
Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Racaj
Qielli i pasigurt – një alarm për Kosovën
Ngjarjet e fundit me fluturimet e dronëve të dyshuar nga territori i Serbisë, në pjesën veriore të Kosovës, kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë shtetërore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka konfirmuar se është shënuar disa herë prezenca e dronëve mbi zona të ndjeshme strategjike dhe se Policia është në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për monitorimin e situatës.
Ai tha se rreziku është i pranishëm sidomos për vijën kufitare, ndërsa qytetarët janë nën mbrojtjen e institucioneve, duke theksuar se hapësira ajrore mbetet përgjegjësi ekskluzive e KFOR-it.
Objektivat që nuk janë rastësorë
Raportimet se dronët kanë fluturuar mbi Burgun e Sigurisë së Lartë, ku mbahen kriminelë të rrezikshëm dhe të dyshuar për terrorizmin e Banjskës 2023, si dhe mbi bazën ushtarake të Dumoshit – një pikë kyçe e Forcës së Sigurisë së Kosovës – tregojnë se në shënjestër nuk janë pika të rastësishme.
Gjithashtu fluturimi i dronëve në vijën kufitare është vëzhgim për kalimin ilegal të tërroristëve dhe organizatorëve të krimit të organizuar.
Nëse dronët kanë regjistruar ose skanuar terrene të ndjeshme, atëherë fjala është për një akt të qartë zbulimi dhe provokimi.
Këto nuk janë mjete bujqësore, por sisteme survejimi që dërgojnë mesazhe politike dhe ushtarake.
Kur KFOR-i kufizohet në fraza diplomatike
KFOR-i deri më tani ka siguruar qytetarët duke deklaruar se nuk ekziston “kërcënim për sigurinë”. Por a mjafton monitorimi si masë parandaluese? Çfarë rëndësie ka verifikimi pasiv kur dronët fluturojnë pa pengesë mbi vijën kufitare dhe objektet strategjike? Siguria nuk mund të matet vetëm pasi të ndodhë diçka e pakthyeshme. Në këtë kuptim, frazat diplomatike nuk përkthehen në garanci reale për qytetarët dhe as nuk mbyllin shteg për shkelje të sovranitetit.
Sovraniteti fillon nga hapësira ajrore
Siguria ajrore është themeli i çdo shteti. Pa kontroll të plotë të qiellit, çdo sovranitet mbetet i brishtë dhe i lëndueshëm. Për Kosovën, ku kufijtë shpesh sfidohen dhe ku provokimet e Serbisë nuk mungojnë, liria e fluturimeve të paautorizuara është faktor destabilizues. Nëse vija kufitare,Burgu i Sigurisë së Lartë dhe baza e Dumoshit mund të vëzhgohen nga objekte ajrore të huaja, atëherë duhet të shqetësohemi seriozisht – jo vetëm për sigurinë, por edhe për legjitimitetin e shtetit në mbrojtjen e territorit të tij.
Përgjegjësia ndërkombëtare dhe detyrimi vendor
KFOR-i ka përgjegjësi të qartë për hapësirën ajrore të Kosovës. Aleanca nuk mund të fshihet pas frazave diplomatike, sepse mandati i saj përfshin garancinë që asnjë mjet ajror i huaj nuk duhet të shkelë qiellin e Kosovës pa leje. Përndryshe, në lojë vihet kredibiliteti i vetë misionit ndërkombëtar që konsiderohet garant i paqes në rajon.Por njëkohësisht, ngjarjet e fundit janë një thirrje edhe për institucionet vendore. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe autoritetet shtetërore duhet të ndërtojnë kapacitete teknike për vëzhgim, interceptim dhe neutralizim të mjeteve ajrore të paautorizuara. Sovraniteti nuk mund të mbështetet vetëm mbi prania ndërkombëtare – ai duhet të sigurohet me kapacitete të brendshme. Aleatët mbeten një mbështetje, por themelet e sigurisë vendosen nga vetë shteti.
Përfundim
Qielli i Kosovës është po aq strategjik sa toka e saj. Prandaj, mbrojtja e hapësirës ajrore është çështje jetike për sovranitetin dhe sigurinë. Raste si këto duhet të trajtohen si paralajmërim: asnjë garanci ndërkombëtare nuk është e mjaftueshme nëse Kosova vetë nuk investon në mbrojtjen e saj. KFOR-i duhet të dalë nga roli i “monitoruesit” dhe të garantojë konkretisht paprekshmërinë e qiellit të Kosovës, ndërsa shteti ynë duhet të ndërtojë kapacitetet e mbrojtjes që e bëjnë këtë garanci reale.