Ese nga Ilir Levonja/
Brenda një harku prej njëzetegjashtë minutash, në pesë kontinentet, në qindra gjuhë u perhap lajmi i shuarjes së Markezit (Gabriel Garcia Marquez). Herët në mëngjes, maestroja u pati thënë atyre përreth (njerëzve të familjes) të shkonin e të bënin punët se, asgjë nuk kishte për të ndodhur. Vdekja kishte bërë një shaka, pastaj ishte larguar.
Mjeshtrin që e kishin gjetur duke qarë, për shkak të fatit të pashmangshëm që i kishte dhënë një personazhi, (ndofta një nga ata qindra që sot na gëzon ne. Si Aurelio Buendia përshëmbull tek Njëqind vjet vetmi. Apo Florentino Arisa tek Dashuria në kohërat e kolerës etj…) tashmë po luante edhe me veten sikur të ishte një i tillë. Njëri nga personazhet e tij. A njëri nga personazhet e njerëzimit. Ai, brenda realitetit magjik kolumbian. Ai, brenda jetës. Midis një europiani nga Iberia dhe një Indiosi nga rrëpirat e tropikut. Në fund të fundit janë krijesa të kolonizimit.
Nuk ka asnjë dyshim. Çfarë ai krijoi, pavarsisht trillit, apo këmbënguljes së tij të vazhdueshme…, kur thoshte se, gjithçka fillon nga imagjinata, me gishtin tregues tek tëmthat, ka patur përjetësisht bekimin e tij. Dmth, ai besoi verbërisht në atë që krijoi. Një botë të cilën ne e kemi nëpër duar.
Isha duke punuar dhe ndjeva më shumë se beftin, magjinë e fjalës së tij. Ne jemi shok në facebook. Kemi bërë dhe humor me fotot e tia, ku ai, Gaboja lexonte Markezin. I shtrirë, gjithë kënaqësi na dëshmonte një libër me emrin e tij në kopertinë. Po patriarku, ka të drejtën të mburret me veprën e vet.
Në këto çaste, në këtë moment që jam duke hedhur këto rreshta, numri i ndjekësve në faqen e tij është 4,207 503 dhe vazhdon. Ja përse është një botë që e kemi nëpër duar.
Një titull i tij kap mbi pesëdhjetë milionë .
Të paktën pata mundësinë ato çaste të falenderoja atë, që na i solli në Shqipërinë tonë, Aurel Plasarin. Por edhe të tjerët përmes të cilëve e lexova. Si Mira Meksi a Robert Shvarc, Nasi Lera. Janë plot. I tillë është Markezi, me njerëz plot.
Ndjeja, jo nevojën të ngushëlloja për vdekjen e Gabos, por të të ngushëllohesha. Në rastin konkret, të humbjes së njeriut të racës, apo mikun në listen e facebook-ut.
Asesi të patriarkut.
Dhe mu kujtua ëndrra e tij, mbi vdekjen. Kur e varrosën, kur shokët, të njohurit i dhanë lamtumirën. Ai nuk u besonte syve. U ngrit e, i ndoqi nga pas. Tek porta e varrezës ata ndaluan. Kryepërdhe’ e me gjysëm zëri i thanë që, ti nuk mund të vish me ne. Ti duhet të rrish këtu. Dhe ai qëndroi, duke pëshpëritur, se, të vdesësh paska kuptimin që të ndahesh nga miqtë e tu.
Pra, sërish me shaka. Dhe u ul diku të të ripërtypte me mendje kohën e shkuar. Jeta është e vetmja lumturi që na vjen pa e ftuar, tha ai.
Gabriel Garsia Markez është ndoshta i vetmi shkrimtar, i cili gëzon suksesin absolut. Nëse do të shpreheshim me gjuhën e politikës, tejkalon çdo kourum votash. Pra votohet me shumicë. Ndofta për shkak të trajtimit magjik që ai i bën jetës. Ndofta për shkak të ekzistencës së shakasë midis anëve. Për shkak se edhe vepra ka, kaq shumë karaktere, magji prej ëndrrash, ngjyra karaibesh etj. Sa zor t’i shpëtosh ndikimit.
As unë nuk kam bërë përjashtim…, u përpoqa të bëja një nga kurat e doktor Huvenal Urbinos. (Personazh i tij tek Dashuri në kohërat e kolerës. Ose i shoqi i Fermina Dasës). Me hudhrën në mëngjes. Pasi mendoja të largoja të gjitha të këqijat nga trupi im, një herë e përgjithmonë. Mirëpo më vajti tensioni në fund të këmbëve, aq sa ime më, mu duk një fantazmë me fshesë në dorë. Pastaj mos të flasim për përpjekjen në ndërtimin e frazës.
Megjithatë është edhe ai vet, që e shpjegon kështu ngjizjen. Brenda meje ekzistojnë dy botë. Dhe siç e shikoni, unë i kam duart plot. Në njerën është ajo e gjyshit, kolonelit plot me luftra civile. Në tjetrën ajo e gjyshes, kaq e bukur, kaq me fantazi, tërësisht larg prej këtij realiteti. Dhe unë zgjodha këtë të dytën, botën e gjyshes.
Kur jetoja në Lushnje, e, lexoja Markezin. Bota e Karaibeve, njerëzit, etj…, se si më dukeshin. Megjithëse e kam çekur pjekjen e temave, pasi besoj në një far realiteti magjik edhe tek ne. Si përshembull Vjeshta e Xheladin Beut e Mitrushit tonë. Dhe Vjeshta e Patriarkut e El Gabos. Subjekte që tashmë i kam publikuar në librin me ese Hiret e Letërsisë Moderne Shqipe. Apo indicje si Rrno vetëm për me tregue e At Zef Pllumit. Dhe Jeto për të treguar, që sapo doli, e El Gabos.
Gjithsesi tani unë jetoj në brigjet e detit të Karaibeve. E kam lundruar dhe kam shkelur edhe në avulloret e lumenjëve të Florentino Arisës. Punoj me kolumbianë. Dhe gjej një spjegim. Që gjenia e tij është pjesë e së tërës, e asaj bote që quhet populli i tij.
Më kujtohet se asaj darke ndalova në një lokal kolumbianësh. Ata edhe me vdekjen bëjnë shaka.
***
Një mëngjes më pas…
Kur hapa Kopmjuterin. Pata një sms. Ishte Gaboja.
Ja çfarë më shkruante.
”Mos ma hiq emrin nga lista e miqve në facebook. Do flasim prapë. Biles ua thashë këtë dhe vdektarëve, të njohur e të panjohur”.
I yti El Gabo
***
Eshtë koha të jetojmë.