
Nga kolonel Hajro LIMAJ
Ish atashe ushtarak në Republikën e Turqisë/
Pas përmbysjes së regjimit komunist, Shqipëria përcaktoi integrimin euroatlantik si një objektiv strategjik për vendin, duke mos ndërprerë proceset e integrimit dhe duke u angazhuar në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të këtij procesi. Ky proces për rreth 30 vite me radhë ka kaluar nëpër sfida dhe angazhime të ndryshme të vendit, si në politikën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme. Koncepti i diplomacisë për marrëdhëniet ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm. Diplomacia, një mjet i rëndësishëm që pengon konfliktet me pasojat materiale dhe shpirtërore, arti i takimeve për zgjidhjen me rrugë paqësore të marrëdhënieve ndërkombëtare, një veprimtari që shpreh ndryshimin e aplikimit të saj sipas gjendjes ushtarake, ekonomike dhe gjeografike të çdo vendi. Politikani dhe diplomati amerikan Henry Kissinger e ka përkufizuar kështu diplomacinë :‘‘Diplomacia është një normë e botës së re, ndërsa diplomacia moderne është ekuilibri i forcës që ndodhet midis forcave të luftës dhe të paqes “Mbi këtë koncept dhe vizion bashkëkohor ndërtuan strategjinë e punës dhe veprimtarinë diplomatët shqiptarë me uniformë. Diplomacia ushtarake ishte tepër aktive dhe shumë rezultative për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar në disa momente kryesore, që fillon me vitin 1992, ku vendi pranohet zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë. Kriza politiko-ushtarake e vitit 1997 e bllokoi vazhdimin e kësaj rruge, e cila i solli humbje kapacitetesh dhe kohe. Me krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Fatos Nano rifilloi gjallërimi i diplomacisë kombëtare .
-Vendimi i Qeverisë Shqiptare me datë 12 tetor 1998 për ta vënë në dispozicion të NATO-s të gjitha bazat ajrore e detare, si dhe gjithë hapësirën ajrore dhe rrjetin rrugor, ishte një vendim tepër i rëndësishëm për Kosovën, e shndërroi Shqipërinë në bazë ushtarake të NATO-s, për një sulm të mundshëm kundër Serbisë. Ky vendim ishte një akt që e angazhonte Shqipërinë drejtpërdrejt në luftë me Serbinë, përkrah NATO-s. Lidhur me këtë vendim, komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Klark, ka shkruar: “Kryeministri i ri, Pandeli Majko, miratoi çdo kërkesë timen: – A mund të përdorim edhe aeroporte shtesë ? – Natyrisht përdorini të gjitha aeroportet. – A mund ta riparojmë rrugën për në Kukës? – Të lutem, riparojeni. – Po rrugën për në Shkup? – I keni të gjitha rrugët dhe mjetet në dispozicion. Merrni çfarë të doni”. Rolin e diplomacisë parandaluese (Preventiv Diplomacy) e kishte zënë roli i diplomacisë shtrënguese (Coercive Diplomacy).
Ndërsa atashetë ushtarakë shqiptarë jashtë shtetit ngritën në këmbë NATO-n dhe shtetet pro shqiptare në mbështetje të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Kurse diplomacia ushtarake brenda vendit prej kohësh me Serbinë nuk mund të përdorte më diplomacinë e tavolinës, por diplomacinë e forcës, luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo lufte diplomatike ndahej në dy grupe: Grupi i parë i ushtarakëve shqiptarë janë ata që ndihmuan në ngritjen e qendrave stërvitore në Shqipëri dhe stërvitën luftëtarët e çlirimit që në vitet 1990. Kurse me hyrjen e NATO-s në luftë, në përgatitjen e vullnetarëve që vinin me shumicë nga Perëndimi, përfshi edhe SHBA.Për këtë u angazhua e gjithë shkolla e Bashkuar e Oficerëve . U stërvitën vullnetarët e lirisë në Feken (Mali me Gropa) dhe në Burrel. Grupi i dytë i oficerëve shqiptarë ishin ata që u integruan direkt në luftë, brenda në Kosovë, para se të angazhohej NATO-ja, me në krye kolonel Dilaver Goxhaj, që mbriti deri në detyrën zëvendës shef i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së . Ushtria Shqiptare mori pjesë në luftë të pashpallur me Serbinë dhe u bë pjesë e objektivit të NATO-s.
Nuk ka gjë me të shenjtë se jeta, e atë për Kosovën e dhanë 31 persona nga Shqipëria e që sot janë dëshmorë jo vetëm të Kosovës, por të atdheut.
– Divizioni i Kukësit gjendej në skalion të parë dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes së Shqipërisë. Ndërkohë, ky divizion u bë mbështetje e sigurt e shpinës së luftëtarëve të UÇK-së. Në territorin ku vepronte divizioni, UÇK-ja kishte bazat kryesore të saj. Ndërsa qendrat stërvitore në thellësi të zonës së mbrojtjes së Divizionit dhe në thellësinë strategjike të vendit u përdorën gjerësisht për përgatitjen e luftëtarëve të UÇK-së. Prej territoreve të divizionit drejtoheshin për në Kosovë luftëtarët e UÇK-së, tashmë të stërvitur, të përgatitur dhe të armatosur prej Shqipërisë. Kishte raste që sapo kalonin kufirin, binin në përpjekje me forcat serbe dhe zhvillonin luftime të ashpra, duke pasur të siguruar shpinën nga forcat e divizionit.Ky pozicionim dhe angazhim politiko-ushtarak i Shqipërisë ishte një vlerë shumë e shtuar dhe provimi më i madh për rritjen e besimit nga NATO dhe për të përshpejtuar anëtarësimin e saj. Në vitin 1999, Shqipëria u pranua si vend aspirant për anëtarësim, ndërsa procesi hyri në një fazë të re, duke u intensifikuar angazhimet e shtetit shqiptar në kuadër të këtij procesi, i cili kishte edhe mbështetje ndërkombëtare. Më pas, po këtë vit Shqipëria paraqiti për herë të parë Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.Në kuadër të proceseve dhe nismave për integrimin në NATO, në maj të vitit 2003, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut), së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nënshkruan Kartën Adriatik 3-SHBA, që u konsiderua si një nismë që do të përgatiste hyrjen e tre shteteve në NATO. Gjatë viteve 2004-2008, Shqipëria vazhdoi procesin e bashkëpunimit me Aleancën dhe për përmbushjen e objektivave të partneritetit, që përcaktonin disa masa për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, me qëllim për të operuar së bashku me forcat e NATO-s.Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill 2008. Më 25 prill 2008 Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin, bisedime që përfshinin disa çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, ndërsa më 9 korrik 2008, vendet anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollet e anëtarësimit me Shqipërinë. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009.
*****
Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë në NATO. Para, por edhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).Nga viti 1994 kur filloi edhe angazhimi në misionet ndërkombëtare dhe deri sot, në misionet e drejtuara nga NATO, BE dhe OKB, kanë kontribuar një personel prej 6982 ushtarakësh të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 10 viteve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.
Konkluzion:Qenia në NATO është një siguri e shtuar. Por, detyrimin kushtetues të mbrojtjes e kanë Forcat e Armatosura dhe populli shqiptar.
Foto: albeu.com