
Fabjola Metani, kordinatore e shkollës shqipe Ostellato (Ferrara) të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Ferrara, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Fabjola Metanin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHKOLLA SHQIPE NË OSTELLATO, RUAJTJA E GJUHËS DHE TRASHËGIMISË KOMBËTARE
Shkolla shqipe në Ostellato ka hapur dyert për nxënësit më 25mars të vitit 2023 me 25 nxënës dhe brenda një viti numri është dyfishuar. Mësimin e zhvillojmë një herë në javë çdo të shtunë nga ora 14:00 deri ne 16:00 Arsyeja e hapjes së kësaj shkolle është ruajtja e gjuhës shqipe dhe vlerave tona kulturore kombëtare, duke trashëguar në brezat e tretë gjuhën dhe traditat tona kombëtare. Një ndihmesë shumë të madhe në mbarëvajtjen e kësaj shkolle kanë dhënë edhe prindërit sepse siç e dimë që mësimdhënia në diasporë nuk është aq e lehtë sa mund të jetë në Shqipëri, për të çuar një shkollë të eci përpara duhet shumë bashkëpunime nga të dyja palët prind-mësues. Prindërit kanë qenë të pa përtuar dhe gjithmonë të gatshëm për çdo gjë dhe në çdo aspekt që ne si shkollë na është dashur ndihma e tyre.
NE RUAJMË GJUHËS E ZEMRËS
Komuniteti shqiptar e do dhe e ruan më së miri gjuhën shqipe duke filluar që brenda në familje, sepse ruajtja e gjuhës fillon që të trasmetohet brenda në familje dhe më pas nëpër shkolla, e në shoqëri. Ne e kemi parimin bazë trashëgiminë e gjuhës së zemrës. Por jo vetëm kaq, ne si komunitet shqiptar këtu në Itali jemi munduar që të përcjellim dhe festojmë çdo festë tradicionale bashke me fëmijët duke ia mësuar dhe trashëguar edhe atyre jo vetëm gjuhën e kulturën por edhe festat edhe traditat e bukura shqiptare.
ITALIANËT MBËSHTESIN E PËRKRAHIN MËSIMIN SHQIP
Komuniteti Italian dhe komuna Italiane e ka mirëpritur dhe mbështetur iniciativën time për hapjen e kësaj shkolle, dhe patjetër më duhet ta falenderoj dhe kryetaren e komunës Elena Rossi për mbështetjen që më ka dhënë dhe për objektin që më ka dhënë në dispozicion që ne të zhvillojmë çdo të shtunë mësimin e gjuhës shqipe. Si mësuese e gjuhës shqipe nuk jam ndalur këtu. Një nga kërkesat e mia në instiucionet italiane ka qenë dhe futja e gjuhës shqipe në shkollat shtetërore italiane ku ka një numër të lartë nxënësish shpiptarë dhe jam në pritje të një përgjigjeje nga ana e institucioneve shtetërore italiane.
VËSHTIRËSITË E MËSIMDHËNIES
Patjetër që vështirësitë janë në mësimdhënien e gjuhës shqipe sepse kemi të bëjmë me fëmijë që prindërit e tyre kanë lindur këtej dhe fëmijët janë të lindur këtej e njëkohësisht studiojnë në shkollat italiane dhe janë gjatë gjithë ditës të shoqëruar nga shokë italianë. Kjo nuk i ka penguar aspak për të arritur të flasin e shkruajnë dhe lexojnë gjuhën shqipe. Me punë dhe dëshirë çdo gjë arrihet! Teknologjia është patjetër e domosdosheme për shpjegimin e orëve mësimore që ne zhvillojmë në shkollën tonë.
MËSIMI SHQIP AFRON FËMIJËT ME ATDHEUN MËMË
Fillimi i mësimit shqip ka qenë i vështirë dhe për fëmijët tanë sepse duke frekuentuar shkollat italiane dhe duke u shoqëruar me shoqëri italiane dukeshin disi ndryshe nga shokët e tyre, por duke i treguar çdo bukuri natyrore që ka Shqipëria, duke i folur për personazhet e rëndësishëm me origjinë shqiptare, duke festuar festat kombëtare të Shqipërisë, duke i folur për traditat tona, fëmijët janë bërë më kuriozë për vendin e tyre saqë presin me padurim orët e mësimit të gjuhës shqipe dhe kanë dëshirë që pushimet ti kalojnë në Shipërinë tonë të bukur.
KUSH ËSHTË MËSUESE FABJOLA METANI?
Jam kordinatore e shkollës shqipe në Ostellato (Ferrara). Kam mbaruar gjimnazin pedagogjik në Shqipëri. Kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Humane, diplomuar në Gjuhën Italiane. Jam e diplomuar dhe në shtetin Italian si mësuese dhe edukatore. Aktualisht punoj si mësuese në disa shkolla italiane njëkohësisht jap dhe mësimin e gjuhës shqipe në shkollën tonë.