Më 9 korrik 2024 ndërroi jetë profesori, poeti, studiuesi Nuhi Vinca, në moshën 91 vjeçare. Struga humbi birin e saj shqiptaria humbi albanologun e shquar studiuesin e thukët Nuhi Vinca.
U prehsh në paqe i nderuar prof. Nuhi!
POET I NISJETËS, MESJETËS DHE VAZHDIMËSISË
Shkruar në vitin 2006
Bexhet Asani
Të nderuar zonja e zotërinj, pjesmarrës në përurimin e librit të dr. Nuhi Vincës, mirë se keni ardhur. “Trilogji lirike” është përmbledhja poetike e dymbëdhjetë e dr.Nuhi Vincës e botuar para tri vjetësh nga pallati i kulturës “Vëllezërit Miladonovci” të Strugës. Ky vëllim poetik është libri i parë shqip që ka botuar ky pallat dhe ndër librat e fundit në mos i fundit që përurohet sot. Para tre vjetësh u botua, para tre vjetësh u lind fëmija dhe nuk iu bë tretnata, nuk iu vu emri, nuk u pagëzua dhe ja tani pas tre vjetësh po ia vëmë emrin, emri I librit është “Trilogji lirike” i profesor Nuhi Vincës libër më i mirë, më i arrirë artistikisht e më cilsori nga veprat e shumta të tij.
“Trilogji lirike” Vepra është e ndarë në tre kapituj edhe atë në Nis-jeta, Mes-jeta dhe kapitulli i tretë Dnuf Atej (shkruar mbrapsht: Fund Jeta ) apo Vazhdimësi siç dua ta kuptoj unë, sepse autori edhe pse në këtë moshë ai shkruan dhe është mjaft aktiv në jetën kulturore. Të gjithëve ne që jemi këtu na pëlqen më së shumti pjesa e dytë e kapitullit të tretë pra Vazhdimësi sepse poetin e kemi këtu në mesin tonë të kthjelltë, ai krijon edhe sot do të krijojë edhe shumë mote edhe pse është në rininë e vonshme së shpejti ai do të ketë dy festa jubilore, 50 vjetorin e krijimtarisë dhe 75 vjetorin e lindjes.
Disa ditë më parë Struga kishte festë, u bë inaugurimi i busteve të dy kolosëve të Rilindjes sonë kombëtare: busti i Dervish Himës dhe busti i dr.Ibrahim Temos në anën e djathtë të rrjedhës së Lumit Drin. Mbase është rastësi pse këto buste u ngritën në rrjedhën e djathtë të Drinit të Zi, por nuk është rastësi ana tjetër, ajo e veprës së tyre atdhetare e revolucionare. Këto dy figura ishin krahu i djathtë i lëvizjes për çlirim dhe emancipim kombëtar. Dy buste, u ngritën në Stugë, dhe kjo është dëshira gjysmake e testamentit të dr.Ibrahim Temos. Dëshira e tij ishte që eshtrat e tij të preheshin në Strugën e tij të bukur e të dashur, në atdheun e tij të përvuajtur që kishte bërë aq shumë për të.
Dy buste u ngritën në rrjedhën e djathtë të Drinit të Zi, po dy buste ngriti apo thënë ndryshe dy poezi thuri poeti Nuhi Vinca në “Trilogjin lirike” për këta kolosë të Rilindjes sonë dr.Ibrahim Temo dhe Dervish Himës. Kur këta heronj ishin në krye të çetës së studentëve të parët tanë kullosnin bagëtinë e lëvronin tokën me qe.
Le të lexojmë një çast “skulpturën poetike”, “Odë për Dervish Himën” që na ka dhuruar poeti Nuhi Vinca:
Im atë atëherë lëvronte me parmendë,
Ajsin e stapin e nxiste me shqipen blegtorale.
Kur ti marshoje në krye me Çetën e studentëve,
Me “Për mëmëdhenë” në atë këngë korale.
– Dhe lisat, gërxhet, krojet, zogjtë e malit,
Dukej sikur i mësonin bujkut rrugën e idealit.
“Dallgë jugu” është një vëllim poetik botuar më 1967 gati pa pak 40 vjet më parë. Nuk e përmenda ashtu kot fare, rastësisht këtë libër sepse “Poet i dallgëve” është poeti Nuhi Vinca. Nëpër revista e gazeta tona të përditshme kemi hasur krijuesin Nadir Vatra. Nadir Vatra është pseudonim i profesor Nuhi Vincës. Qoftë poezia e kohëve të shkuara domethënë e viteve të rinisë qoftë poezia që krijon edhe sot poeti Nuhi Vinca vërshon e freskon si dallgët e liqenit që aq bukur i këndoi ai.
Dhe në fund s’më mbeti gjë tjetër pos t’ i urojë jetë të gjatë dhe të na japë edhe vepra të tjera, pedagogu poeti, studiuesi dhe përkthyesi Nuhi Vinca