Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Gazetaria shqiptare pa dallim është më e diskredituara, si e shitur tek politika dhe oligarkët. Gazetarë të preferuar të politikanëve, si puthadorë të tyre, bëhen kryeredaktorë, deputetë, ministra. Jo se i shërbejnë opinionit publik, por sepse iu shërbejnë interesave të politikanëve.
Berat Buzhala është njëri prej tyre. Nga kryeredaktor i Express, kaloi automatikisht deputet i PD-së dhe prej andej është i katapultuar në çdo televizion në Kosovë dhe Shqipëri. Pra, ai nuk është gazetar i pavarur. Ka patur një karrierë në ngjitje falë Hashim Thaçit. Por kjo nuk e ka ndalur që të rritet si personalitet. Shpesh me Berat Buzhalën kam ndarë mendime të njëjta, por edhe kur nuk i kam ndarë, nuk më ka shkuar mendja që ta bllokoj në Facebook si bëri ai, kur unë e ironizova pas shfaqejes së tij tek Opinion duke anatemuar deklaratën e kryeministrit Rama në Beograd. Berat Buzhala merr nëpër gojë të mbarë e të mbramë, por nuk toleron assesi që dikush ta kritikojë. Kjo është mendësi diktatorësh të vegjël.
Në fakt, Berati po në Facebook kishte bërë të ditur se ai do të ishte i ftuar tek Opinion. Unë e dëgjova Beratin se çfarë tha, pra tregova respekt deri në fund ndaj fjalëve të tij dhe reagova, ndërsa ai nuk tregoi as respektin minimal dhe as tolerancën minimale. Mendësi autokratësh të vegjël.
Para disa kohësh, ishte Berati që po në Facebook më tha se “ti Elida nuk je nga Kosova”. Më erdhi keq. Por u përpoqa që t’ia ndërrojë mendjen. I thashë se djali jonë i madh quhet Prizren. Më tha me cinizmin e gjakftohtësinë e reptilëve se kjo për Berat Buzhalën as do të thotë asgjë dhe nuk tregon gjë për ne prindërit e tij, pastaj më ironizoi se ne dhe djemtë tanë jetojmë në Europë. Por unë prapë i thashë se emri Berat për mua do të thotë shumë, gjë që nuk i bëri përshtypje fare. Berati më tha gjithashtu se ai “na paska amnistuar” mua dhe Skënder Buçpapajn, kryeredaktorin dhe editorialisten e Bota Sot për dhjetë vjet, prej 1998-2008!!! Këtu ai arriti kulmin e paranojës. I thashë Berat Buzhalës se ne kemi bërë detyrën si gazetarë, se kemi kërkuar pavarësinë e Kosovës kur ai i binte maces me lugë dhe se nëse ai amniston dikënd duhet të amnistojë njerëzit e partisë së tij, sepse Bota Sot i ka katër dëshmorë të fjalës të lirë, ndërsa ai Berat Buzhala si politikan dhe gazetar nuk duhet të rrijë me ndërgjegje të qetë për sa kohë këto vrasje nuk janë zbardhur. Po ashtu, i thashë Berat Buzhalës se nuk duhet të ndihet me ndërgjegje të pastër deri sa qeverisja e Hashim Thaçit, ku ai ka qenë deputet, ka imponuar censurën dhe ka përdorur diktatin politik për të larguar nga puna gazetarë me kontribute. Këto janë qëndrime që i kanë mbajtur pushtuesit, të cilat i kanë imituar Thaçi me Beratin.
Por si Thaçi si Berat Buzhala janë realitete shqiptare. As Skënder Buçpapaj dhe as unë, nuk kemi dashur që t’i përjashtojmë kurrë. Si kanë vepruar ata. Largimin tonë nga Kosova, sepse atje ishim të pranishëm për çdo ditë përmes shkrimeve tona një dekadë të plotë, nuk e pamë dramë. Në fund të fundit një nga aspiratat tona, kryesorja u realizua dhe Kosova sot është e pavarur. Që na larguan, dmth na kishin problem, sepse ne kishim ndikim tek opinioni në Kosovë.
Tani t’i kthehem Beratit mbrëmë tek Fevziu. Ai mbajti një qëndrim thellësisht të papërshtatshëm dhe arrogant deri në histeri ndaj deklaratës të kryeministrit Rama për Kosovën. Berati ishte në unison me Vuçiçin kur tha se Rama ishte thellësisht provokativ.
Berat Buzhala ishte arbitrar në qëndrimin e tij ndaj Ramës, sepse vinte tek Opinion kur një nga analistët më me emër të Ballkanit Daniel Serwer ishte shprehur tek Zëri i Amerikës se deklarata e Ramës nuk ishte provokative. Daniel Serwer, një think tank, i vjetër është analist i panshëm. Ai jepte në një fare mënyrë edhe qëndrimin e SHBA. Dhe Berat Buzhala e kishte lexuar qendrimin e Serwerit kur shfrynte kundër Ramës tek Fevziu,
Por problemi kryesor i Berat Buzhalës dhe synimi i tij që kishte shkuar tek Opinion ishte të devijonte dhe ndryshonte rrjedhën e temës për ta kaluar atje ku donte ai, që kryeministri Rama dhe klasa politike në Shqipëri të ushtrojë ndikimin e saj dhe bindë faktorin politik të Kosovës, dmth VLAN-in, që të shkelë mbi të gjitha parimet demokratike, e t’i dorëzojë Hashim Thaçit mandatin e tretë. Jam e sigurt se Hashim Thaçi i ka premtuar Beratit një post ministri.
Berat Buzhala kishte ardhur në Tiranë të ndëshkonte dhe të dënonte kryeministrin e Shqipërisë dhe t‘i impononte Tiranës zyrtare makutërinë për pushtet të Hashim Thaçit.
Prandaj Berat Buzhala ishte krejtësisht jashtë lojës. Ai nuk vinte aty në emër të popullit të Kosovës. Ai nuk fliste aty në emër të popullit të Kosovës. Aty fliste në emër të Hashim Thaçit. Prandaj i thashë „të mos ndërhyjë në punët e Shqipërisë dhe të kryeministrit të shtetit amë.“
Dhe këtë që them e mbroj me argumenta sepse asnjë politikan shqiptar nga shteti amë, në rrangjet më të larta të shtetit, megjithë sherret që kanë midis tyre, pra as Edi Rama, as Sali Berisha dhe as Lulzim Basha nuk i kanë thënë apo diktuar Hashim Thaçit, si kryeministër i Kosovës se çfarë duhet t’i thotë Daçiçit gjatë 40 takimeve që kanë bërë së toku në Bruksel apo se si duhet të flasë Thaçi me Daçiçin. As nuk kanë reaguar kurrë negativisht ndaj këtyre raunde takimesh, përkundrazi e kanë mbështetur dialogun Kosovë-Serbi. Liderët e Tiranës nuk i kanë thënë kurrë Hashim Thaçit se ka dështuar me këtë dialog, gjë që duhet ta bënin, ashtu si thonë ekspertët ndërkombëtar sepse Hashim Thaçi dështoi pasi e shndërroi dialogun në dy kokësh dhe jo ndërmjet dy vendeve.
Ky është standardi që unë mbroj.
Ndërkohë, jam dakord me ata që thanë se, nëse Rama në Beograd nuk do të kishte folur për Kosovën si një realitet të cilën tashmë e njohin 108 shtete në OKB dhe 23 shtete në BE, do ta akuzonin për tradhtar. Kryeministri Rama mbajti një qëndrim shumë korrekt. Ai i tha Vuçiçit se, nëse kryeministri i Serbisë vjen në Tiranë, askush, përfshi kryeministrin e Shqipërisë nuk do t’i quajë provokime deklarimet e tij, sido qofshin. Sepse realitetin nuk e ndryshojnë deklaratat.
Kryeministri Rama udhëtoi në Serbi, pas 68 vitesh bllokadë, kur marrëdhëniet me Beogradin i kishte monopolizuar një klan profiter. Kryeministri Rama e vizitoi Begradin në kuadrin e strategjisë së integrimit BE, që drejtohet nga vetë kancelarja gjermane. Ballkani ka nevojë për investime, investitorë dhe rimëkëmbje ekonomike. Që të ketë investime rajonale nga BE në sektorët e energjisë, infrastrukturës, kërkohet një komunikim rajonal. Pra vizita e kryeministri Edi Rama në Beograd nuk ishte inicuar as nga pala pritëse, as nga pala jonë. Por nga Angela Merkel, SHBA dhe BE. Sepse shqiptarët dhe serbët janë një realitet i pandryshueshëm në Ballkan, ata janë, pa marrë parasysh radikalizmin apo tolerancën. Ndërsa gjeneratat e reja meritojnë të jetojnë një jetë të denjë, me shkollim, punësim, me lëvizje të lirë, pa urrejtje dhe në paqe afatgjatë, rajoni duhet të jetojë në paqe, me çdo kusht.
Na bie ne shqiptarëve detyra që të tregojmë se duam të ndërtojmë ura, edhe kur ato ngrihen mbi lumenjtë e gjakut dhe të urrejtjes. NKursee e bëjmë sepse duam t’i jepet fund kësaj paranoje dhe këtij kalvari shekullor.
Kurse, siç e tregoi edhe prania e Berat Buzhalës tek Opinion, ne shqiptarët kemi probleme me veten tonë, sepse nuk arrijmë të ndërtojmë ura midis nesh. Ne na duhet imperativisht të ndërtojmë ura midis vedi. Kur të kemi një strategji konstruktive kombëtare, ne do të faktorizohemi si komb, gjithmonë si komb paqsor dhe tolerant. Nuk është rastësi që edhe Konstandini i madh, edhe Skënderbeu, edhe Nënë Tereza edhe Ibrahim Rugova janë shqiptarë.
Kjo gjë arrihet vetëm duke e shpëtuar Shqipërinë, Kosovën nga klientelizmi dhe nga babëzia e politikanëve për pushtet. Ndërtimi i shtetit ligjor është imperativ, duke respektuar parimet themelore të demokracisë, ku në politikë vijnë më të mirët, kur tre pushtetet duhet të ruajnë pavarësinë dhe pushteti i katërt duhet të mbrojë interesat e opinionit publik. Prandaj i them Berat Buzhalës të me heqë murin e bllokadës në Facebook. Sepse bllokada e tij ndaj meje sot, kur festohet 25 vjetori i rrëzimit të Murit Berlinit që njihet si muri i ndarjes përmes urrejtjes dhe idelogjisë staliniste, është absurditeti më qesharak.
Sepse kushdo qofsh ti Berat Buzhala, ti mban emrin e qytetit një mijë vjeçar, të kultures, të Onufrit, e kuqja e të cilit është shumë më e bukur se e kuqja e Ticianit, qytetit të bardhë që shtrihet buzë Osumit, nën hijen e Tomorrit dhe nën qiellin dhe diellin shqiptar.
Sadik Elshani says
Sadik Elshani says:
Your comment is awaiting moderation.
November 11, 2014 at 6:56 pm
Ajo qe Kryeministri Rama ia tha per Kosoven Kryeministrit serb Vucic ne Beograd, nuk eshte provokim, por eshte e drejte legjitime qe cdo kryeminister dhe cdo zyrtar i larte shqitar duhet t’ia thone cdokujt e ne cdo situate, haptas e me ballin lart. Shtetesia e Kosoves nuk eshte provokim, por eshte realitet dhe sa me pare qe Serbia ta njohe kete realitet, aq me mire per te gjithe. Ne mund t’i kemi dallimet tona ideologjike, por si shqiptare, kur vjen puna te interesat madhore te Kombit tone, duhet te jemi nje. Pa marre parasysh se cka mendoj une per Kryeministrin dhe partine qe ai e drejton, ne kete rast Kryeministri ka vepruar drejt dhe duhet ta gezoje perkrahjen e te gjitheve.
Reply
– See more at: https://gazetadielli.com/kryeministri-rama-per-shqiperi-permes-kosoves-me-zemren-plot/#sthash.VmwgjTHI.dpuf
Arben Dedaj says
Kjo replike nuk duhet hedhur ne gazete. e pashe qe nga 10 rreshtat e pare dhe s’kisha durim ta lexoja me gjate. Nese Znj. Bucpapaj ka dicka kundra Berat Buzhales mund t’ja thote ne email ose me leter ne adrese te tij. Por problemi eshte se ne vuajm per UN-in. Jam une me i zgjuari-a, jam une me i dituri-a, jam une me largpamesi-ja, i-e pakorruptuar apo perralla te tjera. E verteta eshte se gazetare qe nuk i sherbejne interesave te dikujt jan te pakte ne ket Bote. Ne shqiptaret nuk kemi asnje… Kam nigju nje shprehje te bukur nga shqiptaret e Ilirides ” Lopa jote mashkull” Kjo shprehje perdoret kur nuk ja vlen te polemizosh me gjate me nje njeri. Nje shkrim i mbushur me fjale te medha qe me shume ka qef te provoje njohurine e gjuhes shqipe nga autorja e cila edhe nje here , nje shkrim te tille duhet t’ja kish drejtuar Buzhales privatisht…