Qëndrimi i gazetës “Dielli” ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë dhe qeverisë amerikane gjatë viteve 1945-1955/
Nga Idriz Lamaj*
Viti 1945 Pas çlirimit të Shqipërisë nga forcat nazifashiste, në fund të vitit 1944, Federata Panshqiptare Vatra, pa humbur aspak kohë, njeh pa rezervë qeverinë e re të kryesuar nga Enver Hoxha. Duke filluar nga 10 janari i vitit 1945, në gazetën “Dielli” botohen telegrame përshëndetëse, artikuj redaksionalë dhe materiale të tjera të një natyre entuziaste për udhëheqësit e rinj komunistë dhe Shqipërinë e re, siç e cilësonte “Dielli”. Në editorialin e po këtij numri, thuhet ndër të tjera: “Në një mënyrë të çuditshme, kjo qeveri pasqyron shkallën më të lartë demokratike.” (“Dielli”, 10 janar 1945).
Katër muaj ma vonë, kur filluan të dalin në shesh qëndrimet negative të regjimit të Tiranës ndaj vendeve perëndimore, në editorialin e organit të saj, “Vatra” pohon zyrtarisht se qeveria shqiptare është fajtore për krizën e marrëdhënieve me vendet perëndimore. Në këtë editorial, kritikohet qeveria e Tiranës, por shumë më ashpër kritikohet qeveria amerikane. Aty thuhet se qeveria amerikane po përdor ndihmat ushqimore për qëllime politike e jo humanitare. Për krizën midis Tiranës dhe kryeqyteteve të vendeve perëndimore, “Dielli” fajëson propagandën e ballistëve dhe të Abaz Kupit, për të cilët thotë: “…po i japin ngjyra tepër majtiste qeverisë së re shqiptare pranë qarqeve perëndimore dhe qarqet perëndimore po keqinformohen mbi gjendjen e vërtetë në Shqipërinë e re demokratike…” (“Dielli”, 7 prill 1945).
Pak muaj më vonë, “Dielli” proteston kundër mosnjohjes së qeverisë shqiptare nga ana e vendeve perëndimore dhe sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tek “Dielli” shkruhet: “Çdo gjë në Shqipëri shkon në rregull. Enver Hoxha gëzon mbështetjen e plotë të popullit shqiptar.”, (“Dielli”, 7 prill 1945).
Nga mesi i atij viti, kur UNRA pati dërguar, si ndihmë ushqimore, 9500 tonë grurë dhe miell dhe pritej të dërgonte çdo muaj nga 10.000 tonë, gazeta “Dielli”, duke i lënë në heshtje këto ndihma, fillon t’i japë një përkrahje të plotë Bashkimit Sovjetik. “Dielli” pohon se sovjetikët njohën qeverinë e re shqiptare, ndërsa vendet perëndimore po e sabotojnë atë. Udhëheqësit komunistë vlerësohen kështu: “Udhëheqësit e Shqipërisë së re janë anëtarë të partisë komuniste. Ata besojnë sinqerisht në revolucionin e tyre. Ata do të vendosin demokracinë pa marrë parasysh format propagandistike që përdor qeveria e tyre.” (Glenn A. McLain, “Albanian Expose”, 1952, faqe 61).
Në nëntor, kur në Shqipëri bëhej propagandë e madhe për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor, “Dielli” shkruan: “Le të mos dyshojmë aspak mbi demokracinë, shtypin e lirë dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri. Shqipëria kurrë më parë nuk ka pasur zgjedhje më të lira se zgjedhjet që do të zhvillohen me 2 dhjetor të këtij viti.” (“Albanian Expose”, f.61).
Për vitin 1945, nuk ishte për t’u çuditë për qëndrimin politik të “Vatrës” ndaj regjimit komunist, sepse Shtetet e Bashkuara ende nuk e kishin bërë të qartë qëndrimin e vet poltik ndaj qeverisë së Tiranës. “Dielli” dhe “Vatra” nuk kishin asnjë të dhënë se çfarë po ndodhte brenda në Shqipëri. Ishin të informuar vetëm nga të dhënat që u jepnin përfaqësuesit komunistë shqiptarë, që vepronin në Kombet e Bashkuara, pranë shërbimit jugosllav. Noli përpiqej t’i ndihmonte ata në përkthimin e kushtetutës dhe hartimin e materialeve të tjera diplomatike, që i kërkonte koha. Qëndrimi i Nolit ishte i qartë. Ai përpiqej për t’i siguruar Shqipërisë anëtarësimin në OKB, me qëllim që të sigurohej integriteti tokësor i shtetit shqiptar.
1946 –1947 Gjatë këtyre viteve, temat më të rëndësishme për gazetën “Dielli” bëhen: çështja e propozimit për pranimin e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Çështja e Epirit, incidenti në Gjirin e Korfuzit dhe Doktrina e Presidentit Truman për frenimin e përhapjes së komunizmit.
Në fillim të vitit 1946, kur ministri i Jashtëm amerikan kundërshton pranimin e Shqipërisë në OKB dhe kërkon që qeveria komuniste e Shqipërisë të njihte traktatet e paraluftës, gazeta “Dielli” reagon me këtë editorial: “Lincolni do ta pranonte Shqipërinë në OKB për arsye se e urrente hipokrizinë dhe dy fytyrësinë politike. Shtetet e Bashkuara nuk e pranuan Shqipërinë për arsye se Shqipëria i dha një grusht të rëndë fashizmit.” (“Albanian Expose”, f.62).
Editori i “Diellit”, në mënyrë të tërthortë, e cilëson ministrin e Jashtëm amerikan si profashist dhe, për herë të parë, në vija të gjera, fillon përkrahjen e Moskës duke cilësuar politikën sovjetike ndaj Shqipërisë si politikë të një vendi të vërtetë demokratik.
“Dielli” e mbyll vitin 1946, duke kritikuar Perëndimin në këtë formë: “Diell i flakët është guverna demokratike e Enver Hoxhës, e cila pa dyshim është e fortë si brenda si jashtë. Brenda, përveç veprave të tjera konstruktive, ka mundur të zbatojë reformën agrare me rrënjë dhe të transformojë Shqipërinë nga një çiflik bejlerësh në një tokë të fshatarëve dhe të punëtorëve. Jashtë, për here të parë në historinë e saj Shqipëria e vogël qëndron ballëpërpjetë dhe di t’ua jap xhevapin kapadainjëve që i bien në qafë, qofshin të humbur si Greqia, qofshin të mëdhenj si Anglia.” (“Dielli”, 27 nëntor 1946).
“Dielli” e fillon vitin 1947 me trajtimin e çështjeve të radhitura në fillim të vitit të mëparshëm dhe hap një fushatë tjetër të ashpër polemizuese kundër kundërshtarëve politikë të regjimit komunist. Këtu po citojmë disa paragrafë të nxjerra nga editoriali me titull “Dy fjalë për ballistët”. “Si të gjith reaksionarët e tjerë në botë, ashtu edhe ballistët tanë, të emigruar në Itali e gjetkë, kanë marrë ofensiva, në mos me armë, po të paktën me pendë e propagandë. Si duket besojnë seriozisht që për së shpejti do të kërcas një luftë ruso-amerikane, e cila do t’i shpjerë nga syrgjyni në Tiranë. Shpresat e tyre duken fare të kota. Ballistët tanë kanë vdekur moralisht dhe nuk mund të ngjallën më. Nga ana tjetër, lufta nga e cila kanë shpresë të ngjallën nuk mund të ngjajë aq shpejt sa t’u hyjë në punë. Nuk ka shqiptar aq budalla sa të mos dijë se ballistët tanë vdiqën një herë e mirë, po sa falimentoi politika e tyre. Bashkëpunuan me fashistët italian dhe nazistët gjerman me shpresë që të fitonin luftën tok me ta. Me këtë taktikë jo vetëm vranë veten por vranë edhe Shqipërinë. Desh perendia, dualën në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aleate. Guverna e Enver Hoxhës jo vetëm shpëtoi Shqipërinë nga vdekja po tani i vë themele të patundura shtetit me reformat dhe veprat konstruktive.” (“Dielli”, 26 mars 1947).
Mbas fjalëve të ashpra kundër ballistëve, në këtë editorial kritikohet Doktrina e Trumanit kundër komunizmit si “profkë për të fituar votat e reaksionarëve amerikanë, si manovër diplomatike e cila nisë në Greqi dhe në Turqi dhe një meze e vogël për fabrikat amerikane që bëjnë topa dhe xhephane për evzonët dhe anadollakët.” (“Dielli”, 26 mars 1947).
Në mars të këtij viti, fillon botimi i gazetës “L’Albanie Libre”, organ i Blokut Kombëtar Indipendent, e cila zhvillon një fushatë të aspër kundër “Diellit” dhe “Vatrës” për mbështetjen që i bëjnë regjimit komunist. Kjo gazetë nuk lexohej në Amerikë me përjashtim të disa personave dhe nuk kishte ndonjë efekt në komunitetin shqiptaro-amerikan, për arsye të mungesës së qarkullimit. Në të njëjtën pozitë ndodhej edhe gazeta e Ballit Kombëtar, “Flamuri”.
1948 –1949 Viti 1948 mund të konsiderohet për “Diellin” si viti i vështirësive të reja në ndjekjen e politikës së vet. Ndodh prishja e marrëdhënieve midis Moskës dhe Beogradit. Për këtë aventurë sllavokomuniste, “Dielli” fajëson Beogradin, të cilin e kishte mbështetur më parë. Tani përkrah Moskën.
Një rendësi të posaçme i jep kandidaturës së zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, duke mbështetur kandidatin liberal të Partisë Progresive (Progresiv Party), Henry Wallace.
Qerim Panariti përdor shtypin liberal amerikan për të përgatitur strategjinë e vijës politike të “Vatrës”, me të cilën përpiqej të mbrohej nga kritikat e ndryshme si antiamerikan dhe prokomunist. Në të njëjtën kohë vazhdon avazin e vjetër, përkrah dhe lavdëron qeverinë komuniste me anë të ribotimit të artikujve të gazetave të Tiranës, ku viheshin në dukje përparimet ekonomike dhe jeta e lumtur në Shqipërinë e re.
Këtë vit “Vatra” boton përmbledhjen e vjershave të Nolit me titull “Albumi”, i cili u dedikohet: “Kryetrimave që çliruan Shqipërinë nga fashistët, nazistët dhe nga bejlerët.” (“Albumi”, 1948).
Të gjitha problemet që trajton “Dielli” gjatë këtij viti janë tipike kundër politikës së jashtme të qeverisë amerikane. Të njëjtën metodë e ndjek edhe gjatë vitit 1949, ku politikën e jashtme amerikane e cilëson si ekspansioniste. Ai pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë paqe, sepse 10 deri 20 vjet paqe e shkatërrojnë ekonominë amerikane dhe ekonomia amerikane mbetet në vend, nëse Amerika nuk ndërlikohet në hapjen e luftave të reja.
Gjatë këtij viti, në faqet e “Diellit” gjejnë vend të posaçëm buletinet e lajmeve të Tiranës dhe të Moskës. Lajmet sillen pa asnjë koment ose vërejtje nga ana e editorit. Për prishjen e marrëdhënieve midis Beogradit e Tiranës, Panariti fajëson Beogradin: “Jugosllavia ishte shkaktare e krizës ekonomike dhe politike në Shqipëri. Tito ka provokuar kufinjët e Shqipërisë. Planet e Titos për shkeljen e sovranitetit të Shqipërisë janë të njohura.” (“Dielli”, 10 nëntor 1948).
Nga fundi i vitit 1949, “Dielli” kritikon ashpër Ministrinë e Jashtme Amerikane, duke theksuar se ka krijuar një qeveri në mërgim, nën udhëheqjen e mbretit Zog. Qeveria amerikane kritikohet edhe për konspiracion me Greqinë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut.
1950– 1951 Këto janë vitet më kritike për politikën e jashtme të “Diellit” ndaj qeverisë komuniste shqiptare dhe qeverisë amerikane. Megjithëse Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë ishte themeluar një vit më parë, më 1949, më 1950 fillon veprimtarinë e vet aktive në të gjitha fushat dhe këtë veprimtari e fillon nga Amerika. “Dielli” polemizon me këtë komitet. Kryetari dhe anëtarët e komitetit, gadi në çdo numër të gazetës, cilësohen si fashistë, tradhtarë, gjakpirës, ballistë, etj.
Problemi tjetër që i del “Diellit” është ardhja e peshkop Mark Lipës në Amerikë, të cilit i hap një front të ri lufte dhe, thënë të vërtetën, luftën kundër tij e bën me mjaft sukses. Këto dy vite “Dielli” armiqësohet me gjithë botën, me “Zërin e Amerikës”, radio “Free Evrope”, Ministrinë e Jashtme Amerikane, me senatorë dhe deputetë të ndryshëm, të cilët përkrahnin luftën e ashpër kundër komunizmit global dhe ndikimit komunist në Amerikë. Gjatë këtyre dy viteve, herë pas here, “Dielli” boton kritika të buta kundër regjimit të Tiranës, të cilat tingëllojnë më shumë si lutje se si kritika. Për këto lloj kritikash, editori i “Diellit”, Qerim Panariti, shpallet tradhtar nga regjimi i Tiranës.
“Dielli” ngrihet haptas kundër luftës në Kore, duke e quajtur të padrejtë dhe si ndërlikim amerikan në punët e brendshme të një vendi pa interes kombëtar për Amerikën. Kërkon që të lihet rehat Bashkimi Sovjetik dhe pretendon se sovjetikët nuk janë luftënxitës.
1952 -1953 Fushata e polemikës kundër asaj që gazeta “Shqipëria”, organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, e quan dalldisje e Qerim Panaritit, aspërsohet. Fillojnë konferencat e prof. Stavro Skendit nëpër komunitetet shqiptare të Amerikës kundër “Diellit”, Panaritit dhe Nolit. Në të njëjtën mënyrë vepron Vasil Alarupi, novelist i njohur. Shumë deputetë dhe senatorë amerikanë kritikojnë qëndrimin politik të “Vatrës”. Shkruhet libri “Albanian Expose” i Glean Mc. Lain-it kundër “Vatrës”, “Diellit”, Panaritit dhe Nolit. Polemikat marrin përmasa shqetësuese për “Diellin” dhe editorin e tij si dhe për udhëheqësit e “Vatrës”.
“Dielli” e mbyll kapakun e vet për vitin 1953 me këtë kritikë kundër komunizmit: “Jeta e njeriut, qoftë i madh qoftë i vogël, s’është fare e sigurtë nën sistemin komunis.” (“Dielli”, 30 dhjetor 1953).
1954 –1955 Në janar të vitit 1954, “Dielli” e fillon fushatën kundër regjimit komunist të Tiranës me një kryeartikull, që vetëm një njeri si Qerim Panariti mund ta shkruante. Ja titulli: “Shqipëria sot e ka surratin të shëmtuar”. Dhe vijon: “Në qoftë se Shqipëria ka bërë përparime nën regjimin e sotëm, përparimet duhet t’i shikojmë që t’i besojmë; përndryshe na hyn dyshimi. Një çupë e bukur nuk duhat ta mbuloj surratin; duhet të dalë jashtë me surrat hapur që t’a admiroj bota bukurinë e sajë. Përndryshe bota ka të drejtë të besoj se surrati i çupës është tepër i shemtuar. Po të jenë të vërteta ato që shkruan shtypi i Shqipërisë mbi zhvillimet e vendit që pas mbarimit të luftës e gjer më sot, s’ka përse të mbajë një Shqipëri të mbuluar si gratë…” (“Dielli”, 20 janar 1954).
Viti 1955 për “Diellin” dhe Qerim Panaritin ishte një vit më i lehtë për arsye se forcat politike nacionaliste në mërgim kishin përqëndruar veprimtarinë rreth problemeve të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, i cili ndodhej në shpërbërje e sipër. Kulmi i luftës së ftohtë ishte në rënie, ashtu siç ishin në zbutje e sipër edhe qarqet e ashpra antikomuniste të qeverisë amerikane. Në të vërtetë, “Vatra” kishte filluar të ndryshonte qëndrimin ndaj regjimit komunist të Tiranës, dy vjet me parë.
Në fillim të marsit, presidenti Eisenhower lajmon Kryqin e Kuq Shqiptar me anë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar se Amerika dëshiron t’i vijë në ndihmë popullit shqiptar dhe, për këtë qëllim, vë në dispozicion të tij 850.000 dollarë, të dhëna në ushqime. Gjithashtu, Presidenti amerikan merr përsipër shpenzimet e dërgimit të ushqimeve nga Amerika në portet e Shqipërisë.
Për këtë gjest humanitar dhe dashamirës ndaj popullit shqiptar, Noli i drejton presidentit Eisenhower këtë telegram: “Në emër të Kishës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë, dëshiroj t’ju falënderoj për ushqimet që bujarisht i dhuroni popullit shqiptar që vuan nga uria (stop). Kjo dhuratë do të çmohet thellësisht prej gjithë shqiptarëve të cilët dinë se Amerika kristiane dhe paqedashëse ka qenë dhe është shteti mik më i mirë i tyre”.
Peshkop Fan Noli 816 NW Third Ave, Ft Launderdale, Florida. (Shqipëria, 31 mars 1955).
Ndërkaq, Qerim Panariti i dërgon Presidentit telegramin që vijon: “Lutem më lejoni të parashtroj në emër të popullit shqiptar falënderimet zemrore për sendet ushqimore që bujarisht i keni ofruar për të lehtësuar vuajtjet e tij (stop). Ky gjest njerëzor kundrejt Shqipërisë do të shtojë edhe më tepër miqësinë tradicionale midis popullit Amerikan dhe popullit Shqiptar (stop). Shqiptarët nuk kanë harruar dhe nuk do të harrojnë kurrë përpjekjet fisnike të presidentit Wilson në Kongresin e Paqes në Versaj, në mbarim të luftës së parë botërore për të shpëtuar Shqipërinë nga një coptim midis fqinjëve të saj (stop).” (Shqipëria, 31 mars 1955).
Qerim Panariti, Sekretar Ekzekutiv i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, 30 Huntington Ave, Room 605 Boston Mass.
Dy-tri ditë më vonë, qeveria komuniste e Tiranës refuzon me përbuzje dhuratën e presidentit Eisenhower. Gazeta “Dielli” shënon këtë reagim: “S’na merrte mendja që Tirana të refuzonte ndihmën bujare të popullit Amerikan, ndonëse një marrëzi të tillë duhej ta prisnim nga një mentalitet i sëmur. Këtë refuzim mund ta përshkruajmë me fjalët e Ungjillit: Ndjeji o Zot, se s’dijnë se ç’bëjnë. Marrim këtë rast hidhërimi ti kërkojmë ndjesë me përunjësi popullit amerikan dhe presidentit Eisenhower për këtë turp tragjik që bëri Tirana këtë herë përmbi stommakun e zbrazët të popullit shqiptar”. (“Dielli”, 9 mars 1955).
Ndërkaq, Noli me një lloj zemrimi të veçantë shprehet: “Ore, lëre se nuk qenkan politikanë, këta nuk qenkan njerëz”. (Vasil Alarupi, “Fletë kujtimesh”).
Refuzimi i ndihmave humanitare bëri bujo në shtypin amerikan. Gazetat më të njohura si “The New York Times”, “The Washington Post”, “Boston Globe”, etj., kritikojnë regjimin e Tiranës dhe vënë në dukje se populli shqiptar nën regjimin komunist kalonte krizën e urisë së zezë në Shqipëri.
Me datën 3 gusht 1955, “Dielli” kritikon përsëri regjimin komunist të Tiranës me një artikull redaksional, duke theksuar se mbyllja e dyerve, izolimi i Shqipërisë ndaj Perëndimit dhe mos lejimi i shqiptarëve të Amerikës për të vizituar Shqipërinë hedh poshtë pohimet e regjimit komunist për demokraci, shtyp të lirë dhe përparim. Në numrat e pastajmë të “Diellit”, është fjala për deri në fund të vitit 1955, kritikat e kësaj natyre thellohen gradualisht, por në të njëjtën kohë, Panariti, herë pas here, sjell edhe ndonjë artikull në favor.
30 vjet më parë, me rastin e 60-vjetorit të “Diellit”, Hasan Dosti, ish-kryetar Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, të cilin vite më parë “Dielli” e kishte kritikuar pa mëshirë, vjen në këtë përfundim të urtë: “Veprimtaria e organizatës Vatra dhe lënda e botuar në të gjitha faqet e shtyllat e Diellit, kanë qenë ndjekur e po ndiqen me interes, jo vetëm prej shqiptarëve, por edhe prej shumë qarqesh të huaja. Në disa prej këtyre qarqeve lënda e Diellit ka qenë interpretuar, komentuar, dhe duhet të pranojmë, dhe shfrytëzuar qëllimisht e metodikisht në dëmin e prestigjit të Vatrës e të organit të saj.” (“Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare Vatra”, 1969, F.192).
Këtu përfundon zhvillimi kronologjik 10-vjeçar (1945-1955) i qëndrimit politik të “Diellit”, i paraqitur në vijat më të shkurtëra. Kjo periudhë meriton një studim të hollësishëm. Për këtë periudhë nuk mund të shkruhet objektivisht pa analizuar raportet e Ministrisë së Jashtme amerikane dhe rezolutat e botuara në Rekordet e Kongresit Amerikan (Congressionnal Reports).
Gjatë 10-vjeçarit në fjalë, në faqet e “Diellit” nuk botohet asnjë shkrim mbi vuajtjet, vrasjet e persekutimet e ushtruara mbi popullin shqiptar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Prej fillimit të vitit 1945 deri nga fundi i vitit 1499, gazeta “Dielli” mbron pa asnjë kritikë regjimin e Tiranës. Riboton nga shtypi komunist i Tiranës materiale pa komente as vërejtje, duke përfshirë edhe lëndë propagandistike kundër qeverisë amerikane.
Në vitet 49- 55, “Dielli” bën ndryshim gradual. Kritikon lehtë regjimin e Tiranës dhe nuk heq dorë nga kërkesa për përmirësimin e marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Tiranës. Kërkon që regjimi komunist të lejojë shqiptarët e Amerikës të vizitojnë Shqipërinë.
Për këto dy kërkesa këmbëngulëse dhe për zbutje të qëndrimit kritik ndaj qeverisë amerikane, shtypi komunist i Shqipërisë e shpall Panaritin tradhtar dhe fillon kritikat e ashpra kundra tij.
Përkrahja e regjimit të Tiranës nga një organizatë me prestigj si “Vatra”, duke pasur Nolin për kryetar nderi, shkonte drejtpërdrejt kundër interesave politike të qeverisë amerikane. Le të mos harrojmë se ishte 10-vjeçari i kulmit të luftës antikomuniste. Lufta e përgjakshme e Koresë, rënia e Kinës nën regjimin komunist, kërcënimet e Stalinit dhe pasardhësve të tij për përhapjen me dhunë të komunizmit në territoret e botës së lirë e kishin detyruar qeverinë amerikane të mirrte masa serioze edhe për sigurimin e brendshëm kombëtar nga ndikimi komunist.
Gjatë atyre 10-viteve, “Dielli” dhe “Vatra” i bënë sfidë lëvizjes nacionaliste shqiptare në botën e lirë dhe qeverisë amerikane, e cila e përkrahte këtë lëvizje në të gjitha drejtimet.
“Dielli” e ndryshoi qëndrimin politik ndaj Washingtonit dhe Tiranës nga trysnia e fortë e lëvizjes nacionaliste shqiptare dhe nga qarqet diplomatike amerikane.
Panariti dhe Noli në vitet 45 –55
Tani dy fjalë për Panaritin dhe Nolin gjatë asaj periudhe 10-vjeçare. E sjell Panaritin para Nolit, për arsye se ai ishte editori i “Diellit” dhe Sekretari Ekzekutiv i “Vatrës” dhe mori përsipër të gjitha të sharat dhe këcënimet mbi supe. Them i mori përsipër, sepse atij ju drejtuan dhe, derisa vdiq, nacionalistët në mërgim dhe komunistët në Shqipëri nuk e ndaluan fushatën kundër tij.
Ata e quajtën Qerimin komunist, prokomunist, faqe me nderë, liberal, sahanlëpirës, etj. Ai i quajti kundërshtarët e tij fashistë, tradhtarë, tiranë, hajdutë, bejlerë, gjakpirës dhe armiq të kombit. Le të mos çuditemi për këto shprehje. Me shprehje të tilla është ushqyer publicistika jonë dhe ende po ushqehet.
Panariti ishte gazetar profesionist, shkruante lehtë dhe kishte elasticitet në shkrime. Ishte njeri me mendësi liberale ammerikane. Kishte karierë në polemikën e tipit shqiptar. Sipas Petro Kolonjës dhe Faik Konicës, Qerimi i kishte qitë problem në polemikë. Konica kishte thënë për të: “Po ra Qerimi në burg, do të punoj tërë jetën për ta mbajtur brenda.” Noli i kishte thënë Faikut duke qeshur: “Po ra Qerimi në burg, unë shes kishën dhe e nxjerr nga burgu.”
Noli e quante Qerimin “babaxhan”. Atë e kishte krahun e dajthtë. Për këtë “babaxhani” ishte i vetëdijshëm aq sa ishte i vetëdijshëm se ishte lidhur për një kolos të pavdekshëm dhe të paprekshëm si Noli. Prandej, të sharat dhe kërcënimet, që i mori nga komunistët, nacionalistët apo qarqet amerikane, nuk e mërzitën shumë. Ai sot rron si dishepull i Nolit.
Tani kthehemi tek peshkop Noli. Ai e përkrahu një qeveri si atë të Enver Hoxhës, për t’i siguruar Shqipërisë praninë e shtetit të pavarur në gjirin e OKB-së. Këtë e bëri nga frika e paqartësisë politike perëndimore ndaj Shqipërisë. Nuk duhet të harrojmë se Kisha Ortodokse e Nolit, “Dielli” dhe “Vatra” janë krijuar si reagim ndaj kërcënimit të zhdukjes së Shqipërisë. Frika e zhdukjes së Shqipërisë nga fqinjët tonë, Kishën tonë Ortodokse, “Diellin” dhe “Vatrën” i mban edhe sot në ankth.
Gjatë asaj periudhe, Nolit i bëhen disa ftesa për të vizituar Shqipërinë. Asnjërën prej tyre nuk e pranoi. Ata që e njohën Nolin pohojnë se, si gjithmonë, ai ishte i qetë dhe nuk i mungoi humori e sarkazma gjatë atyre viteve. Sipas Vasil Alarupit, Noli thonte duke qeshur: “Qerimi na futi në luftë me shtatë kralat dhe mbretin. Qerimi duhet të shpallë armëpushimin.” Ndoshta me fjalën “shtatë krala”, Noli u referohej shtatë partive politike shqiptare dhe Komitetit Shqiptar Shqipëria e Lirë. Në atë kohë ishin tre fraksione të Ballit, Bloku, Katundarja dhe KKSHL.
Shtypi nacionalist i asaj kohe e quajti Nolin: peshkopi komunist, prokomunist dhe komunist. Ai ishte mësuar me këto relike qysh në vitet ’20 e ’30.
Noli arriti t’i shihte kundërshtarët e tij politikë të dërmuar nga komunizmi. Deri më sot nuk kam gjetur asnjë shkrim, qoftë edhe një fjali, që të shprehë keqardhje për goditjen që morën ata nga komunizmi. Ndoshta është gabim për të kërkuar një gjë të tillë. Sado i madh që ishte, Noli ishte shqiptar dhe nuk i harronte lehtë kundërshtarët e tij politikë. Ndërkaq, keqardhjen e Nolit për katandisjen e popullit shqiptar nën regjimin komunist e gjejmë shpesh në ato që mund të quhen shprehje noliane. Këtu po sjell dy prej tyre: “Shqiptarët dëshirojnë të bëhen luftra të mëdha sa më shpesh me qëllim që të dalin fitues në njërën prej tyre…” dhe “Duke ruajtur pavarësinë kombëtare popullit shqiptar i vijnë ditë më të mira…” (Letër e Nolit dërguar Nelo Drizarit, më 1961).
Fërkimet politike të Nolit me nacionalistët shqiptarë gjatë 10-vjeçarit të përmendur më lart, ngjasin shumë me fërkimet e tij politike, që pati me Konicën. Kur ishte puna e Shqipërisë, ai pajtohej me të sepse besonte në patriotizmin e tij. Në vitet e fundit të jetës së vet, Noli shkëmben urime për Krishtlindje dhe festa të tjera fetare dhe kombëtare me Baba Rexhepin, Tajar Zavalanin dhe Rexhep Krasniqin. Ai shkëmben mendime letrare me Arshi Pipën, Vasil Alarupin dhe Nexhat Peshkëpinë. Me këto gjeste, Noli lë si trashëgim vëllazërimin kombëtar dhe lartësimin e njeriut shqiptar mbi çështjet politike.
Unë besoj se në këtë mënyrë do të shikohet Noli edhe kur të kremtohet 180-vjetori i “Diellit” të shqiptarëve të Amerikës.
* Kumtesë e mbajtur në seminarin kushtuar 90- vjetorit të “Diellit”, në New York, më 30 tetor 1999
Fritz Radovani says
Ju falemnderes z. Lamaj per kete artikull te hapte.
Kur atje ne USA “falnderohej Enver Hoxha per terrorin kunder nesh, mendja yne na rrinte tek shpresa se ‘Amerika do te na shpetoje’. Kjo qe keni shpjegue Ju, po me kujton nje shprehje ne Shqipni: “Prit gomar te dalin bari…!” Sinqerisht Ju pershendes, F. Radovani.
petraq says
me pelqen shkrimi eshte realist.ka treguar ngjarjet ashtu si kane ndodhur.por do te ishte me i plote po te kishte dhene dhe mendimet e tije.kryesorja dhe motoja e levizjeve te nje shteti jane sigurimi i pavaresise se vendit te tije dhe vellazerimi i popullit te tije.dhe i gjithe populli e shtresat shoqerore duhet te perkrahin shtetin e tyre,te inkriminuarit e kane vendin ne burg.jam i mendimit qe gazeta dielli duhet te vazhdoje te perkrahe qeverine e shshqiperise pamvaresisht cila parti ka shumicen se ne kete menyre do te kontriboje me teper per sigurimin e pavaresis se vendit dhe futjen e shqiperise ne bashkimin europian.mjaft me me dasi shoqerore.jemi popull i perparuar.ne shkallen me te larte te zhvillimit shoqeror.nje shtet demokratik si demokracia amerikane.per kete punojme e luftojme ne shqiperi.mjaft me me mbeturina feudale borgjeze qe nuk i sherbejne popullit.qeveeria e re e shqiperise eshte nje qeveri perparimtare dhe ecen nen shembullin e anglise dhe amerikes.
Bep Pjetri says
U shastisa kur mësova për gjëmat që i ka ba kundërshtarve politikë të diktaturës Fan Noli. Gati të pabesueshme. Unë gati i kam të bleme veprat e tija letrare dhe ato studimore. Poliglot i padiskutueshëm. Ishte dhe mbeti idoli jem në letërsi. Nuk pendohem aspak për simpatinë tem për të.
Në ndërhymjet e tija në politikën kriminale të diktatorit ndikoi në frymëzimin dhe mbështetjen madje dhe të ideimit ndaj përsekucionit të një numri intelektualësh demokratë.
Në politikë ishte dhe mbeti zero.
Petro Luarasi says
Fan Noli është vigan pikërisht se qe mbi të gjitha atdhetar i flaktë, mendja i qëndronte mbi mediokritetin e cmirën e politikanëve sahanlëpirës dhe konjukturave politike. Ai e përbuzte diktatorin e sistemin e tij terrorist, por për hir të kombit dhe shtetit të pavarur shqiptar nuk e ulte në sytë e të huajve. Fakti që nuk e pranoi ftesën të vinte në Shqipëri, tregon gjithçka. Fan Noli mbeti Ati shpirtëror i atdhetarisë shqiptare para dhe pas luftës së dytë botërore, i pakompromentuar me politikën e ndyrë që ‘’për inat të vjerrës, flinte me mullixhinë‘’ (për të përmbysur Zogun, bashkëpunoi me pushtuesit fashistë, për të përmbysur E.Hoxhën, bashkëpunoi e mori lëmosha nga shovinistët fqinjë). Fan Noli i qëndroi deri në fund principit “ Uniteti kombëtar dhe ruajtja e ekzistencës së Shqipërisë mbi të gjitha”. Mendjemprehtësia, roli dhe rëndësia e veprimtarisë së tij ekuilibruese duken më qartë në ditët e sotme, sidomos përsa i përket fatit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare