4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/
Në një kohë kur shumë vende të botës janë përfshirë nga luftra, janë goditur nga terrorizmi dhe po vuajnë plagën e emigracionit, përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë përcjellë mesazhe paqeje. “Në Shqipëri është e mundur të jetohet në vëllazëri. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është fakt historik”, thanë përfqësues të besimeve të ndryshme.
Në prag të nisjes së eventit për paqen në botë, përfaqësuesit e komunititet të Sant Egidios kanë prezantuar programin 3-ditor dhe kanë theksuar rëndësinë e dialogut për paqen, i cili është më i vështirë, por edhe e vetmja rrugë për njerëzimin. Alberto Quatrucci, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit të Sant Egidios, u shpreh: “Nuk mund të mos kujtojmë emigracionin e viteve ’90 në Shqipëri. Ta shikoje me pozitivitet atëherë, ishte të dilje kundër rrymës, por ai emigracion ka sjellë zhvillim në Itali dhe Shqipëri. Tani po përballemi me një formë tjetër emigracioni në Europë dhe ky takim në Shqipëri do të tregojë angazhimin e komuniteteve fetare për t’iu përgjigjur sfidës së emigracionit, që mund të jetë edhe një sfidë zhvillimi”.Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, deklaroi: “Nëpërmjet dialogut, ne mund të harrojmë konfliktet. Rajoni i Ballkanit, edhe falë kontributit të madh të politikës shqiptare është sot një ambient më i paqtë dhe që mendon më tepër për zhvillimin sesa për luftën”. Pasditen e së dielës, 6 shtator, nisin aktivitetet për Lutjen e Paqes, të cilat do të zgjasin deri të martën pasdite, kur do të inaugurohet edhe Parku i Paqes, vend ku do të mbillet në mënyrë simbolike pemë ulliri.
4 mijë klerikë sot në Tiranë – Toleranca fetare dhe dialogu, kryefjalë e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen/
Për tri ditë rresht, Tirana do kthehet në kryeqytetin e gjithë botës besimtare, si vendi i paqes dhe harmonisë fetare. Paqja, toleranca fetare dhe dialogu do të jenë kryefjala e takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, që nis sot pasdite në Tiranë dhe do të vijojë edhe në datat 7 dhe 8 shtator, në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të luftës së fundit në Ballkan.Ky event i rëndësishëm organizohet nga Komuniteti Sant’Egidio, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare.Një ditë para takimit të 28-të Ndërkombëtar për Paqen, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi është shprehur se organizimi po shkon drejt përfundimit. Gjatë inspektimit të përgatitjeve i shoqëruar dhe nga përfaqësuesi i komunitetit Sant’Egidio, Klosi tha se ky do të jetë një takim historik për Shqipërinë.“Jemi në momentet e fundit të përgatitjes, nesër në orën 5 kemi ceremoninë inagurative të eventit. Është një ceremoni për të cilën kemi emocione dhe streset e fundit pasi janë shumë të ftuar. Shumë prej tyre personalitete VIP të cilët do të kërkojnë vëmendjen e nevojshme”, u shpreh Klosi.
Ministri i Mirëqenies Social u kërkoi qytetarëve ta mirëkuptojnë për trafikun që do krijohet në Tiranë, sidomos ditën e martë ku do të zhvillohet marshimi i paqes, pranë Piramidës.
“Ajo që ne i kërkojmë qytetarëve shqiptarë është që të shprehin konsensin e tyre dhe mirëkuptimin për problemet e trafikut ditën e nesërme mbasdite në zonën ku do të zhvillohet aktiviteti por ditën e martë që do të jetë një ditë më e madhe publike ku qytetarë nga e gjithë shqipëria do vijnë të marin pjesë në marshimin e paqes. Është një marshim shumë interesant i cili do të zhvillohet në sheshet kryesorë të qytetit Tiranës dhe do të jenë përfaqësues nga kleri lartë nga e gjithë bota”, tha ministri.
Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine.
Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historian, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.
Në Lutjen për Paqe 2015 janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, Zv.ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj.
Ceremonia e Inaugurimit do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, pas së cilës ndjek dita e dytë me panele të ndryshme rreth zhvillimeve ndërkombëtare.
Përmes dialogut dhe promovimit të paqes i kundërvihemi dhunës me propozime konkrete dhe të realizueshme, tematika e të cilave do të diskutohet në panelet e organizuara me rastin e këtij eventi. Propozimet konkrete do të jenë për t’u thënë “Ndal!” konflikteve në botë.
Propozimet konkrete do të vijnë nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia. Aktivitete me të rinjtë do të pasurojnë këtë event me tematikë “Nuk ka të ardhme pa Paqe!”. Dita e tretë do të shpallë Apelin për Paqen në të gjithë botën, ku secili nga pjesëmarrësit është i ftuar ta nënshkruajë. Mbjellja e pemës së parë të Paqes nga të gjithë krerët e besimeve fetare do të mbyllë eventin.