Blerina Omari, kordinatore e Shkollës së Gjuhës Shqipe dhe Trashëgimisë “Besa” në Boston, në një intervistë ekskluzive me Editorin e Diellit të Vatrës në New York, Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Boston, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
SHKOLLA E GJUHËS SHQIPE DHE E TRASHËGIMISË “BESA” NË BOSTON
Shkolla e Gjuhës Shqipe dhe e Trashëgimisë “Besa” i hapi dyert e saj në Mars të vitit 2006. Qëllimi dhe synimi i shkollës është që fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ruajnë gjuhën dhe traditat e vendit tonë. Klasat zhvillohen çdo të shtunë prej ores 10-12. Programi i shkollës bazohet në metodologjinë për mësimin e Gjuhës Shqipe që përdoret në Shqiperi. Klasat janë të ndara në 10-15 nxënës për të siguruar cilësinë e mësimdhënjes dhe përqëndrimin e nxënësve. Mesueset e shkolles shqipe janë të përgatitura nga ana profesionale dhe kanë një ekperiencë në mësimdhënie si në Shqipëri ashtu dhe në US. Mësuesit që kontribuojnë me përkushtim e profesionalizëm janë: Mimoza Mustafa, Valbona Nikolla, Teuta Idrizi, Klodiana Idrizi dhe Bashkim Braho instruktor i valles pranë Shkollës së Gjuhës Shqipe dhe Trashëgimisë “Besa” në Boston.
NË QUINCY DHE PEABODY TË BOSTONIT, MËSIM E VALLE SHQIPE
Për vitin shkollor 2022/23 mësimi në shkollën shqipe zhvillohet në dy qytete Quincy (South of Boston) dhe Peabody (North of Boston). Programi i shkollës ofron 2 nivele të mësimit të gjuhës: Parashkollor, Para-Abetare, Abetare si dhe ndërthurjen e mësimit të valles nën drejtimin dhe përkushtimin e z.Bashkim Braho. Programi i shkollës bazohet në metodologjinë për mësimin e Gjuhës Shqipe në Shqipëri. Duke pasur mbështetjen e komunitetit shqiptar (prindërit) dhe dëshirën e madhe për ruatjen e traditave, dhe trashëgimisë së kulturës dhe gjuhës shqipe, shkolla shqipe, stafi i saj kanë qenë të sukseshëm për t’ia arritur këtij qëllimi dhe për të përmbushur misionin e shkollës. Këtë vit kjo gjë ka qenë e dukshme tek pjesëmarrja e lartë e nxënësve në shkollën shqipe për të mësuar gjuhën si dhe vallen që është pjesë e programit mësimor.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË USA
Është e vërtetë që mësimi i gjuhës shqipe, ruajtja e traditave dhe kulturës shqiptare shërbejnë dhe ndihmojnë vazhdimësinë e trashëgimisë tek brezave të lindur në US në lidhje me vendin nënë.
AMERIKANËT MIRËPRESIN MËSIMIN SHQIP
Shoqeria amerikane është shumë tolerante dhe e hapur ndaj diversitetit dhe mësimin e gjuhës shqipe e konsiderojnë si një pjesë të rëndësishme të formimit të fëmijëve kundrejt kulturës dhe prejardhjes familjare. Kemi disa fëmijë ku një nga prinderit është i huaj (amerikan, turk, spanjoll etc) dhe këta prindër janë shumë të interesuar që të mësojnë gjuhën shqipe si për vete dhe për fëmijët e tyre. Ata e vlerësojnë shumë punën e komunitetit dhe të shkollës për të zgjeruar njohuritë e gjuhës shqipe që dhe fëmijët të ndihen të sigurtë dhe krenarë për identitetin e prejardhjes së tyre dhe me kulturën shqiptare.
AKTIVITETET EDUKATIVE E KULTURORE NË SHKOLLËN SHQIPE TË BOSTONIT
Shkolla shqipe ka organizuar shumë aktivitete në lidhje me festa të ndryshme si për shembull festa e 7/8 Marsit ku fëmijët zhvilluan një program të shkurtër me vjersha dhe këngë kushtuar mësuesëve dhe nënave. Gjithashtu nxënësit të veshur kuq e zi festuan ditën e Flamurit në muajin nëntor ku recituan vjersha të shkurtra në gjuhën shqipe për flamurin dhe atdheun.
KUSH ËSHTË BLERINA OMARI
Aktualisht Blerina është koordinatorja e shkollës shqipe në Boston. Ajo ka qenë e angazhuar me aktivitetet e shkolles shqipe që në hapat e saj të para për disa vite si mësuese/koordinatore. Blerina ka kryer studimet e larta dhe mbas universitare për matematikë/mësimdhënie në Boston dhe ushtron profesionin e ekonomistes për siguracionet shëndetësore. Ajo jeton në Boston që prej vitit 1992 dhe dëshira për të ndihmuar komunitetin dhe për të përcjellë njohuritë e gjuhës shqipe tek brezi i ri janë arsyet kryesore për kontributin në shkollën shqipe.