
PARA TEATRIT NË PRISHTINË, SOLIDARIZIMI ME PROTESTAT NË TIRANË
Sot në Prishtinë është mbajtur një aksion simbolik në shenjë solidarizimi me artistët në Shqipëri, të cilët po protestojnë kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar Shqiptar në Tiranë
Aksioni simbolik me thirrjet “Muret i shembët, por jo Teatrin”, “Unë jam Teatri” u organizua para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, ku dhjetëra qytetarë e artistë për më shumë se 10 minuta kanë qëndruar me pankartat në duar, duke respektuar distancën fizike, në shenjat e kuqe që janë bërë te sheshi “Skënderbeu”, në kryeqytet.
Media raporton edhe se, si solidarizim me protestën në Tiranë kundër rrënimit të teatrit, sot Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë”, Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj, Teatri “Muharrem Qena” – Mitrovicë, Qendra Multimedia, Teatri “Oda”, Teatri “Urban”, “Etno Teatri – Kukaj”, kanë anuluar shfaqjen “Skënderbeu ose Dashuri dhe Liri”, e cila ka qenë e planifikuar në kuadër të kalendarit online/livestream.