Nga Asllan BUSHATI/
Të paktën ka më shumë se tri mijë vjet që shkruhen e këndohen këngë për dashurinë si ndjenja më e bukur njerëzore. Kjo shprehet qartë në librat e hershëm dhe në këngët popullore (folkun) e shumë popujve që i rezistuan asimilimit e zhdukjes. Edhe në këngët tona popullore shqiptare , të herëshme e të ditëve të sotme , ndenja e dashurisë është mjaft e fortë dhe gjurmlënëse. Mbi këtë bazë (traditë), është mbështetur edhe kënga popullore qytetare, muzika e lehtë dhe shumë zhanre të tjera muzikore.
Kurse për Shën Valentinin si simbolizimi dhe mbrojtësi i dashurisë, të paktën shkruhen e krijohen thënie, anekdoda, poezi, shkrime etj, këto njëmijë e shtatëqind vitet e fundit. Në Shqipëri komuniste të E. Hoxhës, ishte herezi ta përmendje emrin ”Shën Valentini”, por mund të pranohej me gjysëm zëri vetëm “dita e të dashuruarve” duke parafytyruar vetëm një tufë me lule “mimoze” ose një kartolinë. As që mendohej për dreka, darka e aktivitete muzikore si sot, sepse partia shtet kishte futur e ligjësuar në jetën e shqiptarëve , datat e veta.
Unë nuk kam talentin as të shkrimtarit e as të poetit dhe nuk zotroj mjetet e duhura të të shprehurit artistik për të dhënë përcaktime për Shën Valentinin dhe dashurinë. Por duke qenë se sot është 14 shkurti, i shenjuar në kalendar si dita e të dashuruarve (Shën Valentini), si shumë njerëz të tjerë në botën shqiptare e më gjërë, po shpreh disa mendime nga përvoja ime dhe nga c’kam lexuar e dëgjuar për këtë temë.
Më përpara martesat (jo vetëm tek ne shqiptarët), kanë qenë objekt interesash dhe shumica nuk kanë patur asnjë lidhje me dashurinë. Kështu kanë vepruar mbretëritë, bajraqet, fiset, shtëpit etj, duke thënë :” kemi zënë një miqësi të mirë, derë fisnike, derë bujare, shtëpi pushke e trimërie, shtëpi e kamur etj etj.
Por dashuria në të vërtetë nuk është interes. Për të ka shumë përkufizime, thënie të qëlluar dhe zbërthime, të cilat vërtetojnë se ajo është ndjenja më e thellë dhe më e bukur njerëzore që të jep qetësinë e duhur shpirtërore dhe të motivon për të jetuar me të gjitha të mirat që na rrethojnë. Dashuria është plotësim i shpirtit të boshuar, në ankth ,në pritje, në ekstazë, në zemrim, në stres e trysni, madje edhe në rutinën e përditëshme. Pa dashurinë s’do të kishte kuptimin e duhur vetë jeta, sepse ajo kërkon më së pari të falësh dhe të marrësh dashuri, madje të kujdesesh se mos ajo venitet, dobësohet ose humbet. Humbja e dashurisë është errësirë e madhe dhe boshllëk shpirtëror.
Në gjykimin tim dashuria nuk është gjithnjë në brendinë e një lidhjeje,( fejese, bashkjetese apo martese). Madje statistikat dhe studiuesit tregojnë se martesa në shumicën e rasteve është vrasëse e dashurisë. Por edhe si e tillë martesa (bashkjetesa), është domosdoshmëri se pa të cilën, ska riprodhim të jetës, ska familje si bazë e shoqërisë, ska vijimsi dhe në fund ska edhe dashuri.
Dashuria në një aspekt tjetër, cfaqet edhe si një lidhje e fortë shpirtërore me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vllezërit , motrat, nipat, mbesat, kushërinjt, gjakun e gjininë, shokët, miqt, kolegët, dashamirët etj. Po ashtu cfaqet edhe për kombin si një forcë e brendëshme shtytëse për mardhënie të forta e të qëndrueshme politike, ekonomike, kulturore, etike, estetike, morale, ushtarake, shkencore, sportive etj.
Nuk ka gjë më të keqe për dikë, që nuk dhuron e nuk pret dashuri. Shpirti i tij i boshtë, ka humbur cdo gjë, përfshi dhe shpresën që thonë se vdes e fundit.
GËZUAR këtë Shën Valentinin dhe shumë e shumë të tjerë shoqëruar me një oqean me dashuri.