Dr. Lulzim Nika/
Më 9 nëntor 1989, Muri i Berlinit, simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe përçarjes së botës gjatë Luftës së Ftohtë, u rrëzua. Ky murë, i ndërtuar në vitin 1961, ndau Berlinin dhe për dekada ndaloi kalimin mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania dhe Berlini u ndanë në zona të kontrolluara nga SHBA, Britania, Franca dhe Bashkimi Sovjetik. Me kalimin e kohës, ndarjet u thelluan, sidomos për shkak të qëllimeve të Stalinit për izolimin e Berlinit Perëndimor.
Presidenti amerikan Harry Truman, në mbrojtje të Berlinit Perëndimor dhe për të penguar përparimin sovjetik, vendosi që amerikanët të ndihmonin qytetin përmes një linje ajrore që transportonte furnizime ushqimore dhe barna. Ky operacion i njohur si “Airlift-i i Berlinit” tregon vendosmërinë e SHBA-së për të mbështetur sigurinë dhe stabilitetin e Evropës që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Rrëzimi i Murit të Berlinit shënoi fundin e ndarjes së Gjermanisë dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë, duke sinjalizuar një epokë të re për paqe dhe bashkëpunim. Rënia e komunizmit solli një epokë të re për shqiptarët e ndarë dhe hapi rrugën për bashkimin e tyre në proceset demokratike evropiane.
Pas një izolimi të gjatë nën regjimin komunist, intelektualët dhe patriotët shqiptarë punuan me vendosmëri për t’i drejtuar shqiptarët drejt familjes evropiane, duke e çuar kombin aty ku e kishte vendin. Për shqiptarët e Kosovës, ky ndryshim historik hapi perspektiva të reja dhe frymëzoi një luftë intelektuale dhe më vonë një luftë çlirimtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Rruga drejt pavarësisë së Kosovës ishte një arritje e madhe, një “bombë atomike” për interesat sllavo-ruse në Ballkan dhe më gjerë, duke çuar në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe duke shënuar një moment kthese për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.