Nga Keze Kozeta Zylo
Në mjedise tejet komode të Qendrës së Konferencave dhe Trajnimeve në Jocobi’s Center, (Building Nr. 4) në adresën: 1400 Pelham PKWY S, Bronx, NY 10461, në një nga degët e Shkollës Shqipe “Alba Life” u zhvillua ceremonia e hapjes së vititi të ri akademik 2021-2022. Këto mjedise të përshtatshme u bënë të mundur nga z.Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut i cili është një politikan dhe ndihmës i jashtëzakonshëm për publikun. Prindërit dhe nxënësit folën fjalë miradie dhe shumë prej tyre ngelën të befasuar për klasat, auditoriumet, pastërtinë shembullore dhe rregullin. Z.Gjonaj i përshëndeti të gjithë prindërit dhe nxënësit duke i takuar kokë më kokë dhe duke i uruar një vit të mbarë.
Pas gati dy vjet ndërprerje nga Shkolla Shqipe shumë prej nxënësve kuptuan se u kthyen në normalitet edhe pse në fytyrat e tyre ishte vendosur maska mbrojtëse. Në sytë e fëmijëve shihja gazin dhe lumturinë që ndjenin duke u takuar me shokët dhe shoqet e tyre, edhe pse shumë prej tyre vazhdojnë të rrinë nëpër shtëpia nga frika e virusit tjetër “Delta”, pavarësisht se kanë dhënë konfirmimin për të vazhduar Shkollën Shqipe.
Pandemia botërore e mbylli brenda mureve njerëzimin dhe ende vazhdojnë të ndjejnë shkatërrimin që po sjellë Covid 19. Si shkollë ne nuk i ndërpremë kurrë mësimet pasi ishte e para shkollë në Diasporë që filloi programin mësimor në platformën Google Meet në Online.
Të gjithë koordinatorët, asistentët e programit mësimor dhe të artit, mësuesit shembullor si Arta Xhaferri, Blerim Gjocaj, Adelina Lacaj, Fatbardha Shiqerukaj, Mivete Krasniqi Veselaj, Dr.Manjola Duli, Majlinda Tafaj, Davida Hasanaj, të cilat kanë një përvojë të gjatë dhe shumica e tyre me licensat përkatëse nga shteti amë si dhe i Nju Jorkut erdhën me plot emocion duke i mbledhur nxënësit në klasat e tyre për të vazhduar normal mësimin.
Z.Qemal Zylo drejtori dhe themelues i TV dhe Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe dha udhëzimet përkatëse për procesin mësimor si dhe për të ndjekur protokollin e shkollës publike amerikane për rregullat e Covid 19.
Ai tha midis të tjerash se ne do ta vazhdojmë normalisht mësimin e Gjuhës Shqipe jo vetëm në shkollat publike, por dhe në Online. Pandemia botërore solli shumë ndryshime, por dhe një program të ri të mësimit në Online. Edhe këtë proces të mësimit ne nuk do ta ndërpresim, pasi kemi shumë nxënës si në Amerikë, Kanada etj që duan të mësojnë në këtë program dhe për këtë kemi marrë masat ta zhvillojmë normalisht. Konkretisht ne sot e filluam mësimin jo vetëm këtu në Bronx, por edhe në Online të drejtuara nga mësueset Gela Bulku dhe Sonilda Koci.
Mësimdhënia është kategori themelore e didaktikës, aktivitet i organizuar sistematik, krijues e interaktiv, me qëllim të zotërimit të përmbajtjeve të përcaktuara, përvetësimin e njohurive, shkathtësive dhe shprehive, dhe aftësimin e nxënësve për punë të mëtejshme dhe të vazhdueshme. Kushtet që ne u kemi krijuar nxënësve duke punuar fort si Bord me drejtuesit e shkollave amerikane, veprimtarët e ndryshëm bën që të jemi orientuar drejt dhe të kemi sukses në këtë mision kombëtar. Për shkak të pandemisë dhe vonesave të justifikueshme ne po presim permitet nëpër shkollat e tjera publike amerikane për të vazhduar mësimin normal. Nëpër klasa u ndanë librat ndihmëse për mësimin e Gjuhës Shqipe, ndërkohë po presin tekstet mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat janë porositur pranë qendrës së botimeve të Diasporës dhe priten të vinë së shpejti.
Aktualisht në këtë qendër ne kemi tri javë që kemi filluar përgatitjen e grupit artistik të valleve e këngëve i cili falënderoi koordinatorët Xhaferri dhe Gjocaj si dhe drejtoren e programeve artistike, mësuesen e nderuar znj.Lacaj, znj.Tafaj, të cilët kanë bërë një punë shumë të përkushtuar me nxënësit edhe pse kemi qenë në pushimet e verës. Provat kanë vazhduar me orë të tëra dhe për këtë ju jemi shumë falënderues. Shkolla jonë është e nderuar nga z.Mark Gjonaj për të marrë pjesë, më datën 19 shtator në hapjen e ceremonisë madhështore të inagurimit të Qendrës për shqiptarët në Bronx siguruar nga z.Gjonaj përfundoi z.Zylo.
Pas mësimit nxënësit vazhduan provat artistike me këngë dhe valle shqiptare një traditë ndër vite e shkollës dhe në fund u ulën së bashku për të ngrënë drekën sponsorizuar nga “Alba Life” dhe të shtunat e kaluara nga Blerim Gjocaj dhe Arta Xhaferri.
Dita e parë e shkollës cdo nxenesi I ngelet në kujtesë, por për këtë vit do të jetë si një memorje shumë speciale pasi pandemia i kishte izoluar për gati dy vjet dhe gëzimi dhe emocioni i tyre për ardhjen në shkollë ishte i papërshkrueshëm.
5 shtator, 2021
Bronx, New York