• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Search Results for: avzi mustafa, anastas albanski

ANASTAS ALBANSKI (ARANAUDOV) MESUESI NGA REKA E EPERME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Avzi Mustafa/

Reka e Epërme shtrihet në një pellg të thyer malor në cepin perëndimor të Maqedonisë së sotme. Vargmalet  e Kërçinit, Velivarit e Korbait në dy anët e lumit Radikë  në një  lartësi mbidetare 1200 metra shtrihet një krahinë   shumë e bukur malore që mbanë emrin Reka e Epërme. Kjo krahinë  është e  rrethuar  nga pesë qytetet: në veri me Prizrenin,  në verilindje me Gostivarin, Kërçovën dhe  Tetovën, në lindje me Dibrën.  Reka  e Epërme  është e  ndarë nga vargmalet e mëdhenj, popullsia e kësaj krahine ka ditë ti ruaj të gjitha karakteristikat me bashkëqytetarët e këtyre qyteteve, por  nuk ka vend që kësaj krahine t’i japin shtesën si: Reka e Dibrës, apo e Gostivarit sepse kjo krahinë është vetmja dhe se nuk ka tjetër toponim.

Gjatë periudhave historike , kur kjo krahinë ka luftuar pa reshtur për mbrojtjen e gjuhës e të vatanit ku  shpesh herë  të huajt janë sjell ndaj kësaj popullsie më mizorisht  duke i djegur e plaçkitur. Këtë më së miri e tregon shkrimtari. Grigor Përliçevi në veprën e  tij “Kuzman Kapidan”, ku shohin se si vajton nëna Nedë  që është një nënë nga kjo krahinë .

Kjo krahinë është një ndër krahinat  që me xhelozi e ka ruajt toponimin e vendit më të pastër të truallësisë shqipe edhe pse mbi truallin e saj kaluan shumë nënshtrime e okupime  duke filluar nga ajo Bizantine e Romake, Turke, Bullgare, Serbe etj.

Kjo krahinë ka dhënë edhe një numër të madh të ushtarëve që nga koha e të atit të Skenderbeut Gjonit , ku më vonë e po të njëjtën gjë e bënte edhe Skënderbeu  i cili rekrutonte djemtë e kësaj ane dhe i mbante në oborrin e tij si djem të besës e të pushkës. Këtë mendim e arsyetoj me një citat të nxjerr  nga Marin Baleti: “Për besnikërinë dhe trimëritë e shumta dhe të shënuara që banorët kishin treguar për hir të mbretërisë së t’et, Gjonit në kohën kur i binte në qafë Otomani”,

Dyndja më e madhe e këtyre fshatrave u filloi në  shekullin XVIII pas humbjes së një lloj autonomie të fituar  më 1467. Nga një defter turk    kuptojmë se  figurojnë të boshatisura 13, kurse një numër i madh nga këto fshatra u vendosën rreth  malit  të Thatë dhe në Karshiakë e deri në Veles , ku ata tani formojnë një kurorë të fshatrave të migruar nga Reka e Epërme.

Kjo popullsi e tëra ishte popullsi ortodokse shqiptare. Mirëpo ndaj kësaj popullsie janë bërë përpjekjet nga më ndryshmet për ti asimiluar. Perandoria i asimilonte duke u dhëne benificione, më pastaj nëpërmjet shërbimeve fetare u përdor bullgarishtja më vonë serbishtja dhe maqedonishtja. Veç shërbimeve fetare asimiluesit në këto fshatra dërgonte  mësues bullgar e serb,, gjyqtar,  e psaltë, ikonografë etj dhe kështu u arrite që popullsia shqiptare të përdor bullgarishten, e pastaj  edhe serbet përdorën po të njëjta metoda që kjo popullatë të harrojë gjuhën dhe zakonet shqiptare  e të asimilohen.

Sipas disa të dhënave thuhet se deri në vitet ’60 të shekullit XIX Reka e Sipërme fliste vetëm shqip. Këtë e na e përshkruajnë më së mirë udhëpërshkruesit bullgar. Sipas prof. Universitar të Sofjes Jordan Ivanov i cili thotë :”Se popullsia  shqiptare e Gostivarit, e krishtera, është bullgarizuar në kontakt me bullgarët”.       Shpërngulja e tretë u bë rrethana lufte pas vendosjes së kufijve  më 1913 që u be nga ushtritë ndërluftuese greke e pastaj serbe që u zhvillua në Dibër për ta dëbuar popullin shqiptar nga trojet e veta.

Mizoritë me format më të ultë si: përdhunimet, plaçkijet, djegiet,vrasje e tortura që përjetoi kjo popullata më së miri e përshkruan  Edit Durhami  e sidomos shkrimtari Haki Stërmilli i cili i ka parë me sytë e tij dhe i ka përjetuar këto skena ferri do të shkruaj se “ Terri i natës ishte zhdukur nga drita e zjarrit të katundeve të djegun prej serbëve …”.

Studiuesi Hamit Kokalari në veprën e tij kur bënë fjalë për vendbanimet shqiptare ortodokse në viset lindore, gjegjësisht  për Rekën e Epërme ai do të pyes: “Përse në shumë katunde të Shqipërisë etnike lindore (Maqedoninë Perëndimore) sikur kam mundur të vërtetoj vet, pleq e plakat e folshin me droe shqipen tonë me një të folme të kthjellët e të kullueme, kur mirshin vesh se ai qi kuvendonte me ta nuk ishte bullgar ose tjetër kush përveç shqiptar” që më pas të përgjigjet: “Vetëm puna, pse ata pleq e plaka na e folshin me dashje e me sy të përlotun shqipen”.Dyshimi i tyre ishte sepse të huajit më qëllime të caktuara i “masakrofshin pa mëshirë në shtëpitë e tyre natën”.Kësaj popullate askush nuk i duel në ndihmë ata mbetën gjatë gjithë historisë së tyre si të shkret dhe ata edhe sot e kësaj dite nga tjerët thirren  të Shkretë “Shkreti”.

Kjo krahinë shqiptare krahas të gjithë vuajtjeve ka dhënë edhe njerëzë të kulturës e të arsimit si gjyshi i Migjenit që ishte nga kjo krahinë, rilindasët, Josif Bageri, Llazër Siljani, Anastas Albanski , Villdan Faik,( Hoxhë Vildani), pastaj Toma Serxhi, Hasan Leka, Jusi Mani, Pop Davidin, Danil Meteji, Olimbia Sava, Hoxhë Tanusha,  e shumë të tjerë ashtu siç shkruan në një vjershë Josif  Bageri ai do shprehet kështu:“ /Ti na ke njerëz të mësuet/Mjekës dhe shumë të mbaruar,/Po prej ktynej s’kan guxuet/ Për Shqipnin doj send me shkruet!/.

Një prej njerëzve që kontriboj në Rilindjen kombëtare shqiptare ishte edhe mësuesi Anastas Arnaudovi i njohur si Anastas Albanski nga fshati Tërnicë . Për këtë mësues e edukator kemi shumë pak të dhëna biografike. Shumica e të dhënave  i kemi mbështetur në bazë të kujtimeve të trashëguara brez pas brezi.

Anastas Albanski  vjen nga një familje tregtarësh  të bagëtive të imta nga katundi i Tërnicës së Rekës së Epërme.  Shkollën  e filloi në vendlindje pranë kishës “Shën Kollit” që pranë kësaj kishe ekzistonte një shkollë e tipit qelie. Meqenëse se familja e tij ishte një familje që verës shtegtonte qytet e më qytete  për të shitur prodhimet  e tyre të dëgjuar  edhe nga Stambolli. Kontaktet e ndryshme e shumë miq i sugjeronin që djalin ta shkollojë. Shkolla që mund të jepte mësim të duhur ishin të pakta. Por në këtë kohë në qarqet e ndryshme flitej për të mirë për një shkollë në Shkup.  Shumë tregtarë e çorbaxhi, e zejtar  që kishin  të mira materiale , fëmijët i kishin  dërguar në këtë shkollë. Në këtë shkollë  mësimin e mbante Jovan Konstatin-Xhini. Kjo shkollë sipas disa të dhënave që janë botuar në “Carigradski vesnik” thuhet se në të kanë  mësuar nxënës jo vetëm nga Shkupi , por edhe nga rajoni Rekës dhe Prizrenit” . Ku  sipas disa shënimeve mësohet se në këtë shkollë  mësim kanë ndjekur 30 nxënës nga Reka.

Vendlindjen e Anastasit që është në anën e majtë të lumit Radikë edhe pse  e kishin shpallur si fshat qendër për Rekën , por ky fshat malor nuk mund të plotësonte nevojat as ekonomike e as arsimore të banorëve. Por nga fshatrat tjerë malor është një ndër fshatrat me pozitë më të mirë sepse 20 kilometra e ka larg Gostivarin, kurse 70 kilometra Shkupin. Këtë na e dokumenton  edhe i madhi Sami Frashëri në “Kamus al-alam” ku thotë se qendra për Rekën  është Zertanica, që më vonë  nga ky toponim u shëndrua në Ternicë. Nga të gjthë fshatarat e Rekës ky fshat  me shumicë banura ortodoks shqiptar dhe më pak banorë të komunitetit islam  paraqitete një nyje strategjike  dhe me kohë hajdutët e cubat e kishin vënë pah duke e  plaçkitur në fillim, që më vonë të nguliten banorët nga fshatrat malor të Rekes si nga Bel(i)cica e Vërbeni. Në qarqet pushtetare pikërisht këtë fshat dhe fshatin Shtirovicë e paraqitni si çerdhe hajdutësh dhe me plan dëshironin ta asgjësojnë. Jeta e  banorëve të këtij fshati ishte e pamundur dhe kështu  familja pa mashkull dhe pa pushkë në shtëpi nuk mund të jetohej. Meqenëse se familja e ishte familje kurbetçarës vështirë e kishte që të mbijetojë prandaj, familja e Anastasit aty kah vitet 1876 shpërngulet dhe një kohë vendoset  në Shkup e pastaj më Pazarxhik të Bullgarisë.

Në Rekën e Epërme ka ekzistuar  një traditë fetare. Të gjithë familjarët që shpërnguleshin nga vatrat e tyre ishin të obliguar që në kishën e fshatit  të dërgonin ikonën e familjes, kurse  pitropi  (ai që ruante ikonat) ishte i detyruar që jo vetëm të kujdeset, por edhe  të  jap shpjegime mbi familjen që e kishin lënë ikonën  se kush është  dhe  ku gjendej, sa anëtarë të familjes etj. Mirëpo ikona e familjes së Anastasit u coptua pikë e pesë nga mësuesi serb , Haxhi- Jermotoviić  më vitin 1913 kur dëgjoi se kush ka qenë Anastasi dhe cili ka qenë  angazhimin  i tij si mësues në shkollën bullgare dhe shqipe.

Në Bullgari vazhdon merret me tregti, kurse prindërit me punë krahu, por ka mendime nga disa informator se ka kryer një shkollë tregtare.

Pas viteve 50 të shekullit 19,  Bulgaria fillon një aktivit të gjerë të jetës shkollore në trevat Lindore  sidomos kur Egzarhia bullgare doli hapëtash në skenë, kundër grekërve dhe serbëve.  Në Vilajetin e Manastirit ekzistonin 11 mitropolitë greke të pakënaqur nga propaganda bullgare erdhi deri te një mosdurim i madh ndërmjet Egzahrisë  dhe fanariotëve grek. Kur Serbia në krye me Novak Stojanoviqin  e suprimojë   ligjin  e shkollimit të obliguar që çdo serb të ndjek “shkollën popullore “. Serbia në këtë kohë ishte në krizë të rëndë ekonomike dhe reduktonte  në dobi të  përforcimit të   ushtrisë  dhe  kishte sjelle një ligj që shkollat serbe të mos financohen nga buxheti i shtetit,  gjegjësisht u ndërpre ligji e vitit1882

Në vitet 1903 përsëri e sidomos me ligjin 1904 Serbia krijon një atmosferë që përsëri të angazhohet për riorganizimin dhe hapjen e shkollave  të ashtuquajtura “popullore” jo vetëm në Serbi po të kërkohet edhe atje ku ka edhe vetëm një serb. Meqenëse situata nuk ishte e mirë edhe me grekërit, por edhe ato shkolla shpirtërore apo kishtare greke  që ishin  të  tipit të shkollave qelie nuk mund  të ishin në hap me kohën, sepse ato kishin për qëllim vetëm mësimin e gjuhës greke kishtare dhe se nuk mund të plotësonin nevojat e kohës.

Shkollat bullgare në atë kohë ishin më të moderuara dhe ishin të tipit shkollë- klasë, që përveç shkrim- leximit elementar, nxënësit mësonin edhe lëndët  natyrore sipas klasave.

Bullgaria punën e shkollave e organizoj me një shpejtësi të madhe, duke hapur shkolla edhe nëpër qytete e fshatra e sidomos atje ku kishte kombësi të fesë ortodokse, gjë nuk  u kursye edhe rajoni i Rekës. Bullgaria të gjitha shkollat e vjetra i rinovoj . Në viset e Maqedonisë Verilindore sidomos atje ku kishte banorë të fesë ortodokse çonte një politikë krejt ndryshe. Që të përfshijë sa më tepër nxënës të në këto shkolla edhe të kombeve të tjerë dhe të mbizotërojë kundër grekëve dhe serbeve në viset me popullsi shqipfolëse dhe sllavomaqedone ai kërkonte që të dërgonte mësues që njohin gjuhën e vendit.

Meqenëse Kumanova më tepër se gjysma ishin shqiptar dhe gjysma tjetër siç i trajtonin bullgarë kërkonte mësues që do të njohin gjuhën e vendit.

Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe , të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj  në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por kjo shkollë bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndroj dhe të bëjë ballë  turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar ndër vite punonte me ndërprerje , sipas situatave dhe kushteve.

Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908 kur Bullgaria shpall pavarësinë nga Turqia, dhe Ferninandi i I Cari si detyrë kryesore i parashtrojë Parlamentit që të angazhohen në hapjen dhe rihapjen e shkollave dhe kulturës bullgare. Kështu po në këtë vite rifillon punën edhe shkolla bullgare në Kumanovë.

Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonin nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionaliteti shqiptar, Anasatasi ishte  më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet si mësues  në shkollën bullgare në nëntor të vitit 1908.

Po në këtë kohë Bullgaria në Stamboll kishte përfaqësimin kishtar dhe dispononte me një numër të madh të mjeteve për propagandë si kishtare ashtu edhe arsimore e përkrahur nga inteligjenca bullgare. Meqenëse se mungonin tekstet shkollore, kjo inteligjencë bënte përzgjedhjen e teksteve nga gjuhët e huaja. Me qenë se në vitin 1884 në shtypshkronjën e Vilajetit në Prishtinë ishte botuar një libër leximi  në gjuhën serbe e lejuar nga organet e mbikëqyrëse të Stambollit u dha leje që ky libër leximi të përkthehet edhe në gjuhën bullgare (maqedone). Atëherë sipas disa supozimeve ky përkthim e kishën marrë që ta përkthejnë disa të njohur apo bashkëvendës të Anastasit. Këtë tekst shkollor për shumë fjalë e pyetnin Anastasin, sepse ky  e njihte edhe paka shume edhe serbishten sepse kish qëndruar në disa vende të Serbisë si kalf i mjeshtërve të ndërtimit.

Ministria e arsimit Bullgarisë ishte  obliguar që  të gjitha librat që i botonte t’i dërgonte nëpër shkollat  siç ata i quanin shkolla “ njëvëllazërore”. Këta miq bile edhe  propozuan që Anastasi të kryej punën e mësuesit në këtë shkollë.

Anastas Albanski gjatë punës së tij si mësues në shkollën bullgare në Kumanovë shpesh binte në konfrontim me mësuesit serb dhe me popullatën që e admironin Serbinë apo ishin serb që ishin ngulitur në Kumanovë. Ata e akuzonin  te organet turke ose kur  kalonte rrugës apo para dyqaneve përshpëritnin duke thënë ja po vjen “arnauti” e here edhe me fjalë fyese si: “lludak”, “ganço”, “shiftar” etj.

Kur filluan që shoqëritë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane të organizojnë një lëvizje me synime të qarta politike e kulturore e sidomos të mbështetur mbi  objektiven kryesore  në  idetë iluministe të projektuar që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Shoqëritë dhe Klubet shqiptare jashtë dhe brenda atdheut  tërë potencialin intelektual dhe ekonomik e kishin drejtuar në zhvillimi e arsimit dhe kulturës kombëtare, që dëshironin ta realizojnë nëpërmjet rrugës së  përhapjes së arsimit dhe gjuhës amtare. Klubi shqiptar i Shkupit iu rek një aktiviteti shumë të madh në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, në ruajtjen e gjuhës dhe në mbjelljen e farës së diturisë nëpërmjet  hapjeve të shkollave kombëtare. Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj. sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave  me

mësim në gjuhën shqipe. Këtë aktivitet këto patriotë e zgjeruan edhe në Kumanovë dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit si:  Galip Kumanova, Bajram Vranja.  e sidomos me ardhjen e patriotit shqiptar Jashar Erebarës  si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe  arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptar mbështetje të madhe gjetën edhe te  kajmekami i Kumanovës , Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë ishte ai që i mbronte veprimtarët para pushteti turk dhe  shpifjet e xhonturqve dhe tradhtarëve të ndryshëm .

Ardhja  e  Jashar Erebara si nëpunës për udhëheqjen e statistikës në komunë   tërë energjinë e drejtoj  në  hapjen e klubit në këtë qytet dhe në bashkimin e shqiptarëve . Ai posedonte përvojë të madhe në hapjen e klubeve ndryshëm. Ai ishte edhe njëri ndër hartuesit dhe përgatitjen e  dokumentacionin sepse ai dinte se si duhet të duket një Statut i një klubi, sepse ai ishte mësuar që kur kishte hartuar Statutin për formimin për themelimin e “Rrethit të studentëve shqiptarë” në Bukuresht më 1899., që në  përbërjen e Komitetit ai ishte zgjedhur si arëktar . Dhe  dinte si ti ruaj financat dhe ku ti drejtoj, por mbi të gjitha kishte besimin tek patriotët.Kështu që me formimin e klubit të Kumanovës  kryetar u zgjodh pikërisht Jashar Erabara.

Kumanova ishte një qytet i përbërë nga shumë etnitete  për kundër shumë qyteteve  të tjerë në aspektin ekonomik ishte ne gjendje të mirë. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi  i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “ Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.

Dhe nuk ishte e rastit pse në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor  sepse  Kumanova  ishte një qytet ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova paraqite një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme.  Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi”. Kryetar i këtij klubi ishte Jashar Erebara që ishte impakti i lidhjeve me qarqet patriotike. Fal këtij klubi në korrik të 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski) .Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:”  mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend”.

Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën amtare po rritej, dhe për një muaj  numri arrin  në 90 nxënës.  Ky kurs nate ndikoj me të madhe që  shqiptarëve të këtij vendi tu kthehet shpresa  t’u forcohet shpirti e t’u ndriçohet mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe …. Me të vërtetë popullësija qytetare  bullgare  simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.

Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe  mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël  shqipe dinte se si ti tërheq nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate  në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptar.

Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte punë e mësuesit Anastas sepse ai  dinte si ti  bind  shqiptarët e sidomos tek ata të cilët e kishin ngarruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kish dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e  vëllazërimit e të bashkimit  pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte siç thonë rekalitë   një ledh  që na  ndanë nga  serbët ashtu edhe nga greket e turqit.

Anastasi para nxënësve asnjëherë  nuk rrinte me fytyrë të zymtë, por as edhe me qëndrime të vrazhda dhe asnjëherë fëmijët  nuk u shtagën para tij, por para nxënësve ishte i thjeshtë dhe i afrueshëm. Ai ishte shumë i dashur për to. Ai atyre ua mësoj shkronjat tona, por edhe vjersha me përmbajtje patriotike. Kursi në fillim punonte në një shtëpi private që ishte edhe selia e klubit. Vizitat e ndryshme që i bëheshin nga organet e ndryshme shtetërore ai e arsyetonte se këta nxënës kanë nevojë për mësimin plotësuese, kurse pushtetarëve turq  thoshte se mësojnë në gjuhën bullgare. Përpjekjet ishin që sa më shpejt të hapet shkollë e rregullt në gjuhën shqipe dhe se Jashar Erebara dhe Anastas Arnaudovi (Albanski) të vazhdojnë punën.

Anastasi  ra në sy të agjentëve  si turq ashtu edhe serb. Atë e ndiqnin këmba –këmbës e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për tu mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet , gjegjësisht nga fshati Llojane  ishte një renegat turk e më vonë  edhe serb, Arif Hiqmeti  të cilit  çdo gjë i pengonte që ishte  në gjuhën shqipe  dhe punën e  mësuesit Anastas do ta ndjek si hije . Arif Hiqmeti  para hyqymetit Turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure” .

Kryengritjet shqiptare që kishun marr hov i demoralizoj si Osmanlinjt ashtu edhe shtete ballkanike. Për të shuar kryengritjen shqiptare Pereandoria nis Dërgut Pashën që të shuajë kryengritjet shqiptare.

Anastasi  ra në sy të agjentëve  si turq ashtu edhe serb. Atë e ndiqnin këmba –këmbës e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për tu mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet , gjegjësisht nga fshati Llojane  ishte një renegat turk e më vonë  edhe serb, Arif Hiqmeti  të cilit  çdo gjë i pengonte që ishte  në gjuhën shqipe  dhe punën e  mësuesit Anastas do ta ndjek si hije . Arif Hiqmeti  para hyqymetit Turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure” .

Që kur plasi Lufta e Parë Ballkanike dhe  kur forcat ushtarake serbe hynë në Kumanovë, Anastas Albanski hynë në Kishën e qytetit, por agjentet serb e diktojnë dhe e nxjerrin nga kisha dhe rrugës bashkë me shumë të zënë rob  e vrasin mësuesin  me paramendim  jo  vetëm që përhapi dritën te popullsia kumanovare , por bindjet e drejta  që kishte se feja nuk përcakton kombin dhe me këtë  binte teza e trumbetuar  si e  grekëve ashtu edhe e serbëve se  çdo ordodokës është grek apo serb.

Pushtuesit fare mirë e kishin kuptuar se planet e tyre grabitqare, territoriale dhe shoviniste vështirë mund të realizoheshin nëse shqiptarët edukohen në gjuhën e tyre. Prandaj shkollën në gjuhën shqipe  e shihnin si një  forcë politike për të mbrojtur vatanin dhe  qenien shqiptare. Shkollat në gjuhën amtare jo që realizohej detyra kombëtare, por ato ishin edhe fole  e atdhetarizmit dhe djepi i zhvillimit të ndenjës kombëtare.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Anaastas Albanski, Aranaudov, mesuesi nga Reka e Eperme

PËRPJEKJET E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI PËR ARSIM KOMBËTAR NË FUND TË SHEKULLIT XIX DHE NË FILLIM TË SHEKULLIT XX

April 5, 2025 by s p

Avzi MUSTAFA/

Pjesa II

Përhapja e shkollës shqipe në territorin e Maqedonisë hov të madh mori pas Kongresit të gjuhës shqipe në Manastir më 1908 ku dita ditës interesi shtohej. Kështu, disa klube filluan të hapin shkolla në gjuhën amtare. Shkolla në gjuhën shqipe u hapën në: Dibër,  Rekë, Shkup, Manastir, Kërçovë,Tetovë, Gostivar, Kumanovë  e gjetiu. Vlen të përmendim se veprimtarë të shquar në këto qytete për shkolla shqipe ishin: në Kërçovë: Jusuf Turabi – Kërçova, Rexhep Fasku – Greshnica, Ali Drogomishti; në Strugë shquhen  Dervish Hima e Ibrahim Temo; në Dibër: Kadri Fishta e Said Najdeni; në Gostivar:  hoxha Afiz Lila;  në Patishka Rekë: hoxha i fshatit; në Shkup: Rok Berisha, Bedri Pejani; në Rekë: prifti Todor e Josif  Bageri; në Kumanovë: Jashar Erbara e Anastas Albanski e shumë të tjerë. 

Prifi Todor nga Reka e Epërme edhe para Kongresit meshën e  mbante në dy gjuhë: në bullgarisht e në shqip. Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe e lidhte me jetën e shenjtorëve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh” (marrë  nga një fletore  lutjesh të protogjerit Çirko nga Reka). 

Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Prifti Todor këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.

Kur filloi një luftë e ashpër midis ekzarkisë bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serbë. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqymetin Osman se viset me përkatësi fetare ortodokse janë serbë. Andaj, përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.

Kur bindet mitropoliti Kozmo se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkoi që në Rekën e Epërme, predikimet në kisha dhe mësimi në shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut ndaj çështjes së gjuhës shqipe, autorizon Këshillin vendor kishtar për dhënien e lejeve për hapjen e shkollave në gjuhën të cilën ata duan. 

Në bazë kërkesave të vazhdueshme në fshatrat që kërkonin që të mësojnë në gjuhën e nënës lëshonte leje. Kështu ndodhi kur ai lejoi e shkollën e gjuhën shqipe, duke e autorizuar një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor, që të lus vëllain e tij Josifin i cili shpesh kishte dërguar kërkesa për hapjen e një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë. Nga lutjet e Josifit kërkesa ishte që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe.”

Me hapjen e një shkolle me leje, siguroi edhe një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë, atëherë ai do të shkojë në Rekë, që të hapë shkollën laike në gjuhën shqipe. Shkolla u hap më 25 shtator 1908 në fshatin e lindjes.  Me pagesë prej dy lirash turke ai merr një leje edhe nga Këshilli i fshatit që të fillojë mësimin në gjuhën e nënës. Josifi me rastin e hapjes së kësaj shkolle do të  shprehet:….”Edhe kështu fëmijët zuna ti mësoj, se a.b.c. që kishnja 20 cop. Mirëpo në Malësiet e Dibrës kishte vojt zani se në Rek ka ardh njifar daskall..

Josifi punoi me shumë dashuri dhe me përkushtim. Që në ditën e dytë, ai përveç 8 nxënësve që mësonin gjuhën shqipe tek vëllai i tij prifti Todor, ai “do të grish disa prej fisit të vet të i çojn fëmin për me muet bashk me fëmin e vet.”

Josifi me pagen shumë të vogël nuk mund të siguronte mbijetesën e familjes, prandaj iu drejtua mitropolitit të Dibrës, Zotëri Zotëri Kozmës për t’ia rritur rrogën. Në bazë të një letre drejtuar në adresë të Josif Bagerit,  e protokolluar me nr. 326 me 19 janar të vitit 1909, mitropoliti i Dibrës Zotëri Zotëri Kozma e njofton Josif Bagerin se nuk mund ta ndihmojë në misionin e tij.

Josifi i mllefosur nga kjo përgjigje që mori, më datë 10.02.1909 kështu i përgjigjet mitropolitit të Dibrës: “I Lumturushëm … pse po brengoseni kaq shumë, qoftë bekuar Zoti, unë janë shëndosh si thënë! Juve ju vjen keq pse unë po kërkoj punë apo pse unë kam shprehur që të rrëfej në gjuhën amtare shqipe? Unë nga Ju nuk kërkoj ndihmë nga mitropolia, por zotëri Ilievi i juaj, administrator, më habiti për  shërbimin prej 18 lirash rrogë në vjet, ngase kishin thënë  se nëpërmjet vllahut Todor do të më jepni 30 lira në vit dhe se Ju i keni thënë se mund të kem liri edhe për gjithçka… Unë i besova, por duke iu falënderuar logjikës sime për të mos u ngutur, se përndryshe unë do të pësoja”. Mandej Josifi i thotë zotërisë: “Ju Zotëri mos brengoseni për ata që janë të shëndosh si thëna, por brengosuni për ata që ua grabisin jetët e njerëzve të cilët unë dua t’i arsimoj dhe t’i vetëdijesoj me ndihmën e Zotit.” Në fund në p.s. Josifi i kërkon falje kryesuesit të mitropolisë pse letrën nuk e ka futur në zarf dhe shpjegon se këtë e bën për arsye ekonomike.

Për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe problem më vete ishte edhe sigurimi i kuadrit mësimor. Prandaj, punë e nevojshme dhe e ngutshme ishte hapja e shkollave të mesme, sidomos shkollat për përgatitjen e mësuesve.  Një shkollë për sigurimin e kuadrit ishte më se e nevojshme që do të përfshinte nxënës nga trevat e kësaj ane. Pas shumë kërkesave dhe lutjeve, me shumë vështirësi do të lejohet nga pushteti lokal i Dibrës që të hapet një shkollë normale. Shkolla u hap më 2 gusht 1910 në gjuhën turko-arabe, por si lëndë mësimore u fut edhe gjuha shqipe. Në fillim kishte dy klasë, kurse në vitin e dytë u formua edhe një klasë, me gjithsej 115 nxënës. Pas tri vitesh këtë shkollë e mbaruan me sukses 35 nxënës.  Këto nxënës të diplomuar u dëshmuan jo vetëm si mësues të mirë, por edhe si patriotë për ruajtjen e kauzës shqiptare pa dallim feje e krahine.  

Një veprimtar që sakrifikoi jetën pse hapi një shkollë nate në Kumanovë është Anasatas Albanski i lindur në fshatin Tërnicë të Rekës së Epërme të Dibrës.

Në Kumanovë ekzistonin dy shkolla serbe, të hapura që nga viti 1849 dhe një bullgare. Shkolla bullgare punën e saj në Kumanovë e ka filluar në vitin 1852 me një mësues dhe me 200 nxënës. Por, shkolla bullgare nuk ishte në gjendje që të qëndronte dhe të bënte ballë turbulencave të ndryshme që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, ajo punonte me ndërprerje, sipas situatave dhe kushteve. Kjo shkollë bullgare u riaktivizua në vitin 1908, kur Bullgaria shpalli pavarësinë nga Turqia. 

Meqenëse popullata e kumanovare sllave më shumë anonte nga shkollat serbe, për të tërhequr sa më shumë nxënës edhe të nacionalitetit shqiptar, Anastasi ishte më i përshtatshmi sepse ai fliste gjuhën e nënës,  gjuhën shqipe dhe bullgare. Anastas Albanski (Arnaudov) në këtë shkollë emërohet mësues nga Klubi i Shkupit të nxitur nga Qemal e Emin bej Kumbara, Rrok Berisha, Ajdin Draga etj., e sidomos nga Bedri Pejani që ishte një ndër promotorët e mëdhenj në hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Meritën më të madhe për hapjen e kësaj shkolle e pati Jashar Erabara, i cili ishte edhe kryetar i klubit të Kumanovës dhe impakti kryesor ndërmjet patriotëve shqiptarë. Ky aktivitet në Kumanovë u arrit dhe nëpërmjet përkrahësve të vendit, si:  nga Galip Kumanova, Bajram Vranja,  e sidomos nga patrioti shqiptar Jashar Erebara, si një ndër organizatorët e jetës kulturore dhe  arsimore në Kumanovë. Patriotët shqiptarë mbështetje të madhe gjetën edhe te kajmekami i Kumanovës, Nexhib Basha Pejani, që në të njëjtën kohë i mbronte veprimtarët para pushtetit turk, tradhtarët e ndryshëm si dhe shpifjet e xhonturqve. 

Hapja e kësaj shkolle në Kumanovë ishte rezultat i përbërjes shumetnike të kësaj zone. Sipas një dokumenti që e posedojmë nga Arkivi  i Shtetit Shqiptar mësojmë për Kumanovën se “Gjysma e qytetit është shqiptare e gjysma bullgare dhe të gjithë janë të pasur. Qyteti ka mbi 1.500 shtëpij, me gjitha nga zullumi i serbvet, Shqiptarët jo vetëm të qytetit, po edhe të katundeve me shum lloj mjerimi i shtërgojnë të hikin në Turqi”.

Nuk ishte e rastit pse pikërisht në Kumanovë filloi një aktivitet kulturor dhe arsimor. Kumanova ishte e është qytet ku kryqëzohen të gjitha rrugët si në veri, lindje, perëndim e jug. Kumanova edhe atëherë paraqiste një nyje strategjike dhe ekonomike shumë të rëndësishme. Nga ky dokument mësojmë se në kohën e Turqisë shqiptarët e Kumanovës kishin hapur një klub me emrin “Bashkimi” me kryetar Jashar Erebarën,  impakti i lidhjeve me qarqet patriotike.  Falë këtij klubi, në korrik të vitit 1909 u hap “një shkollë nate në gjuhën amtare ku mësojmë më shumë se 80 djema. Mësues ishin Jashar Erabara si dhe Kryetar i klubit është edhe Anastas Arnaudovi ( Albanski). Në vazhdim të dokumentit marrin njohuri të sakta mbi prejardhjen e Anastas Albanskit ku thuhet.:”  mësues asht edhe Anastas Arnauti aranudov, cili ish nga Tërnica e Rekës e mësues në shkollën Bullgare në vend.”

Në faqen 2 të dokumentit shohin se si numri i nxënësve në shkollën e natës, ku mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe po rritej, dhe për një muaj  numri arrin në 90 nxënës. Ky kurs nate ndikoi me të madhe që  shqiptarëve të këtij vendi t’u kthehej shpresa,  t’u forcohej shpirti e t’u ndriçohej mendja. Sepse “Shqipja filloj me u fol gjithkund nëpër qytet dhe kjo është një punë e madhe…. Me të vërtetë popullësija qytetare  bullgare  simpatizonte këtë lëvizje shqiptare, por serbët jo, do shkojshin se si tek me e pengue tuj u diftue autoritete turke aktivitetin e Shqiptarëve”.

Kontrtribut të madh në përfshirjen e nxënësve i takon po aq edhe  mësuesit Anastas, i cili me fjalën e ëmbël  shqipe dinte se si t’i tërhiqte nxënësit në shkollë. Sipas J. Erebarës thuhet se ky kurs nate në gjirin e vet arriti të tubojë 130 nxënës shqiptarë.

Rritja e numrit të nxënësve në këtë kurs nate ishte meritë e mësuesit Anastas , sepse ai dinte si t’i  bindte shqiptarët për shkollim në gjuhën amtare, meqë jo pak njerëz kishin ngatërruar problemin e fesë me çështjen e kombësisë. Ai për ilustrim e merrte veten dhe thoshte “Ja unë jam i krishterë, por gjuhën e kamë si të tujën dhe ne jemi vëllezër të një gjaku”. Asnjëherë nuk hoqi dorë nga gjuha, edhe pse shpesh binte në kontakt me njerëz që i kishte kapluar fanatizmi fetar, por ai bisedonte qetë dhe sepse detyrë vetes i kishte dhënë se krahas shkronjave të gjuhës shqipe, si tek nxënësit ashtu edhe tek qytetarët kumanovarë, të ngjallë dashurinë ndaj gjuhës shqipe si dhe të ngjallë ndenjën e vëllazërimit e të bashkimit,  pa dalim feje e krahine. Mësimi i gjuhës amtare për Anastasin ishte, siç thonë rekalitë një ‘ledh’ që na ndanë si nga serbët, ashtu edhe nga grekët e turqit.

Anastasi ra në sy të agjentëve turq e serbë. Atë e ndiqnin këmba –këmbës, e sidomos punën e tij që bënte në shkollë për t’u mësuar nxënësve gjuhën shqipe. Nga ky qytet, gjegjësisht nga fshati Llojan ishte një renegat turk e më vonë  edhe serb, Arif Hiqmeti, të cilit çdo gjë i pengonte që ishte  në gjuhën shqipe  dhe punën e  mësuesit Anastas do ta ndjek si hije. Arif Hiqmeti para hyqymetit turk do të deklarojë se në Kumanovë ka “ ardhur një Gjahur e asht ba tebdil dhe miletit u mëson shkronja kaure”.

Shqiptarët e Maqedonisë që tani rrojnë në këtë republikë, si të gjithë shqiptarët kudo që jetonin të ndarë në vilajete apo banovina, si edhe shqiptarët e zonave të tjera, dhanë kontribut të madh për hapjen e shkollave, ruajtjen e gjuhës e të kulturës shqiptare, për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe për të përballuar trysnitë shoviniste e asimiluese. 

Shkolla ishte gjuhë e gjuha shkollë. Andaj çmimi i sakrificës si kudo ishte tepër i madh. Me të drejtë mund të thuhet se nuk ka asnjë histori arsimore kombëtare në botë aq të përgjakur, siç është historia e arsimit dhe e shkollës shqipe. 

Filed Under: Histori

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT