
Prof. Dr. Frashër Demaj/
“Nëse unë nuk jam gjallë, le ta gëzojnë të tjerët” – Salih Çekaj, Stuttgart, 30.11.1997.
Trajtimi i figurave dhe i personaliteteve të rëndësishme që lanë gjurmë në histori është një punë komplekse dhe shumëdimensionale që kërkon përkushtim të veçantë, sidomos në fazat e hulumtimit dhe të grumbullimit të materialit arkivor që duhet vjelë në arkiva shtetërorë, komunalë, publikë dhe privatë që përmbajnë fakte dhe informacione të ndryshme për temën e trajtimit.
Përveç përkushtimit në fazën e hulumtimit, të trajtimit dhe të mbarështrimit të materialit, vështirësi në vete paraqet edhe mungesa e literaturës relevante që do të lehtësonte punën kërkimore shkencore dhe do të ndihmonte në arritjen e rezultateve finale me rastin e botimit të studimit. Vështirësitë shtohen edhe më shumë kur pas shumë ditësh kërkimi dhe pas shfletimit të shumë fondeve dhe të qindra e mijëra dokumenteve, nuk arrin ta gjesh asnjë dokument relevant për temën e trajtimit shkencor dhe, në rastin konkret, edhe të pamundësohet qasja në dokumente “të padeklasifikuara”, të cilat me ligjet në fuqi janë dokumente nën sanksione, në pamundësi shfrytëzimi nga studiuesit.
Në studimet e kësaj natyre të studimit, rëndësi të posaçme ka edhe distanca kohore historike, që është një faktor përcaktues që eliminon rrezikun e rrëshqitjes në subjektivizëm, sidomos kur për objekt studimi kemi vënë personalitete publike dhe luftëtarë të shquar që u vranë për kauzën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë shtetërore e kombëtare. Megjithatë, periudha mbi njëzetvjeçare mund të konsiderohet e mjaftueshme për të bërë një studim me bazë shkencore dhe të bazuar në dokumente arkivore, jashtë ndikimit të kohës dhe të emocioneve që kanë njerëzit, sidomos kur autori është i detyruar të kërkojë të vërtetën historike përmes intervistave dhe deklarimeve, që në periudhën moderne zënë vend në shkencën e historisë si “histori orale”, narrativa e së cilës krijohet nga kujtimet e njerëzve bashkëkohanikë dhe bashkëveprimtarë. Natyrisht, intervistat dhe narracioni i akterëve dhe i bashkëkohanikëve duhet marrë me rezervë, duhet krahasuar me argumente të tjera dhe, mbi të gjitha, kërkohet eksperienca e autorit që merr në shqyrtim çështje të caktuara për të nxjerrë në sipërfaqe dhe për të argumentuar çështje të panjohura më parë, pa pretenduar të vërë monopol mbi të vërtetën historike.
Prandaj, duke u bazuar në parimet shkencore të historisë dhe duke përdorur metodat e nevojshme të kërkimit shkencor, është trajtuar nga aspekti shumëdimensional figura komplekse prej juristi, politikani, aktivisti kombëtar dhe komandanti të luftës së UÇK-së të një personaliteti të shquar, siç ishte Salih Çekaj.
Figura poliedrike dhe roli i tij në periudhën e suprimimit të autonomisë së Kosovës, rezistencës aktive paqësore, iniciativës për hartimin e Statutit të Komunës së Deçanit bazuar në Kushtetutën e Kaçanikut, udhëheqjes së grupeve të rekrutëve shqiptarë për ushtrime ushtarake në Shqipëri në vitin 1991, ku bënin pjesë personalitete të shquara tashmë, heronj si: Adem Jashari, Zahir Pajaziti etj., aksionet guerile ndër të parat në Kosovë gjatë periudhës 1991-1999, aktiviteti politik e human në Gjermani në kuadër të LDK-së, mobilizimi i shqiptarëve në diasporë për të ardhur në luftë në Kosovë, lufta në Koshare dhe rënia e Salih Çekajt për lirinë e Kosovës kërkojnë një përkushtim të veçantë dhe vështrim të thellë historik.
Studimi “ Salih Çekaj- veprimtaria politike dhe ushtarake” është një përkushtim i veçantë dhe hulumtim disavjeçar. Gjatë përgatitjes së studimit janë përdorur metodat bashkëkohore kërkimore-shkencore dhe njohuritë profesionale e shkencore. Janë përdorur metoda nga më të ndryshmet, duke përfshirë ato empirike, historike, analitike, arkivistike, krahasuese, statistikore e deri te sinteza. Po ashtu është bërë një vështrim kritik për ngjarje të ndryshme, duke i trajtuar ato si një tërësi të veprimit politiko-diplomatik dhe ushtarak, të cilat, vetëm së bashku paraqesin vlerë të mirëfilltë kombëtare. Këtë bashkëveprim, në fillim të një juristi, politikani e më pas të një ushtaraku qe luftoi dhe ra për atdhe, e gjejmë tek pikëtakohet te figura dhe personaliteti me përmasa gjithëkombëtare, pra të heroi i Kosovës, Salih Çekaj.
Që studimi të dalë sa më i plotë janë mbledhur fakte, intervista nga familjarë, bashkëpunëtorë, bashkëkohanikë, veprimtarë, ushtarakë, politikanë dhe të tjerë, që e kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me Salih Çekajn. Janë realizuar hulumtime në arkiva të ndryshëm, si: Arkivi Qendror Shtetëror, Agjencioni Shtetëror i Arkivave të Kosovës, Arkivi i Institutit të Historisë në Prishtinë, Arkivi i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Arkivi i Lidhjes së Historianëve të Kosovës-Dega në Deçan, Arkivi privat i familjes Çekaj, pjesërisht edhe dokumente nga Arkivi i LDK-së në Gjermani, mirëpo, për fat të keq, ky arkiv, për shkak të problemeve të brendshme të degës së LDK-së në Gjermani, nuk ka qenë i hapur për shfrytëzim. Gjithashtu janë shfrytëzuar edhe videoincizime të plota të aktiviteteve politike dhe ushtarake të Salih Çekajt nga koha e veprimtarisë së tij në Gjermani dhe në betejat e luftës në Kosovë. Është shfrytëzuar edhe ndonjë artikull shkencor dhe publicistik me temë Salih Çekajn si dhe literaturë e paktë, që trajton drejtpërdrejt ose tërthorazi jetën dhe veprimtarinë politike dhe ushtarake të Salih Çekajt. Një nga materialet më të çmuara që është shfrytëzuar është edhe ditari i Salihut (edhe pse i dëmtuar), në të cilin vetë ai kishte mbajtur shënime të rëndësishme për kohën e luftës.
Monografia është e sistemuar në dhjetë kapituj të ndarë në tituj dhe nëntituj dhe brenda përmbajtjes përfshihen ngjarjet më të rëndësishme të ndërlidhura drejtpërdrejt dhe tërthorazi me familjen, fëmijërinë, rininë, aspektet profesionale, politike dhe ushtarake deri në rënien e Salih Çekajt në Luftën e Kosharës me 19 prill 1999.