Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Kisha katolike Shën Maria në Lurë, që mban emrin e Nanës së Jezu Krishtit, ndoshta e ngritur në shek. XV, vend pelegrinazhi i kahershëm, nga erozioni i motmoteve e i politikës antife ateiste të së djeshmes, iu kishin mbuluar themelet me dhè e barë tufalak.
Biznesmeni elitar e humanist, ing. Dod Doçi, president i “Group Lura”, ndërtimtar i fshatit turistik “Lura” në bregdetin e Durrësit, njeri i palctë, bajemirë e punëkryem, vendosi shpirtërisht me i ringrit’ këtë “Shtëpi të Zotit” me financimet e tij.
Dod Doçi, ky biznesmen i besimit katolik i Derës së Parë të Doçit në Lurë, e cakton kusherinin e vet të afërt, Sali Doçin, i besimit mysliman, për me gërmue në thellësi të tokës e me i nxjerr faqe botës themelet e kishës së vjetër Shën Maria. Gjithashtu, Sali Doçi ishte si koordinator revident e krahtar në punimet e ndërtimit fundekrye të kësaj kishe krejt të re e vërtet të bukur. Tani ky mysliman do të jetë për 10 vjet kujdestar plotor i kishës katolike Shën Maria në Lurë, edhe pasi prifti të vijnë aty, pasi ka një kontratë të tillë pagese me presidentin e kompanisë “Lura”.
Si këto tre raste të pashembullt nuk i gjen askund në glob, në kohën e sotme ku shpesh dhezèn konflikte të pashuara e të përgjakshme ndërfetare.
2.Kur filloi hapja e themeleve të reja të Kishës katolike Shën Maria në Lurë ishte një nga ditët e Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, i Agjërimit – një nga pesë shtyllat e Islamit. Aty shkon edhe Sheh Haliti i Lurës, krahinë me mbi 125 km2 me shumicë të besimit mysliman. E pritën shumë vllaznisht, sipas traditës lurase dhe të Derës së Doçit, të vet Dod Llesh Zef Doçit të Lurës. Të gjithë sa ishin aty i dhanë mirënjohje shpirtnore.
Sheh Haliti uroi tek themelet e kishës, e dha bekimin e tij plot mirësi njerëzore, ndërfetare: “Ju priftë e mira në ndërtimin e kësaj “Shtëpie të Zotit”! Ta gëzojmë bashkarisht gjithë Lura jonë!”.
Ai iku fytyrëqeshur. Katolikë e myslimanë të atyshëm ndiheshin të lumtur.
Ky është një tjetër shembull i pazakontë i bashkëjetesës fetare në Lurë që rrezatohet tek Kisha Shën Maria.
3.Shumkush nga filantropistë shqiptar përgjatë kohnave ka dhanë financime për ndërtime të kishave katolike po astenji rast tjetër nuk është i ngjashëm me shembullin e jashtëzakonshëm të ing. Dod Doçit i “Lura Group” në ngritjen e kishës Shën Maria në Lurë.
Me përkujdesje të tij u çpluan themelet e vjetra të kësaj kishe dhe ing. Dod Doçi me grupin projektues të firmës “Lura” në projektin e ri i lanë të paprekuna themelet e moçme (50 cm.), të cilat kisha e re i ruan ato si vlera muzeale e në funksion ritual të besimtarëve katolikë të atyhit e rrethinave.
Vet, personalisht, biznesmeni Dod Doçi, antar i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, e mori Lejen Lejen për kishën e re tek Dioqeza e Rrëshenit, tek Administratori Apostulik i saj; e njoftoi për nismen e projektin edhe Selinë Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës me Arqipeshkv Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, ku përveçohet për mirë edhe kontributi ndihmatar i Don Gjergj Meta – Administrator i Kishës Katedrale Shën Pali në Tiranë dhe Zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Ing. Dod Doçi ia bani vet projektin Kishës së re Shën Maria. E përzgjodhi ndër gjithato projekteve të tilla në botë. Sëbashku me grupin e arkitektëve të kompanisë së tij shkoi në Lurë me i pa nga afër trollin e kishës, luginën, malet, ndërtimtarinë e atyshme. Ark. Blerta Foto, ark. Dea Gora, ing. Redrit Baholli, me përvojën e vet të mirë banë një projekt të vetin të veçantë, i tipit alpin, ku harmonizohen antikja me modernen, i rrallë, ndoshta i vetmi si ky.
Biznesmeni Dod Doçi me investimet e tij të mëdha e ndërtoi Kishën Shën Maria në
Lurë. Mjeshtrit i përzgjodhi nga ma të mirët, profesionist në ndërtime të kishave katolike në trojet shqiptare. Materialet e ndërtimit janë tanësisht natyrale. Muret krejtësisht dekorativ, me gurë gëlqeror të ardhun nga Rubiku (Mirditë) e të skalitur aty nga mjeshtrit gurëgdhendës. Gëlqerja përzihet me ranë guri. Brenda mureve të kishës ka një skelet betonarme të padukshëm për me iu përballue forcave sizmike. Dera e 12 dritaret e kishës kanë formën e një harku (qemer me çelës) karakteristikë e kullave të zonës përrreth.
Këmbana e saj, e prodhuar në Milano të Italisë, ka pamje e orientim të atillë që të dëgjohet përtej luginës së gjatë e të bukur të Lurës, në vise të rretheve fqinjë, në Mërkurth të Mirditës, etj. Ajo mban mbishkrimin e vet kushtimor: “KISHA SHËN MËRIA. DHURATË KOMUNITETIT. DOD LLESH ZEF DOÇI. LURË, 2014”.
Kisha do të ketë hapësira plotore, pasi biznesmeni Dod Doçi i ka blerë mbi tre dynym tokë për selinë e kishës, për vorret anë saj, për oborrin e livadhin e saj të madh.
Natyrisht, biznesmeni besimtar e bamirës Dod Doçi nuk është nga ata filantropistë që pasi investojnë në një objekt ia kthejnë shpinën atij. Përkundrazi: për 10 vjet, si e cekëm nelt, ka me e lanë kujdestar të besuar e të paguar myslimanin Salih Doçi me u kujdes për Kishën Shën Maria, përgjithçka në territorin e saj, për çdo gja të ditës e të perspektivës që i duhet kësaj “Shtëpie të Zotit”.
Këta shembuj përgjatë ndërtimit të Kishës katolike Shën Maria në Lurë, kryevepër bamirëse e biznesmenit Dod Doçi, nuk i gjen ndokund tjetër në botën e sotme.
4.Dod Llesh Zef Doçi i Lurës njihet si derë e besimit katolik të paktën qyshse nga shek. XV dhe ende edhe sot ndihet i tillë si besimtar i devotshëm e kontributor.
Tradita rrëfen se paraardhësi i tij i hershëm, atdhetari Preng Nikollë Doçi, ka marrë pjesë në Kuvendin e Beslidhjes së Lezhës (1444) mbajtur nga Heroi Ynë Kombëtar, epokali Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i vlerësuari “Atlet i Krishtit” e “Mbrojtës i Krishtërimit”, Historia, mitet e legjendat flasin se Skënderbeu ishte mjaft i lidhur me krahinën lavdiplote të Lurës, pasi për besë, siguri e bujari e sillte aty një pjesë të madhe të ushtrisë së tij në kohë dimri, farkëtonte armë në Livadhin e Xharrit, ende ruhen “gjurmët e kalit” të tij në Qafë Lurë, etj.
Dera e parë e Doçit në Lurë, pasaardhës i së cilës është edhe Dod Llesh Zef Doçi, i dëshmon kohës e botës së sotme ndërplanetare një shembull ideal e praktik të jashtëzakonshëm të bashkëjetesës dyfetare katolikë e myslimanë brenda vet trungut familjar, brenda vllaznisë së tyre.
At Loro Mihaçeviq në veprën e tij “Nëpër Shqipëri 1883-1907” shkruan për Derën e Doçit – Derë e Parë e Lurës, për faktin e jashtëzakonshëm të bashkëjetesës të dyfeve edhe brenda një trungu familjar: “Në Lurë qemë në shtëpinë e Kryeplakut të fshatit, i cili e kishte vllain mysliman, njëri festonte Krishtlindjet e tjetri Bajramin, njëri fëmijët i ka pagëzuar Gjon e Pjetër dhe tjetri u ka fryrë në vesh emrat Syl e Osman”. Tevona, në kit’ Derë, Bibë Kolë Doçi – Kreu i Lurës, kërkoi nuse (Korben) për djalin e vet në Derën e Sali Stafë Carës. Miqësia u lidh me kusht: jo vetëm çika e tij po edhe fëmijët e saj që do të lindnin të merrnin besimin mysliman. Kjo u pranue dhe u zbatue prej tij. Djali i tij ishte i besimit katolik e shkonte në Kishën Shën Maria të Lurës, ndërsa grue e fëmijë i kishte të besimit mysliman e shkonin në xhami.
Kulla “Monument Kulture” e Bibë Kolë Doçit, kushërinj të afërt të Dod Doçit, ishte një familje e madhe me 31 antarë. Në vitin 1966, kur u ndanë ndërveti, degëzimi i Bibë Doçit me djemtë, Zefin (kryebashkiak në Balldre – Lezhë), Gjonin (mësues, poet e prozator) e Lleshin ishin 17 vetë të besimit katolik dhe degëzimi tjetër i Haziz Doçit me fëmijët e tij (një prej të cilëve është edhe Sali Doçi i Kishës Shën Maria) ishin 14 vetë të besimit mysliman.
Dyfetarizmin e gjejmë edhe në trungun familjar të Prengë Dedë Doçit (tjetër kushëri i afërt i Dod Llesh Zef Doçit) e kanë ruajt besimin katolik po kanë pasë martesa të përziera, edhe me myslimanë. Vite ma herët kjo familje ka lidhë miqësi me Markun e Doçin në Arrën, Laçin në Reç, Kacin në Gjur-Lurë.
5.Historianët e studiuesit dhe vet fetarët si At Gjergj Fishta, At Loro Mihaçeviq, At Domeniko Pazzi, akademikët Kristo Frashëri e Mark Tirtja, prof. dr. Shefqet Hoxha e Kahreman Ulqini, doktorant Nikollë Loka, dr. Agron Tufa, Xheladin Tollja, Ahmet Përleka, Hysen Dervishi e të tjerë thonë se lurasit myslimanë shkonin sëbashku me katolikët në kishë për Krishtlindje e Pashkë, po edhe lurasit katolikë shkonin sëbashku me myslimanët në xhami për Bajramin e Madh dhe për Bajramin e Vogël.
Në të gjithë Shqipërinë, shkruan doktori i shkencave filologjike, Agron Tufa, poet, shkrimtar e përkthyes, është përhap legjenda se gratë e krishtera kanë gatuar në të njëjtin kazan si mishin e deles dhe mishin e derrit dhe gjatë ngrënies ua kanë ndarë në sofër sipas përkatësisë fetare të secilit.
Në fund të shekullit XIX në Lurë, ku martesat me besime të ndryshme ishin të zakonshme, prof. dr. K. Ulqini thekson se u gjet ky rast: ndër katër djemtë e një familjeje, i pari dhe i treti mbanin besimin e atit, i dyti dhe i katërti besimin e nënës katolike.
Kjo bashkëjetesë në mes të krishterëve e myslimanëve është një tjetër kontribut i madh që ka dhanë Lura për qytetërimin shqiptar, europian, ndërplanetar, që Selia e Shenjtë në Vatikan e ka në thesaret e saj si model për kohën e botën e sotme.
6.Familja e Llesh Zef Doçit, babës së biznesmenit bamirës Dod Doçi, president i “Lura Group”, ishte e vetmja e besimit katolik në fshatin Sumaj të Lurës me popullsi krejt myslimane, po këta si Derë e Parë e Lurës e ruajtën deri në ditët e sotme besimin e vet katolik duke e respektuar edhe besimin e tjetrit, atë mysliman, në çdo rast e festë, çdo ditë. Si dje, edhe sot.
Biznesmeni Dod Doçi nuk është rastësisht një bamirës i ndërtimit të kishës katolike Shën Maria në Lurë, pasi ai, më 19 tetor 2003, ishte në Romë, në ceremoninë e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nuk ishte vetëm. Me 50 vetë nga kompania e tij private “Lura” nga Shqipëria Londineze shkuan në kit’ ditë historike në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Lura dhe Kisha e saj Shën Maria, kryevepër bamirëse e biznesmenit besimtar e të suksesshëm Dod Llesh Zef Doçi i Lurës, janë një shembull thesar jashtëzakonshëm i bashkëjetësës fetare e humanizmit për kohërat e epokat, për Krishtërimin e Njerëzimin, si një “dritë hyjnore” shqiptare për Vizitën e Bekuar të 21 shtatorit 2014 të Atit të Shenjtë Papa Françesku I në Tiranë, në truallin shqiptar që i dha shumë Krishtërimit e pret mirënjohje ma të mëdha.
Tiranë, 16 shtator 2014