Për disa vjet, z. Ylli Polovina ka shërbyer në Përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë në Romë dhe më tej në Ministrinë e Jashtëme. Nga Ditari i tij i Romës ka dalë edhe ky libër që mëton të pasqyrojë një dukuri kryesore në marrëdhëniet e shtetit demokratik shqiptar me fqinjën e tij të përtejdetit, për afro 10 vjet.
Unë vetë, mbase edhe shumë bashkëkombës të mij, që i kemi përjetuar ato ngjarje kryesisht përmes shtypit e TV, nuk mund ta kemi kuptuar kaq thellë sikurse autori i këtij libri dramën e madhe të betejës së shtetit me transportuesit ilegalë të klandestinëve nga bregdeti shqiptar në atë puliez-italian. Po ashtu të tensioneve politike ndërmjet qeverisë sonë dhe asaj italiane gjë që pasqyrohej në shtypin dhe median sidomos të vendit fqinj të madh dhe në opinionin vendas italian ndaj emigrantëve shqiptarë. Fatmirësisht kjo situatë mund të konsiderohet tashmë e kapërcyer. Shqiptarët, edhe ata në Itali, me punë e tyre të ndershme dhe mijëra bizneset e hapura nga ata e kanë përmirësuar dukshëm imazhin për ta dhe për Shqipërinë. Këtë e ndjej edhe unë personalisht, pasi të dy djemtë e mij jetojnë e punojnë atje që prej njëzetë vjetësh.
Sigurisht, kontrabanda gjallërohet dhe forcohet atëhere kur ka ndalesa, shtrëngime, në këtë rast edhe mungesë të liberalizimit të vizave. Gjithkush e ka vënë re se si ka ndryshuar qendrimi i qytetarëve të Shqipërisë ndaj problemit të emigrimit ilegal pas dhjetorit 2010 kur ata e fituan të drejtën të lëvizin lirisht në tërë zonën Shëngen.
Por edhe përmirësimi i kushteve të jetës në Shqipëri ka ndikuar ndjeshëm në këtë çështje.
Mjerisht bashkëkombësit tanë në Kosovë jetojnë ende në një “ishull” apo “geto” brenda Evropës, nuk kanë të drejtë të lëvizin përveç vetëm në katër vende fqinj. Ky fakt dhe papunësia masive shkaktoi edhe eksodin e tyre të vërejtur gjatë periudhës shtator 2014-shkurt 2015.
Z. Ylli Polovina jep fillimisht kronikën e një ngjarje të pazakonte gjatë 46 viteve të regjimit komunist: hyrjen në ambasadën italiane në dhjetor të vitit 1985 të gjashtë anëtarëve të familjes Popa, të cilët mundën të shkojnë në Itali vetëm në maj të vitit 1990. Mandej ai ndalet ne ikjet e tjera që kulmojnë në korrik 1990 me “invadimin” e ambasadave të huaja nga mijëra shqiptarë. Ato ditw unw dhe djali im i vogwl ndodhesha nw Itali si mysafir te tezja. Ngjarjen e mësova nga televizioni. Në fakt u befasova. Paskëtaj nxitova të kthehem në shtëpi nga droja për familjen dhe djalin tjetër më të madh. Nuk e harroj, kur kaluam me furgon në rrugën e Durërsit dallova një kordon të madh me skëndërbegas që kishin bllokuar hyrjen në rruhën Skëndërbej ku ndodheshin shumica e ambasadave të huaja. Disa ditë më pas na mblodhën në Shesh Skëndërbej për të “dënuar” veprimin e iksësve në ambasada. Vëllezërit e mij nuk kishin guxuar të hynë në ambasada gjithnjë duke dyshuar në një lojë të shtetit komunist. Ata ikën në emigracion me viza të rregullta.
Padyshim, viti 1991 shënoi eksodet masive biblike të shqiptarëve në Itali e Greqi. Të gjitha këto pasqyrohen në libër kronologjikisht me shifra dhe emocione.
Për dhjetë vjet (1992-2002) vijoi historia e transportit të klandestinëve me gomone e cila u shkaktoi mjaft kokëçarje si qeverive demokrate ashtu edhe socialiste, po ashtu atyre italiane, por mbi të gjitha u shoqërua edhe me shumë fatkeqësi njerëzore.
SHFLETIME- Ja disa fragmente nga libri:
f.41
Kontrabanda e shtetit komunist
Nuk ishte hera e parë që media italiane bënte të ditur se organizata e tyre mafioze Santa Corona Unita kishte bërë, që prej fillimit të viteve tetëdhjetë, një marrëveshje të fshehtë me shërbimin e fshehtë shqiptar, Sigurimin dhe të dy merreshin me trafik duhani.
f.64-65
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, faturat që shoqëronin një djath (të ndihmave italiane), tregonin se ai ishte paguar me 9000 USD /t kur në tregun evropian gjendej me 1300 USD/t.
“Kemi pritur ndihma për dhjetë miliardë lireta dhe ajo që ka arritur nuk e vlen as sa gjysma e kësaj shume”- vijonte ankesa nga Tirana. “I kemi magazinat plot me kuti sallatash dhe lëngje frutash, kur në të vërtetë kemi kërkuar grurë, miell, qumësht dhe mish. Nga këto pothuaj nuk ka mbërritur asgjë”.
..Organizmi me prestigj i OKB-së që merrej me mbrojtjen e jetës së fëmijëve, shpalli alarmin: në Shqipëri një fëmijë në tre vuante nga mosushqimi dhe vdekshmëria foshnjore dy vitet e fundit në këtë vend ishte rritur nga 24 në 34 për mijë.
f.67
Më 15 tetor, mes shumë përfoljeve, u bë e njohur se Prokuroria e Romës kishte nisur hetimet për ndihmat dhënë Shqipërisë gjatë vitit 1991 nëpërmjet shoqërisë “Levante Co”.
f.69
Mbytje në vitin e Ri 1993
(Më 30 dhjetor 1992) u mbyt një peshkarexhe vetëm 3 km larg brigjeve pulieze. Nga 15 vetë në bord shpëtoi vetëm njëri, 24 vjeçari S.K…Në vesh ende nuk i ishin shuar ulërimat e shokëve të tij, thirrjet për ndihmë dhe më në fund heshtja e rëndëe dallgëve të atij deti gjashtë ballësh, shiu që binte, i ftohti dridhës.
f.78
Në 24 prill (1993) në Shqipëri bëri një vizitë papa Vojtila, për të cilin një muaj më parë kuestura e Triestes kishte mbledhur disa të dhëna se donin ta vrisnin pikërisht gjatë kësaj vizite dhe se atentatorët do të ishin myslimanë…Por agjentët 007 verifikuan në vend situatën dhe nuk konstatuan ndonjë rrezik, po ashtu vunë re gatishmërinë miqësore që vihej re tek myslimanët shqiptarë për ta konsideruar Papën një mik të vendit të tyre.
f.91
Nga qershori (1995) deri në fund të javës së parë të gushtit buletinet e operacionit “Salento” regjistruan 1196 klandestinë të bllokuar. Ose njëzetë në ditë. Përfunduan në sekuestrim 90 skafe.
f.93
E megjithatë zbarkimet ilegale vijuan bashkë me mbytjet e radhës. Më 12 shtator një gomone tetë metra e gjatë dhe me 30 emigrantë mbi shpinë mori flakë dhe shumica e klandestinëve të pafat, përmes klithjeve e thirrjeve për ndihmë, humbën jetën mes territ dhe dallgëve. Tragjedia ndodhi në ujrat ndërkombëtare, njëzetë milje nga porti i Vlorës dhe njëzetetetë nga ai i Otrantos.
…Kur firmat piramidale atë vit nisën të jepnin 10-12 % interes në muaj shumë skafistë i shitën gomonet dhe i depozituan paratë në këto firma…Po kështu edhe emigrantët.
f.96
Kontrabanda e cigareve nga Mali i Zi konkuron
Në një rrugë një skaf kontrabande duhani nxirrte nga 500 milionë gjer 1.5 miliardë lireta fitim, kurse një gomone shqiptare me klandestinë deri në 30 milionë lireta.
f.105
Mbytja me goditje e “Katerit të Radës” në mars 1997 i mori jetën 106 vetëve nga 142 gjithsej që ishin në bordin e saj.
f.113
Me 11 dhe 12 dhjetor (1998) në bregdetin puliez u identifikuan dhe u bllokuan gjashtëqind klandestinë, me 27 – treqind të tjerë, duke bërë të rezultonte për të gjithë vitin 1998 një shifër prej 38 mijë njerëzish. Kjo donte të thoshte më shumë se dy herë nga një vit më parë.
Me ritëm të lartë gjatë vitit 1998 vijuan edhe jetëhumbjet. Më 19 janar një tridhjetëvjeçar nga Vlora u ça nga helika e skafit, ra në ujë gjatë një manovre të tij..Me 9 shkurt në mesnatë deti u egërsua dhe një skaf i gomtë u shfry nga njëra anë, shumë udhëtarë ranë në ujë, duke u përpjekur të mbaheshin me thonj te gomonia. Por për një pjesë deti u bë një vrimë e zezë përpirëse….Kur erdhën ndihmat vetëm 14 vetë kishin mundur të mbijetonin. Dy kufoma i gjetëm menjëherë tek notonin përreth gomones gjysmë të shfryrë, tre trupa të tjerë pas ca kohe dolën mbi ujë, por ranë dhe u zhdukën nën ujë sërish. Njëra nga viktimat quhej Mariola, njëzetë vjeçe. I ati prej vitesh jetonte e punonte në Itali dhe po e priste. Kur e pa trupin e saj në morgun e Brindisit dhe e njohu ja dha një ulurime rrënqethëse.
Më 2 mars një emigrant nga Durrësi, tridhjetëvjeçar, ra në det dhe helika e çau në përmes.
Më 25 tetor eksodi mori jetë të tjera (gjashtë vetë) kurse më 29 nëntor vdiqën të tjerë. (katër që ishin nga Shqipëria e Kosova)
f.127
Nuk kanë munguar edhe sjelljet kriminale, ku skafistë të veçantë, më shumë se të punësuar tek “bosët”, aventurierë të pavarur, t’i kenë lënë klandestinët e zbarkuar pa shoqërues, nëpër shkëmbinj larg bregdetit, i kanë çuar në ishuj shqiptarë dhe u kanë thënë “mbërritët në Itali”, i kanë kërcënuar me armë apo me thika.
f.163
Ana Oksa, (Hana Hoxha) fituese e festivalit të San Remos (1999) deklaroi para gazetarëve: Nuk janë shqiptarët ata që po prishin Italinë. Ajo që po kalojnë ata mund t’u ndodhë të gjithë popujve. Jepuni një dorë shqiptarëve, ndihmojini, sepse aajo që po ngjan me ta mund të ndodhë edhe me ju.
f.165
Gazetari Bruno Krimi:
Qeveritë greke, përfshi edhe atë të Kosta Simitis, janë aleatë me Millosheviçin, një nga armiqtë kryesorë të Uashingtonit.
f.175-176
Në 17 janar 2000 “La Gazzetta del Mezzogiorno” botoi shkrimin “Gomonia e mbytur” dhe rrëfimin tragjik: ishte një helikopekter i Rojes Financiare Italiane që kishte diktuar afër ishullit të Sazanit mbeturinat e gomones së shpërthyer dhe të përmbysur. Motovedeta që shkoi në vend, vuri re mbi shpinën e skafit kufomën e dekompozuar të një gruaje. Të dhënat e para flitnin për 59 të vdekur, shumica shqiptarë, pastaj katër vajza moldave, disa kinezë, jo pak kurdë.
Më 19 janar shumë nga gazetat kryesore italiane filluan të numëronin të gjithë klandestinët e mbytur në det gjatë vitit 1999. Ishin që të gjithë të ardhur nga Shqipëria: 177
f.199
Kataldo Mota, shef i distriktit të antimafies të Salentos: Lufta në det pothuaj është e pamundur, ndoshta duhet ndërhyrë seriozisht në Shqipëri. Mbase duhet rimenduar për ta ndryshuar radikalisht trajtimin e dukurisë së emigracionit në një mënyrë për ta nxjerrë nga këto kushte ilegaliteti.
f.203
..që nga janari i vitit 2000 në Itali ishin kapur 3780 klandestinë ose më pak se gjysma e periudhës së njëjtë të vitit të shkuar.
f.210
(Më 26 korrik gazeta “Corriere della Serra”) : Italia për Shqipërinë është një lloj Amerike…shqiptarët gjithsej janë sa banorët e Romës, toka e tyre është e madhe pak a shumë sa Siqelia, tre vetë në dhjetë nuk lexojnë dhe nuk shkruajnë, katër kryetarë familjesh në dhjetë janë të papunë..
..600 miliardët e shpenzuar nga Italia për Shqipërinë ose aq sa kanë dhënë së bashku amerikanët dhe grekët…300 miliardë shpenzime që prej vitit 1991, 470 miliardë të tjera për projekte në përfundim apo në prag të ekzekutimit..
f.215
Gazeta “La Repubblica” botonte një statistikë sipas të cilës: në Itali kishte 127 mijë emigrantë me leje qëndrimi të rregullt dhe 27 mijë klandestinë të dëbuar.
…Nuk i interesonte fakti që:
sa të ardhura i sillte vendit të tyre tregtia me Shqipërinë dhe sa ishin në vend fitimet e ndërmarrjeve italiane në Shqipëri, ku masivisht rroga mujore e shqiptarëve të punësuar në to nuk i kalonte 150 mijë lireta në muaj. Po ashtu, sa miliarda lireta kishin mbushur bankat italiane nga puna e ndershme e 132 mijë emigrantëve shqiptarë të rregullt, për të mos thënë më pas se për sa pleq përkujdeseshin ata, sa fëmijë mbaheshin prej tyre, sa shtëpi pastroheshin, në sa fusha mblidhej domatja e vilej ulliri, sa bagëti rritnin duart e tyre me kallo dhe sa tokave u shkulnin ferrat.
..Sipas Fondit Monetar Italia është konfirmuar si partneri i parë tregtar duke thithur 68 % të eksporteve shqiptare dhe duke kontribuar me 34 % në importet e këtij vendi.
f.239
Më 2001 shifrat dëshmonin se klandestinët e ardhur nga Shqipëria nëpërmjet skafeve ishin pakësuar tre herë, kurse 2002 u bë viti i tatëpjetës së tyre finale. Më 22 shkurt italianët Xhankarlo Korbeli, Graciano Pardini dhe tre bashkëpunëtorë të tyre u vunë nën pranga nga DIA e Barit me akuzën për furnizim me skafe të kontrabandistëve të cigareve në Greqi, Shqipëri e Mal të Zi.
…Sokol Koçiu, tashmë i arrestuar dhe i akuzuar nga një gjykatë në Tiranë për trafik droge do shërbente si fije e magjishme për t’i shpënë prokurorët italianë të Barit në kantierin “Regalo sh.p.k” në Shkozet të Durrësit.
f.235
Shqipëria nuk ishte më “Republika e Skafeve”.