Amerika është në qendrën e një debati rreth mënyrës se si femrat në këtë vend duhet të barazpeshojnë punën dhe të qenurit nënë – tani që recesioni i ka detyruar ato të punojnë më tepër. Grupet e krishtera konservatore i kanë konsideruar femrat vetëm si nëna dhe shtëpiake për një kohë shumë të gjatë, por tani, një prej këtyre grupeve po predikon një mesazh të ri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jerome Socolovsky shkoi tek një nga aktivitetet e tyre.
Duket si një koncert roku. Por muzika është muzikë fetare. Dhe publiku përbëhet gati i gjithi nga femra. Ky grup me emrin “Gratë Besimtare,” filloi të mbante aktivitete të tilla frymëzuese nga fundi i viteve ’90. Turneu i fundit quhet “Beso se Zoti Mund të Bëjë Gjithçka.” Kjo shfaqje kombinon një stil popullor të koncerteve fetare, me një mesazh qetësues për gruan moderne dhe të stresuar amerikane.
Zonja Sheila Walsh dëshiron t’i ndihmojë këto femra. Mesazhi i saj është…
“Ji vetvetja. Nëse kjo do të thotë se do të kesh karrierën më të mirë, atëherë bëje atë. Nëse do që të jesh nëna më e mirë, bëhu.”
Vendi i një gruaje të devotshme të krishterë mund të kishte qenë dikur në shtëpi, por autorja Judith Warner thotë se recesioni e ka ndryshuar situatën.
“Ndarjet e theksuara që pamë aq dendur në luftën kulturore të 20 viteve më parë, kur shtëpiaket dhe nënat në punë ishin kundër njëra-tjetrës, dhe feministët u akuzuan për shkatërrimin e familjes amerikane duke i inkurajuar femrat të punonin, – këto gjëra kanë mbaruar.”
Tani, thotë ajo, femrat fetare dhe laike po mundohen të barazpeshojnë punën dhe familjen.
“Është interesante sepse në një mënyrë, kishat kanë lëvizur përpara me kohën më shumë se disa institucione të tjera.”
Në fakt, zonja Warner thotë se një të katërtat e fëmijëve shkojnë në kopshtet brenda institucioneve fetare.
Tek Gratë Besimtare, Stella Lee mund të lutet pa iu tërhequr vëmendja.
“Si grua, si nënë, dhe si bashkëshorte, si punonjëse, ne bëhemi aq të zëna me punë, por kur vij këtu shoh përreth të gjitha femrat e tjera të moshave dhe racave të ndryshme, dhe më jep kurajo, dhe lutemi së bashku.”
Zonja Walsh thotë se bibla mëson rreth barazisë dhe se femrat nuk duhet të shqetësohen rreth gjërave sipërfaqësore.
“Kultura jonë thotë se një femër gjykohet nga pamja e saj e jashtme, nga mënyra e të veshurit, dhe se si e prezanton veten, nga përmasat e fustanit dhe lëkura dhe flokët e saj. Ajo që ne po i themi grave është se, në thelb, ti vlerësohesh nga Zoti. Gjithçka tjetër është thjesht sipërfaqësore.”
Me kaq shumë kërkesa për femrat ditët e sotme, për disa, mesazhi mund t’ua bëjë jetën më pak stresuese.(VOA)