INTERVISTË PËR GAZETËN ME TE VJETËR TË BOTËS SHQIPTARE”DIELLI” NË SHBA, ME SHKRIMTARIN DHE STUDIUESIN E MIRËNJOHUR ISAK AHMETI/
RRËNJËT E QYTETËRIMIT TONË, PRA EDHE TË LETËRSISË SHQIPTARE, JANË SHUMË MË TË THELLA DHE SHUMË MË TË HERSHME SE SA Ç’ËSHTË MENDUAR DHE SHKRUAR DERI ME TASH NË TË GJITHA HISTORITË E LETËRSISË SHQIPE
Intervistoi: Mikel GOJANI
Emri i Isak Ahmetit, ka arritur një afirmim të jashtëzakonshëm, në Kosovë dhe jashtë kufijve kombëtarë, si poet, publicist, eseist, kritik letrar, përkthyes. Me këtë emër të shquar të letërsisë, të shkencës dhe publicistikës, këto ditë për gazetën kombëtare “Bota sot” zhvilluam këtë intervistë.
“DIELLI”: Shkrimtari Ahmeti, jeni emër i njohur (edhe jashtë kufijve kombëtarë), në fushën e letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare, për të qenë edhe më afër lexuesve konsideroj se do të kishte qenë me interes që ta jepni një prezantim të shkurtër të rrugës suaj jetësore dhe letrare.
I.Ahmeti: Jam i lindur në Stubëll (1946), fshat që ka një traditë të pasur, shumëshekullore: kishtare, arsimore dhe kulturore; fshat, ku fillet e arsimit i gjejmë qysh në vitin 1584 për të vazhduar, ndonëse me ndërprerje të herëpashershme për shkak të rrethanave tashmë të njohura, deri në ditët e sotme.
Shkollën fillore e kam kryer në Stubëll, Viti dhe Zhegër. Pas studimeve në Kolegjin prestigjioz të Jezuitëve në Dubrovnik, përkatësisht pas kryerjes,paralelisht, edhe të gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan,kam ndjekur studimet për filozofi dhe teologji në Split(Kroaci). Më pas kam mbaruar edhe studimet, suma cum laude, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të UP. Pastaj kam realizuar qëndrime specializuese në disa qendra evropiane. Me shkrime kam filluar të merrem mjaft herët, mirëpo intenzivisht që nga vitet e 70-ta për të vazhduar deri me sot. Kam botuar deri me tash këto vepra: Gallatea, poezi, Rilindja,1972; Uratë zbulimi, poezi,Rilindja,19767; Kushtimebesë,poezi, 1983; Njeri i kohës sime, poezi të përzgjedhura të Salvatore Quasimidos, Rilindja, 1976; Qumështi i zi i agimit, antologji e lirikës së re gjermane,Rilindja, 1988; Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia,Drita,Ferizaj-Bergamo (Itali), 1994; Kosova, Prishtinë, 1996; Bibla në letërsinë shqiptare, GR 1999;
Letërsia kishtare dhe filozofia e saj, Illyricum sacrum, 2000; Weisse Zeit-Kohë e bardhë, lirikë gjermane, 2000; Kur’ani ne letërsinë shqiptare, 2006; Mëvetësi e krijuesit dhe studiuesit të letërsisë,Faik Konica,2013. Përveç këtyre veprave, kam botuar, gjithashtu , nëpër revista dhe gazeta ( në Prishtinë,Shkup, Tiranë, Shkodër, Sarajevë,Zagreb etj.) mbi 200 njësi bibliografike (artikuj), kritikë letrare,ese, vështrime dhe studime nga fusha e letërsisë dhe filozofisë. S i krijues jam përfaqësuar në shumë publikime të rëndësishme. Jam përfaqësuar edhe nëpër bibliografi të ndryshme të kritikës letrare shqipe. Shkrimet e mia janë përkthyer dhe botuar edhe në shumë gjuhë të huaja, në gjuhën serbokroate, në gjuhën gjermane,italiane, frënge, rumune etj. Jam fitues i shume çmimeve dhe diplomave, edhe i Çmimit (Diplomës) vjetor (2013) të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë,me motivacion: Studiues i letërsisë, i dalluar në kërkime shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës. Jam anëtar i LSHK, që nga viti 1972, si dhe anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli në Paris.
Ecja nëpër tri shtigje krijuese që janë: poezia, përkthimi dhe shkenca…
“DIELLI”:Në fushën e publicistikës, poezisë, studimore, eseistikes, të përkthimit etj., kontributi juaj është tejet i frytshëm dhe kualitativ, cili është ai motiv kryesor që ju ka nxitur t’i qaseni këtyre fushave dhe të nxirrni vlera të mirëfillta, të cilat do t’u qëndrojnë kohërave?
I.Ahmeti:Vepra ime letrare është motivuar kryesisht nga dashuria dhe pasioni për artin, për artin e mirëfilltë të proveniencës evropiane, për shkencën e mirëfilltë, jashtë kufizimeve ideologjike…Kam ecur dhe vazhdoj të eci kryesisht nëpër tri shtigje krijuese që janë:poezia, përkthimi dhe shkenca…Shpresoj, vlerat që i kam krijuar, duke ecur nëpër këto tri shtigje, për më tepër se katër dekada, do t’ u qëndrojnë kohërave!
“DIELLI”: Ka shumë kohë që ju merreni me krijimtari letrare, po ashtu edhe punë studimore etj., por dhe me studime në fusha të ndryshme. Cila është fusha juaj më e preferuar dhe cilat janë disa nga arritjet tuaja?
I.Ahmeti: Mbi katër dekada që merrem me krijimtari letrare,po ashtu edhe me punë studimore, kryesisht në fushën e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Fusha më e preferuar për mua ka qenë dhe mbetet letërsia shqiptare dhe rrugëtimi i saj në kontekst me Biblën,e pse jo edhe në kontekst me Kur’anin dhe kulturën islame (orientale). Në këtë drejtim,shpresoj, janë arritjet e mia më të mira dhe të veçanta. Dëshmia më e mirë për këtë janë librat e mi studimore, si Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia, Kosova, Letërsia kishtare dhe filozofia e saj, Bibla në letërsinë shqiptare, Kur’ani në letërsinë shqiptare, pika të forta referimi për studiuesit tanë dhe të huaj…
“DIELLI”:Me shkrime jeni marrë qysh herët, duke përfshirë disa zhanre të letërsisë. Studimet tuaja të hershme kanë zgjuar kureshtjen e lexuesve dhe studiuesve të shumtë. Filloni nga tradita kishtare iliro-shqiptare në Kosovë dhe në vijimësi. Çfarë mund të shtoni rreth këtyre studimeve që janë të një rëndësie dimensionale?
I.Ahmeti:Rrënjët e qytetërimit tonë,pra edhe të letërsisë shqiptare janë shumë më të thella dhe shumë më të hershme se sa ç’është menduar dhe shkruar deri me tash në të gjitha historitë e letërsisë shqipe, ato lidhen me traditën e lashtë iliro-kishtare edhe në Kosovë. Vetëm duke ndjekur këtë vijë, ne mund t’i nxjerrim në dritë,objektivisht, pikat kryesore,personalitetet, por e edhe dukjet letrare të kësaj treve, që kanë kontribuar jo vetën për t’ i lidhur e bashkuar shqiptarët dhe kulturën e tyre me Perëndimin, por edhe në zhvillimin e kulturës evropiane (le të kujtojmë në këtë kontekst Shën Nikete Dardanin, Pjetër Bogdanin etj.).Vlen të theksohet se kultura, letërsia, por edhe arsimi shqip, që është zhvilluar në Kosovë, fillimisht dhe për shumë kohë, duke qenë i lidhur me traditën iliro-kishtare, ka kontribuar jo vetëm në ruajtjen, por edhe në pasurimin e gjuhës, në ruajtjen e vetëdijes kombëtare dhe historike. Në këtë kontekst le të përmendim vargun e krijuesve që kanë dhënë kontribut tejet të çmueshëm në epokën e Humanizmit dhe të Rilindjes Evropiane, si Gjon Progoni,Gjon Vaji,Gjon Injaci, Martin Segoni etj., që të gjithe nga Novobërda, që atëbotë ishte qendër e njohur kishtare. Martin Segoni,historian e teolog i njohu r(shek.XV), që kish bërë emër në Evropë (kish mbaruar doktoranturën , me 1475, në Universitetin e Padovës), krahas me çështjet kishtare,gjeografike dhe juridike, është marrë edhe me tema aktuale të luftës për liri kundër invadimit osman që kishte përmbytur Ballkanin e po rrezikonte Evropën.Pastaj le të kujtojme Pal Hasin, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, Andre Bogdanin, Lukë Bogdanin etj., pa të cilët as që mund të paramendohet kultura, arsimimi dhe letërsia shqipe e shek.XVI-XVII.Më gjerësisht për këtë kemi të dhëna të shumta dhe të pamohueshme, te libri monografik: Kosova…
Kisha katolike -dardane-shqiptare në Kosove, si institucioni i organizuar ndër më të vjetrit në Evropë, gjatë shekujve ka ndikuar,kur e kur, edhe në mënyrë vendimtare që të ruajmë identitetin tonë fetar, kulturor dhe pse jo edhe kombëtar
“DIELLI”: Nga gjiri i kësaj kishe kanë dalë edhe shumë figura të ndritura shqiptare, shenjtër dhe papë, deri te figura e humanistes së popullit shqiptar dhe e universit botëror të shekullit XX, Nënës Tereze, bartëse e shumë mirënjohjeve dhe dekoratave, çmimit Nobël për Paqe, beatifikimit të saj dhe tash në fillim të shtatorit të vitit të ardhshëm pritet edhe shenjtërimi i saj që është një mirënjohje më sublime që i bëhet kësaj figure dhe gjithë kombit përgjithësisht. Çfarë mund të shtoni rreth kësaj çështje?
I.Ahmeti:Është me rëndësi të theksohet se Kisha katolike -dardane-shqiptare në Kosove, si institucioni i organizuar ndër më të vjetrit në Evropë, gjatë shekujve ka ndikuar,kur e kur, edhe në mënyrë vendimtare që të ruajmë identitetin tonë fetar, kulturor dhe pse jo edhe kombëtar. Le të përkujtojmë me këtë rast edhe faktin se nga gjiri i kësaj Kishe kanë dalë klerikë e prelatë kishtarë, shumë të njohur e të merituar, shkrimtarë dhe veprimtarë të dalluar për çështjen kombëtare, organizatorë për çlirimin nga roberia e egër osmane (P.Budi, P.Bogdani, T.Raspasani,G.Krasniqi, Sh.Gjeçovi etj., etj.). Vetë fakti se në gjirin e kësaj Kishe kanë jetuar dhe vepruar: Shën Niketë Dardani, Martin Segoni, Atë Pal Hasi, Pjetër Budi, Andre, Lukë e Pjetër Bogsani, Gjon Nikollë Kazazi, Shtjefën Gjeçovi,Ndue Bytyqi, Gaspër Gjini dhe shumë e shunë të tjerë, tregon se ata, nuk janë vetëm një e dy, por, si do thoshte Eqrem Cabej, një lagje e tërë që përfaqësojnë një lulëzim të shënueshëm jo vetëm të shkrimit shqip, por edhe të literaturës së Atdheut…Për më tepër, siç e thashë më lart, nga gjiri i kësaj Kishe ishte edhe Shën Niketë Dardani (shek.IV), autori i TE DEUM-it të famshëm që me kohë, siç e ka thënë Ramadan Sokoli, më pas edhe I.Kadare, ishte bërë pjesë e komunitetit kulturor evropian dhe botëror…Edhe Nënë Tereza, e njohur në tërë botën si humaniste, tashme e dekretuar për shenjtëreshë nga Papa Françesku, ka dalë nga gjiri i Kishës sonë vendore…
“DIELLI”: Në vitin 1994 keni botuar studimin monografik Kleri Katolik Shqiptar dhe Letërsia”, çka mund të thoni rreth kësaj çështje tepër të rëndësishme?
I.Ahmeti: Në vitin 1994, në kuadër të botimeve “Drita”, në Bergamo të Italisë, është botuar libri im: Kleri Katolik Shqiptar dhe letërsia, pjesë të të cilit më pare,me pseudonimin Shpend Shpata, i kisha botuar të “Drita”-revistë fetare – kulturore, të cilën edhe e kam lekturuar me vite të tëra, sikundër edhe librat e Dom Lush Gjergjit…Ky libër imi është një studim monografik (në Shqipëri i vlerësuar si abetare dhe libër prijatar pas rënies së diktaturës), i shkruar me pasion dhe përkushtim të rrallë, me dije dhe qartësi(S Gjergji),është libër, siç është vlerësuar edhe nga Isak Shema dhe të tjerë, me vlerë shkencore, rizbulim dhe rivlerësim i krijimtarisë letrare të shumë autoreve të traditës letrare… Kjo vepër, si libër prijatar(Ndue Dedaj), u ka shërbyer si pikë e fortë referimi shumë studiuesve siç janë: Alfred Çapaliku,Zef Mirdita,Markus W.Peters,Robert Elsie,Simon Pepa,Sinan Gashi, Xhavit Aliçkaj, Fehmi Cakolli,Nuhi Ismajli etj.
“DIELLI”:Po ashtu keni botuar edhe shumë studime tjera monografike, si “Kosova” (1996), “Bibla në letërsinë shqipe” (1999), “ Letërsia Kishtare dhe Filozofia e saj” (2000), “Kurani në Letërsinë Shqiptare” (2006), çfarë ngërthejnë në tematikën e tyre këta libra me interes për shkencën shqiptare?
I.Ahmeti:.Katër librat e mi:Kosova(1996), Bibla në Letërsinë Shqiptare(1999), Letërsia kishtare dhe filozofia e saj (2000) dhe Kur’ani në Letërsinë Shqiptare (2006), janë studime monografike, ku kam prekur ato fusha të artit e të kulturës sonë, ku kishte mungesë studimesh të mirëfillta, jam marrë dhe kam trajtuar segmente të veçanta, madje fare të pahulumtuara në studimet historiko-letrare…Me këto katër vepra, shpresoj dhe besoj, të kem ofruar dhe hapur mundësi të reja në interpretimin e letërsisë shqiptare (kufijtë e secilës nuk i kemi te Gjon Buzuku, siç është thënë deri me tash, por te Shën Jeronimi dhe Shën Niketë Dardani), me letërsinë Perëndimore, marrëdhëniet e letërsisë shqipe dhe shqiptare me këtë letërsi ,ndikimet, zhvillimet e letërsisë sonë në rrjedhat e kohës. Kështu, këto vepra, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, paraqesin një kontribut të çmueshëm në studimet krahasimtare të letërsisë shqiptare. Me këto vepra, besoj, unë, jo rrallë, jam tej kufijve të studimeve tona te deritashme! Vlerat dhe cilësitë e shumta që ngërthejnë ato, gjuha e përzgjedhur, toni ngacmues, nxitës dhe polemizues e mbi te gjitha gjuha argumentuese (N .Ismajli), janë disa nga veçoritë që i karakterizojnë këto vepra (S.Gjergji). Në vazhdën e këtyre veprave është edhe vepra ime më e re me titull: Mëvetësi e krijimit dhe studimit të letërsisë, studim monografik, ku janë marrë në shqyrtim dhe analizë disa nga veprat më të mira letrare dhe studimore të Anton N .Berishës. Edhe kjo vepër, sikundër edhe të tjerat,është mirëpritur nga lexuesit dhe studiuesit.
“DIELLI” :Ju merreni edhe me poezi, cila është bota e preokupimeve që frymëzon shpirtin tuaj poetik, pra, ç’motive ngërthehen në vargun tuaj poetik?
I.Ahmeti:Deri me tash, siç dihet,kam botuar, veç tjerash, edhe tre libra me poezi:
Gallatea (1972), Uratë zbulimi (1976) dhe Kushtimebese(1983). Poezia ime, e përfshirë në këta tre libra, e për të cilën kanë shkruar, në mënyrë afirmative, shumë autorë, si Mensur Raifi, Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Teki Dervishi, Emin Kabashi, Mazllum Saneja, Gjergj Gega, Rudolf Grulich, Sreten Peroviq, Aleksander Petrov, Engjëll Sedaj, Ramadan Musliu,Andon Caci etj., ngërthen në vete motive dhe tema nga më të ndryshmet. Kjo nuk është vetëm shprehje e botës sime të brendshme , por është edhe një formë e veçantë e komunikimit dhe e shprehjes artistike; nuk është vetëm shpërfaqje e ndjenjave dhe mendimeve të mia për çështje të caktuara dhe për jetën,por, për më tepër, është nxitje për një art me ndryshe, tëri, konform me tendencat më të reja të poezisë moderne italiane dhe gjermane, që përfaqësoheshin atëbotë nga Salvatore Quasimodo, Giuseppe Ungaretti ,Eugenio Montale,Paul Celan etj., për një kulturë tjetër komunikimi në krahasim me atë që shkruhej, n ‘ato vite në Kosove dhe në Shqipëri, dhe se fundmi edhe si kërkesë për një jetë ndryshe, më të avancuar, për një botë (amë) në komunikim -bashkëjetesë në e me arealin kulturor të Evropës Perëndimore…
Poezia dhe kritika letrare nuk janë ato që ishin
“DIELLI”:Kur ndalemi te poezia në Kosovë, a keni mundësi të na bëni një paralelizëm në mes të poezisë së shkruar dikur në vitet e mëhershme, me atë që shkruhet sot. Në ç’pozita gjendet poezia shqipe sot në Kosovës.
I.Ahmeti: Poezia shqipe në Kosovë, e shkruar dikur dhe ajo që krijohet tash, kanë dallime të mëdha, dikur kishte këtu poetë të fluturimeve dhe vlerave poetike të mëdha, si Azem Shkreli,Ali Podrimja,Fahredin Gunga etj.E sot?Cili nga poetët e sotëm do të mund të krahasohej me këtë trinom poetësh? Asnjëri, për mendimin tim, ndonëse edhe sot kemi emra poetësh, që krijojnë vlera të mirëfillta poetike dhe që premtojnë shumë …
“DIELLI”: Ju lëroni edhe kritikën letrare, cili është kontributi juaj në këtë fushëveprimtari të letërsisë shqipe?
I.Ahmeti:Jam marrë dhe vazhdoj të merrem edhe me kritikë letrare. Madje sa për informim të lexuesve them për herë të parë, publikisht, se që në vitet e ‘70-ta pata bërë gati për botim librin me kritika letrare me titull:Shënime letrare, të cilin e pat recensionuar Dr.Ibrahim Rugova. Mendimi i tij për këtë libër ishte pozitiv dhe pat propozuar botimin e tij. Mirëpo Redaksia e botimeve të Rilindjes, përkatësisht klani, në krye me Sabri Hamitin, ishte shkaktari kryesor që ky libër nuk arriti ta shohë dritën e botimit!… Klanet atëbotë ishin të forta, kishin ndikim vendimtar në politikën redaktuese dhe botuese. Frikoheshin që unë po e merrja primatin, jo vetëm si përkthyesi më i afirmuar, nga gjuha gjermane dhe italiane, në Kosovë dhe më gjerë, por edhe në fushën e kritikës letrare dhe eseistikes. Kritika ime letrare me shifrën”bomba” kishte zënë vendin e parë në konkursin letrar të “Zerit te rinise” në qershor të vitit 1973. Këtë e kishte konfirmuar edhe zyrtarisht Redaksia. Dhe i gëzuar pa masë me këtë lajm, unë nisem për Shqipëri dhe kur kthehem nga Shqipëria marr lajmin se është shpallur gabimisht rezultati i konkursit dhe se nuk isha unë fituesi i çmimit të pare, por Sabri Hamiti, ky që tashmë njihet edhe si kompilator dhe plagjiator i klasit të parë (lexojeni për këtë librin: Hamitologjia të Sali Bytyqit!). Lojëra të këtilla, të poshtra të fëlliqta, ka pasur me mjaft bollëk, fatkeqësisht, por nuk kanë mund të më ndalin dhe kam arritur aty ku jam dhe ndjehem i lumtur dhe krenar, edhe për faktin se unë, dhe jo Sabri Hamiti, isha i vetmi dhe i pari atëbotë në Kosovë që kam shkruar dhe botuar artikullin: Prirjet e kritikës letrare në Shqipëri (Fjala,15 prill 1984), që ishte si një bombë n ‘ato vite, kur Kosova dhe një pjesë e madhe e letërsisë shqipe shkruhej nën ndikimin e soc-realizmit…
“DIELLI”: Çfarë mendoni për kritikën letrare që zhvillohet sot në Kosovë, në ç’nivel momentalisht gjendet kritika letrare në Kosovë?
I.Ahmeti: Kritika letrare në Kosove, por as në Shqipëri, nuk është ajo që do duhej të ishte, fatkeqësisht…Ka disa emra që kultivojnë kritikën e mirëfilltë letrare(Anton N. Berisha, Anton Berishaj, R. Musliu, P.Buzhala, N .Ismajli e ndonjë tjetër),por kjo nuk mjafton…shpesh kritika letrare, këtu ndër ne,është bëre biznes,fatkeqësisht!…
“DIELLI”: Librat tuaj janë përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja. Ky është argumenti më i fuqishëm që veprimtaria juaj letrare dhe shkencore si shprehje e vlerave ka depërtuar kufijtë kombëtar.
I.Ahmeti: E thashë diku më lart, shkrimet e mia janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja…Veprat e mia,shkrimet e mia, zhanresh të ndryshme, si shprehje apo ndërthurje estetike vitale, shqiptare dhe evropiane, kanë shpërthyer kufijtë kombëtarë…
“DIELLI”: Ç’mendim keni sa po përkthehet libri ynë sot në botë, po ashtu njëherësh sa po përkthehet letërsia huaj në Kosovë?
I. Ahmeti:Nuk kemi, fatkeqësisht, as sot e kësaj dite, institucione të mirëfillta që do te merreshin, në mënyrë të organizuar me përkthimin e librit shqip në botë dhe anasjelltas as përkthime cilësore të librit të huaj në Kosove…Këtu kemi kryesisht përkthimet e importuara nga Shqipëria që shumica prej tyre janë mjaft cilësore…por ajo që është bërë dhe po bëhet, vlerësoj,nuk mjafton…
“DIELLI”:Para se ta përfundojmë këtë bisedë edhe diçka për preokupimet tuaja momentale, pra çfarë mund të presin lexuesi nga ju?
I.Ahmeti:Kam dhjetëra dorëshkrime të gatshme për botim. Do veçoja dorëshkrimin me poezi të përzgjedhura të Eugenio Montales, të Paul Celanit, Poezinë e përzgjedhur italiane të shek. XX (antologji) etj. Pres ditë më të mira për librin, në përgjithësi dhe për librin tim në veçanti!
– Ju faleminderit!
– Qofshi me nder!
Fritz Radovani says
Prof. Isak Ahmeti, asht i pari shkrimtar guximtar qe kam njoh prej Veprave te Tij te botueme para vitit 1990. Atehere kur Ky ka shpalose “penen” si shpata… me thane te verteten, “tjeret” qe sot mburren… vazhdonin me pergojue Shkrimtaret ma te lavdishem te Letersise Shqipe. E pershndes me shume respekt per te gjitha mendimet e Tija te cmueshme, te patjetersueshme dhe shkencore!
Marjan Cubi says
Me respekte per shkrimtarin Isak Ahmeti qe ka botuar kaqe vepra te vlfeshme dhe educative per lexuesit Shqipetar por edhe Shkrimtarin Mikel Gojani qe e ka bere kete interviste te mire dhe interesante Pershendetje nga Marjan Cubi- NY.