
-Më 23 mars 1989, me rrënimin e autonomisë së Kosovës përmes tankeve, Serba bëri puç të dyfisht kushtetues: ndaj Kosovës dhe federatës jugosllave. Kjo ia hapi rrugën procesit të shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe procesit të pvarësisë përmes protektoratit ndërkombëtar nga 10 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008.
Jusuf Buxhovi
Rrënimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë, më 23 mars 1989 në rrethanat e gjendjes së shtetrrethimit, ishin pjesë e skenarit të Beogradit për riformatizimin e Jugosllavisë në një shtet unitarist që do të mbikëqyrej nga Serbia. Demonstratat e 11 marsit 1981, me ç’rast u ripërsërit kërkesa për Republikën e Kosovës nga demonstratat e vitit 1968, u shfrytëzuan si shkas për hapjen e këtij procesi, që do të kthehet në program politik të udhëheqjes serbe me rastin e spalljes së Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve në nëntor të vitit 1986. Dalja e Millosheviqit në skenën politike si dhe përdorimi i lëvizjeve populiste për disciplinimin e federatës jugosllave, duhej të përcillej edhe me ndryshimet kushtetuese, të cilave udhëheqja serbe ua përcaktoi formatin dhe kornizat me kërkesën ” për barazinë e pozitës kushtetuese të Serbisë me subjektet tjera në federatë”. Kjo nuk do të thoshte tjetër pos rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë në përputhje me kushtetutën e vitit 1974 kur ajo fitoi statusin e njësisë së barabartë federative e me këtë edhe të largimit nga tutela serbe.
Rrënimi me dhunë i autonomisë së Kosovës nuk do të ishte i mundur edhe pa aminin e njësive të tjera të federatës jugosllave që iu dha Serbisë nga aprovimi i platformës politike për Kosovën nga dy kryesitë e vendit në maj 1981, kur demonstratat e Kosovës u vlerësuan ngjarje kundërrevolucionare, vlerësim ky që hapi procesin e gjatë të diferencimit politik, viktimë e të cilit ishte arsimi, kultura, ekonomia dhe të arriturat tjera insitucionale që solli kushtetua e vitit 1974 si dhe burgosjet e qindra dhe mijëra të atyre që nuk pajtoheshin me këtë gjendje.
Në këtë proces të mundimshëm të diferencimit, udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, nuk ishte në gjendje që t’i kundërvihje Serbisë në rrethanat kur kishte prapa republikat tjera, që secila në mënyrën e vet spekulonte me viktimizimin e Kosovës, gjë që ndoqi rrugën e mbijetimit në përputhje me logjikën që të humbet sa më pak, deri te limiti i mbrojtjes me anën e nenit 49. Kjo nënkuptonte mos dhënien e pelqimit për ndryshime, po qe se prekej subjektiviteti i Kosovës në federatë, që shfaqej më shumë iluzion se sa realitet politik.
Në këto rrethana, udhëheqja e atëhershme (Vllasi dhe K. Jashari), në fund të vitit 1988 dhe në fillim të vitit 1989, u përpoqën që fushatës serbe t’i kundërpërgjigjeshin me demonstratat gjithëpopullore në Kosovë kundër këtyre ndryshimeve, me ç’rast u shfrytëzuan edhe minatorët për grevë dhe të ngjashme, që përfunduan me burgosjen e Vllasit dhe shpalljen e gjendjes së jashtazakoshme, që i duhej Beogradit që në Kosovë të përdorej për rrënimin e autonomisë.
Këtë e tregoi edhe farsa e votimit në Kuvendin e Kosovës, më 23 mars 1989, kur delegatët e Kosovës, nën kërcënimin e tankeve dhanë “pelqimin” për këto ndryshime, pos 11 prej tyre, të cilët votuan kundër dhe me këtë nxorën në pah dinjitetin dhe guximin politik dhe njerëzor edhe në rrethanat e kërcënmit me jetë.
RRënimi i autonomisë së Kosovës me anën e puçit kushtetues edhe ndaj asaj federative, u përcoll me demonstrata të përgjakshme në gjithë vendin, meqë u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia nga pushtimi i pari në vitin 1912, që do të vazhdojë në vitin 1918 dhe 1944.
Krahas demonstratave të përgjakshme që vazhduan për shumë kohë, ripushtimi serb i Kosovës nxori në skenën politike lëvizjen kombëtare, e cila filloi me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989 nga intelektualët e njohur (shkrimtarë, akademikë, gazetarë dhe të të tjerë) në të cilën u përfshinë e gjithë popullata e Kosovës si dhe lëvizjet e deriatëhershme ilegale ku gjetën hapësirë për veprim lega. Ky bashkim politik i të gjithë faktorëve dhe rrymave të ndryshme, me platformë të qartë properëndimore për liri, demokraci dhe pavarësi, mbi bazast e veprimit legal, mori përispër jetësimi i procesit të legjtimimit të vullnetit të popullit të Kosovës i manifestuar me Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpalljen e Republikës së Kosovës në kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator 1990 si dhe referendumin për pavarësi, në shtator të vitit 1991.
Me to iu dha legjitimiteti demokratik lëvizjes së rezistencës institucionale aktive paqësore dhe asaj të armatosur si pjesë e saj e pandashme, që me ndihmën e vendeve të NATO-s të drejtuara nga SHBA-të, pas bombardimit 72 (nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999), çoi te çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb dhe vendosjen e saj nën protekteratin ndërkombëtar me rezolutën 1244 të KS të OKB-së nga 10 qershori 1999. Protektorati ndërkombëtar mori fundi më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës.
(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, 2020).