
Albin Kurti*/
…Serbia nuk është rrezik siç shihet e dihet vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan. Ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos ndaj atyre që kanë guximin të pranojnë se përmes kërkim faljes për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit. Kështu është rasti me liderin opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, Kryetar i Partisë Republikane atje, për të cilin krahas torturave fizike ndaj tij, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares Blerina Jashari, e vrarë nga forcat serbe në Prekaz, në marsin e vitit 1998.
Trajtimi i Nikolla Sandulloviq nga Agjencioni i Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetes. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet anti-demokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje, vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlejnë konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizmi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiqit. Serbia është vendi ku Millan Radojçiq, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, në vend se të përgjigjet para autoriteteve të rendit, merr pjesë në rrahjen brutale të Nikolla Sandulloviq.
E përcjellë në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitar e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ata gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian dhe të integrimit evropian e euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak…
*pjesë nga adresimi i Kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e 182-të të Qeverisë së Kosovës.