OPINION NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Në ditën e protestës të opozitës në Maqedoni, Ermira Mehmeti , deputetje e BDI-së, e partisë të Ali Ahmetit në koalicion me Gruevskin, do të shkruante në Facebook se „qeveria e Gruevskit e izoloi vendin nga partnerët nderkombëtare; se e rrënoi imazhin pozitiv të vendit; se nuk tregoi asnjë respekt për parimet e bashkëqeverisjes etnike; se pa ndalur e luftoi realizimin e Marrëveshjes së Ohrit; se vendosi autoritarizmin në vend te demokracise; se refuzoi dialogun; se rrënoi bashkjetesën, se prishi kohezionon e brendshëm. Mjaft më, thotë në fund Deputetja Mehmeti. Është koha për dorëheqje!“
Duhej të thoshte qeveria Gruesvki-Ahmeti, sepse Gruevskin e ka mbajtur gjithmonë në këmbë Ali Ahmeti, duke shkelur të drejtat legjitime të shqiptarëve. Por megjithatë zëra si i Ermira Mehmetit duhen. Vetëm duhet të mos e lënë kohën të rrjedhë shterpshëm dhe dëmshëm.
Kjo është Maqedonia sot, që me pak fjalë, që e përshkruan vetë deputetje e Ali Ahmetit. Përfshi këtu krimin në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Maqedonia sot është e rrezikshme për qytetarët e saj, e rrezikshme për fqijnët e saj, e rrezikshme për vetë Maqedoninë.
Dhe Maqedoninë e ka bërë të rrezikshme dhe e kanë vënë në rrezik për të ekzistuar Ali Ahmeti, Gruevski dhe kasta e vjetër.
Në titull e kam vendosur përpara emrin e Ali Ahmetit e pastaj të Gruevskit. Sepse pa Ahmetin, Gruevski do të ishte i paralizuar. Dhe tragjedia e Kumanovës nuk do të ndodhte nëse Ali Ahmeti nuk do të ishte qe djathtë i Gruevskit. Gjoja në mbrojtje të Maqedonisë!
Ali Ahmeti ka kohë që luan me kartën e ndarjes të Maqedonisë. Ose më mirë të themi po e kërcënon BE, NATO-n dhe SHBA me këtë kartë! Duke u shtirur si personi që siguron e garanton mosndarjen e Maqedonisë. Në fakt është një diktator i përfshirë në të gjitha krimet shtetërore që qeveria e Maqedonisë ka ekzekutuar kundër shqiptarëve, të cilët i ka vrarë me pretekstin se ata kanë vënë në rrezik integritetin territorial dhe shtetëror të Maqedonisë.
Edhe në 2001, edhe tani më 2015 qenësia e shtetit të Maqedonisë është duke në diskutim e rrezikuar nga VMRO-DPMNE bashkë me aleatin shqiptar.
Ali Ahmeti bën sikur harron se shkak për konfliktin e 2001 ishte diskriminimi etnik i shqiptarëve nga shteti sllavo-maqedon. Tani është Ali Ahmeti bashkë me Gruevskin që përsërisin historinë.
Sepse nëse konflikti i 2001 solli në skenën politike Marrëveshjen e Ohrit, Ali Ahmeti do të duhej të ishte garant i kësaj Marrëveshje, që kjo të implementohej gërmë për gërmë. Vetëm kështu do të bëhej garant i bashkëkzistencës etnike të shtetit multietnik.
Por në vend që të ishte garant i Marrëveshjes të Ohrit, Ali Ahmeti u bë garantues për mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, çka e ka kthyer Maqedonia e vitit 2015 në atë të pragshpërthimit të konfliktit të 2001.
Sot Ali Ahmeti është personi që në daljet e pakta publike po justifikon terrorin shtetëror të Gruevskit dhe vrasjen e dhjetë Komandantëve të UÇK-së në Lagjen e Trimave me të cilët ai luftoi në konfliktin e 2001, me pretekstin se i ashtuquajturi „grupi i armatosur“ kishte synim ndarjen e Maqedonisë, ndërsa masakra shtetërore u krye për të siguruar mos ndarjen e Maqedonisë.
Në fakt, Maksakra e Kumanovës, është një krim monstruoz i tipit stalinisto-sovjetik, që e ka vënë në rrezik të plotë ekzistencën e Maqedonisë. Dhe Maqedonia shpëton, nëse nga skena e saj politike largohen njerëz të tillë të papërgjegjshëm që shtetin e kthejnë në një makineri kriminale vrastare. Përgjëgjësit e krimit duhet të dalin sa më shpejt përpara drejtësisë, sepse vetëm kështu funksionon një shtet ligjor e demokratik.
Maqedonia shpëton, kur të largohen nga skena politike Gruevski me Ali Ahmetin, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për krimet e kryera në Maqedoni. Maqedonia nuk është e Gruevskit as e Ali Ahmetit, por e shtetasve të saj. Maqedonia është territor i Europës dhe integritetin e Europës e mbron NATO.
Nëse Ali Ahmeti sot pretendon se këtë krim do ta zbardhin personat e arrestuar, ky pretendim i tij është përpjekja e fundit e Ali Ahmetit për ta fshehur të vërtetën nga njerëz, të cilët Ali Ahmeti duhet t’i ketë infiltruar në të ashtuquajturin « grupin e armatosur », pikërisht ata, të cilëve Ali Ahmeti u shpëtoi jetën, ndërsa nga ana tjetër i la të vriteshin dhjetë djem trima, ish-Komandantë të UÇK-së dhe shtetes të Kosovës, që Maqedonia e Gruevskit dhe Ali Ahmetit u kishte përgatitur një kurth për t’i vrarë.
Vrasja e dhjetë ish-Komandantëve të UÇK-së dhe djegia e shtëpive të civilëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë është preludi i djegjes të Maqedonisë dhe Maqedonia shpëton vetëm nëse, pa u vonuar më, Komuniteti Ndërkombëtar ndërhyn menjëherë duke larguar nga skena politike e Maqedonisë, shkaktarët dhe autorët e të vërtetë që e rrezikojnë integritetin territorial të Maqedonisë.
pilo andoni says
Shqipetaret jan shtet forus ne Maqedoni.por si gezojen te drejtat.Sa te jete balua gjalle ajo shtepi ere e keqe dobjere. Maqedonia duhet ndare,populli maqedonas te asimilohet ne shtetet ame,ne se behet kejo do te shohim nje kthese rrenjesore ne politiken e Serbise por gjithe se si Rusise i varen mustaqet ne fund te barkut