shqipe që krijohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vjen interesimi nga ana e botuesve amerikanë. Antologjia në fjalë me titull “ ROZAFA’S MILK” (Qumështi i Rozafës), është një ndër kurorat më të bukura të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e cila është përzgjedhur dhe përgatitur me mjaft përkushtim dhe i bën nder jo vetëm autorëve të prezantuar në të, por edhe letërsisë shqipe që krijohet në diasporë, në veçanti, dhe asaj shqipe, në përgjithësi.
Botimi i antologjisë në anglisht, shënon një hap përpara në prezantimin e vlerave reale të anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve, të kësaj shoqate elitare, në udhën e gjatë të letërsisë së përbotshme. Ky libër hap një derë të re komunikimi, për të lënë të hapur për lexuesin amerikan.
Libri mund të porositet direkt nga portali i shtëpisë botuese www.mundus artiumpress.org
Nju Jork, 19 nëntor 2017