
Nga BEPPE SEVERGNINI
A e keni menduar? Nëse në Rusi do të kishte demokraci, e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur. Lufta në të cilën jemi të pranishëm, rrjedhja e mujshisë dhe malleve perandorake do t’ishte e pakonceptueshme. Por demokracia në Rusi nuk është. Ka një njeri në komandë, prej njëzetedy vitesh: gjithënjë e më i vetmuar, me një ankth në tru, i paparashikueshëm. Ne evropianët e kemi pranuar, me shumë durim e pak cinizëm.
Të gjithë: nga Roma në Londër, nga Parisi në Berlin. Sikur Rusia dhe rusët janë të papërputhshëm me një sistem të lirë e demokratik. Sikur rrëshqitja drejt autoritarizmit gllabërues të ishte një gjë që nuk kishte të bënte me ne. Ndërsa ka të bëjë dhe shumë. Prova janë pamjet e Kievit, pafuqia e jonë, pesha që na rëndon në zemër.
Mësymja e Ukrainës është një tmerr për të gjithë. Për ata që kanë jetuar shpresat e tridhjetë viteve më parë merr përvijimet e një përqeshjeje. Rrënimi i komunizmit sovjetik – një sistem i mbyllur, i shënuar nga shtypje e përndjekje – ishte përshëndetur me gazmend prej shumicës së rusëve dhe evropianëve, këtej dhe andej “perdes së hekurt”. Ndërmjet 1989 dhe 1991 kemi qënë të pranishëm në kryengritje popullore, revolucione (pothuaj gjithmonë jo të përgjakshëm), rindërtimesh, votimesh: Varshava, Berlini, Praga, Budapesti, Bukureshti, Sofia, Tirana; më pas Vilnius, Riga, Tallin, Minsku, Tbilisi, Erevani, Kishinau, Kievi. Dhe Moska. Kur flamuri i kuq mbi Kremlin u ul për të fundit herë – ditën e Krishtlindjes të 1991, n’orën 19:32 – u hap një voli e pamatëshme për të gjithë: për rusët e për botën e lirë, në të cilën donin të bënin pjesë.
Ne atë mundësi e kemi shpërdoruar. Ajo që ndodhi në Rusi në vitet Nëntëdhjetë është trishtërisht e njohur: një udhëheqës i dobët si Boris Jelcin, përplasja ndërmjet bandave të afaristëve, xhveshja sistematike e Shtetit, kriminaliteti në festë. Mbi përgjegjësitë është shkruajtur e folur tepër. Opinionet janë të ndryshëm, sigurisht. Mbi një gjë veç, duket se janë të gjithë të një mëndjeje: demokracitë perëndimore do të duhej – e mundur – të bënin më shumë e më mirë.
Zgjerimi në Lindje i Bashkimit Evropian ishte i volitshëm, ai i Aleancës Atllantike, ndoshta i pashmangëshëm, por me gjasë i shpejtuar. E kanë kujtuar shumë në këto ditë, edhe Tom Friedman në New York Times. Nuk dua të ligjëroj n’asnjë mënyrë çmëndurinë e përgjakëshme të Putinit. Dua vetëm të kujtoj se shtrirja e NATO-s në Lindje mund t’ishte lexuar si një poshtërim për Rusinë e t’i jepte një sebep një kryetari populist – siç edhe ndodhi. Kombet e mëdha nuk duhet të poshtërohen. Ringjalljet gjermane, japoneze e italiane mbas luftës së Dytë botërore kanë edhe këtë shpjegim: të mundurit janë ndihmuar të ringrihen.
Është një intervistë habitëse e Riçard Nixonit, e datuar 1992. Presidenti plak, i lodhur por i kthjelltë, shpreh një mendim që, në hapësirë kohore prej tridhjetë vitesh, duket një profeci: “Në Rusi komunizmi është mundur, por liria është në provë. Nëse nuk do të funksionojë do të ketë një kthesë mbrapa dhe një shtysë drejt një despotizmi të ri. Kjo do të përbënte një rrezik vdekësor për pjesën tjetër të botës. Sepse ai despotizëm do të shestohej me virusin e imperializmit, një karakteristikë e politikës së jashtëme ruse prej shekujsh”.
Nuk kemi mbajtur parasysh parandjenjën e Nixonit, nuk kemi dëgjuar ata që thonin se Rusia duhej mbështetur e jo shfrytëzuar. Ideja e demokracisë ishte minuar, përqeshur, dalngadalë braktisur. Kujtoj sprovën e Moscow School of Political Studies të Lena Nemirovskaja, në vitet Nëntëdhjetë. Synimi ishte të ndihmohej zhvillimi qytetar, politik e shoqëror i klasës së re drejtuese pas sovjetike. Administratorë, gjyqtarë, akademikë e gazetarë evropianë fluturonin për në Moskë e qëndronin atje për disa ditë, për të treguar funksionimin e demokracisë. Kam marrë pjesë në dy organizime, në 1999 dhe në 2000: me kryetarët e rinj të bashkive të Siberisë dhe me parlamentarët e rinj të Dumës. Ndërhyrje e huaj, vendosi qeveria ruse në vitet Dymijë. Sprova e fshirë.
Ngjitja e Vladimir Putinit, dhe zbritja drejt autoritarizmit, u përshëndet me dashamirësi nga shumë rusë, të zhgënjyer nga korrupsioni e të tmerruar nga kaosi. Dhe u pranua nga shumë evropianë. Shumë ishin të painformuar, mjaft të hutuar, por disa ishin bashkëpuntorë: për interesa ekonomike apo për leverdi politike, ndonjëherë për një pleksje të të dyjave (“kollonat e pesta të Putinit” i ka përcaktuar liberali Guy Verhofstadt në një shfrim për t’u mbajtur mënd në Parlamentin evropian). Pak kanë parë rrezikun, megjithë arrestimet e kundërshtarëve, vrasjet misterioze, pasurimet e pashpjegueshme. Të gjitha këto gjëra i kemi lënë mënjanë: joshja dhe leverdia e Rusisë ishin më tërheqëse. Demokracia? E papërputhëshme me popullin rus, linin të kuptohej politikanët italianë, diplomatët amerikanë, biznesmenë të të gjithë gjatësive gjeografike.
Përfundimi është ky që shohim. Të provojmë tmerrin nuk ligjërohemi, përkundrazi. Një Rusi demokratike – t’a përsërisim – as nuk do t’a shkonte nëpër mënd mësymjen e Ukrainës fqinje. Një Rusi autoritare, këtë mësymje e ka përfytyruar, programuar, kërcënuar, sendërtuar në mënyrë cinike. Dhe ka vepruar kështu edhe sepse Ukraina është një demokraci. E papërsosur, por një demokraci. Kievi – pavarësisht nga vështirësitë dhe nisjet e rreme – është vërtetimi që “bota ruse” e dashur e Putinit, nuk është e papërputhëshme me zgjedhjet e lira, partitë e pavarura, liritë e shprehjes. Një provokim i palejueshëm për njeriun e vetmuar të Kremlinit.
“Corriere della Sera”, 25 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika