Në vend të një lamtumire për Zef Balaj.
Sokol Paja
New York më 20 Prill 2022 – Shqiptarët e Amerikës, miq, familjarë, patriotë, vatranë, autoritete e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit Zef Balajt i cili u shua shumë shpejt duke lënë pas shumë kujtime, vepra të mira, dhimbje e trishtim tek të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me të. Një bekim i fundit kur trupi i viganit Zef Balaj u fut për herë të fundit në kishën Zoja e Shkodrës, mbi trupin e vdekshëm e shpirtin e pavdekshëm të tij, Dom Pjetër Popaj bekoi trupin e Zef Balës para rrugës pa kthim për jetën në amshim. Në libri liturgjik të “Dijes” u shkëput një lexim për pleqërinë dhe mençurinë, përsosmërinë, shpirtin e bardhë e të pastër, ashtu siç Zef Balaj jetoi jetën e tij tokësore. Në Psalmin fetar: Zoti është Bariu im asgjë nuk më mungon, Dom Pjetri famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, kujtoi se çdokush që beson në Zot është i shpëtuar dhe do ta gëzojë jetën e përtejme teksa citoi edhe Ungjillin e Shenjtë të Gjonit: “Unë jam ringjallja dhe jeta, kush beson në mua nuk do të vdesë kurrë”. Zef Balaj vendosi të ikë prej nesh në javën e shenjtë të Pashkëve, iku në javën e ringjalljes së Krishtit si për ta treguar se pas vdekjes triumfon një tjetër jetë, dhe se vdekja është veçse një rrugëkalim qiellor. Ungjilli sipas Gjonit citoi Dom Pjetri “Unë Jam Udha e vërteta dhe jeta” i përngjasojnë jetës së shenjtë e të mirë që ka pasur Zef Balaj si familjar e besimtar i devotshëm. Në fjalën ngushëlluese Dom Pjetri u shpreh se familja e nderuar Balaj pati 3 vdekje të rënda në një vit dhe u lut qe Zoti ta forcoje kete familje. Zoti na ka krijuar me jetu jo me vdekë, jeta tokësore nuk është e përgjithmonshme, jeta tokësore një shteg për kalimin në jetën e pasosur. Zef Balaj beri vepra të mira dhe kishte veç mirësi njerëzore. Zefi ishte fisnik e nuk ankohej kurrë. Zefi ishte bujar e shpirtmirë, kontribuoi për Kishat në USA e Shqipëri e Kosovë. Zefi ishte i dashtun i qeshur e fjalë mirë. Zefi ishte i fortë dhe i sigurtë për jetën tjetër, përfundoi fjalën e tij Famullitari Dom Pjetër Popaj. Drane Balaj mbesa e Zefit falenderoi në emër të familjes të gjithë ata që i mbështetën në këtë moment të vështirë dhe përshkroi jetën e Zef Balajt dhe të familjes që nga arratisja nga diktatura komuniste dhe ndërtimi i jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shprehu e tregoi mbështetjen që Zefi u kishte dhënë familjes nipërve e mbesave e mbi të gjitha mësimet e jetës e fjalët e shtrenjta. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj në fjalën e lamtumirës tha se familja Balaj është ndër më të nderuarat në bashkësinë shqiptaro-amerikane, emri dhe veprimtaria e tij do jetë frymëzim dhe krenari për të gjithë si familjar, veprimtar, patriot, vatran e njeri i përkushtuar i çështjes kombëtare. Fotoreporteri Dritan Haxhia lexoi telegramin e ngushëllimit dërguar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në të cilën shkruhet se Zef Balaj ishte veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Miku i Zef Balës në Ligën Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi në fjalën e lamtumirës u shpreh së Zef Balaj ndërtoi identitetin e shqiptarëve në Amerikë dhe frymëzoi lirinë e shqiptarëve me arratisjen nga diktatura. Dalip Greca mes lotësh, në rrëfimin e jetës së tij të përditshme me Zef Balën u shpreh: “Zefi u bë pjesë e përditshme e jetës sonë. Do jetë në shpirtrat tanë përjetë. Zefi ishte një shenjt i padukshëm. Ringjalli gazetën Dielli dhe kontribuoi përherë për Vatrën” kujtoi z.Greca. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha me dhimbje e pikëllim u shpreh në fjalën e lamtumirës: “Sot u shprehi mirënjohje familjes e të afërmve, dashuri e krenari për Zef Balën, për vëllanë tonë, për kontributin e tij, veprat e mira, shpirtin e zemrën e tij të bardhë”. Kryetari Berisha në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA e vlerësoi Zef Balën me titullin SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”. Pas salikimeve të fundit të arkëmortit, trupi i shkatërrueshëm i jetës së pashkatërrueshme të Zef Balës u nis me respekt e dhimbje drejtë banesës së përjetshme. Pas fjalës përmbyllëse të procesit të lamtumirës Dom Pjetër Popaj kujtoi ngjalljen me shpresën e jetës së pasosur dhe lutjen e pranimit në mbretërinë e Zotit të Zef Balës. Në varrezat familjare “Gate of Heaven” ku u përcoll në paqen e amshuar, miku i ngushtë e Zef Balës Dritan Mishto në emër të familjes Balaj i pikëlluar u shpreh: “Mirënjohje e falenderim mijëra shqiptarëve që janë bashkuar dhimbjes së familjes. Ikja jote o Zef Balaj na lë shkretëtirë në shpirtrat tanë. Flm Zef se ti na ke mësuar si duhet të jetë një bashkëshort, baba, mik, shok, ti na mësove si të jesh njeri. Ti ike me kokën lart e me faqen e bardhë në një kohë që nuk është e lehtë. Nuk do ketë lamtumirë por mirupafshim në botën e përtejme, me po kaq mall sa po ndahemi sot me ty o Zef” u shpreh Mishto. Mëhill Velaj lexoi me trishtim dy telegrame ngushëllimi për familjen e Zef Balës nga Imzot Dodë Gjergji dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj. Djali i Zef Balajt Davidi falenderoi të pranishmit e pjesëmarrësit në dhimbjen e familjes, mbi arkëmortin e atit të tij e mbylli me fjalët: “Do të dua përjetë Babë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne. S’do të harroj kurrë, pusho në paqe Bab”. Në drekën e shtruar në “Tesoro d’Italia” për shpirtin e Zef Balaj, teksa një foto fisnike e Zefit në sallë që zbuste dhimbjen e të gjithë të pranishmëve, pas uratëve e qiririt të ndezur për shpirtin e pashuar, miku i ngushtë i Zefit Asllan Bushati recitoi një elegji përkujtimi “Lot për Zef Balën”, elegji që shënoi fundin e drekës dhe lamtumirën tokësore të Zef Balës me familjen e miqtë e tij. I përjetshëm kujtimi, veprat e mira, dhe gjithçka që Zef Balaj i dha Vatrës, Ligës e Komunitetit shqiptar në Amerikë.