-Senatori amerikan Ron Johnson ka ofruar mbështetjen e plotë për Kosovën në të gjitha fushat/
-Presidenti Thaçi: SHBA-të, rol përcaktues në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës/
-Kryeministri Haradinaj: Përkrahja e SHBA-së shumë e rëndësishme për Kosovën/
PRISHTINË, 19 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojë të jetë mbështetëse të fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës, tha sot në Prishtinë Senatori amerikan Ron Johnson, duke uruar qeverinë dhe popullin kosovar për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë. Senatori Johnson ka ofruar mbështetjen e plotë në të gjitha fushat për Kosovën. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, të cilin e ka falënderuar për mesazhet dhe urimet për 10 vjetorin e pavarësisë.“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, e cila ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mesazhet dhe urimet e presidentit Trump janë inkurajuese, për të punuar edhe më shumë”, ka shtuar presidenti Thaçi.Ai e ka informuar senatorin Johnson për konsenusin e krijuar lidhur me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për domosdoshmërinë e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.
Presidenti ka kërkuar mbështetjen e SHBA-së për këto tema, në mënyrë që këto procese të kenë sukses.Presidenti në fund ka thënë SHBA-të janë partneri më i rëndësishëm i Kosovës dhe miku më i madh i popullit te Kosovës.Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, i cili po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare. Në takim, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiç dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, u bisedua për zhvillimet politike aktuale në vend, për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit.Kryeministri Haradinaj, falënderoi senatorin Johnson për vizitën në Kosovë, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.“Përkrahja e SHBA-ve është shumë e rëndësishme për ne. Kosova dhe populli i saj do të jetë përherë falënderues për ndihmën që SHBA-të dhe populli amerikan kanë dhënë në të gjitha periudhat”, theksoi kryeministri Haradinaj.Ai tha se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euroatlantike duke thelluar reformat e brendshme, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në forcimin e institucioneve demokratike.“Kosova është sot një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shembull i fqinjësisë së mirë dhe e angazhuar në dialog me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të afatizohet në kohë dhe të përmbyllet me njohje reciproke.Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë, senatori amerikan Ron Johnson, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës.Senatori amerikan Ron Johnson mbërriti sot pasdite për vizitë në Kosovë. Para se të mbërrijë në Kosovë ka qëndruar në Serbi, ku ka takuar presidentin Aleksandar Vuçiç. Në takim, sipas medias serbe, kanë folur edhe për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.