
Dy mjekët e shquar të ortopedisë, Selmani dhe Gjonej, të dedikuar me një dashuri gati hyjnore ndaj fëmijëve me “pes equinovaris”
Arben Iliazi/
Dhjetra fëmijë lindin në Shqipëri me një anomali që quhet “pes equinovaris” (deformim i shputave të këmbëve) dhe njihet që nga lashtësia. Hipokrati, babai i mjeksisë, ishte i pari që përshkroi, teorikisht por edhe mjekoi deformimet e këmbës rreth viteve 300 përpara erës sonë.
Pes-equinovarus congenitalis, apo këmba e lindur e shtrëmbër, është emërtimi për një anomali kongenitale, e cila ende në ditët tona mbetet një shqetësim mjaft serioz për prindërit e fëmijëve që e vuajnë, për personelin mjekësor të kualifikuar të shërbimit ortopedik, që e trajton, sikundër edhe për vetë fëmijët të cilët, në moshën e rritur, do të ndjejnë anët negative të këtij deformimi të lindur. Është pozicionimi rigid i këmbës në pozicion karakteristik si këmba e kalit. Mendohet se janë dëmtimet gjenetike në strukturat e ligamenteve që e shkaktojnë këtë deformim muskulo-skeletor. Nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet herët, personi e ka të pamundur të ecë. Ndonëse patologjia teorikisht është përshkruar nga koha e Hipokratit, natyrisht është bërë një progres i konsiderueshëm në trajtimin e kësaj anomalie. E gjithë jeta e mjekëve të shquar ortopedë, Prof. Edvin Selmani dhe Dr. Arben Gjonej ka qenë një dedikim i plotë ndaj fëmijëve me anomali të tilla, të cilët i kanë trajtuar me një dashuri gati hyjnore, duke i ngritur në këmbë si me magji, madje duke i bërë edhe sportistë. Këta janë shembuj të rrallë që vijnë nga mjekësia shqiptare. Është privilegj të njohësh dhe të bisedosh nga afër me këta mjekë me mendje dhe duar të arta.
Ka ndodhur shpesh që, kur nënat e mësojnë që në ekon morfologjike, se fëmija e tyre mbart këtë anomali, ato e kanë braktisur foshnjën duke e abortuar. Dy mjekët e ndjejnë për detyrë humane t’u bëjnë apel grave shtatzana të mos tentojnë të bëjnë abort, sepse “pes equinovaris” është një deformim plotësisht i korrigjueshëm. Menjëherë pasi të lindë fëmija duhet të paraqiten menjëherë tek ne për të filluar trajtimin sa më herët.
“Pes equinovarus, sipas mjekëve të spitalit të Traumës, është i shpeshtë. Metoda “Ponseti” është metoda më superiore ndër metodat konservative.
Profesori me një përvojë të gjatë dhe unike në trajtimin e kësaj patologjie, Edvin Selmani, pedagog në fakultetin e Mjekësisë dhe mjek ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, thotë për “Diellin”: “Afërsisht kemi 100 raste në vit me këtë deformim të lindur. Kërkon çdo javë një trajtim me allçi, që zgjat tre muaj, dhe ndonjëherë kërkon edhe ndërhyrje të vogël për zgjatjen e tendinës së Akilit. Teknologjia trajtimit është bashkëkohore dhe rastet janë gjithmonë të suksesshme. Në përgjithësi shkojnë shumë mirë si raste. Është një deformim që për fat të mirë trajtohet shumë mirë dhe nuk lë asnjë pasojë,” siguron Profesor Selmani.
Specializimet dhe trajnimet që Prof. Edvin Selmani ka kryer janë të shumta në qendrat spitalore të njohura në SHBA, Hollandë, Gjermani, Austri, Poloni, etj. Pjesëmarrës në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare Prof. Selmani është autor dhe bashkautor i shumë publikimeve në fushën e ortopedi-traumatologjisë si dhe ka qenë anëtar i bordeve të Editoriale të Revistave Mjekësore si: Journal of European Orthopaedics and Traumatology EOTR (Lialison Editor member 2012 – 2016); International Journal of Orthopaedics (IJO) (Editorial Board member 2012); Open Journal of Orthopaedics (OJO) (revieëer 2013); American Research Journal in Orthopaedics and Traumatology (ARJOT) (Editorial Board member dhe revieëer 2014); Albanian Journal of Trauma and Emergency Surgery (ASTES) Editor in Chief 2017.
Përvojën mbi 20 vjecare dhe sfidat e kaluara gjatë trajtimit të qindra femijëve me këtë sëmundje, duke u konsultuar edhe me literaturën e huaj bashkëkohore, Prof. Edvini e ka paraqitur edhe në librin “trajtimi kirurgjikal i “Pes Equinovarus”, botuar kohët e fundit.
Në literaturën mjekësore shqiptare nuk ka ndonjë botim të plotë në këtë fushë dhe kjo e bën këtë libër me vlera të vecanta. Megjithëse është fushë tepër specifike ky libër është ndihmës gjatë praktikës për studentët e Fakultetit të Mjekësisë, specializantët e ortopedisë. “Vijnë të porsalindur tek ne. I trajtojmë për një periudhë tremujore sipas metodës ‘ponsete’ që ka një rezultat shumë të mirë, thotë Doktori i Shkencave Mjekësore Arben Gjonej, teknik i gjipsimit ortopedik pranë Klinikës së Ortopedisë e Traumatologjisë, Tiranë, i cili ka mbrojtur gradën e lartë “Doktor i Shkencave” (dhe është në prag të marrjes së titullit profesor i asociuar) pikërisht me temën: “Pes Equinovarusi kongenital, eksperienca nëpërmjet trajtimit konservativ nga tekniku i gipsimit ortopedik”. Ponseti, ka një kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e pes equinovarusit dhe një aktivitet të gjatë mjekues të kësaj patologjie invalidizuese, informon Dr. Gjonej për profesorin e shquar, metoda e të cilit është parimi shkencor i së sotmes në trajtimin e kësaj patologjie. Profesor Ponseti ishte kirurg ortoped pediater, lindur në Spanjë në vitin 1915. Gjatë karrierës së tij praktike u bë Profesor i Ortopedisë në Universitetin e Ioua-s, (Spital Ortopedik i Fëmijëve-Shtetet e Bashkuara,) ku punoi si Profesor, më pas Profesor Emeritus dhe së fundi si Presidenti Fondacionit që mban emrin e tij. Gjatë punës së tij, filloi të studiojë, në mesin e shumë sëmundjeve të tjera ortopedike të fëmijërisë, edhe këmbën e shtrembër ( P.E.V.) dhe në vitin 1948, përshkroi metodën e ideuar dhe vënë në zbatim prej tij duke hedhur poshtë të gjitha konceptet e njohura deri në atë kohë. Metoda, është bazuar në trajtimin konservativ të patologjisë. Kjo metodë është bazuar në manipulimin gradual të korrigjimit të elementëve deformativë të strukturave të këmbës e pasuar me një prerje të tendinit të Akilit dhe me plotësim e mjekimit duke mbajtur një shinë të posaçme për të konsoliduar korrigjimin e arritur nëpërmjet redresimeve në gips.
Në Spitalin Universitar të Traumës ka teknika dhe procedura, që realizohen në çdo vend të botës, thotë në vijim të bisedës Dr. Arben Gjonej, Fëmijët kthehen drejt normalitetit. Vajzat për t’i bërë balerina dhe çunat sportistë”, Në rast se sëmundja nuk do të mjekohet në kohë, pasojat invalidizuese janë të përjetëshme, ndaj merr përkushtimin e domosdoshëm mjekësor, me mjeshtëri e profesionalizëm infermieror, sidomos në vlerësimin e etapave të redresimit të elementëve përbërëse të deformimit që njëherësh janë edhe objektiva të trajtimit.
Dy mjekët gjatë një procedure trajtimi
Prof. Edvin Selmani
Dr. Arben Gjonej