(Mbresa )/
Nga Albana Lifschin*/
Ditë stuhie në Nju Jork. Erë e rrëmbyer dhe shi bashkë.
E para që e pësoi ishte çadra. Iu thyen telat, u mblodh e pastaj u var si një plaçkë pa vlerë. M’u kujtua buzagazi i Lumes në Tiranë kur i thashë se do të marr edhe çadrën me vete.” “Vërtet, do të duhet çadra në Nju Jork?”
Kur niset njeriu prej andej për të ardhur këtu, përcillet nga vështrime lakmitare, si për në parajsën e ëndërruar që jo gjithkush e ka për fat. Varfëria e madhe, trysnia psiqike prej kohësh i ka shtyrë njerëzit të ikin, të ikin… duke e menduar Amerikën si stacionin e fundit të prehjes, të qetësisë së shumëdëshiruar. Mjerisht edhe pas fitores së Demokracisë, ky mendim i përbindshëm që i rrëmben nënës fëmijën, familjes babain, gruas burrin, motrës vëllain, është ende prezent.
Stuhia vazhdon. Televizioni i këtushëm transmeton lajme e pamje përmbytjesh, makina të zhytura në ujë, njerëz të futur në ujë deri në gju, por pa viktima si në Lezhë, Malbardhë në Shqipëri. Spikeri paralajmëron njerëzit të mos dalin nga shtëpia, vetëm në raste të domosdoshme. Nuk di pse padashur buzëqesh me vete. Televizioni ynë në Tiranë nuk bën përkujdesje të tilla. Tek ne kur ka shi dridhen xhamat dhe era e fortë shkakton një farë frike. Njerëzit vështrojnë vrundujt e erës që pështjellin lagjen, shtëpitë, çatitë. Shiu hyn nga dritaret jo të puthitura mirë, duke krijuar shpesh herë rrëkera uji. Më e tmerrshme është kur ke ndonjë xham të thyer. Kurse këtu nga nga dritarja, stuhia shihet, por nuk ndihet. … Përgatis një kafe me qumësht. E shoqëroj me “Stella d’oro”-një mëngjes i lehtë si kundër i thonë këtu. Janë ditët e para dhe sa herë ulem për të ngrënë, mendja më shkon tek njerëzit e mi në Shqipëri. Po ata çfarë kanë ngrënë sot? Të ketë ardhur vallë rracioni i sheqerit që kanë dy muaj pa e parë me sy?
Televizioni flet tani për Somalinë. Somalia, Somalia, Somalia. Skelete anatomike që zgjasin gavetat për të marrë pak ushqim. Zë fytyrën me duar. Ruajna o Zot!
Radioja jep lajme në gjuhën shqipe ; “ Janë sulmuar dy italianë, pronarë të fabrikës së këpucëve… Nuk ka drita… “ Familja ime banon po në atë rrugë ku banom edhe presidenti Berisha. Është një rrugë fare e thjeshtë, por ne ishim më të privilegjuarit se nuk kishim gjithnjë errësirë. Dritat tek ne qëndronin më gjatë se të tjerët. Këtu mungesa e dritave dhe e energjisë elektrike është një absurditet, diçka e pakonceptueshme.
Këpus disa kokrra rrushi të verdhë. Tek ne dikur ky quhej rrush tajg. Dikur, pasi prej kohësh nuk e ka parë njeri me sy. Rrush i blerë në “Little Italy”, në Bronks. Përmasat e frutave, kokrrat e genjtenjave, arrat e stërmëdha( sa shumë i kërkojnë këto muaj në Tiranë per të bërë bakllavanë e vitit të ri) të portokalleve, bollëku i paimagjinuar i ekspozuar nëpër vitrina e tegzat jashtë dyqaneve, këto forma fantastike më bëjnë ta ndjej veten sikur më kanë hedhur këtu për të jetuar përallën e Shllafarisë. Kur ishim të vegjël e kishim shumë qejf këtë përallë, pasi na dukej se kullufitnim njëherësh të gjitha llojet e ëmbëlsirave, frutave e gjithë të mirat e kësaj bote.
Këtu ndodhet edhe redaksia e gazetës shqiptaro-amerikane ILLYRIA. Gazetarët e Ilirisë janë mjaft të interesuar për gjendjen në Shqipëri. Pyetjet e tyre janë të panumërta. Të interesuar, të shqetësuar, të përmalluar. Ç’tu them për një mbijetesë të dhimshme atje! Demokracia do ende punim,durim, tolerancë. Ajo nuk e gjen rrugën të shtuar me lule. Dhe biseda mbyllet me fjalët optimiste: “Do të rregullohet.” Dhe vështrojnë njeri-tjetrin në sy. Dhe përbrenda meje mbetet varur e shqetësuese pyetja: Po kur vallë?
Dhjetor,1992. Botuar tek gazeta ILLYRIA