Tensionet mes Tiranës dhe Athinës. Greqia përfaqësohet në nivel Drejtori të Përgjithshëm të ministrisë së jashtme/
Në Tiranë janë mbledhur sot ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit në Europën Juglindore (Seecp) ku bëjnë pjesë 13 shtete. Shqipëria ka presidencen e radhës të SEECP-it. Temat kryesore të diskutimit kanë qenë ato lidhur me situatën në rajon, zhvillimet politike të vendeve anëtare të Procesit, realizimin e prioriteteve të Kryesisë Shqiptare, bashkëpunimin në rajon apo dhe hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike nga vendet jo anëtare.
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati theksoi si tejet të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal nga njëra anë dhe vazhdimin e reformave në secilin prej vendeve anëtare. “Zhvillimet e fundit në Maqedoni tregojnë se duhet bërë më shumë duhet bërë për forcimin e institucioneve demokratike. Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm se siguria e cdo vendi është e pandashme nga siguria e të gjithë rajonit”.
Ministri Bushati nënvizoi gjithashtu se “ngjarjet e fundit në rajon kanë treguar rrezikun e një procesi të integrimit që shtyhet. Në këtë mjedis sfidues, Bashkimi europian duhet të dërgojë një sinjal të fortë për procesin e reformave dhe forcat që janë në mbështetje të tyre”.
Por ndërsa në takime të ndryshme i mëshohet bashkëpunimit rajonal, shpesh mes vendeve të ndryshme ngrejnë kokë cështjet bilaterale. Greqia u përfaqësua në takimin e sotëm me një nivel të ulët, atë të Drejtorit të përgjithshëm të politikave në ministrinë e Jashtme, ndërkohë që në një takim të mëparshëm në muajin shkurt, po në Tiranë, ishte përfaqësuar me zëvendësministrin e jashtëm, për cështjet europiane Nikolaos Chountis.
Pas një marrëdhënieje të ctensionuar me qeverinë e mëparshme, me ekzekutivin e kryeministrit Tzipras duket se situata ka bërë disa hapa pas. Tirana i ka kërkuar zyrtarisht Greqisë që t’i njoftojë koordinatat e zonës në detin Jon ku parashikohen kërkime për naftë. Një veprim që mesa duket nuk është pritur mirë nga Athina e cila i mëshon cështjes së nënshkrimit të marrëveshjes për kufijtë detar, sipas variantit të rrëzuar nga Gjykata kushtetuese e Shqipërisë.
Këtë klimë duket se e ka ndezur më tej edhe konflikti I hapur brenda së majtës, ku Vangjel Dule, kryetari i PBDNJ-së, forcë e cila përfaqëson pakicat greke, dha dje dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të parlamentit, pasi, në të njejtin pozicion u miratua edhe Shpëtim Idrizi, kryetar I PDIU-së, e cila përfaqëson interesat e popullatës came. Madje sipas mediave shqiptare, sot ka patur dhe një reagim të fortë të ministrisë së Jashtme greke, lidhur me këto zhvillime.
Takimi i ministrave të Jashtëm të SEECP-it do të pasohet nesër nga Asambleja parlamentare e vendeve anëtare të Procesit, po në Tiranë, ndërsa javën e ardhshme do të jetë dhe takimi i krerëve të shteteve, i cili praktikisht përmbyll kryesimin e SEECP-it nga Shqipëria.