KONTRIBUTI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN DHE MBROJTJEN E VETEQEVERIMIT SHQIPTAR TË QARKUT TË KORÇËS /
NGA URAN BUTKA*
Shpallja e vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916, kishte shkakësi historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Këtë tezë dua të argumentoj në kumtesën time.
Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta”, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, ajo e fshatrave të Kosinjës në Përmet, ku u therën 75 shqiptarë, mes tyre 27 fëmijë, ploja e Panaritit, 10 korrik 1914, ku u masakruan 374 njerëz të pafajshëm si edhe shpërnguljet e dhunshme të popullsisë të trevave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës drejt bregdetit, sidomos në krahinën e Vlorës. Bilanci it ë vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, mëse 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre , nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive.
Një pjesë e këtyre barbarive janë paraqitur nga prifti ortodoks shqiptar Papa Kosta Tomorri Leusa, në librin “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar në vitin 1917, pikërisht në ditët e Vetqeverimit shqiptar të Korçës.
Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë të ashtuquajtur Vorio- Epir, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.
Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët hollandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.
Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti si edhe u kontigjentet vendase të rekrutuara te Ierollohitët. [1] Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke Spiro Milo shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët .Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi i 2 prillit 1914. Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas (elementët grekomanë). Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndëryrjen ushtarake nga jashtë. Puçistët e armatosur dolëm në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet. Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri hollandez G.Sneller, korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos e krerë të tjerë të puçit, që i dërguan në Elbasan.
Profesor Simonard, në librin “Sprovë mbi Pavarësinë e Shqipërisë”, shënonte: “Ngjarjet që do të pasojnë dhe që janë rrjedhojë e këtyre dredhive dhe të atyre që kemi përmendur më parë, në të vërtetë duhet të konsiderohen si kryengritje të rreme, jo të rrënjosur në ndjenjën e thellë popullore: por grekët ditën ta vërtisnin aq mirë versionin e rezistencës spontane, sa që problemi u kthye përmbys” [2]
Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit me Jasshar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit. Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye. Çetat e shtuara të Sali Butkës zhvilluan luftime në qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914 , duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë. Ja ç’shkruant gazeta “Koha” e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit , i la vendet që kish zaptuar , u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”.[3]
Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Buka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë- Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë mëse 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka, që u internua në në një kamp përqëndrimi në rrethinat e Selanikut. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë.
Gazeta “Koha” shkruante: “Po në luftën e Nikolicës, më 24 prill, ku grekët me 2000 ushtarë kishin ndezur dyfek, kapedan Saliu me trimat e tij, u sul mbi krahun e armikut dhe luftoi me kaq trimëri, sa ai u mund liksht dhe i çakërdisur e i përndarë, u hoq 6 orë matanë sinorit , duke lënë më tepër se 200 të vrarë në fushën e luftës.
Në këtë betejë që ka hyrë në histori, u plagos në syrin e majtë edhe Sali Butka, i cili pas luftës u tha luftëtarëve: “Mos u dëshpëroni, o vëllezër, se edhe me një sy nuk do të më shpëtojë asnjë armik i Shqipërisë”.[4]
Më 24 prill 1914 Fuqitë e Mëdha e njoftuan Venizellosin se ishin të gatshme t´u bënin lëshime ”vorio-epirotëve” dhe se mund të pranonin rishikimin e kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. E ndodhur nën një presion të gjithanshëm, qeveria shqiptare e Vidit u detyrua, më 5 maj, t´ia besonte KNK zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve ”vorio-epirotë” u mbajtën në Korfuz dhe përfunduan me nënshkrimin e ”Protokollit të Korfuzit”. Në këtë protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë Këshillit Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjithashtu edhe kërkesën e Spiro Milos për t´i njohur autonominë krahinës së Himarës, në një zonë që shtrihej në 14 fshatra të bregdetit të Jonit. Protokolli i Korfuzit ishte plotësisht në kundërshtim me Statutin Organik të Shqipërisë dhe shkelte hapur sovranitetin e shtetit shqiptar.
Ndërkohë nisi rebelimi Rebelimi haxhiqamilist, maj 1914 , që solli luftë të brendshme dhe anarki. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokstrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershëm në konfliktin botëror. Greqisë iu shtuan orekset shoviniste dhe kërkoi, jo më autonominë e “Vorio-Epirit, por aneksimin e Shqipërisë jugore. Këto orekse dhe kërkesa u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915.
Ndërkohë që lufta botërore vijonte në Frontin Perëndimor dhe atë Lindor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës.
Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura . Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit me baba Zylfon do të ishte qendër e përbashkët.
Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës.
Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me Francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa:
1)Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat.[5]
Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë s grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë “ [6]
Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë” [7].
Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë” [8]
Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.
Më 25 nëntor 1916, Themistokliu iu drejtua popullit të Korçës me një thirrje: ”Komandari dhe qeveritari i Francës në Korçë e njohin Korçën për vent të Shqipërisë e të gjitha të drejtat e kombit shqiptar dhe u zotua për një marrëveshje me shqiptarët për qeverimin dhe sigurimin e këtij vendi” [9]
Faktori popull, pra faktori patriotik dhe qytetar korçar, ishte vendimtar drejtpërdrejt, por edhe nëpërmjet përfaqësuesve të tij, si Petro Harizi, i cili dëshmon: “Populli bën një mbledhje në Kazino, ku një shumicë e madhe e popullit vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës: dmth. të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe” [10].
Kjo gjë vërtetohet edhe nga konstatimet, por edhe dokumentet e sjella nga doktori i shkencave juridike në Francë, N. Kotta, që ka studiuar me themel dokumentat franceze: “Po ashtu, edhe popullata e braktisur e Korçës iu drejtua komandantit francez, të cilit i shprehu dëshirën të ishte e lirë dhe i kërkoi që krahina e Korçës, e ndarë si pasojë e luftës nga pjesa tjetër e Shqipërisë, të shpallej si republikë autonome shqiptare nën mbrojtjen franceze, duke pritur bashkimin e saj me Shqipërinë”. [11]
Koloneli Dekuan e i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishte forcën numerike të një batalioni francez.
I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.
“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë tek Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës.”[12] – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi.
“Autoritetet ushtarake franceze, duke parë kundërshtimet e mëdha që u bënë nga ana e popullit shqiptar të Korçës kondra sjelljeve armikësore të Venizellistëve, duke parë edhe protestimet, që bënin shqiptarët e jashtëm, duke kuptuar që tërë populli i Korçës dëshironte një ndryshim të plotë të qeverisë me një vëtëqeveri shqiptare dhe me gjuhën zyrtare të vendit, duke parë që edhe pjesa tjetër e Shqipërisë e pushtuar prej armikëve të Antantit vetëqeveriseshe nga shqiptarët nën Austriakët e Bullgarët, u mejtuan dhe shfaqën dëshirën, që të merreshin vesh me shqiptarët.” [13]
Koloneli Dekuan dërgoi tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme.
Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:
- Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.
- Flamuri zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.
- Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.
- Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregulojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.
- Administrata do të përbëhet nga elementë patriotë të sprovuar.
- Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.
- Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.
- Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke
- Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare
- Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.
- Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin.
- Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim
- Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta.[14]
Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën rrëkëllyese që bënë propozimet e tij në drejtimin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.
“Me përjashtimin e ca agjitatorëve, asnjeri në Korçë nuk dëshironte kthimin e regjimit grek. Secili dëshironte jo vetëm mbajtjen e statu quo-s, por edhe zhvillimin e saj në drejtimin nacionalist shqiptar. Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes” [15]
Koloneli Dekuan i shqyrtoi kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake , dmth shqyrtoi pasojat që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij, kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku.[16]
Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: ”Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë , ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike” [17]
Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:
“Zotit Sali Butka
Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë, Melçan
Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe indipendencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin, si vijon:
– Autonomia shqiptare e Kazasë së Korçës, brenda juridiksionit të okupacionit francez dhe brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
– Flamuri zyrtar i Kazasë së Korçës do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.
– Gjuha zyrtare do te jetë shqipja, por korespondenca me autoritetet franceze do të bëhet në gjuhën frëngjisht.
– Do të formohet një këshillë qeveritare me kompetenca të gjera. Të gjitha vendimet do të aprovohen nga një i deleguar i Komandës Franceze, i cili do të quhet delegat këshilltar.
– Mbyllja e të gjitha shkollave të huaja.
– Do të formohet një polici shqiptare për shërbimet e qytetit dhe një gjindarmëri nën komandën e oficerëve shqiptarë.
– Do të formohet një gjindarmëri lëvizëse nën komandën e një oficeri madhor francez, e cila do të bashkëpunojë me repartet ushtarake franceze në luftimet eventuale kundra armiqve.
– Të gjitha degët e administratës do të përbëhen nga elementi autokton shqiptar, i emëruar nga këshilla qeveritare me aprovimin e këshilltarit delegat.
– Komanda ushtarake aleate merr detyrimin që të mbrojë autonominë e kazasë së Korçës nga çdo rrezik që mund ta kërcënojë.
U mor gjithashtu parasysh dëshira juaj që i përket mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë në Konferencën e ardhshme të Paqes, të cilën komandanti ia referoi qeverisë , pasi nuk dependon nga kompetencat e tij.
Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.
Me urdhër të Kryekomandantit të Ushtrive Aleate të Lindjes,
Kolonel Dekuan
Komandant i Qarkut të Korçës” [18]
Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dh eta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja”[19]
Megjithatë, Sali Butka nuk shkoi në Korçë, qëndroi ende në krye të luftëtarëve, për t’iu gjendur Korçës dhe Themistokliut, në çdo rrethanë, por edhe për të bërë të njëjtat përçapje kombëtare tek autoritetet italiane të pushtimit. Dihet, që Kolonja ishte nën okupacionin Italian.
Koloneli Dekuan e vlerëson kështu:” Sali Butka, i vënë në dijeni të ngjarjeve, më ka njoftuar se ai po merrte anën tonë. Nëpërmjet mandatarësh të Këshillit të Administratës, tratativa të reja u zhvilluan për të caktuar masat ushtarake që duheshin marrë me qëllim që ai të mund të shkëputej nga austriakët. Në fakt, ky kryetar trupash nuk ardhi. Do të mësoja më vonë se ai do të bënte tek autoritetet ushtarake italiane, përçapje të ngjashme me ato që pat bërë në tetor 1916, tek komanda franceze. Sa për mua, unë atë nuk e kam parë kurrë. A i ka shkelur ai me dashje zotimet e tij, apo nuk ka mundur t’i mbajë? Mbetëm i bindur se alternativa e dytë i përgjigjet së vërtetës. Sali Butka iu bë i dyshimtë austriakëve, të cilët ia nënshtruan një mbikqyrjeje të rreptë dhe ia morën familjen peng. Sido qoftë, gjatë gjithë kohës , ai do të më preokupojë. Përkundrazi, sekretari i tij Petraq Katro, në vonoi të vinte tek ne, kam arsye të mira për të besuar se ai ka bërë përpjekje lojale për të ndihmuar veprimin e komandës lokale franceze”. [20]
Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqëverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës” [21]
Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”.[22]
Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.
Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli: “Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”[23].
Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë. Edhe vetë francezët ishin të interesuar për një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë , ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Dekuan.[24]
Po ashtu edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia”[25]
Në këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës si Petro Harizi, Petraq Katro, Dr.Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji etj.
Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan disi ekuilibrat ndërkombëtare si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë, si Traktati i fshehtë i Londrës 1915 dhe të tjerët më vonë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike progreke të qeverisë së Parisit. Kjo gjë ndikoi edhe tek qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë.
Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit.
U arrestua nga shërbimi sekret francez themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërnenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxorr përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qëndrore më 9 nëntor 1917. Edhe vete Dekuani e vë në dyshim këtë vendim: “Rishikimi i procesit të Themistokliut në Shqipëri dëshirohet nxehtësisht në Shqipëri. Edhe unë jam njëri nga ata”. [26]
Dhe kështu ndodhi, më pas ai vendim u abrogua.
Pas pushkatimit të Th. Gërnmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare, ndonëse Korça mbeti njëlloj shqiptare, ku valëvitej sërish flamuri shqiptar. Por rreziku i aneksimit të saj nga Greqia, jo vetëm mbeti, por edhe u shtua në mbarim të luftës. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetëruar se shqiptarët e ortodoksë të këtyre zonave ë ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës ballkanike nga sundimi otoman.[27] Në fakt i kishte pushtuar. Po ashtu kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat Italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni –Venizelos më 29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.
Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët. Kryeministri i Francës, Klemanso u tregua i gatshëm t’ua bënte këtë blatim dhe kryekomandanti i fuqive aleate, gjenerali Fransua d’Esperay u tregua i gatshëm t’ua lëshonte Korçën forcave greke. Popullsia se Korçës dhe e rretheve të saj u trondit nga ky rrezik. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe në shtëpitë e tyre” [28]
Megjithatë, forcat patriotike të Korçës u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake.[29] Plaku i Butkës, u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve. Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon:
”Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë… Influenca e Sali Butkë, që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë…Atyre do t’u shtohen vullnetarët të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Më në fund do të arrihej bashkimi midis dy grupeve të mëdha toskë e gegë. Të gjithë njerëzit e Elbasanit do të ndërhyjnë në favor të Korçës.” [30]
Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:
ULTIMATUM
Në emër të popullit shqiptar,
Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.
Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.
Në Korçë.
“Komandant,
Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, duke i dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësa e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtve! Kjo Francë, për të cilën shqiptarët e Korçës dhe të rretheve të saj kanë luftuar, kanë derdhur gjakun e tyre dhe kanë fituar, u thotë sot shqiptarëve: ne do të ndihmojmë grekët që ata të vijnë qetësisht tek ju, në vatrat tuaja në Korçë, ju mos kundërshtoni, t’i lini t’ju mbysin, ne do të bëjmë sehir!
Në shpalljen e këtij lajmi të trishtueshëm, një numër i madh nacionalistësh shqiptarë kanë ardhur dhe kanë hyrë në radhët tona, nën flamurin tonë.
Shpërngulja më e madhe e popullatës tonë fatkeqe ka filluar. Familje të tëra shqiptare, pa mjete dhe të uritura, u detyruan të largohen me shpejtësi nëpër male, që t’u shmangen barbarizmave të hordhive greke, të cilat ju po i prisni.
Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi.
Duke parë se deri më sot, drejtuesit francezë të Korçës janë sjellë në mënyrë atërore karshi nesh, ne u detyrohemi atyre mirënjohje, për këtë arsye nuk do të shtiem asnjë pushkë kundra tyre. Gjithashtu nuk dëshirojmë as edhe një gjakderdhje. Megjithëkëtë, në qoftë se qyteti i Korçës dhe qarku i saj nuk do të na dorëzohen neve miqësisht dhe në rast se Shtatmadhoria Franceze ju urdhëron të na sulmoni, jo vetëm do të mbrohemi, por edhe do të sakrifikohemi deri në pikën e fundit të gjakut shqiptar për çlirimin e tokës së shenjtë të atdheut tonë të dashur, të shitur poshtërsisht nga diplomacia franceze armiqve tanë grekër.
Gjergjevicë, më 12 shtator 1919
Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore
Sali Butka”[31]
Komandanti francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.[32]
Kjo ishte një arritje e madhe e forcave kombëtare shqiptare, veçanërisht e qarkut të Korçës.
* (Kumtesë në 100-vjetorin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës)
Korçë, 9.12.2016
[1] A.Mouset , L’Albanie devant l’Europe, Paris 1930
[2] A Simonard “ Essai sur l’indipendance de l’Albanie”, f.241-243
[3] Gazeta “Koha” 3 maj 1914
[4] Po aty
[5] Petro Harizi, Histori kronologjike e Qarkut të Korçës, 1919
[6] Gjeneral Dekuan “Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë”.
[7] Po aty
[8]”Po aty
[9] Historia e Shqipërisë , volum III, v.2007
[10] Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës.
[11] Nuçi Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë.
[12] P.Harizi, vepër e cituar
[13] Petro Harizi, po aty
[14] Historia e Shqipërisë, Tiranë 1994 dhe P.Katro
[15] Gjeneral Dekuan, Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë
[16] Po aty
[17] Po aty
[18] Petraq Katro, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës, dorëshkrim qe ruhet ne familjen Katro, Korçë
[19] P.Katro, po aty
[20] Dekuan, vepër e cituar.
[21] Po aty
[22] Protokolli I 10 dhjetorit 1916, ( P.Harizi, Historia kronografike e qarkut të Korçës. 1919)
[23] Dekuan, vepër e cituar
[24] Po aty
[25] Historia e popullit shqiptar III, Tiranë 2007
[26] Dekuan, veper e cituar
[27] N Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë, 1946
[28] J Godart, L’Albanie en 1921, Paris.
[29] P.Katro, veper e cituar
[30] Dokumente franceze. Raport i kapiten Langre, 7 shtator 1919.
[31] P.Katro, veper e cituar
[32] Po aty
Fritz Radovani says
I nderuem z. Butka,
Rreshti i fundit i shkruem nga Ju asht ky: “Kjo ishte një arritje e madhe e forcave kombëtare shqiptare, veçanërisht e qarkut të Korçës.”
Nuk e pritshe nga Ju kete mbyllje, kur e verteta me siguri dihet edhe nga Ju.
Kur nuk e thoni Ju faktin historik se kush e shpetoi Korcen e Gjinokastren nga pushtimi grek, kush ka me e shkrue?
Pershndetje.
Bep Pjetri says
Fort i nderuemi Prof.Uran Butka!
Nuk di ta kuptoj ne ket studim shkencor t’uejin keni shmangë për arsyet që ju i dini fort mirë për kontributin e Klerit Katolik Shqiptar dhe Papës Benediktit XV “Për moscoptimin e Korçës dhe Gjinokastrës nga Monarkët grekë” si ma posht faktuem:
“Me 26 të Dhetorit u nisme e me 28 mërrime në kryeqytetin e Italís.
S’kaluen trí kater dit xora audjencën e u gjeta perpara Shêjtnís së Tij Papës Benedikti i XV.
Bisedimi nuk kjè i gjatë, kjè i shkurtë mjeft, por edhè pse i shkurtë kje i mjeftueshem per qellimin t’onë.
Si ja diftova pse kishe marrë udhtimin per Romë, e pse u gjindëshe perpara Shêjtnís së Tij, kuvêndin e mbylla me kto fjalë: “tesh pra, Shêjtní, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqn t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos”.
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e me tha: Po shka të bâj per Ju? Me Italí s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrëdhanjet janë këput – shka të bâj?
Mora guxim e i pergjegja: A m’epni lejen me folë, Shêjtní? Fol, fol me tha, shka të kesh me thanë thueje. Un kishe me thanë, Shêjtní, se bota s’ká metë vetun në Italí e në Francë; – ká në botë edhe Anglí Shtete te Bashkueme t’Amerikës. Bani buzën në gaz, e me i’herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglís, masnesri me atê të Shteteve të Bashkueme; e po t’ap fjalen se me te dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me bâ shka të mundem per me Ju ndihmue. Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.
Une at herë qi kishe bâ gati nji memorandum per me ja lânë, tuj e nxjerrë prei xhepit e tuj e mbajtë në dorë: Shêjtnija e Juej i thaçë, ká punët e botës marë, e prandej a kam lêjen me Ju lanë ket memorandum qi mos t’a harroni çashtjen t’onë? Po, po, lêne ktu pse nuk kam m’e harrue. U çova e i rashë ne të dy giûjt. Ju fala nderës sá mujta, e si mora bekimin, at herë dola krejt i kënaqun e shkova tuj mêndue me vedi: A thue po na shkon kot ky udhtim qi prej Paris-it bâme deri ktu? Gjith kjo shpresë qi fjalët e Shêjtnís së Tij më njallne në zemër, a mundet me më rrêjtë? Jo, jo s’mundet me kênë kurr. Sa dola prej Vatikanit u poqa me Z. Mehdi Frasherin të cillit ja diftova fjalët qi më tha Benedikti XV, edhè ky Zotní met faret i kënaqun tuj shpresue se me nderhymje të Papës Korça e Gjinokastra kishin pështue.
Me gjith kto shpresa të mira në zemër, kthyeme në Paris ku me padurim po na pritëshin shokët.
Kur u mblodhme ne zyren e Dergatës, i parashtrova shkurtazi nji ekspozé të misjonit t’onë në Romë, e kur në fund u diftova bisedimin e Shêjtnís së Tij, e si na dha fjalen se do t’u mundote per çashtjen t’onë, per të cillen kishte çfaqë qyshë në fillim nji interesim të madh, fjalët e mbrame të Shêjtit Át Papë i priten në kambë me brohorí të madhe e me duertrokitje britne të gjith nji zâni: Rroftë Papa! Korça e Gjirokastra kan pështue: e pështuene pernjimend.
Kjo âsht rrjedhja e vertetë. Kjo âsht nji faqe e historís s’onë.
Kallmet 30 Mars 1934
† LUIGJ BUMÇI
IPESHKVI I LEZHËS
( Shkrue nga ÁT VITOR DEMAJ; Marrë nga revista françeskane: Hylli i Dritës, 1934 vj.X – Mâj – nr. 5, fq. 219-222).