Gazetari i njohur C. M. Paul i bën jehonë peticionit në mediat Indiane.*/
Një ekspert i Nënë Terezës në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur një peticion online për një rrugë, e cila do të sjellë më pranë nesh vendlindjen e murgeshës me famë botërore.
“Rruga për të cilën po lobojmë do të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën e transportit mes vendlindjes së Nënë Terezës, Shkupit, dhe Tiranës”, thotë Gëzim Alpion, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Birmingamit.
Rruga e Arbërit ofron një lidhje më të mire me Dibrën dhe do të ndihmojë në “zhvillimin e kësaj pjese të Ballkanit, e cila vuan nga mungesa e një rrjeti të mirë rrugor”, u shpreh ai duke theksuar se kjo zonë është ndër rajonet më të pazhvilluara në Shqipëri, një vend në Europën jug-lindore.
Rruga do të krijojë një ndërlidhje të re vitale mes Shqipërisë e Maqedonisë, si dhe do t’i ofrojë Bullgarisë hyrje direkte në Adriatik dhe Detin Mesdhe.
Rruga ekzistuese prej 180 km është “një stërzgjatje torturuese dhe aspak e mirëmbajtur”, thekson bashkëkombësi i Nënë Terezës. Sipas tij, rruga e re prej 70 km do ta shkurtoj kohën dhe koston e udhëtimit.
Alpion, që jeton në Birmingam, konsiderohet nga kritika si “autori me autoritar për Nënë Terezën në gjuhën angleze”. Libri i tij i ri për Nënë Terezën, që do të botohet në shtator 2014, përfshin materiale që nuk janë publikuar deri më sot mbi jetën e murgeshës shqiptare.
Ai u shpreh se peticionin online për Rrugën e Arbërit e nisi më 18 mars “me shpresën për të ndihmuar Dibrën, vendlindjen time, zhvillimi i së cilës për mua është shumë i rëndësishëm. Po kështu, peticioni synon të tërheqë vëmendjen e politikanëve shqiptarë drejt varfërisë që ka pllakosur prej kohësh zonën e Dibrës.”
Ai tha se së shpejti do të kthehet në Tiranës për t’i dorëzuar peticionin kryeministrit të ri të Shqipërisë, z.Edi Rama, dhe për të zhvilluar takime me një numër zyrtarësh të lartë në vend.
Alpion është larguar nga Dibra në moshën 14 vjeçare për të studiuar fillimisht në Tiranë e më pas në Universitetin e Kairos dhe atë të Durhamit. Rrënjët dibrane janë “tepër të rëndësishme” për të edhe pas 37 vitesh.
Ai e përshkruan Dibrën si “një zonë me bukuri natyrale të jashtëzakonshme” dhe 200,000 banorët e saj si “të mençur dhe shumë punëtorë, por gjithmonë të lënë pas dore nga shteti.” Sipas tij “Dibra, nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, nuk duhet të jetë e varfër vetëm po të kemi parasysh pasuritë e saj minerale të jashtëzakonshme.”
Në 1980-ën Shqipëria renditej e treta në botë si prodhuese kromi me mbi një milion ton në vit. Rezervat e kromit gjenden në Bulqizë, që është pjesë e zonës së Dibrës.
Rruga e Arbërit gjoja ka qenë “prioritet” për disa qeveri shqiptare për më shumë se 10 vjet. Megjithëse lobimi për ndërtimin e saj ka nisur gati 20 vite më parë, deri tani punimet kanë përparuar pak.
“Rruga e re do të rilindë dibranët,” u shpreh Alpion. Më shumë se 4000 njerëz anë e mbanë globit kanë nënshkruar peticionin online dhe formularët që janë përgatitur në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Peticioni është përcjellë gjerësisht nga media në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe nga mediat shqiptare në diasporë: Amerikë, Angli, Kanada, Australi, Itali, Greqi, Zvicër, Bullgari e Rumani.
Alpion beson se vëmendja që politikanët shqiptarë i kushtuan Rrugës së Arbërit gjatë zgjedhjeve të qershorit dëshmon rolin e rëndësishëm që shoqëria civile mund të luaj në Shqipëri. “Shoqëria civile është ende në një fazë embrionale në Shqipëri dhe në vende të tjera ish-komuniste,” argumenton Alpion, “por shenjat e para janë shpresëdhënës.”
Përktheu: Erisa Saraçi
*Shkrimi i C. M. Paul, i titulluar “Mother Teresa expert roots for Skopje”, u botua në gjuhën angleze në Indi në MATTERS INDIA më 28 tetor 2013: http://mattersindia.com/mother-teresa-expertroots-for-skopje
*Versioni shqip u botua për herë të parë në Tiranë në gazetën RRUGA E ARBËRIT, Tetor 2013, fq. 5.
Ju lutemi nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’: