-Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë./
DEKLARATË E FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/
Federata Pan Shqiptare e Amerikës”VATRA” e ka përjetuar me dhimbje shfaqjen e dhunës qeveritare ndaj artistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të pafajshëm, që mbronin kauzën e mosshembjes së godinës të Teatrit Kombëtar në orët e hershme të mëngjesit të 17 Majit 2020. Qeveria zgjodhi kohën e gjumit, 4 e 30 A.M, për ta hedhë në tokë godinën e Teatrit Kombëtar, pa gjetur gjuhën e përbashkët me qytetarët që kundërshtonin shembjen e godinës, që prej 27 muajësh.
Kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë patën kohë të mjaftueshme për të dialoguar me “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit”, por nuk e bënë. Në vend të dialogimit ata preferuan t’i përçanin artistët, duke krijuar dy grupime, njërin që e mbronte Teatrin, e tjetri, që i jepte të drejtë qeverisë për Teatër të ri. Përça e sundo!
Vatra pyet: Çfarë do të ndodhte nëse teatri i vjetër mbetej si dëshmi e vlerë e së shkuarës, dhe diku tjetër të ndërtohej një teatër i ri, modern, siç pretendon Kryeministri dhe Kryebashkiaku?
Kryebashkiaku pretendon se Teatri nuk ka vlera muzeale, nderkohe qe” Europa Nostra” e ka shpallë Teatrin Kombëtar në Tiranë një nga 7 objektet e trashëgimisë së rrezikuar kulturore të Europës.
Mënyra dhe koha që zgjodhi qeveria për ta prishë Teatrin, kalimi hileqar i teatrit në varësi të Bashkisë, hedhin hije të forta dyshimi për afera korruptive. Përse u prish natën, dhe perse tash ne Kohen e Pandemise?
Qeveria përdori arrogancën dhe dhunën në vend të dialogut. Ajo nuk dëgjoi as ndërkombëtarët, kur këshilluan për dialog.
Nuk pritën as përfundimin e procesit gjyqsor në Gjykatën Kushtetuse, ku e pat dërguar i pari vendit, presidenti.
Shqiptarët u bënë dëshmitarë të një spektakli të dhunshëm, kur artistë e gazetarë tërhiqeshin zvarrë prej policisë për të vetmen arsye se donin që teatri të mos prishej! Kjo nuk është Demokraci. Shembja e Teatrit në kohën e Pandemisë, kur vendi përjetonte masa shtërnguse, dëshmon edhe mungesë transparencë, por hedh edhe hije të forta dyshimi mbi qëllimin e vërtetë të ndërtimit me çdo kusht të Teatrit të ri mbi gërmadhat e ndërtesës së vjetër.
Pas prishjes së godinës, shqiptarët ndoqën edhe Presidentin e vendit, z. Ilir Meta, që përcolli akuza të rënda për Qeverinë.
Citojmë nga deklarata e Presidentit: “ urdhërin për prishjen e Teatrit e dha Mafia…Ky është një krim kushtetues, ligjor dhe moral i paamnistueshëm”!
Kjo deklaratë është e frikshme dhe e dhimbshme. Kush do ta mbrojë vendin nga Mafia? Po, a nuk është Presidenti garanti i Kushtetutës?
Ai është betuar dy herë mbi Kushtetutë, kur u ul në karrigën e Presidentit dhe kur doli në shesh për të mbrojtë Kushtetutën. A do të betohet për të tretën here si garant i Kushtetutës dhe nuk do të tërhiqet pas?
Kush do ta mbrojë Demokracinë e brishtë shqiptare, që për tri dekada vërtitet rreth kaosit dhe anarkisë?
Po Parlamenti? Ku është Parlamenti i emëruar i mazhorancës. Ku ishin deputetët e opozitës së re, asaj të emëruar?
Opozita e bashkuar ka reaguar fort pas shembjes së Tetarit. Po ku ishte deri dje, kur për 27 muaj Aleanca për Teatrin luftonte për kauzën e mosprishjes së Teatrit?
Ku shkuan zotimet e tyre se nuk do të lejonin shembjen e teatrit?
Të hënën, do të jenë në sheshin e protestës ”Aleanca për Teatrin” dhe Opozita e Bashkuar. Thirrjet për mosbindje civile janë bërë publike në media.
Vatra kërkon, që në këtë kohë Pandemie, kur dyert e dialogut i ka mbyllë Qeveria me shembjen e godinës, në këtë kohë tensionesh e përplasjesh, palët të vetëpërmbahen, të respektojnë rregullat dhe vlerat e Demokracisë.