Ambasadorja Teuta Sahatqija – Konsulle e Përgjithshme e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork bashkë me stafin e konsullatës, pritën mësuesit dhe fëmijët e shkollës shqipe, “Children of the Eagle” të Nju Jorkut.Ambasadorja Sahatqija, duke iu uruar mysafirëve mirëseardhje në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, tha se kjo vizitë është e një rëndësie të veçantë, meqë jemi në prag të festimit të njëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me qëllim që fëmijët t’i forcojnë lidhjet me Kosovën, me identitetin, kulturën dhe gjuhën shqiptare.
Ambasadorja Sahatqija tha se në kohën e suprimimit të autonomisë, ka qenë shkolla shqipe që është mbyllur e para.
“Megjithatë, sikur plani mizor i Millosheviqit për moslejimin e vijimit të mësimit në shqip nëpër shkollat shqipe të realizohej, atëherë gjuha shqipe do të flitej vetëm nga njerëz të pashkollë”, tha ajo.
“Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi dhe shkolla shqipe mbijetoi. Mësimi u mbajt në shtëpi private, në kisha e xhamia”, shtoi ajo.
Duke folur për rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe, Ambasadorja Sahatqija i përgëzoi mësuesit e kësaj shkolle për përkushtimin e tyre më fëmijë, por edhe vetë prindërit e fëmijëve, të cilët, siç tha ajo, e dinë më së miri se çka nënkupton të ruash gjuhën, kulturën dhe historinë.
Në anën tjetër, drejtoresha e shkollës “Children of the Eagle”, zonja Drita Gjongecaj, u shpreh e kënaqur për vizitën e stafit të shkollës, prindërve dhe fëmijëve të kësaj shkolle në ambientet e konsullatës, duke shtuar se “përpos mësimit të gjuhës shqipe, ne mundohemi t’u mësojmë fëmijëve edhe njohuritë bazë mbi historinë dhe gjeografinë”.
Në fund, pas përfundimit të një shfaqjeje artistike të fëmijëve, “Valles së Rugovës” dhe recitimit të një vjershe kushtuar Pavarësisë së Kosovës, fëmijëve të kësaj shkolle iu shpërndanë Abetare dhe fletore pune, me qëllim të mësimit të gjuhës shqipe.
Ky është viti i dytë me radhë që Konsullata e Republikës së Kosovës në Nju Jork fton fëmijë të shkollave shqipe në Nju Jork që t’i vizitojnë ambientet e konsullatës, për hir të Ditës Kombëtare.
Ambasaodrja Teuta Sahatqija shkroi komentoi ne fb viziten e femijeve: E si mund te nise me mire festimi i Dites se Pavaresise se me femije, nxenes te shkolles shqipe Children of Eagle ne New York?
Une dhe gjithe diplomatet jemi shume te lumtur me viziten qe na bene ne zyret e Misionit te Kosoves keta femije te zgjuar e te bukur, te shoqeruar nga prindet dhe arsimtaret e tyre.
Keta engjuj te bukur te veshur me tesha kombetare, me flamuj kombetar dhe flamurin e Kosoves, na dhuruan shfaqjen qe kishin pergatitur me recitime e valle.
Ne ju dhuruam libra dhe fletore pune dhe shume perqafime.
Shume falenderime Drejtoreshes Drita Gjongecaj dhe mesueseve per punen dhe perkushtimin per ruajtjen e gjuhes, kultures, tradites ne Diaspore.