Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca, përmes një deklarate të përbashkët kanë ftuar partinë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, të drejtuar nga Nikola Gruevski, të respektojë marrëveshjen e 2 qershorit dhe të mos zvarrisë zbatimin e reformave të nevojshme për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.
“Ftojmë VMRO-DPMNE-në të tregojë përkushtimin e nevojshëm dhe të zbatojë marrëveshjen në mënyrë urgjente dhe konstruktive. Besojmë se, zbatimi i kësaj marrëveshjeje është rruga më e mirë për daljen nga kriza politike. I bëjmë thirrje kryeministrit Gruevski të autorizojë grupin e punës, që të përfundojë marrëveshjen, duke zgjidhur çështjet e debatueshme dhe t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për të garantuar terren të barabartë për zgjedhjet e parakohshme, me qëllim që procesi zgjedhor të njihet nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar”, tha Charles Edmund Garrett, ambasador i Britanisë së Madhe në Maqedoni. Ambasadorët e 5 vendeve me ndikim të madh në botë, të akredituar në Maqedoni, i kanë bërë thirrje edhe partisë maqedonase në opozitë, LSDM-së, të kryejë detyrimet që i takojnë mbi bazën e marrëveshjes së 2 qershorit.
“Ftojmë gjithashtu LSDM-në, që nga ana e saj të vazhdojë t’i përmbushë detyrimet e veta, që dalin nga marrëveshja politike, përfshirë këtu edhe detyrimin për të mos publikuar materiale të përgjuara”, tha më tej ambasadori Charles Edmund Garrett. Përmes deklaratës së përbashkët, që u lexua para godinës së Qeverisë në Shkup nga diplomati britanik, Charles Garrett, ambasadorët e huaj u shprehën të zhgënjyer nga shkelja e afateve të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike, si dhe theksuan se dështimi i saj do të reflektojë në procesin e integrimit të Maqedonisë.