Washington, D.C., 17 Shkurt 2024/
Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në SHBA ka organizuar një event gjithë ditor në objektin e ri të Ambasadës në Washington D.C., dedikuar bashkatdhetarëve në SHBA.
Në pritjen e organizuar morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve nga pjesë të ndryshme të SHBA-ve, duke shënuar së bashku shpalljen e pavarësisë Kosovës, 16 vjet më parë.
Të pranishmit me nga një fjalë rasti i përshëndetën Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli dhe miku i madh i Kosovës, Ambasadori William Walker.
Ndërkaq, më 14 shkurt, Ambasada e Kosovës në SHBA në partneritet me Kongresistin Nga Nju Jorku, Ritchie Torres, ka organizuar një pritje për bartësit e institucioneve të SHBA-së dhe për trupin diplomatik në Washington, D.C.
Në eventin e mbajtur në Librarinë e Kongresit, para të pranishmëve, nga një fjalë rasti kanë mbajtur Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, Kongresisti Ritchie Torres dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar.
Të pranishëm ishin edhe disa kongresistë të SHBA-së, duke përfshirë Kongresistin e Connecticut Jim Himes, Kongresistin nga Texas Nathaniel Moran si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të tjera, ambasadorë dhe diplomatë të shumë shteteve të akredituar në SHBA.