Dr. Entela Komnino /
Prania konkrete e fenomeneve e dukurive retorike në të gjitha nivelet e shkrimit, që nga ekspozimi i idesë deri tek mjetet gjuhësore, ashtu siç e parashikon dhe retorika përgatitjen e një teksti, janë një konsideratë paraprake, për të gjetur e artikuluar substancat reale të shfaqjeve retorike në Publicistikën e Nolit. Në një kuptim tjetër, ky është procesi më i ndodhshëm sa më lart Gadamer. Publicistika e Nolit është e botuar në disa përmbledhje me shkrimet në gazetë dhe fjalimet e mbajtura në auditorë të ndryshëm. Brenda të njëjtit korpus të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë1 është botuar një fond tjetër i konsiderueshëm publicistik nën emërtimin ‘Oratoria’, Autobiografia, Letërkëmbimi, Intervista dhe të ndryshme2 . Ndërsa po nga Nasho Jorgaqi përmblidhen nën ‘Ligjërime’ ‘…nga mijëra fjalime …vetëm disa dhjetëra’3 pasi, siç shpjegon autori, ‘për arsye të ndryshme oratoria e Nolit nuk ka arritur e plotë’4 . Koha që përfshin aktivitetin e konsideruar në këto botime si publicistik dhe oratorik është përkatësisht 1905-19495 dhe 1906-19646 . Në botime më të vonshme kanë ardhur ribotimi i pjesës më të madhe të fondit të njohur publicistik, si dhe disa artikuj të rinj, që në cilësinë tonë të shqyrtimit, nuk ndryshojnë arkifaktet. Përsa i përket regjistrimit zanor të ligjërimit të Nolit, ai nuk ka hyrë dot në këtë hulumtim, për faktin e parë që studimi fonologjik i shqipes nuk lejon krahasime dhe diskutime shkencore mbi intonacionin si të interpretueshëm në ligjërim, e prej këtej të nxjerrë përfundime tipologjike mbi këtë shfaqje retorike, që më tej të mund t’i shtohej arsyetimeve-kontribute për Nolin. Nga ana tjetër, diskutimi i intonacionit, do të çonte më pranë fillesave gjuhësore se ato letrare, pavarësisht normës së ‘pronuntatio’-s që rrjedh nga retorika. Përkundrejt një procesi shterues të objektit ‘PUBLICISTIKA’, fakti i marrë këtu në konsideratë është, që, format e sotme të komunikimit që nuk kanë më kufijtë gjinorë klasikë, reflektojnë më gjerë se funksioni bazë i saj – apeli mbi publikun, ashtu siç ndodh dhe tek Noli. Ndjesitë estetike nga vepra publicistike e Nolit dhe pyetja për to janë një prej fenomeneve që i vendosen radhës së një materieje specifike të tij. Një tjetër veçanti janë tekstet e liturgjisë ose të mbajtura në kishë që shkelën dhe një praktike jo shumë të njohur, siç ishte të botuarit e tyre në gazetat e shqiptarëve, duke fituar me këtë një përmasë mediatike të shtuar. Nga ana tjetër, një sërë shkrimesh apo fjalimesh politike pikëpyeten si njësi apo lloje të publicistikës a letërsisë. Në të njëjtën mënyrë është pyetur madje se sa publicistike mund të jenë introduktat për veprat letrare të përkthyera nga Noli apo esetë tematike. Sipas nesh të gjitha këto nuk e bëjnë të ndryshme publicistikën e tij si cilësi për sa kohë shprehen përmes funksionit të vet themelor – apelit – dhe mjeteve të qarta që e tregojnë atë. Por pasqyrimi i kushteve të krijimit të tij në vepër, siç ka qenë p.sh., të qenurit prift ose autor i parapëlqyer i një sistemi vlerash mbi të cilin u përjashtuan shumë autorë të tjerë të vlershëm, distancohet prejvetiu nga pyetja bazë. Pëlqyeshmëria që na lë një autor si Noli, qoftë dhe përkundrejt polemikës me ata, ka përgjigje të arsyeshme retorike. Edhe më njerëzisht ka rrjedhur vështrimi i Nolit si qenie e përditshme. Prej kësaj retorika adreson shqyrtimin e elementëve sociobiografikë, për një ndikim të mundshëm mbi figurën retorike të tregimit nga ngjarjet që kanë shënuar kthesë në jetën e tij. Ky plotësim shkon kështu në funksion të Nolit, jo vetëm si këndvështrim retorik, por dhe si përmasë për lexuesit shqiptarë, të cilëve, jeta e një autori të dashur iu ka munguar, ose iu është polemizuar në mënyrë sporadike. Por pas arsyetimeve paraprake, e vërteta për Nolin kapërceu çdo pritmëri kur iu nënshtrua skemës që kërkoi përgjigje përkundrejt adresimit të çështjeve si: • boshti i retorikës me aktivitetin politik të Nolit përmes ligjërimit politik, • përse Noli ‘u bë shqiptar’ në Amerikë, • çfarë është kisha si objekti më i vështirë dhe i sforcuar i analizës së Nolit para viteve ’90, dhe sidomos • çfarë domethënie me gjurmë kanë faktet biografike përkundrejt hartuesit të teksteve publicistike duke nisur që nga vendkoha e Nolit.
1 Bihiku, K. ‘Fan S. Noli Vepra 2 dhe 3’, ‘8 Nentori’, Tiranë 1987
2 Jorgaqi. N., ‘Fan S. Noli Vepra 6’, Tiranë 1996
3 Jorgaqi, N., ‘Fan S. Noli, ligjërime’, fq. 476, Tiranë, Dudaj 2002
4 Si më lart
5 Bihiku, K. ‘Fan S. Noli Vepra 2 dhe 3’, ‘8 Nentori’, Tiranë 1987
6 Jorgaqi, N., ‘Fan S. Noli, ligjërime’, fq. 476, Tiranë, Dudaj 2002, ‘përpara se të njihej nga shqiptarët si publicist, u njoh si orator