Nga Ilir LEVONJA/
Kjo puna e logos së Teatrit të Operas dhe Baletit (TOB-it), është të vësh duart në kokë. 18 milion lekë për një logo që do të shoqërojë veprimtarinë e institucionit. Me një fjalë, pamja që do shoqëroj çdo shkresë me vulë apo afishimin e pankartave të shfaqeve etj. Kjo ndodhi menjëherë pas restaurimit dhe rimodelimit të ambjenteve të këtij institucioni me rëndësi kombëtare. Restaurimi të gëzon, megjithëse këtë mendësi qeveria nuk e pati për Teatrin Kombëtar. Të paktën sot shqiptarët do të kishin një muze të artit tonë. Brezat do preknin garderobën a skenën ku shkelën korifejtë e fjalës. Tokë ka boll ku mund të ndërtosh një Teatër tjetër. Por nuk ka më, pra kohë, si ajo që iku. Të gjitha mund t’i blejmë veç të shkuarën jo. Dhe e mbytëm vet të shkuarën tonë. Jemi vendi me histori arti më të brishtë në botë. Ndofta kjo e ka dërrmuar edhe çështjen tonë kombëtare. Por kjo nuk ndodhi. Memoria jonë nuk duhej të vritej kaq me kollajllëk a me inat nga ne. Por të tillë jemi, me ndjesi e energji kafshe për të vënë putrat mbi nocionet e historisë. Ai që deri dje harxhoi dyzetë vjet energji për të mbrojtur veprën e Skëndërbeut, nuk e ka fare problem të harxhoj po dyzetë të tillë nëse ia kërkon Edi Rama. Me një fjalë, të rrëzoj, përbalti, zhvarrosi heroin, vetëm e vetëm pse ia do palla qeveriut. Ne nuk prishëm Teatrin, por e vramë Atë. Nuk prishëm godinën, por varëm në litar korifejtë, Sulën, Kadriun, Loron, etj.. Por jemi tek skandali i radhës. 18 milion për një logo. Nuk e di nëse keni memorie apo jo? Por pak ditë më parë, u çanë rrjetet të indinjuar nga rryshfeti që merrte një infermiere. Madje deri televizione kombëtare e konsideronin krim ekonomik. Pikë e zezë…, krim ekonomik. Megjithatë referuar mesazheve nga telefoni i të arrestuarës, Prokuria lëshoi një sërë udhrër-arrestesh. Kësisoj shteti po ”dërrmonte” krimin ekonomik. Eshtë mitmarrje o grafoman. O lakej të propogandës. Eshtë mitmarrje a ryshfet, ajo kultura jonë e dhjerë që lëmë sirtarët hapur, të shikojmë nga duart, ta bëjmë të vështirë sa vuajtjet e burgut marrjen e një vertetimi, vetëm për një dymijëlekshe. A do krim ekonomik? Ja ku e ke, 18 milion lekë nga buxheti i shtetit për një logo, një pamje vule institucioni. Me firmë e vulë fiktive, me komision që nuk dinë asgjë. Një logo e marrë nga interneti, pa asnjë kokërr leku. Dhe pyetja është e thjeshtë. Ku shkuan 18 milion lekë? Akuzë e pastër e krimit në ekonomi. Tanimë jo nga sanaitaret e Shefqet Ndroqit, por të administratës shtetërore.