CLINTON: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme/
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton nisi te enjten e 1 nentorit vizitën e saj në Tiranë. Ajo mbërriti pak pas orës 10.30. Takimin e parë, zonja Clinton e pati me presidentin Bujar Nishani, i cili i akordoi asaj edhe një nga medaljet më të larta, atë të Urdhërit të Flamurit e cila i është dhënë më parë edhe ish presidentëve Bill Clinton dhe GeorgeW Bush.
Më pas sekretarja amerikane është takuar me kryeministrin Sali Berisha i cili edhe një herë i ka vënë në dukje asaj se “kjo vizitë është xhevahiri në kurorën e festimeve” që Shqipëria po organizon me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. “SHBA-të janë krenare që janë partnerët dhe miqtë e vendit tuaj në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe hapjes së ekonomisë. Ne ju urojmë për 100 vitet e para dhe konfirmojmë edhe bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e tjera”, tha nga ana e saj zonja Clinton, në fillim të takimit me kryeministrin shqiptar.
Sipas departamentit të shtetit sekretarja Klinton do të theksojë në Tiranë solidaritetin me Shqipërinë si një vend anëtar i Natos, por dhe do të bëjë thirrje për një bashkëpunim më të madh politik si dhe për vendosjen e sundimit të ligjit. Zonja Clinton pritet të mbajë edhe një fjalim në parlament si dhe të takohet me kryetarin e opozitës shqiptare Edi Rama.
KRYEMINISTRI BERISHA DHE SEKRETARJA KLINTON PER MEDIAT
Kryeministri Berisha: Çdo vizitë e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri është një vizitë historike, por vizita juaj është më historike, sepse përkon me një përvjetor të madh të vendit e kombit tim, 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë kontekst, ju siguroj se për çdo shqiptar prezenca juaj, sot, është një margaritar në kurorën e këtij përvjetori të madh. Shqiptarët i janë shumë mirënjohës vendit tuaj, juve, qeverisë suaj, sepse gjatë 100 viteve ia dolëm të triumfojmë në situatat më të vështira dhe ne jemi sot, një komb i lirë se kemi pasur privilegjin të kishim rolin përcaktues të kombit tuaj, qeverisë dhe vendit tuaj. Edhe një herë ju uroj mirëseardhjen më të ngrohtë. Kjo është një ditë e madhe për shqiptarët.
Sekretarja Clinton: Zoti Kryeministër, është një nder i madh të jem këtu, sot, në ditën e parë të muajit që shënon përvjetorin e 100 të pavarësisë suaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenarë të jenë partner dhe miku juaj, ndërsa ju keni vazhduar të bëni progres, të konsolidoni demokracinë, të hapni ekonominë e të krijoni mundësi për të gjithë popullin tuaj. Ne ju urojmë përzemërsisht për 100 vitet e para dhe presim të çojmë përpara bashkëpunimin e ngushtë për 100 vitet e ardhshme