Shaqir Gashi, u shpreh se :” Sivjet po kremtojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, vetëm pak muaj pas kremtimit të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptarë, dhe, me këtë rast dua të them se shqiptarët kudo asnjëherë në historinë e tyre nuk kan qenë më të fortë dhe më të bashkuar për të ecuar drejt një të ardhme të tyre të sigurt, një të ardhme Europiane”./
Nga BEQIR SINA, New York/
MIDTOWN NEW YORK CITY : Jehona festive e 5 – Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka filluar të ndjehet kudo në bashkësinë shqiptare në Amerikë. Përgatitjet, për t’a festuar me madhështi këtë festë i sheh kudo në qendrat më të banuara, aty ku ka më shumë shqiptaro -amerikanë, pra në shumicën e qyteteve dhe shteteve të ndryshme të Amerikës
Ashtu si dhe vitin e kaluar kur me një madhështi të paparë ndonjëher u festua 28 Nëntori, 100 Vejtori i Pavarësisë së Shqipërisë, edhe festimi i Pavarësisë së Kosovës, po shoqërohet me aktivitete dhe veprimtari të vecanta. Një veprimtari në kuadrin e 5 – vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u mbajtë mbrëmë nën kujdesin e pronarëve të lokalit “Zana” në qendër të New Yorkut, zotërinjëve Shaqir Gashi dhe Azem Hasangjekaj.
Ne përkujtim të pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës ishin ftuar disa miq të ngushtë, të veprimtarit Shaqir Gashi, shok të tij, bashkëpuntor dhe veprimtarë të dalluar të komunitetit, si dhe mysafirët nga Shqipëria Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, Kryetar i Komunes – Kashar, z.Besnik Fuçia, Kryetari i bashkisë Beratit, Fadil Nasufi, Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa.
Në këtë darkë festive morën pjesë edhe përfaqësues të shtetit shqiptar dhe të Kosovës,, Konsulli i Përgjithëshëm i Kosovës, Ambasadori Bekim Sejdiu, konsulli Fatmir Zajmi, Ambasadori Ferit Hoxha, Përfaqësues i Përherëshëm i Republikës së Shqipërisë në OKB, Konsulli i Pergjithshme i Shqipërisë ne New York Dritan Mishto, anëtari i Kuvendit të New Yorkut zoti Mark Gjonaj, ish i dërguari i posaçëm SHBA-ve, për çështjen e Kosovës në bisedimet e udhëhequra nga “Treshja” ambasadori Frank G.Wisner, Jr. shkrimtarja dhe studiuesia amerikane Ana di Lelio
Me këtë rast ata kishin ftuar dhe disa ish luftëtar të Batalionit Atlantiku nga Amerika, të cilët iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftuan për ndalimin e spastrimit etnik dhe çlirimin e Kosovës me 1999 së bashku me forcat e SHBA-ve dhe NATO-s kundër forcave serbe, në Kosovë.
Darkën në kuadrin e pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e drejtojë gazetari i njohur nga Kosova, Sulejman Gashi korrespondenti i RTK në SHBA. Folësit, sollën pjesëza jete nga veprimtaria dhe aktiviteti i shqiptarëve të Amerikës, duke folur më shumë për rolin dhe kontributin e tyre, sidomos atë që lidhej me dy dekadat e fundit në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, me këtë rast u vleresua në shumë këndëvështrime kontributii dhe veprimtaria e Shaqir Gashit, i cili, sipas tyre, së bashku e disa miq të tij, të ftuar në këtë darkë, u tha se kan bërë shumë për Kosovën, me demostrata dhe duke lobuar në SHBA, gjithashtu përkrahur luftën çlirimtare dhe, më pas edhe zhvillimin ekonomik në periudhën e pasluftës – shtet ndërtimin e Kosovës.
Sulejman Gashi ndër të tjera tha se :” Ne shënojmë sot përvjetorin e pavarësisë, sepse ishit ju që kontribuat shumë, ishit ju që besuat në lirinë dhe në realizimin e pavarësisë së Kosovës ishit ju – që secili mbi bazë të shembullit të sakrificës, ashtu si bën breza e breza para nesh nuk kursyet kohën, paratë mundin, zërin, por edhe gjakun duke marrë pushkën në dorë, pikërishtë atëhere kur më së shumti kishte nevojë Kosova”.
Mikëpritësi i kësaj darke festive zoti Shaqir Gashi, gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh se :” Sivjet po kremtojmë pesë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, vetëm pak muaj pas kremtimit të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptarë, dhe, me këtë rast dua të them tha zoti Gashi se asnjëherë në historinë e tyre shqiptarët nuk kan qenë më të fortë dhe më të bashkuar për të ecuar drejt një të ardhme të tyre të sigurt, një të ardhme Europiane”.
Darka u shoqerua me fjalime të tjera dhe më pasë edhe me këngë dhe muzikë të të gjitha trevave, me një repertor shumë të pasur nën interpretimin e këngëtares së mirënjohur Shqipe Kastrati, Arben Krasniqi, dhe Haxhi Zeneli